Ngjyra e kuqe si rubin e verës, me varietetin e rrushit “Kallmet” prodhuar nga Kantina Arbëri, ka një shije që të mbetet gjatë në kujtesë dhe është vera shqiptare më e kërkuar nga të gjithë, në çdo kohë.

Kjo kantinë është një sipërmarrje e familjes Kaçorri, në zonën e Mirditës, që me mbështetjen e Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural (AZHBR), ka rikthyer traditën e shijes së veçantë të verës Kallmet, duke i dhënë emër jo vetëm kësaj zone, por edhe Shqipërisë në botë, për cilësinë e veçantë të verës.

Kantina "Arbëri" gjendet në Rrëshen të Mirditës, më pak se dy orë larg nga Tirana.

Pikërisht këtu, në veriperëndim të Shqipërisë rrushi i Kallmetit është varieteti shqiptar, unik me cilësi të lartë për prodhimin e verës që krahasohet me varietetin me famë botërore “Bordo” në Francë. Varieteti i këtij rrushi i ka dhënë emër fshatrave në këtë zonë, pikërisht për shkak të përshtatjes së tij të përsosur në këtë territor. Ndërsa kantina “Arbëri” është shtëpiza e hapur që mirëpret bujarisht çdo vizitor me pijen e dashur të verës, por jo vetëm.

Rigers Kaçorri na tregon se Kantina “Arbëri” ka sot rreth 25.5 ha sipërfaqe të mbjellë kryesisht me rrush të varietetit autokton tipik Kallmet. Kantina relativisht me një histori të re, që daton në vitet 2000, sot ka zgjeruar sipërfaqet me vreshta dhe prodhimi i verës ka konsoliduar pozitat e një biznesi të shndërruar në industry, që prodhon verën “Kallmet” dhe “Sheshi i Bardhë”, varietete autoktone shqiptare.

“Kam studiuar në Itali për enolog dhe jam rikthyer pranë biznesit familjar, pas një eksperience të gjatë edhe në shumë vende të tjera të Europës, për të kontribuar dhe sjellë eksperiencën më të mirë të huaj në Shqipëri, në sipërmarrjen e familjes time, në prodhimin e verës”- thotë Rigersi.

I apasionuar dhe tepër i kujdesshëm për cilësinë e rrushit ne vreshta ai na tregon se fillimisht këtu ishte një numër i vogël të punësuarish, por me zgjerimin e investimeve, Kantina “Arbëri” ka shtuar numrin e të punësuarve dhe madje bashkëpunon me mbi 60 familje të zonës, të cilëve u blen prodhimin e rrushit, duke kontribuar në përmirësimin e ekonomisë së tyre, por edhe të zonës në tërësi.

Kultivimi i varietetit të rrushi Kallmet dhe vera e prodhuar prej familjes Kaçorri, janë trashëguar nga familjet verëprodhuese të zonës, të cilat e kanë bërë të famshëm këtë varietet.

Kaçorri tregon se vreshtat e ndërtuara në zonën e Bukëmirës, në Mirditë janë ndër të parat plantacione të ndërtuara me standarde evropiane, nën ekspertizën e ekspertëve të huaj duke kultivuara varietete autoktone shqiptare “Kallmeti” dhe “Sheshi i Bardhë”.

Ndërsa përmes mbështetjes me fonde të Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, Kantina “Arbëri” ka përmirësuar teknologjinë e fermetimit, çka ka sjellë përmirësim të cilësisë së prodhimit të verës.

Ai na shpjegon se, me sipërmarrjen e ndërmarrë synojnë të rikthejnë traditën e krahinës së Mirditës, ku vera shqiptare ka bërë vërtetë emër. Zona e Rrëshenit është e njohur historikisht për prodhimin e rrushit dhe përpunimin e verës. Banorët e këtushëm i përkasin besimit katolik dhe vera, e konsideruar si gjaku i Krishtit, nuk mungon në tryezat e tyre në gëzime e raste festash.

Sipas Rigersit “Por mbreti i zonës është kultivari Kallmet, i njohur që në lashtësi me romakët e lashtë, madje edhe në periudhën e pushtimit osman, ku Mirdita ka pasur zhvillim të madh në prodhimin e verës cilësore te Kallmetit. Rigersi madje thotë se qysh në atë kohë vera e Kallmetit është pirë dhe pëlqehej edhe nga vetë Papa.

Reparti i fermentimit ose “zemra e biznesit” siç e quan Rigersi, përpunon mbi 2500 kv rrush, ndërsa ambiciet janë për t’u shtuar më tej prodhimi në të ardhmen. Me mbështetjen financiare të Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor Rural, këtu është investuar “fjala e fundit e teknologjisë moderne, e cila e ndërthurur me traditën mirditore të prodhimit të verës, ka sjellë në treg, shijen me famë të verës shqiptare me varietetin “Kallmet”.

