Foto nga VCG

Në filozofinë e lashtë kineze, natyra dhe gjithçka në të janë të barabarta. Së bashku, ne jemi një. Kjo është arsyeja pse filozofia e lashtë kërkon që ne ta trajtojmë natyrën me mirësi dhe nderim. Kinezët e lashtë kinezë madje e personifikonin natyrën. Ata besonin se pemët dhe bari kanë ndjenja dhe se këto duhet të respektohen.

Kina është një nga vendet me biodiversitet të lartë në botë në krahasim me çdo vend tjetër që mbulon gjerësi gjeografike të ngjashme. Kina strehon mbi 35 000 specie bimore, mbi 2700 lloje vertebrorësh tokësorë dhe mbi 28 000 specie detare.

Në një deklaratë në Samitin e OKB-së për Biodiversitetin, përmes videokonferencës në vitin 2020, presidenti Xi tha se Kina gjithmonë i jepte përparësi progresit ekologjik dhe e përfshin atë në çdo dimension dhe fazë të zhvillimit ekonomik dhe social. Sipas kreut të shtetit kinez, qëllimi është të kërkojmë një lloj modernizimi që promovon një bashkëjetesë harmonike mes njerëzve dhe natyrës.

Sipas shifrave të vitit të kaluar, të vëna në dispozicion nga Administrata Kombëtare e Pyjeve dhe Kullotave, mbulimi pyjor i Kinës është përmirësuar nga 8.6 për qind gjatë gjashtë dekadave më parë në 23.04 për qind deri në fund të vitit 2020. Vendi ka krijuar 11.800 zona natyrore të mbrojtura, duke ofruar mbrojtje për rreth 90 për qind të llojeve tokësore të ekosistemit, 85 për qind të specieve të kafshëve të egra dhe 65 për qind të komuniteteve të bimëve të larta. Gjatë periudhës së Planit të 13-të Pesëvjeçar (2016-2020), kontrolli i shkretëtirëzimit u krye në më shumë se 10 milionë hektarë dhe afërsisht 4 milionë hektarë tokë bujqësore u kthyen në pyje ose kullota.

Në Planin e 14-të Pesëvjeçar (2021-25) thuhet se ndër objektivat kryesore do të jetë përparimi në ndërtimin e një qytetërimi ekologjik. Qëllimet specifike sugjerojnë se konsumi i energjisë dhe emetimet e dyoksidit të karbonit për njësi të PBB-së synohet të reduktohen përkatësisht me 13.5 për qind dhe 18 për qind; shkarkimi total i ndotësve kryesorë pritet të reduktohet vazhdimisht; mbulesa pyjore pritet të arrijë në 24.1 për qind; dhe mjedisi do të përmirësohet vazhdimisht për një mbrojtje më të fortë ekologjike.

Megjithëse qytetet kineze kanë kryesuar prej kohësh renditjen globale të cilësisë më të keqe të ajrit në botë, ato kanë treguar përmirësim të vazhdueshëm gjatë viteve. 2013 ishte një pikë kthese e rëndësishme për qëndrimin ndaj ndotjes pasi qeveria deklaroi hapur se do ta linte pas politikën e rritjes ekonomike me çdo kusht dhe do lëvizte në këtë drejtim të ri ku ka harmoni midis rritjes ekonomike dhe administrimit të mjedisit.”

Duke filluar nga 2013 qeveria investoi miliarda dollarë në një plan kombëtar veprimi për ndotjen e ajrit. Ai nxorri rregullore të reja, krijoi stacione mbikëqyrëse mbarëkombëtare të ajrit dhe filloi të mbyllte minierat e qymyrit dhe fabrikat e qymyrit. Në vitin 2014, Kina shpalli “luftën kombëtare kundër ndotjes”. Tashmë Kina e ka fituar betejën me ndotjen e ajrit, falë masave të ndërmarra nga qeveria dhe ndërgjegjësimit të qytetarëve.

Në shtator 2020, Kina njoftoi gjithashtu se synonte të arrinte kulmin e emetimeve të dyoksidit të karbonit deri në vitin 2030 dhe të arrinte neutralitetin e karbonit deri në vitin 2060. Një shembull domethënës për këtë është Saihanba, një nga pyjet më të mëdhenj në botë të krijuar nga njeriu, sipas filozofisë së lashtë kineze të bashkëjetesës paqësore.

Nga një shkretëtirë e djerrë, që nxiti stuhi të forta rëre, në një pyll të gjelbëruar që i siguron Pekinit dhe rajoneve përreth një mburojë kundër fatkeqësive natyrore, Saihanba, në provincën Hebei, është thjesht një mrekulli e gjelbër.

Komuniteti i pyllëzimit Saihanba mori çmimin e OKB-së për kampionët e tokës për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në rregullimin e peizazhit të degraduar.

