Po afron Festa e Pranverës 2021. Me kërkesat e parandalimit të epidemisë së COVID-19 dhe me synimin që të sigurohet furnizimi dhe konsumi, Ministria e Tregtisë e Kinës organizon “Festën kombëtare të blerjeve në internet 2021”.

Për këtë festë blerjesh, ndërmarrjet e tregtisë në internet dhe të postës së shpejtë janë shprehur që, gjatë Festës së Pranverës, shërbimet e tyre nuk do të pushojnë dhe ato do të bëhen gati për një Vit të Ri Kinez me furnizim të pasur e të lumtur.

Blerjet për Festën e Pranverës janë një pasqyrë e zhvillimit dhe ndryshimit në jetën e kinezëve. Uebsajti i tregtisë në internet "Benlai.com" ka nisur “Sezonin e blerjeve të festës 2021”. Zv.menaxheri i përgjithshëm për marketingun i kësaj kompanie Chen Sihai bën të ditur që prej vitesh, mallrat e preferuara në platformën e tyre janë frutat, drithërat, mishi, frutat e detit dhe bulmeti, ndërsa në këto dy vjetët e fundit kanë filluar të shfaqen prirje të reja.

“Kemi vënë re që ndër mallrat e festës, ushqimet e vogla, si frutat e thata, po preferohen gjithnjë e më shumë. Të dhënat e shitjes përshtaten me analizën mbi konsumatorët,” thotë Chen Sihai.

Sipas të dhënave statistikore nga "benlai.com", në sezonin e blerjeve për Festën e Pranverës, të lindurit në vitet '80 të shekullit të kaluar po bëhen shtylla e konsumit familjar e shoqëror, ndërsa ata që kanë lindur në vitet '90 po bëhen forca kryesore e konsumit. Konsumatorët me moshë të re konsumojnë kryesisht fruta, ushqime të freskëta, pije alkoolike dhe drithëra, duke u kushtuar vëmendje jashtëzakonisht të madhe ushqimeve të vogla.

“Të rinjtë e lindur pas viteve 1990-1995 kanë më shumë besim te mallrat vendase, se kanë parë produkte të ndryshme dhe parapëlqejnë konsumin e markave vendase me cilësi të lartë,” thotë Chen Sihai.

Për të garantuar cilësinë e ushqimeve dhe forcimin e masave antiepidemike, në depot e veta logjistike "benlai.com" ka vendosur laboratorë dhe punonjës për kontrollin e cilësisë së produkteve. Para se të vendosen në depo, mallrat kontrollohen edhe një herë dhe vetëm pasi të mbarojnë të gjitha procedurat e kontrollit, mallrat mund të futen në depo për kontrollin laboratorik. Pasi mbarojnë të gjitha procedurat, këto mallra bëhen produkte në platformën e shitjes "benlai.com" dhe mund të dërgohen për në tryezën e konsumatorëve.

Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë i Kinës ka paralajmëruar që “gjatë Festës së Pranverës, nuk duhet të bëhen udhëtime të panevojshme”.

“Kur njerëzit nuk udhëtojnë shumë, mallrat duhet të lëvizin më shumë. Kështu do të garantohet furnizimi i plotë dhe qarkullimi në kohë. Konsumatorët në shtëpitë e tyre mund të gëzojnë një festë të lumtur,” u shpreh Li Jianghua, përgjegjësi i "cainiao.com" për logjistikën në Festën e Pranverës. Sipas tij, në gjendjen epidemike, logjistika e mallrave për Festën e Pranverës është bërë si fluksi i ri i udhëtimeve për këtë festë dhe "cainiao.com" do të përpiqet me të gjitha forcat për garantimin e shërbimeve.

Duke parashikuar një kërkesë kolosale për postë të shpejtë gjatë festës, "cainiao.com" do të vazhdojë shërbimet normale në 100 qytete të Kinës, duke premtuar mosndryshimin e çmimit. Krahas kësaj, edhe mbi 20 mijë pika shërbimi të postës së shpejtë pranë "cainiao.com" do të vazhdojnë punën e tyre dhe do të pakësohen kontaktet mes njerëzve me anë të “marrjes së pakove familjare me skanim të kodit dhe një klikim”.

Gjatë festës, shumë postierë do të qëndrojnë në vendin e punës dhe ata do të jenë më të ngarkuarit me punë gjatë festës. Prandaj, "Tmall.com" dhe "cainiao.com" do të ofrojnë mbi 200 milionë juanë si shpërblim për punëtorët në linjën e parë të postimit.

Për kontrollin dhe parandalimin e epidemisë, do të zbatohen masat antiepidemike nga Administrata Shtetërore Postare e Kinës. Të gjitha depot, qendrat e shpërndarjes dhe pikat e shërbimit do të bëjnë dezinfektim e ventilim çdo ditë dhe të gjithë punonjësit duhet të mbajnë maska, të matin temperaturën çdo ditë, të lajnë duart shpeshherë dhe të mos rrinë në grup.

Zv.drejtori i mbikëqyrjes së tregut pranë Administratës Shtetërore Postare të Kinës, Bian Zuodong, u shpreh që tani sektori i logjistikës po organizon vaksinim në mënyrë të rregullt. Si një nga grupet kryesore, postierëve do t'u ofrohet një garanci e mirë shëndetësore. Krahas kësaj, ai paralajmëroi që, për shkak të epidemisë, në disa krahina dhe në disa orë të ditës, shërbimet e postës së shpejtë do të ndikohen disi, dhe shprehu shpresën që publiku do ta mirëkuptojë këtë gjendje. (Jiang Lei)