Politika monetare e Bankës së Shqipërisë ka kontribuuar mesatarisht me 0.83 përqindje në rritjen ekonomike të Shqipërisë gjatë tre viteve të fundit. Një analizë e Bankës së Shqipërisë për ndikimin e politikës monetare gjatë katër viteve të fundit vlerëson gjithashtu se ndikimi mesatar në inflacion ka qenë afërsisht 0.7 përqindje, ndërsa në kursin e këmbimit me 0.6 përqindje.

Për të vlerësuar efektin e politikës monetare në rritjen e Prodhimt të Brendshëm Bruto dhe treguesit e tjerë makroekonomikë, Banka e Shqipërisë ka kryer disa ushtrime. Në ushtrimin e parë është vlerësuar efekti i politikës monetare në normat e interesit në monedhën vendase dhe më tej, ndikimi i këtyre të fundit në aktivitetin ekonomik;

Në ushtrimin e dytë është përftuar ndikimi që politika monetare ka mbi kursin nominal të këmbimit; më tej, duke përdorur rezultatet e ndikimit të politikës monetare në aktivitet ekonomik dhe në kurs këmbimi është vlerësuar ndikimi i politikës monetare në inflacion.

Efekti pozitiv i politikës monetare në rritjen ekonomike të Shqipërisë, është përcjellë nëpërmjet uljes së normave të interesit dhe kostos së shërbimit të borxheve ekzistuese, si dhe kreditimit të pandërprerë të ekonomisë.

Norma mesatare e interesit për Lekun është ulur në 0.5%, duke shënuar nivelin më të ulët historik në dekadën e fundit. Me qëllim rritjen e kreditimit në monedhën vendase dhe të investimeve.

Nga analiza e BSH, ndonëse treguesit e ekonomisë reale janë përkeqësuar gjatë vitit 2020, efekti pozitiv i politikës monetare në ekonomi është përforcuar.

Banka e Shqipërisë ka arritur në konkluzionin se, deri në tremujorin e tretë të vitit 2020, si rezultat i efektit pozitiv të politikës monetare stimuluese, aktiviteti ekonomik real në vend është rreth 3.7 përqind më e lartë, kundrejt një PBB-je alternative pa kontributin e politikës monetare. E thënë ndryshe, rënia e ekonomisë shqiptare vitin e kaluar do të kishte qenë shumë më e thellë, në mungesë të politikës monetare stimuluese të Bankës së Shqipërisë.

Kursi stimulues i politikës monetarë gjithashtu ka ushtruar presione nënçmuese mbi kursin e këmbimit, me një kontribut mesatar rreth 0.6 përqindje në vit; kjo nënkupton se në mungesë të efektit të politikës monetare, leku do të ishte më i vlerësuar me mesatarisht 0.6 përqind kundrejt valutave të tjera në kursin e këmbimit valutor.

Efekti i mbiçmimit të valutave kryesore ndaj lekut, ishte i pranishëm gjatë pjesës së pare të 2020, kohë kur u mbyll ekonomia për shkak të pandemia. Por në gjatëmujorin e dytë të vitit Leku fitoi terren ndaj monedhave të huaja dhe luhatjet ishin brenda parashikimeve të pritshmërisë të Banksë së Shqipërisë.

Në tremujorin e pare të vitit 2020, dollari amerikan u këmbye mesatarisht në vlerën 108.99 lekë në janar për të arritur vlerën më të lartë prej 116.96 lekë në fund të muaj mars 2020. Në të njëjtin trend u shfaq edhe euro.

Për periudhën janar- mars 2020 monedha e përbashkët europiane u këmbye në vlerën 121.97 lekë dhe arriti vlerën më të lartë 128.17 lekë në muajin mars.

Goditja e pësuar në fund të muajit mars u amortizua brenda muajit pasardhës dhe treguesit e rrezikut në tregun valutor janë stabilizuar tashmë, duke konverguar drejt mesatares së tyre historike.

BSH vëren se, qëndrueshmëria e kursit të këmbimit dhe mungesa e nënçmimit të fortë të lekut pas përhapjes së pandemisë është diktuar nga tkurrja e deficitit tregtar gjatë kësaj periudhe.

Kështu kursi i këmbimit është shfaqur i qëndrueshëm që prej fundit të muajit prill, në një nivel lehtësisht më të lartë të Lekut se ai i fillimit të vitit.

Euro dhe dollari shënuan tendencë rënëse gjatë pjesës së dytë të vitit, ku më e fortë ishte tkurrja e monedhës së gjelbër gjatë muajit dhjetor.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye mesatarisht gjatë dhjetorit 2020 në vlerën 123.61 lekë, duke zbritur në nivelin më të ulët që prej fillimit të muajit gusht.

Ndërsa rënien e fortë e dollarit, e ka zbritur atë në vlerën 100.85 lekë, duke iu afruar nivelit të 100 lekëve për herë të parë në më shumë se gjashtë vjet.

Sipas BSH-së, që nga janari, monedha e gjelbër është nënçmuar me më shumë se 9 lekë, rënia e fortë e dollarit është përforcuar dhe nga dobësia e tij në tregjet ndërkombëtare, ku ai po luhatet afër niveleve me të ulëta të dy viteve e gjysmë ndaj euros.

Aktorët e tregut shprehen se, sezoni i funditvitit shoqërohet me një rënie të valutave, për shkak të rritjes së prurjeve të emigrantëve, ndonëse këtë vit ky faktor është i dobët, për shkak të kufizimeve nga pandemia.

BSH-ja konfirmon se, treguesit e stresit në tregun valuator, luhatshmëria dhe spread-et e kuotimit, janë kthyer në vlerat e tyre normale. Ndikimi pozitiv i politikës monetare stimuluese në rritjen ekonomike dhe në kursin e këmbimit ka gjeneruar, rrjedhimisht edhe presione të shtuara inflacioniste.

Inflacioni vjetor për vitet 2017-2020 vlerësohet të jetë mesatarisht 0.7 përqindje më i lartë si rezultat i ndikimit të politikës monetare.

Intensiteti i ndikimit është përforcuar gjatë viteve 2019-2020, në mesatarisht 1 përqind, krahasuar me 0.2 përqind në vitin 2017.

Sipas INTAT, për vitin 2020 inflacioni mesatar rezultoi 1.6%; sipas vlerësimeve të BSH, në mungesë të stimulit monetar norma e inflacionit do të ishte vetëm 0.6%. Banka e Shqipërisë parashikon që inflacioni të qëndrojë në nivelin prej 1.9% gjatë vitit 2021 dhe të rritet gradualisht drejt objektivit të saj 3 % brenda vitit 2022.

Rritja e tij i atribuohet më së shumti rritjes së çmimeve të ushqimeve, të cilat zënë rreth 41% të shportës së konsumit. Ndërkohë që rritja reale e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) ka shënuar rritje progresive të qendrueshme nga viti në vit. Në vitin 2013, rritja ishte 1 %, vit kur edhe nisi reforma e konsolidimit fiskal.

Kështu në vitin 2014, PBB u rrit në 1.77 %, në vitin 2015 u rrit në 2.22 %, në vitin 2016 shënoi një rritje prej 3.31 % për të kulmuar në vitin 2018 ku rritja preku nivelin e 4.07 %.

Banka e Shqipërisë parashikon mbështetur edhe në stimujt monetar dhe fiskal që rimëkëmbja e ekonomisë të arrijë në 5.5 % në fund të këtij viti, pas rënies që shënoi këto dy vitet e fundit ekonomia, për shkak të tërmetit dhe pandemisë.

Etleva Xhajanka