Gramshi, i ndodhur në pjesën juglindore të Shqipërisë, vitet e fundit ka pësuar një transformim rrënjësor, duke u kthyer në një qendër urbane me hapësira publike dinjitoze për banorët. Ndërsa tërheq gjithnjë e më shumë interesin e turistëve vendas e të huaj, me pikat turistike, bukuri natyrore mjaft të spikatura të tij.

Gramshi mund të shfrytëzohet për turizëm ditor nga banorët e disa qyteteve si Tirana, Elbasani, Lushnja, Berati etj.

Investimet në infrastrukturë kanë lehtësuar ndjeshëm qarkullimin e mjeteve. Ndërsa bujtinat pranë zonave rurale, përveç mikpritjes në ambientet e tyre, bëjnë edhe guidën drejt vendeve më të bukura të këtij qyteti.

Me një rrugë automobilistike që ke dëshirë të udhëtosh, me një peizazh natyror që të befason me gjelbërimin dhe bukuritë natyrore dhe sapo kalon Cërrikun, fillon vërtet ajo që ju kërkoni.

Përballë të shfaqet diga e madhe e hidrocentralit të Banjës me liqenin madhështor, me ujërat e pastër mes dy faqeve malore. Nga diga deri në qytetin e Gramshit, ka mjaft pika çlodhjeje mes një natyre të veçantë.

Ka lokale, kampingje të ngritur nga turistët e aventurës, që preferojnë ta kalojnë natën në natyrë, por mbi të gjitha, ndesh edhe me derdhje lumenjsh që zbresin nga shpatet lindore të liqenit dhe derdhen në të.

Midis tyre është dhe lumi Holta, një nga perlat e bukurisë natyrore të Shqipërisë, me kanionet e tij të mrekullueshëm, që e nis shtrirjen e tij nga fshati Bardhan deri në fshatin Kobash me gjatësi rreth 3 km, ndërsa shpatet e luginës ngjiten lartë deri në i 100 – 150 m dhe me thellësi të ujit që shkon deri në 3 m.

Në shpatet e thepisura në rrjedhën e këtij lumi, gjenden shumë shpella karstike, që janë të vizitueshme nga natyralistët dhe aventurierët e ngjitjeve sportive. Veç lumit me kanionet befasuese të tij, në shpatet malore të kësaj zone, gjenden pyje me drurë të rrallë panje, bredhi, pisha si dhe mjaft specie të rralla kafshësh dhe shpendësh.

Holta është një zonë turistike e pa eksploruar akoma. Në zonën e Gramshit ka shumë monumente të natyrës apo dhe të historisë të antikitetit, burime natyrore si, Ujëvara e Sotirës, që mbeten pak të vizitueshme për shkak të infrastrukturës rrugore.

Ujëvara e Sotirës konsiderohet si një kryevepër natyrore.

Në fshatin Sotirë në Gramsh, ndodhet një prej ujëvarave më magjike në Shqipëri. Ujëvara e Sotirës u ka shërbyer banorëve të zonës për çlodhje, apo e kanë shfrytëzuar këtë burim hidrik për bujqësinë dhe blegtorinë. Mjafton vetëm një orë e gjysmë hiking mes gjelbërimit për ta arritur atë.

Sotira, vizitorë të përditshëm ka pasur vetëm banorët e zonës, por tashmë po kthehet në një destinacion për shumë turistë shqiptarë.

Terreni është i përshtatshëm për ecje dhe rruga është aq e freskët e plot burime ujore, sa nuk ndihet lodhja. Vizitorë të shumtë planifikojnë piknike në lëndinën buzë ujëvarës së Sotirës mes natyrës së paprekur nga dora e njeriut dhe zhurmës karakteristike të ujit.

Kjo ujëvarë, e cilësuar edhe si “Niagara” e Shqipërisë e ka marrë emrin Sotirë nga fshati ku edhe ndodhet ujëvara. Ujëvara ka një lartësi rreth 100 metra dhe buron nga mali i Tomorrit. Ka një bukuri mahnitëse që tërheq shumë vizitorë nga Shqipëria, por edhe turistë të huaj që janë të apasionuar pas natyrës.

Një nga perlat dhe bukuritë natyrore në zonën e Gramshit është dhe lumi Holta me kanionet e tij të mrekullueshëm. Kanionet e Holtës, janë një ftesë e hapur për turistët e natyrës dhe aventurës.

Kanionet e lumit të Holtës vizitohen duke u nisur nga Gramshi-Bardhan-Kabash, një rrugë e vështirë për makinat dhe ka një gjatësi rreth 18 km. Kjo zonë dhe kjo rrjedhë lumore është një atraksion turistik për pasionantët e natyrës, të aventurës dhe historisë që mund të shfrytëzohet në çdo stinë.

Në shpatet e thepisura në rrjedhën e këtij lumi, gjenden shumë shpella karstike, që janë të vizitueshme nga natyralistët dhe aventurierët e ngjitjeve sportive. Veç lumit me kanionet befasuese të tij, në shpatet malore të kësaj zone, gjenden pyje me drurë të rrallë panje, bredhi, pisha si dhe mjaft specie të rralla kafshësh dhe shpendësh.

Për të nxitur turizmin në këto habitate të bukura, ende të pa eksplorura mirë, Bashkia e Gramshit ka ndërmarrë veprimtari të ndryshme agroturistike- mjedisore. Festa lokale është një ndër aktivitetet më të spikatura, si një mënyrë për të promovuar traditën dhe natyrën shqiptare.

“Natyra Fest” bashkon fermerët e zonës në një panair të organizuar me këtë rast, për të ekspozuar produktet e tyre bujqësore dhe blegtorale dhe traditën kulinare.

Ky aktivitet i organizuar nga bashkia e Gramshit në muajin maj, është kthyer në një ritual që krijon mundësi më shumë për të promovuar turizmin dhe ekonominë e zones. Eventi synon të lidhë më shumë qytetarët nga e gjithë Shqipëria me natyrën, të krijojë alternativa të reja për të njohur qytetin, kulturën dhe traditën dhe veçanërisht të promovojë atraksionet natyrore të tij.

Gjatë dy ditëve të aktivitetit më 25-26 maj, pjesëmarrësit vizitojnë pikat e larmishme turistike të Gramshit si Ujëvara e Sotirës, Kanioni i Holtës, Shpella e Kabashit, Liqeni i Dushkut, Grabova, Liqeni i Zi, Kanioni i Sinecit e shumë ndalesa të tjera.

Përveç kësaj çelet edhe panairi i produkteve ushqimore dhe artizanale vendase, që i shton shumë vlerë dhe ngjyra eventit dhe qytetit të Gramshit, si dhe organizohen ngritje balonash, aktivitete me kanoe në liqen, ecje në natyrë, kamping, ngjitje në shkëmbinj (climbing), çiklizëm dhe eksplorim shpellash.

Ndërkohë gjatë mbrëmjeve të aktivitetit organizohen koncerte me pjesëmarrjen e veçantë të grupeve folklorike nga Gramshi, Elbasani, Përrenjasi, Belshi dhe Mallakastra, si dhe të apasionuarit pas kinematografisë ndjekin shfaqje të filmave në kinemanë verore.

Kjo festë është kthyer në një traditë të përvitshme për Gramshin, pasi çdo herë ky qytet të ofron mundësi dhe eksperienca të paharrueshme.

Etleva Xhajanka