Kantina “Çobo” është model suksesi në prodhimin e verës shqiptare, me standarde të larta prodhimi, që eksporton nga Berati në Zvicër e deri në kontinentet e largëta, si në Azi dhe Amerikë, pasi është zhvilluar vijimësisht edhe me mbështetjen e skemave të qeverisë.

Petrit Çobo, një prej pjesëtarëve të familjes sipërmarrëse, na tregon se “në vitin 1993 kur të gjithë prishnin vreshtat, ne e mbollëm këtë vresht me fitimet e para që unë dhe im vëlla kishim fituar nga emigrimi në Itali. Me ndihmën e babait kemi arritur të kemi sot vreshtat e fermës tonë. Janë këto hardhi që na kanë bërë të dashurohemi me vreshtin dhe verën. Këtu janë mbjellë fara autoktone rrushi “Sheshi i Bardhë” dhe “Sheshi i Zi”, prej të cilave prodhojmë verën e kantinës sonë, që është mjaft e kërkuar sot edhe në tregun e huaj”.

Petriti thotë se, është i lidhur aq shumë me vendlindjen e tij, fermën me vreshta sa nuk do ta ndërronte këtë vend me asgjë në botë.

“Ne punojmë me pasion dhe dëshirë që pa lindur dielli e deri në mbrëmje vonë dhe i jemi përkushtuar prodhimit të verës në kantinën tonë, pasi vera është një produkt që rrit prestigjin e një vendi. Vera e mirë, nuk identifikon vetëm verën “Çobo”, por me prodhimin e verës cilësore ne identifikohemi me emrin Shqipëri”, – thotë ai.

Produkti është “Made in Albania”, jo thjesht “Çobo”, thekson Petriti.

Ai tregon se si gradualisht sipërmarrja e familjes “Çobo” ka zgjeruar sipërfaqet e mbjella me vreshta. Në një zonë ku toka ishte e pashfrytëzuar, ata ia dolëm të mbjellin 28 ha me rrushin autokton “Pulsi”.

“Këtu është një mrekulli e natyrës me bimësi të larmishme, shijet e së cilës transmetohen te rrushi që kemi mbjellë, prej të cilit prodhojmë verën me shijen e veçantë. Ndërsa në 8,6 ha është një sipërfaqe tjetër e mbjellë me farën e rrushit “Vlosh” prej të cilës prodhohet vera e kuqe e Beratit” tregon Petriti.

“Pozita gjeografike e përshtatshme ku shtrihet vreshtat e kantinës “Çobo” na ka zgjuar idenë për zhvillimin e një projekti në agroturizëm, pasi këtu në 360 gradë, shikon detin kalanë e Beratit dhe horizontin e pafund, si një atraksion të përkryer të natyrës”, – thotë Petriti.

Në Kantinën “Çobo”, në ambientet e vjetërimit të verës, që siç e quan Petriti “Tempull” ku vera përthith cilësinë, gjenden vera e depozituar në fuçi të posaçme. Ndërsa “Shënda” ose vera e gazuar, është prodhimi më i ri i kantinës, që është nderuar me çmim ndërkombëtar në Belgjikë, që në fillimet e prodhimit të kësaj pije në vitin 2016.

Sot Kantina ka krijuar historinë e saj me prodhime të verës të koleksionuara që në vitin 2000. Ndërkohë që është kthyer në një oaz degustimi nga turistë e vizitorë të shumtë, që frekuentojnë qytetin muze të Beratit.

Petriti thotë se, viti 2020 ishte një vit i vështirë për biznesin e tij, ashtu sikurse edhe për ekonominë në tërësi, për shkak të pandemisë. Por gjithësesi, vijon ai, kemi operuar me shitjet online edhe jashtë vendit. Ndërsa kujton se në vitin 2019, mbi 12 mijë turistë vizituan Kantinën e tij.

“Ata jo vetëm shijuan verën “Çobo”, por edhe blenë, duke marrë me vete një verë nga Shqipëria, në vendin tyre, që siç tha Petriri, “është një mesazh i mirë për vendin tonë”.

Kantina “Çobo” prodhon katër lloje vere dhe eksporton në Zvicër, Malajzi, Amerikë e Kinë. Ndërsa vera e “Kuqe e Beratit” që ka ngjyrë të ndezur, e lidhur me të kuqen e “Onufrit” është vera me të cilën krenohet kantina “Çobo” e nderuar disa herë edhe me çmime ndërkombëtare.

Së fundi vëllezërit Çobo po investojnë për instalimin e sistemit të ftohjes në kantinë.

Prodhimet e kantinës “Çobo” janë rritur dhe është përmirësuar cilësia sipas standardeve më të mira ndërkombëtare, duke u afirmuar edhe në tregjet jashtë vendit, në panaire apo përmes eksporteve, si promovues i imazhit të Shqipërisë. Në panairin e Shtutgartit në vitin 2017 kantina “Çobo” ishte një nga promovuesit e stendës së Shqipërisë.


Petriti tregon se, kantina ka një arkitekturë të lashtë të ndërthurur me gurin, drurin dhe hekurin, ndërsa zhvillimi i këtij biznesi njihet tashmë si një model suksesi në sektorin rural shqiptar.

Sipas tij, dikur shtëpia në fshat ka qenë më e mira me harqe. Sot banesës i është bashkangjitur edhe kantina me konture tradicionale, që prodhon verë autoktone të cilësisë së lartë.

Etleva Xhajanka