Fitimi i sektorit bankar u rrit më tej gjatë korrikut, duke e çuar rezultatin progresiv të 7-mujorit në vlerën e 8.6 miliardë lekëve, nga 7.15 miliardë lekë që ishte për 6-mujorin.

Statistikat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se kthimi nga kapitali, përshtatur me bazë vjetore, gjithashtu u përmirësua në 9.39%, nga 9.13% që pati qenë deri në fund të qershorit.

Sipas ekspertëve të bankave, këto rezultate mbështeten në standardet e raportimit të Bankës së Shqipërisë dhe janë padyshim të kushtëzuara nga pezullimi i detyrimit për të klasifikuar dhe provigjionuar kreditë, pezullim që ishte në fuqi deri më datë 31 gusht.

Ndërkohë që shtyrja e kësteve të kredive me 6 muaj ndihmoi bizneset dhe familjet të kursejnë likuiditet për një vlerë prej pothuajse 27 miliardë lekësh, duke iu dhënë frymëmarrje gjatë muajve të krizës.

Por, nga ana tjetër, pezullimi i pagesave për një pjesë shumë të madhe të kësteve të kredisë e bën të vështirë për bankat përllogaritjen dhe absorbimin e hershëm të humbjeve që mund të pësojnë nga kjo situatë. Por kjo pritet të ndodhë gradualisht deri në fund të vitit 2020, ndërsa do t’i shtrijë efektet e plota sidomos në gjysmën e parë të vitit 2021.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, sistemi bankar është i mirëkapitalizuar dhe treguesit indikatorë të këtij perceptimi vijojnë të ruajnë trendin e rritjes pozitive.

Kështu Banka e Shqipërisë bën të ditur se, totali i depozitave (biznes dhe individë) gjatë muajit qershor të këtij viti u rrit me 45 milionë euro më shumë, në krahasim me muajin e mëparshëm. Ku kursimet e individëve pa afat në lekë, u zgjeruan me rreth 1% me bazë mujore.

Struktura e depozitave dominohet nga fondet në valutë dhe sidomos në euro, që mbetet zgjedhja e parë e biznesit për mbajtjen e kursimeve të tyre. Sipas BSH-së, në totalin e depozitave mbizotëron mbajtja e fondeve në formë likuide, në llogari rrjedhëse ose depozita pa afat.

Kjo lidhet me normat e ulëta të interesit, që nuk japin stimuj për t’i mbyllur paratë në depozita me afat. Ndërkohë që depozitat e mbyllura, me afate të përcaktuara maturimi pësuan rënie, gjatë muajit qershor

Gjithashtu gjatë kësaj periudhe edhe kredia për ekonominë shënoi rritje të ndjeshme pozitive. Pothuajse tri herë më e lartë se në muajin maj.

Sipas BSH-së, kredia e re për ekonominë në lekë, arriti në qershor në 17.8 miliardë lekë, duke shënuar nivelin më të lartë mujor që nga dhjetori 2019.

Pas hapjes së ekonomisë ka pasur një kërkesë të shtuar nga biznesi dhe individët për të marrë kredi. Zgjerimi ishte më i fortë për kredinë afatgjatë mbi 5 vjet, por të gjitha maturitetet e tjera shënuan rritje”, njofton BSH-ja, sipas së cilës dinamika në zhvillim e këtij tregu lidhet me ecurinë e ekonomisë dhe të konsumit.

Të dhënat e fundit të bilancit të pagesave tregojnë se të ardhurat nga emigrantët vazhdojnë të mbeten një fluks i rëndësishëm financimi për ekonominë shqiptare.

Gjatë dy viteve të fundit, remitancat kanë përbërë 12% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të Shqipërisë.

Ndërkohë që, sipas Vrojtimit mbi Financat dhe Konsumin e Familjeve Shqiptare, zhvilluar së fundmi nga Banka e Shqipërisë, vlerësohet se gjatë vitit 2018, 23% e familjeve shqiptare kanë marrë të ardhura në formën e remitancave.

Për shumicën e familjeve, këto të ardhura vlerësohet të përbëjnë burimin kryesor për përballimin e shpenzimeve të konsumit dhe të investimeve.

Pavarësisht peshës që ato mbartin, eksperienca ndërkombëtare dhe ajo vendase, kanë treguar se ky burim financimi është larg niveleve potenciale të shfrytëzimit të tij. Një përdorim më efektiv i këtyre fondeve do të sillte një vlerë të shtuar për ekonominë shqiptare.

Sipas BSH-së pengesat kryesore që frenojnë efektin multiplikativ të remitancave, lidhen kryesisht me kostot e larta dhe kanalet joformale të dërgimit të tyre. Për këtë qëllim, Banka e Shqipërisë ka ndërmarr reformimin e tregut të pagesave me vlerë të vogël dhe nxitjen e përdorimit të pagesave elektronike, si një alternativë më efikase dhe më pak e kushtueshme për të gjithë agjentët ekonomikë.

Dy vitet e fundit, sistemi bankar ka qenë mjaft aktiv në drejtim të shitjeve e blerjeve. 2018-a u mbyll me 14 banka, nga 16 që ishin në fillim të vitit, pasi banka greke NBG u ble nga Banka Amerikane e Shqipërisë dhe Intesa Sanpaolo bank përthithi bankën Veneto, në linjë me të njëjtin proces të bankave mëmë në Itali.

Ndërkohë, Union Bank është në proces të finalizimit të blerjes së Bankës Ndërkombëtare Tregtare (ICB), që pritet të përfundojë brenda këtij viti, duke e çuar numrin e bankave në 12.

Transaksione të tjera ishin blerja e Societe Generale nga hungarezët e OTP-së, të cilët u prezantuan së fundmi zyrtarisht në Tiranë duke deklaruar se kishin plane ambicioze në drejtim të zgjerimit, kredidhënies, dixhitalizimit dhe shërbimeve të reja. Tashmë banka është shndërruar në OTP bank Albania.

Aktualisht banka më e madhe në vend është BKT, me 29% të totalit të aktiveve, e ndjekur nga Raiffeisen (15.5%); Credins (13.5%); Intesa Sanpaolo (11.8); OTP bank -ish Societe (5.8%); Alpha bank (5.2%); Abi bank (5.2%); Tirana bank (4.8%); Union Bank+ICB (4.24%); Pro Credit (2.3%); FIBank (1.7%); Banka e Bashkuar e Shqipërisë (0.6%).

Bankierët pohojnë se procesi i konsolidimit bankar pritet të vijojë dhe në vitet e ardhshme. Banka e Shqipërisë e vlerëson pozitivisht konsolidimin që po ndodh në sistemin bankar.

“Ndryshimet që po ndodhin në strukturën e sektorit bankar, janë shoqëruar me rritjen e peshës së kapitalit vendas dhe uljen e numrit të bankave. Ky proces, pritet të kontribuojë pozitivisht në ecurinë e ndërmjetësimit financiar”, thotë Banka në deklaratën e fundit të stabilitetit financiar, ku ndët të tjera nënvizon se sistemi bankar është likuid dhe i qëndrueshëm.