Shtimi i financimit për disa sektorë prioritarë, si arsim, shëndetësi, infrastrukturë, bujqësi, rindërtim, pritet të garantojë stimuj pozitivë për rritjen ekonomike të vendit duke gjeneruar njëkohësisht punësim të qëndrueshëm.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë bën të ditur se shpenzimet buxhetore për këtë vit janë programuar në nivelin e 587.6 miliardë lekë ose 34.9% e PBB, me rritje në terma nominalë me rreth 8 miliardë lekë krahasuar me Aktin Normativ të Buxhetit të vitit 2020, që do të vijojnë të mbështesin sektorët prioritarë të ekonomisë dhe procesin e rindërtimit nga tërmeti i 26 nëntorit.

Sipas MFE-së, së bashku këto shpenzime garantojnë stimuj pozitivë për rritjen ekonomike të vendit në periudhën 2021-2023 duke gjeneruar njëkohësisht punësim të qëndrueshëm.

Konkretisht për vitin 2021, shpenzimet për personelin janë parashikuar në masën 92.1 miliardë lekë ose 5.5% e PBB. Ky zë reflekton koston aktuale të Administratës Publike, si dhe politikën e re të rritjes së pagave për dy sektorët prioritarë shëndetësi dhe arsim.

Fondi vjetor për rritjen e pagave është planifikuar në shumën 8 miliardë lekë dhe parashikon rritjen e pagës për funksion me 40% për punonjësit shëndetësor, me një vlerë prej 4.5 miliardë lekë dhe rritjen e pagës për funksion me 15% për punonjësit mësimor të sistemit arsimor parauniversitar me një vlerë prej 3.5 miliardë lekë.

Nga kjo politikë e re e rritjes së pagave, përfitojnë 4,650 mjekë në kujdesin parësor dhe dytësor, 13,765 infermierë dhe laborantë, si dhe 35,883 mësues të arsimit parauniversitar.

Gjithashtu, si politikë e re për vitin 2021 është miratuar dhe një fond prej 1 miliard lekësh në formën e skemës së mbështetjes së fermerëve përmes përjashtimit të karburantit për prodhim bujqësor nga akciza, taksa e qarkullimit dhe taksa e karbonit.

Ndërsa një ndër zërat e rëndësishëm që do të mbështesë rritjen e ekonomisë për vitin që vjen, janë dhe investimet publike që për vitin 2021 janë planifikuar në masën 7.2% e PBB ose 120.6 miliardë lekë, përfshirë këtu dhe fondin e rindërtimit në shumën 28 miliardë lekë.

Kjo shifër është dukshëm më e lartë se vlera prej 87.8 miliardë lekë e parashikuar në Aktin Normativ të buxhetit të vitit 2020.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë bën të ditur se, në planifikimin e investimeve për vitin 2021 janë mbajtur në konsideratë të gjitha detyrimet kontraktuale për projektet e investimeve me financim të huaj dhe të brendshëm. Ndërkohë që ashtu, si edhe në vitin 2020, dhe në vitin 2021 do të ketë përparësi financimi i projekteve në vazhdim, thekson MFE-ja.

Qeveria, mbetet e përkushtuar për të rikthyer konsolidimin fiskal në planin afatmesëm, sapo efektet e goditjes nga pandemia të zhduken. MFE parashikon që të kthejë këtë tregues në një balancë primare pozitive, që nga viti 2022, por me siguri që në 2023 e në vazhdim do të synojë një borxh publik të ulur gradualisht, duke arritur në 68.5% deri në 2025.

Pa rrezikuar ndonjë nga parametrat kryesorë të qëndrueshmërisë së financave publike dhe plotësisht në përputhshmëri me rregullat fiskale në buxhetin e vitit të ardhshëm qeveria ka planifikuar që të mbështesë shpenzimet e nevojshme në dy sektorë kryesor: Në dy sektorë të lidhura me kapitalin njerëzor: shëndetësi dhe arsimi.

Ndërkohë mbështetja për sektorin e infrastrukturës përfshin përpjekjet për procesin e rindërtimit nga dëmet që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit.

Sipas MFE-së, investimet në kapitalin njerëzor dhe infrastrukturë janë thelbi i planit të qeverisë për rimëkëmbjen. Sipas një raporti të fundit të publikuar nga FMN-ja, për çdo investim prej 1% në infrastrukturë, ne do të marrim 2% rritje në periudhën afatmesme.

Qeveria shprehet e gatshme të investojë, në mënyrë që dhe biznesi të përfitojë dhe të zhvillohen tregjet financiare. Shqipëria po punon mbi strategjinë e saj të re 7-vjeçare mbi “Strategjinë e Zhvillimit të Bizneseve dhe Investimeve” dhe MFE është duke u përpjekur në rrugëtimin drejt një tregu financiar funksional.

Në kuadër të qëndrueshmërisë së shtyllave kryesore ekonomike, Ministria e Financave dhe Ekonomisë bën të ditur se, nuk ka shenja të mangësive të mëdha, ndryshe nga sa ishte parashikuar relativisht të ndodhte fillimisht.

Sipas të dhënave nga Ministria e Ekonomisë, PBB-ja u tkurr me 10.2% në tremujorin e dytë dhe -6.6% në gjysmën e parë të vitit 2020 krahasuar me periudhat përkatëse të vitit të kaluar. Qeveria parashikon një tkurrje të ekonomisë me 6.1% në fund të vitit. Ndërsa projeksionet për vitin e ardhshëm janë për një rritje prej 5.5%.

Sipas MFE-së, shkalla e papunësisë arriti në 12.5% në tremujorin e dytë, krahas 11.6% në fund të vitit 2019, ndërsa vetë punësimi u tkurr me rreth 4% krahasuar me fundin e vitit 2019. Parashikimet janë për një rritje të papunësisë në 13.9% në fund të këtij viti, duke zbritur në 12.2% në fund të vitit tjetër.

Ndërsa vlerëson se masat e marra mbështetën likuditetin e bizneseve, veçanërisht nëpërmjet skemave të reja të garancisë së shtetit në shumën gjithsej prej 250 milion dollarë, krahas moratoriumit 6 mujor që ndërmori Banka e Shqipërisë për shtyrjen e kësteve të kredive, që amortizuan situatën e vështirë financiare të biznesit nga situata e vështirë që krijoi pandemia covid-19.

Etleva Xhajanka