Panairi i dytë Ndërkombëtar për Tregtinë e Shërbimeve i Kinës 2020 u hap më 3 shtator në Pekin.

Me pjesëmarrjen e 18 mijë bizneseve dhe mbi 100 mijë të pranishmëve, duke përfshirë më shumë se 2000 ekspozues në pavijone të veçanta, kjo është veprimtaria e parë e madhe ekonomike dhe tregtare ndërkombëtare e organizuar nga Kina që nga shpërthimi i COVID-19. Një vend të rëndësishëm në panair zunë vaksinat COVID-19 që po zhvillohen nga kompanitë kineze, si dhe pajisjet që mund të kryejnë teste të acidit nukleik për koronavirusin brenda 30 minutave.

Kjo nuk është një arritje e zakonshme pasi qeverisë komunale të Pekinit i duhej shumë guxim për të organizuar një ngjarje të tillë. Krahasuar me shumë vende të botës, është pranuar gjerësisht se lufta e Kinës kundër virusit ka pasur një sukses të jashtëzakonshëm. Megjithatë, fjalimi i hapjes i presidentit Xi Jinping kishte një ton mjaft modest pa shfaqur triumfalizëm. Ai foli më së shumti për angazhimin në një mjedis të hapur dhe gjithëpërfshirës të biznesit dhe ripohoi hapjen e vazhdueshme të Kinës duke ecur përpara.

Ai paraqiti tre propozime si: krijimi i përbashkët i një mjedisi bashkëpunimi të hapur dhe gjithëpërfshirës, forcimi i bashkëpunimit i orientuar nga novacioni dhe krijimi i një terreni të ri bashkëpunimi për arritjen e sukseseve të përbashkëta. Presidenti Xi shtoi gjithashtu se Kina mbështet krijimin e një aleance për tregtinë globale të shërbimeve dhe theksoi se Pekini do të ndërtojë një zonë demonstruese gjithëpërfshirëse kombëtare për zgjerimin e hapjes në sektorin e shërbimeve.

Importet dhe eksportet e shërbimeve të Kinës arritën në 5.4 trilionë juanë vitin e kaluar, duke u renditur në vendin e dytë në botë për gjashtë vjet rresht.

Sun Wenbo, kryezyrtari i një kompanie teknologjike, shprehet:

Shumë operatorë të huaj erdhën të na kontaktojnë në veprimtarinë e fundit, gjë që çoi në shumë projekte bashkëpunimi. Këtë vit ne presim të arrijmë marrëveshje me vlerë më shumë se 30 milionë juanë. Shpresojmë që teknologjia jonë e platformës së realitetit virtual 5G, e krijuar në vend, të arrijë te më shumë klientë të huaj".

Li Xingguang, kryestudiues në një kompani që prodhon produkte të njohjes së iridës së syrit, thotë se panairi u ka ofruar shumë mundësi:

"Për shembull, pas regjistrimit në panairin e tregtisë, ne tashmë kemi vendosur lidhje me disa partnerë në Singapor dhe Afrikën e Jugut për disa synime paraprake bashkëpunimi. Kjo do të jetë një lidhje e fortë midis teknologjisë sonë të njohjes së iridës dhe tregut botëror."

Tregtia e shërbimive është me të vërtetë një fushë që Kina duhet të vazhdojë të hapë, edhe përkundër sfondit të deficitit të madh tregtar në shërbime, pavarësisht se është vendi më i madh tregtar në botë. Sipas të dhënave nga Ministria e Tregtisë, Kina regjistroi një suficit tregtar prej 420 miliardë dollarë amerikanë në mallra në vitin 2019, por pësoi një deficit tregtar prej 260 miliardë dollarë amerikanë në shërbime. Krahasuar me shumë vende të industrializuara, tregtia e shërbimeve si përqindje e PBB-së në Kinë është ende mjaft e vogël. Për shembull, tregtia e shërbimeve të Gjermanisë zë 18 për qind të PBB-së. Edhe tregtia e shërbimeve të Indisë zuri 12 për qind të PBB-së së saj vitin e kaluar. Në Kinë, kjo shifër është vetëm pesë për qind.

Kështu që eksportet e shërbimeve kanë mjaft hapësirë për rritje. Ajo që është më e rëndësishme është të rritesh në ato zona të shërbimit me vlerë të shtuar të lartë, veçanërisht të lidhura me ekonominë digjitale. Për shembull, shitjet me pakicë janë një element i rëndësishëm i sektorit të shërbimit dhe Kina ka ecur jashtëzakonisht mirë në tregtinë elektronike.

Por, nuk duhet të harrojmë importet e shërbimeve. Këtë vit Kina pa një rënie të theksuar në importet e shërbimeve, siç u manifestua veçanërisht në udhëtimet e reduktuara jashtë për shkak të pandemisë. Ndërsa gjendja e COVID-19 përmirësohet në vendet e tjera dhe kur vaksina po i afrohet gjithnjë e më pranë realitetit, Kina pret që importet të shërbimeve jashtë vendit do të rriten. Por për importet e shërbimeve të krijuara në vend, ka hapësirë edhe më të madhe për rritje.

Shumë nga sektorët e shërbimit të Kinës janë ende të kufizuara, duke përfshirë financat, komunikimin, arsimin, mediat etj. Në bankat tregtare, për shembull, pjesa e bankave të huaja në tregun financiar të Kinës është ende e vogël, edhe pse Kina është e përkushtuar t'u japë bankave të huaja trajtim të barabartë kombëtar pas pranimit në OBT në vitin 2001.

Ky panair vjen në kohë për t'i dhënë një shtysë zhvillimit të Kinës në shërbimin dhe tregtinë e shërbimeve. Të gjitha vendet e industrializuara kanë ndjekur rrugën e rritjes së pjesës së shërbimeve të PBB-së së tyre dhe Kina nuk do të jetë një përjashtim. Tani për tani vetëm mbi 50 për qind e PBB-së është e lidhur me shërbimin.