Ndërsa Fran Kaçorri, babai i Rigersit, na flet për repartin e prodhimit të rakisë.

“Në Kantinën tonë prodhojmë rakinë tradicionale shqiptare. Është ruajtur tradita e hershme e prodhimit të rakisë me kazanët e bakrit, djegia bëhet me dru jo me gaz, por mbi të gjitha, e veçanta është se ne e prodhojmë rakinë me rrushin varietet shqiptar Sheshi i Bardhë”. Sot rakia e Kantinës “Arbëri’ tregtohet në rrjetet e marketeve në të gjithë vendin, por ajo është mjaft e kërkuar edhe në tregun kosovar ku dhe vijon të eksportohet, thotë Fran Kaçorri.

“Të gjitha investimet në kantinën “Arbëri” janë ndërmarrë përmes programeve mbështetëse të qeverisë për sektorin e bujqësisë. Një ndër projektet është ai me Agjencinë e Zhvillimit Bujqësor Rural , krahas vreshtave, kantinës për prodhim vere dhe rakie,Kantina “Arbëri” është fokusuar tek agroturizmi” thotë Frani.

Sipas tij, ky është një projekt ambicioz që do ti shërbejë të gjithë zonës dhe familjeve fermere , nga ku do të merret prodhimi si dhe do të mundësojë hapje vendesh të reja pune në pikën e re agroturistike.

Vizitojmë ambientet e tjera të Kantinës “Arbëri’ dhe ndalemi në repartin e ambalazhimit. Aty ku gjendet teknologjia e gjeneratës së fundit dhe kryhen të gjitha fazat nga mbushja e shisheve me verë, e deri tek ambalazhimi e paketimi. Vera ‘Arbëri’ është markë shqiptare e regjistruar dhe e mbrojtur nga Drejtoria e Patentave. Investimi mbresëlënës është vlerëuar nga kryeministri Edi Rama dhe personalitete të fushave të ndryshme.

Në repartin e vjetërimit, Kantina ‘Arbëri’ pret vizitorë të shumtë të cilët degustojnë verën e mrekullueshme, ndërkohë që kjo sipërmarrje është përfshirë në paketat turistike.

Vera e kësaj kantine eksportohet në të gjitha vendet e botës dhe kryeson në tregun amerikan. Prodhimi i verës është art dhe shkencë, një përzierje e krijimtarisë individuale dhe teknologjisë inovative. Rigersi na tregon se për herë të parë në vitin 2014, me nismën e tij dhe profesionalizmin e enologut, Kantina “Arbëri” prodhoi për herë të parë në Shqipëri, me një varietet të rrushit shqiptar, shampanjë shqiptare, të quajtur “Ardo” që do të të jetë shumë shpejt pjesë e linjës së prodhimit më të gjerë në sasi, duke aspiruar dhe eksportin.

Standardet dhe cilësia e veçantë e Kantinës “Arbëri” tashmë njihen jo vetëm në tregun vendas, por për të është shkruar dhe nga mediet e huaja prestigjioze, të cilat e kanë vlerësuar cilësinë e saj, që i jep emër në botë jo vetëm kësaj sipërmarrje shqiptare, por edhe Shqipërisë.Kjo sipërmarrje nisi me një sipërfaqe vreshti prej 3 hektarë por me kalimin e kohës u rritën sipërfaqet me vreshta dhe prodhimi i verës cilësore nga Kantina Arbëri, jo vetëm që u bë pija më e kërkuar në tregjet e vendit, restorantet elitare, por eksportohet në shumë vende të Europës e deri në Amerikë dhe kontinentin Aziatik.

Kantina “Arbëri” është më e madhja në Shqipëri, për sa i përket prodhimit të verës. Prodhimi vjetor i kantinës arrin mesatarisht ne 100 mijë shishe në vit dhe rreth 15% e tij eksportohet jashtë.

Kultivimi i rrushit të varietetit “ Kallmet” dhe vera e prodhuar prej tij është trashëguar nga familja Kaçorri ka sjellë në treg verën‘Kallmet’, pijen më të preferuar dhe të kërkuar jo vetëm në tregun vendas, përfaqësitë diplomatike, restorantet elitare por edhe në tregun e huaj.

Kantina “Arbëri”, duke filluar që nga viti 2003, ruan çdo vit rreth 2500 shishe verë, të cilat përbëjnë jo vetëm koleksionin e kantinës, por edhe historinë e kësaj sipërmarrje.

Etleva Xhajanka