Gjatë vitit 2020 për shkak të situatës së krijuar nga pandemia Covid-19, ekonomia shqiptare u tkurr me 3.3%. Sipas INSTAT, recensioni ka rezultuar më i zbutur, gati sa gjysma e parashikimeve fillestare të qeverisë dhe institucioneve financiare ndërkombëtare.

Ka qenë tremujori i katërt ai që ka ndikuar pozitivisht në ecurinë e ekonomisë pasi Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me 2.9%, pas 3 muajve në rënie të thellë si pasojë e krizës dhe mbylljes së ekonomisë, veçanërisht në tremujorin e dytë të vitit kur recesioni preku nivelin e 10.2%.

Sektori që ka mbajtur peshën më të madhe të zgjerimit të ekonomisë tremujorin e fundit, rezulton të jetë ndë rtimi. Kjo si rrjedhojë e procesit të rindërtimit që duket se ka dhënë një impuls të konsiderueshëm së bashku me aktivitetin e pasurive të paluajtshme, që pavarësisht krizës kanë parë rritje thuajse gjatë gjithë vitit.

Një ndikim jo të vogël në zbutjen e recesionit kanë pasur edhe shpenzimet e shtuara në shëndetësi e arsim, që në vlerësimet e institucioneve të huaja parashikohej mjaft pesimist deri në -9% sipas BERZH.

Sipas INSTAT, aktivitetet që kanë patur lidhje me sektorin e shërbimeve, tregtisë e hotelerisë, kanë qenë më të goditur nga kriza e shkaktuar nga pandemia Covid-19.

Kjo ishte diçka e pritshme pasi sezoni turistik ishte kufizuar, për shkak të masave shtrënguese që u morën nga qeveria për parandalimin e përhapjes së pandemisë.

Për shkak të varësisë së lartë nga turizmi, vlerësimet fillestare flisnin për rënien më të thellë të ekonomisë së vendit edhe në shtetet e rajonit. Nga ana tjetër, edhe transporti evidentohet si një ndër degët më të prekura, ku goditjen më të madhe e mori në muajt mars-maj, kur ekonomia ishte tërësisht në karantinë, duke ndjekur më pas trend rënës edhe në vijim.

Sipas të dhënave të INSTAT, konsumi final i popullatës shënoi një përmirësim duke u rritur me 2.9% kundrejt tremujorit të tretë, pas rënie së thellë që shënoi në tremujorin e dytë të vitit të kaluar kur pasiguritë dhe paqartësitë lidhur me situatën e Covid ishin tejet të mëdha.

Ndërkohë rënia e ekonomisë me 3.3% vitin e kaluar për shkak të pandemisë ishte e pritshme, por shumë poshtë parashikimeve të ekspertëve vendas e të huaj.

Sipas ekspertëve të ekonomisë, faktorët që kanë mbajtur këtë nivel të zbutur recesioni lidhen jo vetëm me shpenzimet e shtuara për shëndetësinë apo ecurinë pozitive të disa sektorëve si ndërtimi, por edhe me qarkullimin e parasë informale në vend.

Rezart Prifti, ekspert i ekonomise shprehet se: “Janë 2 gjëra që tregojnë shifrat, shpenzimet jo vetëm për konsumin privat por edhe shpenzimet publike në raport me shëndetësinë dhe e dyta lidhet me ndërtimin, jo me rindërtimin. Pra, paraja informale që është aq e madhe që përmbysi situatën që çoi gati në rritje ekonomike.

Ndërsa për ekspertin tjetër të ekonomisë, Ardian Civici, një nga faktorët që e mbajtën recesionin në këtë nivel, është padyshim rindërtimi.

Ai thotë se: “I gjithë procesi i rindërtimit ka ndikuar sepse janë para të hedhura në ekonomi, ndikoi tendërtimi që vazhdoi aktivitetin në kushte normale. Nga ana tjetër ka një ristrukturim të shpenzimeve të qytetarëve e buxhetore që u orientuan në sektorin shëndetësor. Remitatancat zbutën po ashtu recesionin pasi ishin një oksigjen për ekonominë, teksa ndikoi edhe mbyllja e kufijve pasi shqiptarët nuk nxorën para jashtë.

Sa i përket një rimëkëmbje të shpejtë të ekonomisë, ekspertët janë skeptik. Pasi sipas tyre ekonomia do të ndikohet së tepërmi veç krizës së pandemisë, edhe nga zgjedhjet e 25 Prillit. Ata japin edhe parashikimi lidhur me rritjen ekonomike për këtë vit.

Besoj që nuk do të jetë një vit me recesion, por me një rritje minimale ekonomike 1-3% . Por, gjithsesi ky proces varet edhe nga ekonomitë e rajonit e përtej rajonit. Natyrisht që ekonomia, biznesi e konsumi do reflektojnë edhe këtë konflikt politik të lartë,” u shpreh Civici.

Ndërsa eksperti Prifti shprehet se : “Jemi në një vend me rënie të lirë, me një administratë të zhbërë. Nuk mund të them për pritshmëri të larta sepse nuk shikoj dritë në fund të tunelit deri nga shtatori- tetori derisa të konfirmohen formacionet politike. Pa u konfiguruar këto ne do të shikojmë rënie të konsumit, rënie të tregtisë, investimeve. Nuk besoj që rritja ekonomike këtë vit të kapë dhe 0.

Ndërkohë qeveria ka parashikuar që këtë vit ekonomia shqiptare do të rritet me 5.5% duke vënë theksin te procesi i rindërtimit si shtylla kryesore e rimëkëmbjes, teksa Banka Qendrore ka një parashikim më të ulët dhe pret që ekonomia të zgjerohet me 4.9%.

Elida Lazi