Në një anketë të Bankës së Shqipërisë, të zhvilluar me bizneset e sektorit të ndërtimit, në lidhje me gjendjen financiare dhe pritshmëritë për punësimin dhe çmimet, vihet re një rritje e këtyre të fundit. Sipas anketës, vetë ndërtuesit shfaqin pritshmëri të lartë për rritjen e mëtejshme të nivelit të çmimeve në tremujorin e parë të këtij viti.

Sektori i ndërtimit ndryshe nga sektorët e tjerë të ekonomisë që shfaqën doza të larta pesimizmi, për shkak të efekteve negative që ka dhënë pandemia gjatë këtij viti në aktivitetet e tyre, arriti t’i mbijetojë krizës dhe madje u bë shkak për të frenuar rënien e fortë ekonomike të vitit 2020.

Shumica e ndërtuesve që u pyetën nga Banka e Shqipërisë, pohuan se çmimet do të rriten më tej gjatë këtij viti. Balanca e përgjigjeve se çmimet do të rriten, në të gjitha bizneset e sektorit ishte 11% më e lartë se përgjigjet e atyre që mendojnë se çmimet nuk do të rriten.

Ndërkohë balanca e pritshmërive se çmimet do të rriten më tej shënoi nivelin më të lartë së paku të dy viteve të fundit.

Treguesi i Besimit në sektorin e Ndërtimit (TBN) u rrit me 8.0 pikë përqindje në tremujorin e parë. Rritja e këtij treguesi u përcaktua kryesisht nga rritja e balancës së aktivitetit ndërtues me 15.2 pikë përqindje, në një kohë që balanca tjetër formuese e treguesit, kontratat porositëse, shënoi rritje të lehtë me 0.8 pikë përqindje. Midis balancave të tjera, rritje shënuan edhe gjendja financiare, punësimi dhe pritshmëritë për në tremujorin e ardhshëm.

Sektori i ndërtimit pati një kontribut pozitiv në Prodhimin e Brendshëm Bruto të vitit të kaluar. Vetëm në tremujorin e fundit të vitit 2020, vlera e shtuar në ndërtim ishte 18.48% më e lartë se e të njëjtit tremujor të vitit 2019.

Edhe pse në vitin 2020 ekonomia ishte në krizë, si rrjedhojë e kufizimeve që u morën për frenimin e pandemisë Covid-19 sektori i ndërtimit, jo vetëm nuk u prek, por u zgjerua më tej, si në drejtim të prodhimit dhe shitjeve gjithashtu, sidomos në gjysmën e dytë të vitit.

Ndërkohë vetë ndërtuesit si arsye kryesore për ndryshimin e çmimeve të shtëpive, shohin shtimin e kostove nga taksat dhe rritjen e cilësisë së ndërtimit. Ata parashikojnë një rritje të çmimeve me 10% këtë vit, edhe pse treguesit zyrtarë të ekonomisë nuk tregojnë rritje të të ardhurave dhe punësimit, përkundrazi ka përkeqësim.

Në një intervistë për “Monitor” ndërtuesi Hajredin Fratari pohon se çmimet e apartamenteve për ndërtimet e reja të vitit 2021 në zonën e Kasharit do të rriten 10% krahasuar me vite më parë. Në vitet e fundit, çmimet e apartamenteve në komplekset e ndërtuara në Kashar nga Hajredin Fratari kanë mbetur të pandryshuara (çmimet variojnë 630-650 euro për metër katror).

Sipas tij çmimet pritet të kenë rritje, për shkak të disa taksave që ka vendosur bashkia, si dhe rëndimi nga kostot e transportit të dherave. Edhe tarifa për këtë shërbim është e lartë. Çmimet e apartamenteve do të rriten aq sa do të rriten edhe taksat e bashkisë.

Kostot e taksave të bashkisë llogariten 70 euro për metër katror (50 euro për metër katror llogaritet taksa 9% e bashkisë për zonën e Kasharit +20 euro për metër katror, taksa 3% e strehimit) në këto nivele do të rriten edhe çmimet e apartamenteve. Nga 630 euro që shiten aktualisht do të shkojnë 700 euro për metër katror”.

Ndërkohë parashikimet për çmimet e apartamenteve për vitin 2021 të përfaqësuesve të agjencive “real estate” janë ndryshe nga ato të ndërtuesve. Sipas tyre kërkesa në 2021 do të jetë e ulët, ndërsa oferta do të mbingopet. Kjo mund të sjellë ulje të çmimeve ose t’i mbajë të pandryshuara krahasuar me 2020.

Vitin e kaluar, çmimet e apartamenteve në zonat e periferisë u rritën 20% krahasuar me 2020-n. Frika nga infektimi dhe dëshira e njerëzve për t’u larguar nga zhurma e qendrës dhe ndotja e përqendroi më shumë kërkesën për banesa në zonat periferike ku ajri është më i pastër. Kërkesa për këto zona u rrit edhe pas tërmetit, sidomos për apartamente në pallate të ulët.

Sipas përfaqësuesit të Shoqatës së Ndërtuesve, Arben Dervishaj, kërkesa për banesa në zonat periferike u rrit edhe pas tërmetit, sidomos për apartamente të ulëta. Nëse flasim për rritjen e çmimeve, thotë Dervishaj, nuk është e vërtetë që do të rriten kudo, sidomos zona e qendrës, e cila ka shkuar drejt çmimeve maksimale.

. Rritja e cmimit të ndërtesave pritet të ketë në zonat periferike të Tiranës. Kjo për dy faktorë: e para, sepse ka një rritje të kostos së ndërtimit, si rezultat i pandemisë dhe vështirësisë. E dyta, këtë vit ka pasur goxha investime në fushën e ndërtimit si rezultat i futjes së shtetit në ndërtimet dhe riparimet e reja për shkak të tërmetit, të cilat bënë që fuqia punëtore në Shqipëri të mos jetë e mjaftueshme. Kjo ka bërë që të ketë dhe rritje të fuqisë punëtore.

Elida Lazi