Shoqata e ndërmarrjeve fason, Pro-Eksport Albania(PEA) kërkon faljen e gjobave të gjeneruara nga sistemi, gjatë muajve të karantinës për mosshlyerjen në kohë të detyrimeve. Në një lëtër drejtuar ministres së Financave, Anila Denaj dhe ministrit për Sipërmarrjen, Eduart Shalsi, shoqata e fasonëve ngre shqetësimin se është absurde të kërkohen në këtë periudhë krize gjobat dhe kamatvonesat e gjeneruara automatikisht nga sistemi në muajin mars. Ata i bëjnë me dije ministrave se nga Drejtoritë Rajonale të Tatimeve, Doganave, OSSHE dhe Drejtoritë e taksave vendore të Bashkive po mblidhen gjobat dhe interesat e sistemit të gjeneruara që nga muaji mars i këtij viti, pra në periudhën e pandemisë. Sipas tyre, ky është një veprim absurd, pasi kjo nuk po realizohet në asnjë nga vendet e tjera të rajonit, përfshirë Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, sikurse nuk ndodh as në Itali. Përfaqësuesit e shoqatës gjykojnë se ky është një veprim krejtësisht i pavend, që në një kohë të tillë të sillemi si në një periudhë normale me sipërmarrjet e vendit, të cilat po kalojnë periudhën më të vështirë që nga marsi i vitit 1997 dhe janë përpjekje për mbijetesë.

Pro-Eksport Albania kërkon që për shkak të krizës që po kalojnë bizneset nga Covid-19, qeveria të falë gjobat e gjeneruara automatikisht nga tatimet, si dhe të mos kryhen kontrollet e thelluara në sipërmarrje deri në momentin e përfundimit të pandemisë. Ndërkohë të lihet dhe një hapësirë kohore mbas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme të pandemisë që bizneset të rimarrin aktivitetin në pikën ku ishin. Ndërkohë një tjetër rrezik për fabrikat shqiptare të fasonerisë, që mund të cojë në falimentimin e tyre është edhe karantina e dytë që po ndodh në shumicën e vendeve të BE-së.

Pjesa më e madhe e fabrikave të prodhimit të veshjeve dhe këpucëve në muajin tetor kanë punuar me gjysmën e kapacitetit. Kjo për shkak të rikthimit të masave kufizuese për përballimin e pandemisë në ekonomitë më të mëdha të Evropës, në të cilat tregtohen mallrat “Made in Albania”. Situata pritet të jetë edhe më e vështirë në muajt në vijim, për shkak të agresivitetit të valës së dytë të pandemisë, teksa shpresat për frenimin e saj, nëpërmjet një vaksinë në pranverë duken të zbehta. Shumë kompani janë duke gjetur shpëtim nën presionin e mbijetesës, por njëkohësisht janë duke vënë bazat për një fillim të ri, që i siguron fasonit zhvillimin e qëndrueshëm në afat të gjatë.

Dy janë problemet themelore që mund të zgjidhë kriza, diversifikimin e prodhimit dhe gjetjen e partnerëve të rinj tregtarë, duke u zhvendosur nga monopoli i Italisë. Deri tani sipas të dhënave nga tregu, 37% e fabrikave kanë diversifikuar prodhimin nga këpucët dhe veshjet te furniturë për spitalet të tilla si maska, veshje njëpërdorimshe për mjekët etj. Zhvillime të tjera pozitive lidhen me zhvendosjen e shitjeve nga Italia drejt vendeve të tjera perëndimore si Gjermania, Britania , Franca dhe deri në Japoni. Eksportet drejt këtyre shteteve janë rritur me ritme dy dhe treshifrore, ndonëse janë në vlerë të ulët.

Këto përvoja do të shtrojnë rrugën për kontrata të qëndrueshme dhe me afat të gjatë me këto vende, duke ulur ekspozimin ndaj krizave me Italinë fqinje. Tregtia me Italinë, me porosi të gatshme e ka mbajtur industrinë në vendnumëro, pa mbyllur ciklin dhe pa rritur vlerën e mallrave, duke shfrytëzuar vetëm fuqinë e re punëtore të Shqipërisë. Gjatë 10-mujorit të vitit, 75% e eksporteve të fasonit shkuan në Itali. Në të njëjtën periudhë të vitit 2019, kjo peshë ishte 78%. Pasiguria që ka krijuar pandemia po i zgjon nga rutina disa fabrika, të cilat kanë lidhur tashmë kontrata të qëndrueshme me vende të tjera.

Disa kompani kanë lidhur kontrata edhe për eksport veshjesh mjekësore me SHBA dhe furnizim me këpucë për Japoninë. Pasiguritë janë të mëdha me gjithë zhvillimet pozitive. Ndërkohë diversifikimi i prodhimit mund të jetë edhe një investim i shkuar dëm, pasi pandemia është e përkohshme dhe kërkesa për furnizime mjekësore nuk prodhon siguri të biznesit në afat të gjatë.

Përfaqsuesi i Unionit të Fasonëve, Florian Zekja i cituar nga Revista “Monitor” , thotë se ashtu si cdo krizë tjetër, edhe kjo e pandemisë, përvec falimentimeve po con industrinë fason drejt mundësive të reja. Shumë fabrika thotë ai kanë transferuar një pjesë të prodhimit ose tërësisht prodhimin për veshje dhe maska. Duke qenë se shumica e kontratave të furnitorëve janë për spitalet publike, pagesat janë bërë në kohë dhe shumë shpejt, ndryshe nga sa ndodh me privatët, kur ka vonesa. Zekja tha se shumë fabrika shqiptare kanë lidhur kontrata afatgjata për veshje mjekësore, dhe kjo mund t’u mundësojë atyre ta kapin këtë treg për një afat të gjatë. Ndërkohë për disa fabrika, kriza nuk ka qenë një mundësi por fatalitet.

Disa kompani të mëdha kanë pezulluar aktivitetin përkohësisht, ndërsa të tjerë po punojnë me 30-50% të kapacitetit. Grupi më i madh eksportues “Tekstilet dhe këpucët”, u tkurr në tetor me 2.1%. Për gjithë dhjetëmujorin, eksportet e tekstileve e këpucëve ranë gati me 15%, duke shënuar ecurinë më negative në vlerë nga të gjitha grupet e tjera dhe duke ndikuar në gjysmën e rënies për periudhën janar-shtator.

Sipas përfaqësuesve të sektorit, e ardhmja mbetet e vështirë, për shkak të pasigurive nga një valë tjetër e virusit, që ka ndikuar në tkurrjen e porosive nga partnerët e huaj, kryesisht atyre italianë.

Sipas kryetarit të “Pro-Eksport Albania”, Edvin Prence, pas hapjes së ekonomisë, sektori fason nisi ta rimarrë veten nga dëmet që shkaktoi mbyllja e kufijve, por pas nisjes së kufizimeve në vendet e BE-së, efektet e rënies filluan të ndihen sërish. Sipas tij aktualisht prodhimi ka rënë 65%. Gati gjysma e rënies së totalit të eksporteve në vlerë i përket grupit “tekstile dhe këpucë”.

Rikuperimin nga kriza prodhuesit e shtyjnë pas vitin 2022. Ndërkohë që edhe industria evropiane e veshjeve po orientohet drejt teknologjisë dhe standardeve mjeksore për ti shpëtuar krizës.

Elida Lazi