Studjuesi Ylber Marku, lektor në Universitetin e Zhejiang-ut në Kinë për Grupin Mediatik të Kinës flet për ekonominë e gjelbër dhe masat që merren në Kinë në mbrojtje të mjedisit dhe përmirësimit të jetës së banorëve

CMG: Në Kinë i kushtohet një rëndësi të veçantë ekonomisë së gjelbër, menaxhimit të mbetjeve dhe plastikës. Cili është modeli kinez i mbrojtjes së mjedisit? Vlerësimi juaj për këtë model

Dr.shk. Ylber Marku: Modeli kinez, me sa kam pare dhe e konstatoj personalisht atje, konsiston në një rikonvertim të ekonomisë në përgjithësi drejt një ekonomie të gjelbër, e cila ka si pikësynim investimet në teknologji, të cilat të jenë në përputhje me një ekonomi të gjelbër. Ndërkohë ka dhe një edukim masiv të popullsisë për të patur një ndërgjegjësim më të lartë ndaj çeshtjeve të mjedisit .

Një tjetër element, që për mua është shumë i rëndësishëm është fakti që Kina po e shikon ekonominë e gjelbër të lidhur me pikësynimet që kanë Kombet e Bashkuara, në rang global, për ndjesitë që janë krijuar ndaj ndryshimeve klimatike.

Në këtë mënyrë Kina po mundohet të jetë në një formë të integruar me synimet e OKB-së , siç e përmenda, gjë që e shikoj si shumë të rëndësishme në ndërtimin e një ekonomie të gjelbër në Kinë.

Ky model është në përshtatje e sipër për dy arsye themelore. E para, për shkak se shkenca ka gjithmonë përditësime me lindjen e teknologjive të reja. E dyta, Kina ekonominë e gjelbër e shikon si një mundësi përfitimesh ekonomike në rang kombëtar, për krijimin e vendeve të punës dhe rikonvertimin e industries. Në këtë kuptim modeli mundohet të jetë sa më e qëndrueshëm dhe solid.

CMG: Është një model i prekshëm permes teknologjisë në zhvillim dhe implikimit qytetar sepse është vetë qytetari që tregon modelin se si ecën kjo ekonomi e gjelbër. Ajo që na bie në sy më shumë ne si qytetar, pasi e kemi në përdorim të përditshëm, është plastika. Në vitin 2017 Kina e ndaloi importin e shumicës së plastikës për riciklim dhe tashmë është njoftuar ndalimi i plastikës me një përdorim, duke ndaluar përdorimin e qeseve plastike shumë të holla. Tashmë edhe në Shqipëri ka nisur një fushatë e mospërdorimit të qeseve plastike. Ju si banor i Kinës, si kontribuoni në mbrojtjen e natyrës, permes kufizimit deri në maksimum të plastikës ?

Dr.shk. Ylber Marku: Në bazë komuniteti atje ku jetoj, sikurse në të gjithë qytetin, por e tillë është politika në të gjithë Kinën, bëhet ndërgjegjësimi në rang komuniteti. Komuniteti konsiston në një grumbull pallatesh dhe janë disa persona përgjegjës, të cilët merren me këtë pjesë. E para është ndërgjegjësimi. E dyta është ndërtimi i infrastrukturës, tepër e rëndësishme.

CMG: Këtë duhet ta zbatosh. Flasim për mbetjet, mbeturinat e seleksionuara.

Dr.shk.Ylber Marku: Absolutisht po. Në radhë të pare je edukuar që të dish të ndash mbetjet. Vendi ku ato hidhen monitorohet në mënyrë të tillë që nëqoftëse dikush vazhdimisht i shkel këto rregulla ka penalitete, ndëshkime nëpërmjet gjobave. Por në dyqanet e ndryshme nuk shiten qese plastike njëpërdorimshe. Diçka vërtet interesante është se në komunitetin ku unë jetoj, por besoj se kjo ndodh kudo, angazhohen shumë pensionistët që të bëjnë atë që bëhej dikur, kur nuk ekzistonte fare plastika. Bëhet fjalë për shportat e kashtës.

CMG: Kjo është një traditë e Kinës, shumë ekologjike

Dr. shk. Ylber Marku: Është shumë e vërtetë. Çdo të enjte në komunitetin ku jetoj banorët në rrugën kryesore ku bëhet tregu paraqesin shporta prej kashte dhe I shesin me çmime shumë të lira. Qëllimi nuk është për të shitur shportat, por për t’i përdorur ato shumë here në vend të plastikës.

CMG: Është një lloj ndërveprimi mes qytetarëve, personave përgjegjës administratorët e pallateve. Vetë qytetari që në banesë seleksionon mbetjet ushqimore, të plastikës etj.

