Pandemia Covid-19 futi në ngërc shumë sektorë të ekonomisë në Shqipëri, por eksportet e prodhimeve bujqësore patën një rritje të ndjeshme përgjatë vitit 2020. Kjo tendencë duket se po vijon me ritme të larta edhe gjatë këtij viti.

Të dhënave zyrtare të INSTAT në muajin janar 2021, bëjnë të ditur se eksporti i zarzavateve dhe frutave u rrit me 102 për qind në raport me një vit më parë. Në janar 2021 eksportet totale të këtij grupi arritën vlerën e 451 milionë lekëve nga 203 milionë lekë që ishin në janar 2020. Edhe pse muaji janar, zakonisht është i dobët në eksportin e prodhimeve bujqësore pasi përfundon prodhimi sezonal, janari i 2021 ka qenë ndryshe. Burimet nga tregu pohojnë se gjatë janarit ka pësuar rritje eksporti i perimeve të dimrit si preshit dhe lakrës në vendet e Bashkimit Evropian.

Ekspertë të kësaj fushe pohojnë se nxitja e eksporteve bujqësore më shumë se sa nga prodhimi në fushë po vjen nga përmirësimi i zinxhirëve të tregtisë dhe eksportit. Këtë e pohojnë dhe ato biznese që operojnë në fushën e eksportit të prodhimeve bujqësore. Ata shprehen se pavarsisht vështirsive është rritur bashkëpunimi në zinxhirin e bujqësisë. Ndërkohë që nuk mungojnë asistenca nga ana e tyre për fermerët, si dhe bashkëpunimi për fidanët dhe plehrat me qëllim përfitimin e prodhimeve cilësore që kërkon Evropa.

Eksportet e frutave dhe perimeve të prodhuara në vend, gjatë vitit 2020 arritën vlerën e 10,4 miliardë lekëve ose 84 milionë eurove. Duke iu referuar të dhënave të tregut mësohet se rritja e shitjeve erdhi si pasojë e një sezoni më të mbarë prodhimi sidomos nga kushtet me të favorshme të motit.

Zarzavatet ishin ato që shënuar vlerën më të madhe të eksportit me rreth 7.8 miliardë lekë të përfaqësuara nga rritja e kontratave me jashtë për shitjen e domates.

Eksporti i zarzavateve në veçanti shënoi 7.8 miliardë lekë ose 63 milionë euro me një rritje 5,3 për qind në raport me një vit më pare. Baza e eksporteve të frutave dhe perimeve është zgjeruar dukshëm gjatë dhjetëvjeçarit të fundit.

Duke bërë një krahësim me vitin 2013, vlera e tyre është katërfishuar, pasi në 2013, vlera e tyre ishte 2,8 miliardë lekë, duke arritur vlerën e 10.4 miliardë lekëve në vitin 2019. Shkak për këtë rritje më së shumti janë faktorët gjeografike të cilët mundësojnë prodhimin më të hershëm të frutave dhe perimeve nga vendi ynë.

Në dekadën e fundit, eksportet e prodhimeve bujqësore janë rritur me ritme të larta prej bazës së ulët, rritjes së kërkesës në tregjet e huaja dhe prodhimit më të hershëm sezonal në vendin tonë.

Të dhënat zyrtare për vitin 2020 tregojnë se edhe këtë vit të vështirë, ritmet e rritjes së eksporteve bujqësore nuk kanë ndalur.

Kërkesa për ushqime nuk u prek nga pandemia, përkundrazi ka shënuar rritje dhe, nga ana tjetër, fermerët po rrisin kualitetin e prodhimeve. Fermerë nga zona e Myzeqesë, zona më prodhuese në vend, pohojnë se pandemia nuk e ka ndërprerë asnjë ditë punën në fushë. Sipas tyre kualiteti i farave dhe fidanëve, si dhe plehrave është përmirësuar dhe për rrjedhojë, shitjet këtë vit ishin më të larta.

Falë shitjeve dhe konsumit të prodhimeve të tokës, të cilat kanë pësuar rritje gjatë vitit 2020, e kanë bërë bujqësinë një ndër të paktët sektorë që nuk u prek nga kriza e pandemisë. Sipas të dhënave që raporton Instituti i Statistikave, viti që lam pas shënoi rritje me ritme dyshifrore të eksporit të produkteve bujqësore.

Edhe pse me një rritje të tillë, Shqipëria mbetet e fundit në rajon për volumin e prodhimeve bujqësore dhe se ende është një vend që ende importon fruta dhe prime për nevoja të konsumit të brendshëm.

Sipas të dhënave nga institucionet mesohet se vitin e kaluar janë importuar 9.4 miliardë lekë ose rreth 77 milionë euro fruta dhe zarzavate nga jashtë vendit.

Kjo vlerë përben 90 për qind të vlerës së eksportit të këtyre produkteve.Vlerën më të lartë të importit e shënojnë frutat. Më 2019 u importuan gjithsej 6,8 miliardë lekë. Në tregtinë e frutave me jashtë Shqipëria është deficitare, pasi importon 6,8 miliardë lekë ose gati tre herë më shumë se eksporton.Shqipëria është suficitare në tregtinë e perimeve dhe zarzavateve pasi eksporton 7,8 miliardë lekë dhe importon 2,5 miliardë lekë në vitin 2020.

Ndërkohë gjatë 2020 prodhimet bujqësore janë favorizuar edhe nga kushtet klimatike, të cilat kanë bërë që të ketë prodhime në fusha edhe përtej sezonit normal. Vitet e tjera nuk ishte e zakontë të rriteshin domate në fushë në tetor.

Gjatë 10-mujorit, eksportet e zarzavateve u rritën me 14% në raport me janar-tetor 2019 dhe me 27% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2018.Me ritme të ngjashme u rritën edhe eksportet e frutave, të cilat ishin 16% më të larta se në 10-mujorin e vitit 2019.

Përveç frutave dhe perimeve të freskëta, vihet re rritje me ritme të larta edhe në zarzavatet dhe frutat e përpunuara.Ndonëse të ulëta në vlerë, me vetëm 19 milionë euro, eksportet e prodhimeve bujqësore të përpunuara u rritën me 22%.

Elida Lazi