Kombinimi i bujqësisë me turizmin po shndërrohet në një model të suksesshëm biznesi për zonat rurale. Fermat-restorant ose bizneset e agro-turizmit po sjellin më shumë të ardhura se serat me perime dhe stallat e blegtorëve. Ato po krijojnë ekonominë e shkallës dhe ndihmojnë në zbutjen e varfërisë në fshat. Mrizi i Zanave, si modeli i suksesit tashmë i markuar ndërkombëtarisht, po përhapet me shpejtësi në fshatra të tjerë të vendit.

Para 10 vitesh, Fishta e Lezhës ishte si të gjithë fshatrat e tjera të Shqipërisë, me toka djerrë e të rinj në emigracion, që trashëgoi mbiemrin e poetit të madh Gjergj Fishta, deri sa vëllezërit Prenga u rikthyen për ta ndryshuar përgjithmonë. Ngritja e një restoranti në tokat e familjes, i mbështetur në traditë dhe prodhimet e zonës shumë shpejt i ka dhënë një dimension tjetër zonës, duke e përfshirë në guidat turistike vendase dhe të huaja. Biznesi i bazuar në agroturizëm, jo vetëm që po siguron të ardhurat për familjen Prenga, por po zhvillon ekonominë e shkallës në të gjithë zonën përreth, duke ringjallur bujqësinë dhe turizmin njëkohësisht.

Modeli “Mrizi” po përhapet me shpejtësi në të gjithë vendin, pasi përvojat e pakta kanë treguar se në krahasim me fermat e bagëtive dhe serat në fushë, agroturizmi, një biznes mes bujqësisë dhe turizmit, ka më shumë leverdi. Mirëpo vërshimi i industrialistëve të Tiranës që kërkojnë të investojnë tepricat e tyre në këtë lloj biznesi mund ta rrezikojë për shkak se biznesi në fshat kërkon veç të tjerash, lidhje shpirtërore.

Altin Prenga, administratori i Mrizit të Zanave thotë se agroturizmi është një sektor me të ardhme në Shqipëri dhe aktualisht është i zhvilluar nën potencialet që ka.

Por zoti Prenga thotë se ky lloj biznesi nuk bëhet duke u ngrysur në qytet e duke bërë hotele dhe restorante luksi në fshat. Lidhja me fshatin duhet të jetë e natyrshme, përveç dëshirës dhe mundësive financiare. Agroturizmi nuk mund të jetë i tillë nëse nuk organizohet komuniteti në të gjithë zonën për të orientuar zinxhirin e prodhimit.

Por, përtej të gjitha vështirësive të momentit, argroturizmi është një trend i ri biznesi. Fermat ekzistuese po rrisin të ardhurat dhe punësimin me mbi 20% në vit,

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, tre vite më parë, duke vlerësuar fizibilitetin e investimeve në bujqësi, përzgjodhi agroturizmin si modelin më të suksesshëm teksa vlerësoi se fermat bujqësore nuk ishin fitimprurëse nëse nuk kishin më shumë se 20 hektarë. Fermat e mëdha të kafshëve prodhojnë produkte me kosto të lartë, për shkak se nuk mbështeten me zinxhirin ushqimore. Copëzimi i madh i tokës, ku sipërfaqja mesatare e një ferme nuk është 1.03 hektarë, problemet e pronësisë, mekanizimi i dobët i kanë bërë bizneset e sektorët të vuajnë nga produktiviteti i të ulët, teksa agroturizmi po shihet si shpresëdhënës për riorientimin e investimeve në sektor.

Urbanizimi i shpejtë që përfshiu Shqipërinë pas viteve 1990, kur banorët e zonave rurale u dyndën drejt qyteteve duket se është maturuar. Jeta intensive në qytet nën zhurmat, smogun dhe mungesën e gjelbërimit ka nisur të ringjallë interesin për fshatin, sidomos për fundjavë dhe pushime. Koha e lirë në fshat mes ushqimit të veçantë, natyrës, bagëtive që kullosin, bimëve në fushë dhe pulave në ara bëhet shumë argëtuese, sidomos për një familje me fëmijë.

Prej këtij trendi po marrin hov restorantet në fshat, të cilat po e lidhin më së miri bujqësinë e zonës me shërbimet e turizmit. Këtë model e krijoi më së miri Mrizi i Zanave në fshatin Fishtë të Lezhës. Familja Prenga trashëgonte, përveç pronave në zonë, edhe një traditë të mirë kulinarie, e cila e përsosur me përvojën në Itali, po krijon një model pozitiv zhvillimi për fshatin, por që rrezikon të keqkopjohet.

Shqipëria ka shumë resurse natyrore dhe trashëgimi të pasur kulturore dhe përgjithësisht rurale.

Nga aktiviteti i Mrizit në Fishtë përfitojnë rreth 300 familje. Disa janë të punësuar të përhershëm dhe të tjerë kanë marrëveshje me familjen Prenga për të shitur prodhimet e tyre. Për 10 vite pamja e fshatit ka ndryshuar tërësisht dhe njerëzit kanë filluar të mendojnë ndryshe. Mrizi por krijon një model të mirë për të rinj dhe e ka kthyer fshatin Fishtë në një markë ndërkombëtare. Por “mbreti” i agroturizmit shqiptar gjendet para sfidave më të mëdha. Zinxhiri i prodhimit është në fillesa dhe Altini kërkon një përfshirje më të madhe të komunitetit.

Së fundmi, përveç restorantit ka shtuar një bujtinë, që synon ta çojë në 6 dhoma dhe sapo ka përfunduar rikonstruksionin e ish-godinës së ish burgut duke e shndërruar në baxho, përpunim pastërmaje dhe magazina e për grumbullimin e frutave. Por ëndrra e Altinit është më e madhe se kaq. Ai synon që prodhimet e fushës të zgjerohen edhe më shumë, derisa të mos ketë më toka djerrë përreth dhe asnjë kokërr shegë e egër në faqet e maleve të mos kalbet në tokë. Përveçse të mbillen dhe të rriten me standarde sa më natyrale, Altini synon ta certifikojë çdo prodhim në fushë, baxho apo thertore. Për momentin duhet një thertore e certifikuar shpendësh, pasi në restorantin e Mrizit, mishi i shpendëve konsumohet shumë.

“Por këtë aktivitet duhet ta zhvillojë një tjetër person në zonë. Nuk dua t’i bëj vetë të gjitha, pasi bashkëpunimi me komunitetin dhe përfshirja e tij në bizneset mbështetëse rrit vlerën e shtuar për të gjithë”, – shprehet administratori i Mrizit.

Sfida e Mrizit është certifikimi i produkteve dhe sidomos, shegës së egër. Është një mrekulli që natyra na ka dhënë. Nga Lezha në Shkodër dhe nëpër gjithë zonën e Zadrimës, shpatet e kodrinave kanë shegë të egër. Tani Mrizi ka organizuar grumbullimin e saj, duke e përpunuar në mënyra të ndryshme, por certifikimi do të rriste vlerën e saj në të ardhmen dhe për rrjedhojë, do të rriste fitimet për grumbulluesit.

Për Altinin e Mrizit të Zanave është shumë i rëndësishëm certifikimi i produkteve të zonës dhe krijimi i një zinxhiri prodhimi, në mënyrë të organizuar. “Ne duam të ofrojmë prodhimet e zonës, por të garantuara dhe certifikuara. Kjo kërkon politika mbështetëse dhe një angazhim të madh të komunitetit”,- tha ai.

Ndërsa e cilësoi modelin e pikave agroturistike si biznesin fitimprurës të së ardhmes.

Etleva Xhajanka