Deri para pak ditësh Shqipëria kishte vetëm një aeroport ndërkombëtar, atë “Nënë Tereza” të Rinasit. Për shumë shqiptarë, referuar sipërfaqes së vogël të vendit, ekzistenca e disa aeroporteve ndoshta duket e panevojshme, ndërsa për të tjerë e vështirë për t’u realizuar. Por nëse flasim për një turizëm me standard të larta, ekzistenca e një aeroporto të vetëm ndërkombëtar, nuk e mundëson këtë. Ndaj strategjia e re e ndërtimit të disa aeroporteve në territorin shqiptar duket se ka nisur mbarë këtë vit.

Javën e kaluar, kryeministri Edi Rama shoqëroi fluturimin e avionit Air Albania nga Rinasi në Kukës dhe e cilësoi këtë ngjarje si “hapja e portës së dytë nga qielli i Shqipërisë”. Nga autoritetet zyrtare njoftohet se nga 17 qershori aeroporti ndërkombëtar i Kukësit “Zayed – Flatrat e Veriut” do të jetë i përdorshëm nga të gjitha kompanitë ajrore.

Aeroporti i Kukësit është ndërtuar dhe studiuar mbi bazën e konceptit për t’i shërbyer trevave shqiptare, si të Shqipërisë, Kosovës, por edhe Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi. Ai do të jetë i dedikuar për kompanitë low cost, ndërsa të punësuarit do të jenë nga zonat rreth Kukësit, përveç atyre pozicioneve që kërkojnë trajnime apo licencime të specializuara.

Aeroporti i Kukësit ka një territor prej 512 mijë metra katrorë, me një gjatësi piste prej 1900 metrash dhe gjerësi 45 metra. Kategoria e tij është 3C, për akomodimin e avionëve turboprop dhe avionëve me turbina rajonalë. Kapaciteti i projektuar është rreth 1 milion pasagjerë në vit. Pritet që aeroporti i Kukësit të jetë një motor i ri dhe shumë i fuqishëm për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik e social të Shqipërisë.

Aeroporti i Vlorës

Në një realitet të ngarkuar me premtime zgjedhore në prag të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku nënshkroi kontratën për ndërtimin e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës me kompaninë fituese, bashkimin e kompanive të regjistruara në Zvicër, Mabco Construction, i përbërë nga Mabetex Group, YDA Group dhe A Group sh.p.k.

Ajo tha se “aeroporti ndërkombëtar i Vlorës është në strategjinë tonë të aviacionit civil, një nga veprat më të mëdha që është dizenjuar për të akomoduar të gjitha fluturimet kudo në botë dhe ato transoqeanike, që deri më sot nuk janë ofruar nga vendi ynë për shkak të pistës jo të përshtatshme në aeroportin e Rinasit”.

Sipas saj, puna për aeroportin e Vlorës nuk është ndalur, pavarësisht vështirësive nga pandemia. Ky aeroport do të jetë i kategorisë 4E, një nga kategoritë më të larta me standardet europiane.

Përveç aviacionit civil në këtë aeroport ka edhe dy sektorë të tjerë të aviacionit civil, që janë mirëmbajtja e avionëve, e zbatuar për here të pare në Shqipëri, dhe kargo. Ndër të tjera mësoher se ndërtimi i aeroportit të Vlorës do të sigurojë të ardhura dhe do të nxisë punësimin dhe profesionistët e rinj që duhet të zhvillohen, duke i hapur rrugë ngritjes së Akademisë së Aviacionit në Vlorë.

Punimet në aeroportin e Vlorës nisin brenda 14 muajsh dhe do të ketë edhe një studim arkeologjik. Më pas 8 muaj do të jenë në dispozicion për përmbushjen e kushteve paraprake si dhe 6 muaj për marrjen e licencave të nevojshme të mjedisit, ndërtimit, njofton ATSH.

Faza e parë përfshin ndërtimin e terminalit të pasagjerëve dhe parashikon sipas kontratës 36 muaj, ndërsa faza e dytë që konsiston në zgjerimin e terminalit të pasagjerëve do të përfundojë pas vitit 4 të fillimit të operimeve. Investimi do jetë privat, pra jo me të ardhurat nga buxheti i shtetit.

Në fjalën e tij gjatë ceremonisë së nënshkrimit të kontratës për ndërtimin e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës, kryeministri Edi Rama deklaroi se aeroporti i Vlorës është motor i ri për ekonominë shqiptare. Ai premtoi hapjen e 4 portave nga qielli, duke ju referuar lancimit të garës për aeroportin e Sarandës.

Ndërsa lidhur me aeroportin “Nënë Tereza” Rama tha se do të jetë një investim 99 milionë euro, sipas marrëveshjes së bërë me sipërmarrjen që tanimë e ka kthyer aeroportin e Tiranës në një aeroport shqiptar të menaxhuar nga shqiptarët. “Aty do të ndërtohet terminali i ri, do plotësohen të gjitha kushtet e mungura të pistës për fluturime transoqeanike”, – tha Rama.

Autoritetet shqiptare kanë nënvizuar se investimet në infrastrukturën portuale dhe aeroportuale po kryhen me synim rritjen e sektorit të turizmit. Madje në një nga spotet e fushatës zgjedhore kryesocialisti Rama bëri nje premtim të madh, kur u shpreh se “Sezoni i ri turistik do të risjellë jetën, siç e kemi ëndërruar prej thuajse 2 vjetësh. Falë 4 portave të reja nga qielli dhe 4 të tjerave nga deti për udhëtarët e turistë nga mbarë bota, Shqipëria do të hyjë në ligën e kampionëve të turizmit në Europë”.

Eda Merepeza