Shtresa e mesme e shoqërisë është konsumatorja më e madhe e alkoolit dhe cigareve. Në raport me të pasurit dhe të varfërit, ato harxhojnë një pjesë më të madhe të buxhetit për të konsumuar këto produkte.

Sipas një ankete të INSTAT për buxhetin e familjes rezulton se, pjesa më e madhe e familjeve që nuk janë as shumë të varfra, por të pasura çojnë për konsumin e alkoolit dhe duhanit 4.6% të totalit të shpenzimeve të tyre mujore.

Ndërsa sa i përket shtresës së mesme ajo shpenzon për alkool dhe duhan 2.7% të të ardhurave mujore, më shumë se të varfërit.

Sipas anketës, vitin e kaluar, shtresa e mesme shpenzoi edhe më shumë se të pasurit, të cilët çojnë për alkool dhe cigare 4.4% të shpenzimeve mujore.

Duke filluar nga viti 2007, në anketë vihet re një ulje e shpenzimeve mujore për konsum të alkoolit dhe duhanit, në të gjitha shtresat e popullsisë. 12 vite më parë, shtresa më e varfër, ajo në kategorinë e 20% me të ardhura më të ulëta çonte 3.5% të shpenzimeve për cigare dhe alkool, ndërsa më 2019 çuan vetëm 2.7% të buxhetit mujor për këto produkte. Ulja më e madhe e shpenzimeve ndodhi në klasën e dytë të popullsisë, që renditet ndërmjet të varfërve dhe shtresës së mesme, të cilët në vitin 2019 çuan në 3.8% të shpenzimeve mujore për alkool dhe cigare në raport me 4.8% ne vitin 2007.

Me rënien e shpenzimeve për produkt jo jetik ishin edhe dy kategoritë e tjera të popullsisë, shtresa e mesme dhe ajo e pasur, të cilat i ulën shpenzimet përkatësisht me 0.2 pikë përqind dhe 0.4 pikë përqind gjatë 12 viteve. Tendenca e të varfërve për të shpenzuar më pak për alkoolin dhe cigaret lidhet me faktin se nuk kanë mundësi financiare për të konsumuar produkte jo jetike.

Ndyshe funksionon për shtresën e pasur. Duke qenë përgjithësisht më e arsimuar, kjo shtresë është më e ndërgjegjshme për shëndetin dhe konsumon më pak alkool dhe cigare.

Si dy nga produktet që dëmtojnë rëndë shëndetin, qeveritë në të gjithë botën aplikojnë taksa shtesë për konsumin e tyre të tilla si akciza, pikërisht për të frenuar konsumin.

Gjatë dy dekadave të fundit, çmimet e cigareve janë rritur në mënyrë të vazhdueshme si një politikë antiduhan. Ndërkohë importi i cigareve ka rënë me ritme më të shpejta se sa numri i duhanpirësve përgjatë dekadës së kaluar. Sipas anketës së INSTAT, duhanpirësit u reduktuan me rreth 7% përgjatë një dekade teksa qeveria shtrëngoi masat kundër pirjes së duhanit, kryesisht duke mos lejuar konsumin e tij në ambientet kolektive dhe të mbyllura. Gjithashtu u rrit dhe niveli i taksimit. Rritja e akcizës për disa vite rresht ndaj cigareve, rriti dhe çmimin e tyre duke mos ndikuar edhe në frenimin e konsumit të cigareve.

Rezultatet e anketës tregojnë se pirja e duhanit është më e zakonshme në moshën 30-40 vjeç, meshkujt (44%) dhe gratë (7%). Cigarja pihet më shumë në zonat urbane (38% burrat dhe 7% gratë) se në zonat rurale(32% burrat dhe 2% gratë).

Mes meshkujve përqindja e duhanpirësve zvogëlohet ndjeshëm me nivelin arsimor. 58% e personave me arsim fillor pijnë cigare, ndërsa 31% e personave me universitet janë duhanpirës. Ky krahësim vlen edhe për gratë, pasi pirja e duhanit nis e rritet me nivelin arsimor.

Në mesin e meshkujve përqindja e duhanpirësve ndryshon gjërësisht në prefektura, nga 23% në Korcë dhe 26% në Kukës, në 42% në Tiranë dhe 45% në Vlorë. Në mesin e grave, përqindja e duhanpirësve rritet me pasurinë e familjes, nga 3% në kuintilin më të ulët në 8% në atë më të lartë, por ky modeli nuk vlen për meshkujt. Duhanpirësit meshkuj kanë tendencë të pinë duhan më tepër se femrat.

Rreth 23 % e duhanpirësve meshkuj të moshës 15-49 vjeç raportojnë se pinë 25 cigare në ditë, krahasuar me vetëm 3% të duhanpirësve femra. Pirja e duhanit është një nga burimet më të mëdha të sëmundshmërisë së parandalueshme dhe vdekshmërisë së parakohshme. Kanceri i mushkërive është shkaku kryesor i vdekjes që shkaktohet nga pirja e duhanit. Ndërkohë duhanpirësit rezultojnë të jenë më të rrezikuarit edhe nga koronavirusi i ri (COVID-19) se sa jo-duhanpirësit.

Organizta Botërore e Shëndetësisë (OBSH), në një përmbledhje të studimeve të fundit nga ekspertët e shëndetit publik, zbulon se duhanpirësit kanë një rrezik më të lartë të kontaktimit të sëmundjes fatale. Sipas OBSH-së, pirja e duhanit dëmton funksionin e mushkërive duke e bërë më të vështirë për trupin të luftojë koronavirusin dhe sëmundjet e tjera. OBSH paralajmëroi gjithashtu studiuesit, shkencëtarët dhe mediat në lidhje me përforcimin e pretendimeve se duhani ose nikotina mund të zvogëlojnë rrezikun e COVID-19. Deklara erdhi pasi disa studime që tregojnë se numri i jo-duhanpirësve ishte më i lartë në mesin e pacientëve me COVID-19 në krahasim me duhanpirësit.

Elida Lazi