Në vitin 2020, Evropa përjetoi një emigrim të madh me një prirje të kundërt, ndërkohë që ata të cilët kishin kërkuar punë jashtë vendit u kthyen në vendet përkatëse. Numrat e saktë janë të vështirë për t’u llogaritur. Sipas një sondazhi nga “The Economist”, rreth 1.3 milionë rumunë u kthyen në atdhe, ekuivalent me trefishin e popullsisë së qytetit të dytë më të madh në vend.

Rreth 500.000 bullgarë u kthyen në vendin e tyre, një numër i madh për një vend me rreth 7 milionë banorë. Lituania, për herë të parë në shumë vite, ka pasur më shumë qytetarë që kanë ardhur në vend sesa janë larguar.

Shembuj të tjerë tregojnë të njëjtën gjë. Në Varshavë, aplikacionet për takime në çift janë mbushur me polakë të kthyer që kërkojnë argëtim pa distancim social. Politikanët në Evropën Lindore ishin ankuar prej kohësh për “emigrimin e trurit” teksa shtetasit e tyre më të shkolluar largoheshin nga vendi në kërkim të pagave më të larta në Perëndim.

Tani, prej pandemisë, ndryshimeve të ekonomisë dhe modeleve të punës shumë njerëz po i kthejnë sytë nga vendlindja.

Emigrimi ka qenë një ndër temat që ka shqetësuar politikanët evropianë. Liria e lëvizjes, aftësia për të lëvizur në çdo vend të BE-së, është ndër përfitimet më të njohura të të qenit pjesë e bllokut. Ajo është veçanërisht e çmuar për qytetarët e ish-vendeve komuniste, të cilët kanë kujtime të zymta të ndalimeve të udhëtimit.

Sidoqoftë, edhe pse shumica e evropianëve besojnë në lirinë e lëvizjes, disa janë më pak të sigurt për t’ua dhënë këtë privilegj të tjerëve. Qeveritë e vendeve që humbin shumë të rinj të shkolluar, ankohen shpesh për këtë fakt.

Të dhënat në faqet e internetit të qeverisë lituaneze, tregojnë se popullsia po zvogëlohet nga 3.7 milionë në vitin 1990, në 2.8 milionë në 2019, në sajë të emigrimit dhe niveleve të ulëta të lindjeve.

Rreth 2 milionë polakë, ose 5% e popullsisë së vendit, jetojnë diku tjetër në Evropë. Shpesh, largohen edhe njerëzit më të kualifikuar.

Mjekët dhe infermierët që lënë Rumaninë janë një problem i veçantë. Emigrimi krijon një përplasje interesash mes individëve, që dëshirojnë të përmirësojnë jetën e tyre dhe qeverive, të cilat shpesh parapëlqejnë që njerëzit të qëndrojnë dhe të paguajnë taksa.

Edhe para pandemisë, ky proces kishte filluar të ndryshonte në disa vende. Emigrantët nga vendet baltike po kthehen në vendlindje, pasi kanë fituar para ose kanë marrë aftësi të dobishme në Evropën Perëndimore.

Duke filluar që nga viti 2017, estonezët e lidhur me vendlindjen ua kanë kaluar në numër atyre që largohen. Një program qeveritar për të ndihmuar lituanezët e kthyer kishte 215 konsultime në vitin 2015, shifër që u rrit në gati 9000 deri në vitin 2019.

Raste të ngjashme kanë ndodhur edhe në vendet më të mëdha. Në vitin 2018, numri i polakëve jashtë vendit nisi të ulet për herë të parë në gati një dekadë dhe ka rënë në mënyrë të vazhdueshme që nga ajo kohë, sipas Institutit polak për Ekonominë. Skemat e posaçme, duke nisur nga propaganda e ekzagjeruar për jetën në vendet baltike, deri te mësimet falas në polonisht për fëmijët e lindur jashtë, janë të zakonshme.

Emigrimi kudo në botë shpesh është i përkohshëm. Në Evropë, disa faktorë po i shtyjnë dhe tërheqin njerëzit të kthehen në atdhe. Sipas ekspertëve nga Instituti evropian i Politikave të Emigracionit, vërehet se hendeku ekonomik mes Lindjes dhe Perëndimit po zvogëlohet.

Tregjet e punës në Evropën Lindore janë bërë mjaft aktive.

Para pandemisë, shkalla e papunësisë në Republikën Çeke ishte rreth 2%, më e ulëta në bllok, nga niveli thuajse 9% kur u bashkua me BE-në në vitin 2004. Hendeku i pagave, megjithëse është ende i madh, pa tendenca në rënie.

Puna në distancë ndryshon gjithashtu llogaritjen. Një ekonomi e re gri është shfaqur në të gjithë BE-në, ku punonjësit mund të jetojnë në një vend, por të punojnë në mënyrë të paligjshme në një tjetër dhe si rezultat, paguajnë taksa në vendin e gabuar. Sipas ekspertëve, tashmë po reklamohet shumë perspektiva për të punuar kudo. Por, kur evidentohen nga autoritetet tatimore, këta punëtorë gri duhet të zgjedhin, të qëndrojnë ose të largohen.

Numri i njerëzve që kthehen në Evropën Lindore është ende shumë më i vogël se ai i atyre që janë larguar. Dhe ata që u kthyen në shtëpi për shkak të pandemisë, mund të largohen përsëri kur të lehtësohen masat bllokuese. Sipas një dokumenti nga institucionet evropiane, cituar nga “Monitor”, rreth dy të tretat e bullgarëve që u kthyen, planifikojnë të emigrojnë përsëri.

Në planin afatgjatë, edhe kur hendeku i pagave të zvogëlohet, disa njerëz do të kërkojnë gjithmonë aventura në toka të huaja. Kufijtë e hapur në Evropë i lejojnë njerëzit të zgjedhin se ku të jetojnë, që do të thotë në mënyrë të pashmangshme se vendet më pak tërheqëse do të humbasin popullsi. Por, asgjë nuk mbetet e njëjtë. Vendet mund të bëhen më tërheqëse dhe njerëzit mund të ndryshojnë papritur mendje se ku duan të jetojnë.

Përgatiti: Irma Paloli