Dr.Shk. Ylber Marku: Është një zinxhir që ndërthur disa element, qytetarin por dhe institucionet lokale.

CMG: Në Shqipëri nuk është bërë ende ndarja e mbetjeve dhe ne i derdhim mbetjet në kontenierë, ku ato përzihen. Nuk ekzistojnë ishujt ekologjikë, ku mblidhen inertet, mbetjet që krijohen pas punimeve në banesa, pllakat, xhamat, që mblidhen në vende të caktuara, jashtë qytetit. Jemi pak mbrapa në këtë drejtim, krahasuar me vende të tjera, që kanë rregulla strikte.

Kina është në vend të pare sa u përket investimeve në fushën e energjisë së gjelbër. Kina ka patur një sfidë të madhe me luftën kundër ndotjes së mjedisit, por me investimet e kryera tashmë cilësia e ajrit në Kinë është përmirësuar ndjeshëm.

Dr. Shk. Ylber Marku:Ajo që është e prekshme për mua atje është se i gjithë parku i automjeteve gradualisht, por në mënyrë të pakthyeshme, po kthehet në një park automjetesh me bateri, elektrike. Meqënëse shumë njerëz kanë nevojë për makinë shpesh here, ndonëse transporti publik është i shkëlqyer, por dua të shtoj se ky transport pothuajse në 90% është elektrik. Madje në qytetin tim është 100% elektrik. Por edhe nëpërmjet politikave të qeverisë qendrore, e cila ka imponuar në rang lokal që të mos jepen targa në mënyrë të pajustifikuar për makina që nuk janë me bateri, ose hibrid.

Doja të shtoja se ka një seri markash automjetesh që prodhohen në Kinë dhe janë shumë të lira për ata që nuk kanë mundësi të blejnë. Pra ka një politikë të gjithanshme për rikonvertimin e mjeteve në përdorim masiv që të jenë në përputhje me ekonominë e gjelbër.

Ka një investim masiv për dy arsye. E para, Kina ka investuar hershëm në këto lloj teknologjish, siç është rasti i baterive. Tesla eksporton pjesën më të madhe të makinave që prodhon në Kinë dhe në Shangai është Giga Factory që pjesën më të madhe e eksporton. Kina prodhon bateri dhe Kompanisë Tesla i leverdis ta marrë nga Kina, kështu prodhon të gjithë makinën atje.

E dyta, investimi masiv në infrastrukturën rimbushëse të këtyre baterive. Kam vënë re nga kolegë të mi që kanë makina elektrike, më përpara më thonin që makina mbushej për 30minuta, kurse tani ka rënë në 20 minuta ose 15, në varësi të kilometrave që do të shtosh në bateri. Kjo teknologji përmirësohet nga viti në vit sepse edhe vetë bërja e baterive dhe e makinave elektrike ka një fare ndotjeje në mjedis. Ideja qendrore në Kinë, sikurse dhe në vende të tjera të botës, është që kjo lloj ndotjeje të shkojë në minimum.

Me investimet që po bëhen mendoj që shumë shpejt do të arrihet një autonomi shumë e madhe e këtyre makinave dhe nivel minimal i ndotjes nga bateritë dhe komponentët e tjerë të makinës.

CMG: Beteja kundër ndotjes së ajrit është një betejë e fituar nga Kina. Në vitin 2013 qeveria kineze dhe presidenti i vendit Xi Jinping, që sapo kishte marrë atë vit këtë detyrë të lartë vunë në krye të agjendës luftën kundër ndotjes së ajrit. Filloi politika “ e qiellit blu”, si një prioritet për Kinën. Komenti juaj për këtë

Dr.shk. Ylber Marku: Nga eksperienca personale mendoj se pjesa lindore e Kinës ka bërë një punë shumë të madhe në këtë drejtim. Përmend pjesën lindore sepse e gjithë pjesa afër detit ka patur pjesën më të madhe të industrive, ku dhe ndotja ka qenë më e madhe. Atje është një betejë e fituar sepse ajri është tani i pastër dhe ndotja është edhe nën normën e ndotjes së Bashkimit Europian. Kjo për shkak të politikave të ndjekura, investimeve dhe transportit me mjete ekologjike.

Ajri në përgjithësi është i pastër. Kujtoj se kur kam vizituar Pekinin në 2015 ndotja e ajrit ka qenë problematike, por dhe industritë e rënda në Kinë po investojnë në konvertimin e mjeteve që kanë në sa më pak ndotëse. Disa industri të rënda po zhvendosen nga lindja drejt zonave të tjera ku është e mundur të ketë një ndotje të përkohëshme, por me investime afatgjata, sepse dhe burimet nga ku merret lënda e pare janë në ato zona. Lufta kundër ndotjes së ajrit është një politikë kombëtare .

