Rritja e çmimeve të ushqimeve gjatë periudhës së pandemisë e rendit Shqipërinë në vendin e trete në Evropë. Perimet kanë shënuar një rritje të konsiderueshme me 13.7%, ndërsa grupi i ushqimeve dhe pijeve alkoolike janë rritur me 4.7%. Rëndësia e këtij indeksi qëndron në mundësinë që krijon për të krahasuar ndryshimet e çmimeve mes vendeve të Evropës bazuar në të dhënat e Eurostat. Shqipëria zë vendin e tretë, krahësuar me vendet e Evropës për rritjen e cmimeve të grupit ushqime me një rritje përkatësisht 4.8%, duke lënë pas vendet e rajonit si Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Rritja për Shqipërinë është me shumë se dyfishi i mesatares së vendeve Europiane. Serbia renditet e 9-ta për sa i përket rritjes së këtij indeksi në grupin ushqime, dhe kjo si pasojë e politikave të aplikuara në kuadër të Covid-19.

Duke iu referuar të dhënave të INSTAT, në vitin 2019, rreth 41.1% e shpenzimeve shkuan për ushqime. Kjo peshë është më e larta në rajon dhe Evropë dhe një tregues direkt i të ardhurave të ulëta dhe i çmimeve relativisht të larta. Sipas Eurostat, Kosova shpenzon 34% për ushqime, Maqedonia e Veriut 33%, Bosnja 29%, Mali i Zi 23.5% dhe Serbia 23.6%. Konsumatorët shqiptarë shpenzojnë pothuajse gjysmën e parave që kanë në dispozicion për t’u ushqyer.

Kjo rritje e çmimeve të ushqimeve si dhe humbja e vendeve të punës si pasojë e Covid ka një ndikim të madh në jetesën e shumë familjeve shqiptare me të ardhura të ulëta, të cilat zakonisht shpenzojnë shumicën e të ardhurave të tyre për ushqim. Rritja eçmimeve kryesisht në produktet ushqimore konfirmohet edhe në një raport të fundit të INSTAT. Në raport thuhet se rritja e përgjithshme e çmimeve ishte 1.6% në nëntor dhe 90% e kësaj rritje erdhi nga grupi i produkteve ushqimore. Një vit më parë ky ndryshim ishte 1.4%.

Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në nëntor 2020, krahasuar me muajin tetor është -0.5%. Rritja vjetore eçmimeve është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me+1.44 pikë përqindje. Ndryshe nga rajoni, familjet evropiane shpenzojnë më pak për t’u ushqyer. Për vitin 2019, kjo peshë është 13%, ndonëse në rritje me një pikë përqindje në krahasim me vitin e mëparshëm.

Shteti evropian që shpenzon më shumë për ushqime është Rumania me 26% dhe më pak Britania e Madhe me vetëm 8%.Buxhetin më të madh familjet evropiane e kanë për “Shpenzime për banesën, ujë, energji elektrike, qira të paguar” me 23.5% të totalit, përkundrejt 10.1% në Shqipëri. Ndryshe nga shqiptarët evropianët shpenzojnë më shumë për t’u argëtuar dhe kulturë, me 8.7% të totalit, përkundrejt 3.8% në Shqipëri. Ndërsa 13% të buxhetit Evropa e shpenzon për transport, Shqipëria shpenzon më pak sesa 6%. Edhe për restorantet raporti është 8.7% për Evropën dhe 4.9% për Shqipërinë. Shpenzimet për veshje janë ato ku shqiptarët nuk kursehen duke shpenzuar 5.2% të totalit, kundrejt 4.6% të mesatares evropiane. Shteti që shpenzon më shumë për veshje në Europë është Rumania me 6.8 të totalit, e ndjekur nga Estonia me 6.3%, Italia 6.3% dhe më pak Islanda me 3.3%.

Arsimi u kushton më shtrenjtë shqiptarëve se evropianëve. Një familjeje shqiptare i duhet të shpenzojë 3,1% të totalit për të arsimuar fëmijët, ndërsa për familjen evropiane, kjo peshë është më pak se 1% . Edhe për komunikimin, shqiptarët shpenzojnë më shumë 3.7% kundrejt 2.4% . Krahas ushqimeve, që janë produkti bazë për të cilin shpenzojnë familjet, pandemia e Covid-19 ka rritur ndjeshëm konsumin dhe blerjen e barnave në vend. Të dhënat e INSTAT tregojnë se rritja ishte më e fortë sidomos në shtator, (+24.5%), teksa vala e dytë e Covid-19 filloi të përshpejtohet, duke shënuar zgjerimin më të lartë nga të gjitha grupet e tjera, sipas aktivitetit ekonomik.

Sa i përket shpenzimeve për shëndetin për shqiptarët dhe evropianët, ato janë pothuajse të ngjashme 4.3% dhe 4.4%, ndërkohë që një vit më parë ishin shqiptarët ata që shpenzonin më shumë për shëndetin, por në 2019 kjo kategori është rritur edhe për evropianët. Një tendencë e tillë është konfirmuar dhe nga importet e produkteve farmaceutike që kanë shënuar rritje në shtator e tetor. Mjekët dhe farmacistët pohojnë se ka pasur një rritje të lartë të konsumit të vitaminave, kryesisht C dhe D, antibiotikëve, të produkteve qetësuese që kanë përdorur të prekurit me Covid-19, si dhe të serumeve, kortizonikëve dhe antikoagulantëve.

Elida Lazi