Bizneset amerikane që operojnë në Shqipëri kanë kërkuar zgjidhje për praktikat e prapambetura në Dogana. Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço theksoi rëndësinë e modernizimit të sistemit të taksave, i cili duhet të garantojë qëndrueshmëri, besueshmëri dhe është tërheqës për investimet e huaja.

Në fjalën e tij, në Forumin e organizuar nga Dhoma Amerikane me Drejtorinë e Tatimeve, Jaço tha se: “Shqipëria ndodhet në një moment të veçantë përsa i përket investimeve amerikane, duke iu referuar dy projekteve të mëdha amerikane të sapo nënshkruara, Hec-i i Skavicës dhe Tec-i i Vlorës. Presidendti i Dhomës Amerikane tha se për rritjen e investimeve jo vetëm amerikane por edhe të huaja është e rëndësishme adresimi i klimës së biznesit dhe një nga kapilarët, themelet e klimës së biznesit është sistemi tatimor”.

Ai thekson se është e domosdoshme të gjenden zgjidhje për disa problematika që prej vitesh nuk ndryshojnë dhe vijojnë të krijojnë padrejtësi për biznesin.

“Investitorët e gjejnë të vështirë të planifikojnë në plan afatgjatë nëse kemi një ndryshim, frekuent, e bën këtë sistem jo atraktiv. Ne mendojmë se ka nevojë për Reformimin dhe Modernizimin e Sistemit të Taksave”, tha Jaco.

Ai bëri apel që për shkak të kufizimeve nga pandemia të krijohen lehtësi edhe për tregtinë online, ndërsa ripërsëriti kërkesën për heqjen e çmimeve të referencës. Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço theksoi se legjislacioni që përdoret aktualisht krijon shumë keqinterpretime, duke dëmtuar klimën e të bërit biznes si dhe thithjen e investitorëve të huaj. “Është një ligj shumë i vjetër që nuk e ka strukturën moderne të raportimit financiar ndërkombëtar”, shprehet ai.

Ndërkohë Drejtoresha e Tatimeve, Delina Ibrahimaj theksoi se tashmë ka nisur diskutimi për të hartuar një strategji të re të sistemit tatimor, dhe se në vitin 2021 do të fillojë puna për hartimin e një ligji të ri.

Ibrahimaj fajësoi ligjin “Për procedurat tatimore”, që sipas saj është tejet i vjetër, teksa bëri me dije se gjatë këtij viti do të nisë hartimi i një ligji të ri, më të thjeshtë dhe lehtësisht të zbatueshëm.

Ndërkohë kryetarja e komitetit të taksave në Dhomën amerikane Alketa Uruçi kërkoi që të rishikohen ligjet pasi disa procedura doganore janë absurde. “Ka momente apo orë të tëra që sistemi nuk funksionon. Kanë vonesa me zhdoganimet pasi ka probleme aksesi në sistem”, sqaron ajo.

I pranishëm në këtë takim, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave Gent Gazheli deklaroi se sfidë për administratën doganore mbetet lehtësimi i procedurave për biznesin.

“Krijimi i lehtësi për biznesin dhe qytetarët ndërmjet ofrimit të shërbimit në kohë dhe cilësi duke shmangur vonesat e panevojshme. Roli i administratës doganore është shumë i rëndësishëm”, tha ai.

Nga Dhoma Amerikane e Tregtisë u kërkua edhe ndryshimi i udhëzimit për marrëveshjet tatimore, për shmangien e tatimit të dyfishtë. Sipas Uruçit, në vendet e tjera mjaftohen vetëm me marrjen e certifikatës të rezidentit, ndërkohë që te ne duhet të bëhen marrëveshje me administratën tatimore.

Drejtoresha e Tatimeve, Ibrahimaj tha se këtë vit do të lehtësohet edhe procedura e lëshimit të certifikatës për taksimin e dyfishtë. Një tjetër shqetësim i ngritur është edhe vonesa në rimbursimin e TVSH-së. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave gjatë vitit 2020, detyrimet e prapambetura nga rimbursimi i TVSH-së ishin 9.7mld lekë të pa shpërndara për bizneset, ose 78.7 mil euro.

“Do të ketë ndjekje se sa shpejt bëhet kontrolli për të mbyllur procesin e rimbursimit”, tha Ibrahimaj.

Drejtoria e Tatimeve deklaroi se që nga muaji prill rimbursimi i TVSH-së për bizneset do të jetë online.

Dhoma Amerikane e Tregtisë e konsideron moment historik ardhjen e investitorëve të mëdhenj amerikanë në Shqipëri: njëri për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës dhe tjetri për TEC-in e Vlorës, por presidenti i kësaj Dhome kërkon nga ana administratës tatimore luftë ndaj informalitetit, e cila do të vendoste barazi dhe eliminim të konkurrencës së pandershme.

“Ne mendojmë se kjo është një situatë që duhet adresuar jo vetëm me fushata por një ndryshim rrënjësor të sistemit i cili do inkurajonte bizneset të cilët nuk kanë sot motivimin e duhur që të formalizohen,” u shpreh Jaço.

Ndërkohë luftën ndaj informalitetit, Drejtoria e Tatimeve e sheh të realizuar me implementimin e fiskalizimit, që është hedhja në kohë reale në sistem të shitjeve të çdo biznesi.

“Angazhimet për monitorimin dhe deklarimin e llogarive të biznesit të ndërthurura edhe me nismën e fiskalizimit këtë vit, do të arrijnë që të ndryshojnë qasjen e tonë, por dhe rezultatet në luftën kundër informalitetit.”, tha drejtoresha e Tatimeve

Bizneset amerikane kërkojnë që t’u jepet fund vonesave me rimbursimin e TVSH-së, madje propozuan që të aplikohen kamata për administratën tatimoreInvestitorët e huaj kërkuan që ligjet fiskale të mos ndryshojë në mënyrë kaq të shpeshtë, ndërsa sistemet tatimore të modernizohen dhe të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Elida Lazi