Nga aktiviteti si kasapë në një dyqan të vogël, tashmë kanë ngritur fabrikën e parë moderne të përpunimit të mishit në Kavajë. Kjo është historia e Vasip dhe Jeti Kazazit, dy vëllezërve kavajas, që e nisën aktivitetin e biznesit si kasapë, por me mbështetjen financiare nga Skema Kombëtare e Mbështetjes për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural dhe Programi për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural – IPARD, investuan në pajisje dhe teknologji për modernizimin e proceseve në fermën blegtorale dhe ngritën fabrikën moderne të përpunimit të mishit.

Gjatë një vizite në fabrikën Kazazi u njohëm nga afër me punën e vëllezërve sipërmarrës, investimet dhe përkushtimin e tyre për ngritjen e një biznesi model me teknologji të fjalës së fundit, që garanton standarde të cilësë të lartë, të produktit nga ferma në tavolinë.

Në fillim, kur dëgjonim thirrjet për mbështetjen financiare nga buxheti i shtetit, nuk besonim se do të merrnim gjysmën e investimit të parashikuar. Vetëm pasi bëmë një plan biznesi dhe e realizuam në kohë projektin arritëm të përfitonim grantin dhe sot mund të themi me plot gojën që nuk ishte një ëndërr, por realitet”- u shpreh Vasipi.

Vëllezërit Kazazi pas nisjes së aktivitetit si kasapë, në vitin 2007 hapën një punishte më të zgjeruar me 14 punonjës. Që prej vitit 2014- 2015, me mbështetjen nga Skema Kombëtare, ata shtuan aktivitetin e tyre me fermën “Kazazi Farm”, në Dushk të Lushnjës. Sot, ata zotërojnë rreth 1 mijë krerë lopë e viça dhe e kanë shtuar numrin e të punësuarve në 110 punëtorë si dhe kanë rritur kapacitetet prodhuese.

Jeti Kakazi vëllai i Vasipit na tregon se, gjatë kohës së COVID-19, kompania e reduktoi kohën e punës, por nuk e mbylli aktivitetin.

Punonjësit morën pagat normalisht në datën e caktuar dhe sot të gjithë janë në punë dhe kompania prodhon me kapacitet të plotë”- thotë ai.

Vëllezërit Kazazi me eksperiencë të gjatë në sektorin e përpunimit të mishit nuk reshtin së guxuari. Falë mbështetjes nga skemat financiare të qeverisë dhe IPARD ata kanë ngritur fabrikën e parë në vend, të projektuar sipas modelit dhe teknologjisë gjermane me standardet më të larta të prodhimit.

Fabrika Kakazi prodhon 74 lloje produktesh nga përpunimi i mishit dhe ka ngritur rrjetin e shpërndarjes së tregtimit në të gjithë Shqipërinë, me dominimin më të madh në Tiranë dhe Durrës.

Dëshirojmë që të plotësojmë nevojat e tregut dhe të bëjmë investime të reja në këtë sektor për të kontribuar në uljen e importeve të mishit në vend dhe rritjen e punësimit dhe prodhimit cilësor”, shprehen ata, ndërsa prodhimet e përpunimit nga kjo kompani janë mjaft të kërkuara nga konsumatorët dhe sipërmarrjet e rrjeteve fast-food.

Mishi dhe nënproduktet e tij janë nga produktet bazë të shportës së konsumatorit. Në Shqipëri ka shumë kompani të tjera që tregtojnë dhe përpunojnë mishin. Kompanitë e mëdha janë të konsoliduara dhe kanë rritur konkurrencën. Ndërkohë që karakteristikë e kësaj industrie është rinovimi i teknologjive dhe përmirësimi i kushteve të prodhimit dhe tregtimit.

Masat që ndërmori qeveria dy vite më parë, i kanë prerë rrugën prodhimit dhe tregtimit ambulant në rrugë, të produkteve të mishit. Ky sektor tashmë ka hyrë në rrugën e formalizimit të plotë sipas standardeve të sigurisë ushqimore, që garantojnë produkte të sigurta për konsumatorin.

Në vitin 2019, prodhimi vendas i mishit përllogaritej në rreth 161,5 mijë tonë, me një rritje prej (0,21%) krahasuar me një vit më parë, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Bujqësisë. Prodhimi i mishit ndahet në katër grupe të mëdha, në mish gjedhi, të imtash, derri dhe shpendi, ku rritje ka shënuar vetëm prodhimi vendas i mishit të të imtave. Ndërsa mishi i gjedhit, derrit dhe shpendëve kanë pësuar rënie, duke ua lënë vendin importeve.

Vitin e kaluar prodhimi i mishit të gjedhit ishte 69 mijë tonë, i mishit të derrit 17 mijë tone dhe mishi i shpendëve në 19,7 mijë tonë .

Industria përpunuese e mishit në vend është kryesisht e përqendruar aty ku dominon dhe prodhimi më i lartë i mishit në qarqet Tiranë, Fier, Elbasan, Korçë Vlorë, etj të cilat së bashku përbëjnë më shumë se gjysmën e prodhimit të përgjithshëm të mishit.

Etleva Xhajanka