Numri tre i SHBA-ve, Nancy Pelosi, vizitoi këto ditë Tajvanin dhe mbajti një fjalë rasti në parlamentin Tajvanez. Pas 25 vitesh ishte kjo vizita e parë e një autoriteti kaq të lartë amerikan në ishull. Pekini reagoi menjëherë pasi u dha lajmi se zonja Pelosi do të udhëtonte drejt Taipeh. Presidenti kinez, Xi Jinping, e kundërshtoi këtë viizitë gjatë një bisede telefonike të fundit të korrikut me homologun e tij amerikan, Joe Biden. Megjithatë vizita u bë në kushte të rrepta sigurie dhe gati në mënyrë të papritur!

Ndërkaq Republika Popullore e Kinës pas kësaj reagoi ashpër. Këto ditë po zhvillohet stërvitja më e madhe ushtarake kineze në brigjet e ishullit të Tajvanit. Sekretari i Shtetit, Anthony Blinken, deklaroi se "Kina dëshiron të ndryshojë status-quonë për Tajvanin". Ndërkohë që presidenti Biden këtë vizitë e kishte cilësuar si një ide jo të mirë! Madje ai shprehu rezervat e tij edhe në bisedën telefonike me presidentin kinez.

Nancy Pelosi gjatë turneut në Azi(Foto:VCG)

Nancy Pelosi gjatë turneut në Azi(Foto:VCG)

Ndërkaq nuk dihet nëse do të ketë një takim dy palësh midis të dy presidentëve, siç u ra dakord të mërkurën e javës së kaluar! Pekini ka vendosur të ngrijë marrëdhëniet dhe dialogun me Uashingtonin për një sërë çeshtjesh, përfshirë çeshtjet e klimës.

Mediet ndërkombëtare e sidomos ato europiane kanë shtruar një pyetje të thjeshtë: - Kujt i shërbeu vizita e zonjë Pelosi në Tajvan? A pati Tajvani përfitime nga kjo vizitë? Përgjigja është negative. Status-quoja e ishullit u trondit. Ndërsa zonja Pelosi tha se "Nuk mund të lejojmë që Tajvani të izolohet"! E përkthyer kjo do të thotë se nuk është e pranueshme status-quoja e sotme! Atëherë çfarë do të vijë pas kësaj? Duket se konflikti është pasoja. Tajvani është tani nën presionin e shtuar të konfliktit midis Pekinit dhe Uashingtonit. Në këto kushte asnjë përfitim nuk mund të vijë në raste të tilla. Përkundrazi, shtohen vështirësitë për ishullin Tajvanez.

Manovra ushtarake të Pekinit në reagim të vizitës së Pelosit rreth Tajvanit(Foto:VCG)

Manovra ushtarake të Pekinit në reagim të vizitës së Pelosit rreth Tajvanit(Foto:VCG)

Në këto rrethana bëhet pyetja tjetër, se kujt i shërben një vizitë e tillë, e cila nga ana e Pekinit është konsideruar si provokim i radhës? Në kushtet kur Republika Popullore e Kinës mban një qëndrim të ekuilibruar dhe balancuar në raport me konfliktin në Ukrainë, a mos ndoshta ka forca ekstremiste, të cilat duan një front të dytë lufte në Azi? Nëse po, atëherë kjo do t'i shërbente ndarjes së botës në dy kampe si në kohën e Luftës së Ftohtë, por nuk do ishte në dobi të paqes, rendit botëror ekzistues dhe sigurisë ndërkombëtare!

Pavarësisht kësaj, ndonëse qeveria dhe presidenti kinez kanë reaguar ashpër kundër vizitës së zonjës Pelosi në Tajvan, ata nuk kanë asnjë interes të ndryshojnë status-quonë e situatës që ekziston rreth Tajvanit. Në fund të fundit Kina përmes rrugës paqësore, duke evituar konfliktin dhe luftën ka arritur sukses në trajtimin e statusit të këtij ishulli. Korespondenti i BBC në Pekin, Stephen McDonell, shkruante se "Rreziku me përshkallëzimin qëndron te vështirësia për t'u kthyer pas"! Pra për të risjellë në raportet midis palëve kohën e para kësaj vizite.

Manovra ushtarake të Pekinit në reagim të vizitës së Pelosit rreth Tajvanit(Foto:VCG)

Manovra ushtarake të Pekinit në reagim të vizitës së Pelosit rreth Tajvanit(Foto:VCG)

Duket se kjo vizitë ka vënë në vështirësi qeverinë kineze. Ta pranosh pa asnjë reagim të dukshëm këtë, atëherë do të thotë që një ritual i tillë vizitash të zhvillohen në nivele edhe më të larta. Të reagosh deri në prishjen e status-quosë, kjo nuk është në interesin kinez.

Megjithatë ideja e një lufte për ta marrë Tajvanin nga ana e Kinës nuk është ndjerë kurrë më parë, sa tani. Por bota dhe rendi aktual botëror nuk kanë nevojë për një luftë të re në Azi.

Ajo që ka rëndësi për rendin botëror lidhet me faktin se ky rend nuk mund të funksionojë pa Kinën. Aq më pak me shtytjen e saj drejt një aleance ushtarake e strategjike të Pekinit me Moskën. Lufta në Ukrainë dikton një qasje diplomatike dhe politike paqësore dhe mirëkuptimi me Republikën Popullore të Kinës. Kësaj strategjie u duk se do t'i shërbente biseda mbi dy orëshe midis dy presidentëve, atij amerikan dhe presidentit Xi, e cila do të pasohej me një takim të përbashkët. Por vizita e zonjës Pelosi në Taipeh mesa duket përmbysi gjithçka.