Mendimi që qëndron në themel të kësaj është se ekonomia e gjelbër nuk është vetëm për mushkëritë e njeriut, shëndetin e tij, që është parësore, por përfaqëson dhe një rikthim ekonomik.

CMG: Zhvillimi i zonave të mbrojtura natyrore të Kinës ka shënuar një epokë të re të zhvillimit të qëndrueshëm. Kina ka krijuar më shumë se 11,800 zona të mbrojtura që mbulojnë 18% të sipërfaqes së saj tokësore dhe 4.6% të zonës detare. Sa e prekshme është kjo për banorët e Kinës? Sa pranë natyrës ndjehen ata, edhe pse jetojnë në qytete plot qiellgërvishtëse?

Dr. shk. Ylber Marku: Në Kinë çdo komunitet, që jeton në një grup të vogël pallatesh duhet të ketë minimum dy parqe, ku njeri është për fëmijët. Bëhet fjalë për parqe të gjelbëra me pemë, oaze e deri në një liqen të vogël, sidomos për fëmijët dhe moshat e treta.

Në këtë kuptim, në të gjithë Kinën natyra është e prekshme sapo del nga shtëpia. Kanë dhe një sistem planifikimi qendror të të gjitha qyteteve që duhet t’i përmbahet këtij minimum kriteresh që është ndërtimi i parqeve për një numër të caktuar pallatesh.

CMG: Nga ajo që thatë dhe ju kuptohet se dhe ndërtimet janë bërë me këtë plan. Nuk besoj se jepen leje ndërtimi pa plotësuar këtë kusht.

Dr. shk. Ylber Marku: Kjo nuk ndodh. Është e pamundur. Nuk mund të ketë ndërtime pa parqe. Dua të shtoj dhe se në rang kombëtar ka investime masive për pyllëzimin e vendit. Atje kishin një objektiv që deri në 2030 të arrihet që për një banor të ketë 10 pemë dhe ky objektiv është arritur. Një e dhënë tjetër është se në veri të Pekinit ku është Muri i Madh Kinez po ndërtohet një mur tjetër, i cili quhet Muri i Madh i Gjelbër, që ka të bëjë me ndalimin e shkretëtirës së Gobit dhe atje kanë arritur të pyllëzojnë një shkretëtirë. Përmasat e zones së pyllëzuar deri tani janë sa sipërfaqja e Francës, që është shteti më i madh në Europë për nga sipërfaqja e saj. Me ndihmën e teknologjive të reja që lindin vit pas viti pritet që kjo shkretëtirë të shtyhet më tutje dhe të reduktohet sa më shumë duke kthyer disa toka jo vetëm në pyje, por në toka pjellore.

CMG: 197 vende nënshkruan Marrëveshjen për Klimën në fund të takimit të OKB-së në Glasgou në nëntor të vitit të kaluar. Dy emetuesit më të mëdhenj të gazrave sere në botë, Kina dhe SHBA u zotuan për mbrojtje më të mire të klimës. Si do të vijohet nga pikpamja institucionale mbrojtja e klimës, aq më tepër që është shndërruar në një prioritet për çdo individ?

Dr. shk. Ylber Marku: Për shkak të ndryshimeve klimatike në Kinë ka stuhi të paparashikuara shpesh here, përmbytje në pjesën lindore të vendit dhe prandaj është shumë e ndjeshme ndaj tyre. Përsa i përket OKB-së, Kina e ka bërë këtë jo vetëm një angazhim publik, por një angazhim konkret kombëtar. Kina në rang të OKB-së është e angazhuar dhe e ndan këtë me çfarëdolloj mospërputhje politike që mund të ketë me vendet e tjera dhe ka një bashkëpunim maksimal për të arritur objektivat e OKB-së. Kina pritet që të tejkalojë objektivat e OKB-së sa i përket gjelbërimit, rikonvertimit të të gjithë ekonomisë si një ekonomi e gjelbër.

Kjo për arsye ekonomike, por mbi të gjitha klimaterike dhe sa i përket popullsisë, sepse në zona të ndryshme të Kinës nëse nuk ndiqet një politikë e tillë ka rrezik që stuhitë të bëhen aq të shpeshta sa do të duhej të spostoheshin miliona njerëz. Për këtë arsye Kina në nivel të OKB-së dhe organizatave të tjera që merren me ndryshimet klimatike dhe parandalimin e tyre, është jashtëzakonisht e angazhuar. Gjithashtu Kina përpiqet të bëhet pjesë e iniciativave në kontinente të tjera, si në Afrikë, ku sjellin eksperiencën e tyre të deshkretëtirizimit në Saharanë Jugore, ku nga Mali deri në Etiopi ka një iniciativë të OKB-së për të pyllëzuar zonën.

Intervistoi Eda Merepeza