Nisma “Një brez, një rrugë” është një strategji e iniciuar nga Republika Popullore e Kinës që synon të lidhë Azinë me Afrikën dhe Evropën nëpërmjet rrjeteve tokësore dhe detare me qëllim të përmirësimit të integrimit rajonal, rritjes së tregtisë dhe nxitjen e rritjes ekonomike. “Brezi” nënkupton transportin tokësor dhe rrugët tregtare, ndërsa “Rruga” do të përbëhet nga lidhjet detare midis porteve. Në veçanti, Kina dëshiron të krijojë partneritete me vendet e tjera për të ndërtuar porte, hekurudha dhe termocentrale, si dhe për të forcuar lidhjet

Nismat e përbashkëta të “Brezit Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit” dhe “Rrugës Detare të Mëndafshit të Shekullit XXI”, të njohura gjithashtu si nisma “Një brez, një rrugë”, u parashtruan nga presidenti i Kinës Xi Jinping-u në vjeshtën e vitit 2013, gjatë vizitave të tij shtetërore në Kazakistan e Indonezi.

Kanë kaluar tetë vjet që kur Kina paraqiti këtë projekt masiv global që synon të përmirësojë infrastrukturën, ndërlidhjen dhe llojet e tjera të bashkëpunimit.

Deri më tani, gjithsej 172 vende dhe organizata ndërkombëtare kanë nënshkruar mbi 200 marrëveshje bashkëpunimi me Kinën për ndërtimin e përbashkët të “Një brez, një rrugë”. Po ashtu janë krijuar mbi 90 mekanizma bashkëpunimi dypalësh për të lehtësuar tregtinë, investimet dhe tregtinë elektronike.

Kina ka investuar rreth 40 miliardë dollarë për të financuar nismën, Banka për Zhvillim e Kinës thotë se tashmë po ndjek më shumë se 900 projekte në 60 vende me vlerë më shumë se 890 miliardë dollarë.

Trenat e mallrave Kinë-Evropë kanë arritur në 170 qytete të 23 vendeve evropiane dhe janë bërë një arterie kryesore për tregtinë midis Kinës dhe Evropës. Tridhjetë satelitë “Beidou” të prodhuar në mënyrë të pavarur nga Kina ofrojnë shërbime navigimi për vendet e “Një brez, një rrugë”. Nisma mbështet gjithashtu një numër projektesh të ndryshme infrastrukturore në vendet e tjera, si hekurudha Lagos-Ibadan, Zona e Bashkëpunimit Ekonomik dhe Tregtar e Suezit dhe Porti i Pireut.

Ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi tha në muajin mars se, pavarësisht ndikimit të epidemisë dhe faktorëve të tjerë, ndërtimi i përbashkët i “Një brez, një rrugë” ende ruan një prirje të mirë. Ai bëri të ditur se, qysh nga viti 2021, 10 vende të tjera kanë nënshkruar dokumentet e bashkëpunimit për nismën “Një brez, një rrugë” me Kinën, dhe numri i anëtarëve të kësaj familjeje të madhe ka arritur në 180 vende. Kina ka bashkëpunuar me 20 vende për krijimin e prodhimin e vaksinave kundër COVID-19, shumica e të cilave synojnë vendet e nismës “Një brez, një rrugë”. Numri i partnerëve në ndërtimin e përbashkët të nismës “Një brez, një rrugë” vazhdon të zgjerohet, çka pritet të hapë perspektiva të reja zhvillimi për botën në periudhën pasepidemike.

VCG

VCG

Kryediplomati kinez vuri në dukje më tej se, në të ardhmen, Kina do të punojë me bashkësinë ndërkombëtare për të vazhduar të promovojë ndërtimin e përbashkët me cilësi të lartë të “Një brez, një rrugë”. Kina do të përpiqet të arrijë nivele më të larta bashkëpunimi, efikasitet më të lartë investimesh dhe cilësi më të lartë të ofertës, për ta bërë nismën “Një brez, një rrugë” një “brez të zhvillimit” të botës dhe një “rrugë të lumtur” nga e cila të përfitojnë popujt e të gjitha vendeve.

Për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) flet Dr. Marsela Musabelliu, drejtore ekzekutive e Institutit të Studimeve të Globalizimit

CMG: Është 8 vjetori i kësaj nisme. Realiteti, aktualiteti nxit bashkëpunimet ndërkombëtare. Si dhe kur nisi nisma “Një brez, një rrugë” ?

Dr. Marsela Musabelliu: Nisma “Një brez, një rrugë” u shpall në vitin 2013 në Kazakistan dhe pjesa tjetër disa muaj më pas në Xhakarta të Indonezisë.

CMG: Bëhet fjalë për turin e presidentit të Kinës Xi Jinping në 2013 në këto vende

Dr. Marsela Musabelliu: Kjo nismë është e përbërë nga brezi dhe rruga. Një brez ka të bëjë me pjesën detare të nismës, që niset nga portet e Kinës Lindore shkon në Azi-Paqësor nëpër Singapor, Indonezi, nga India dhe në të gjitha kanalet e tjera, duke kaluar nëpër Afrikë dhe duke ardhur në Mesdhe e më gjerë. Kurse pjesa tjetër që është ajo rrugore ka lidhje direkt nga Kina në republikat e Azisë Qendrore si Irani, Rusia, Turqia dhe duke arritur deri në pjesën perëndimore, në Europë.

Kjo nismë i përshtatet asaj që ishte dikur Rruga e Mëndafshit dhe është mbështetur në konceptin e saj. Gati 1600 vjet më pare Rruga e Mëndafshit ka lidhur disa qytetërime dhe tani po mendohet që të riimagjinohet në kohët moderne çfarë kjo rrugë ka sjellë për shekuj të tërë. Me anë të Rrugës së Mëndafshit qytetërimet janë njohur me njeri-tjetrin, kanë bërë tregti, kanë shkëmbyer jo vetëm mallra, por dhe ide e kulturë.

“Një brez, një rrugë” përpiqet që të injektojë në këto rrugë ekzistuese dhe të reja një vitalitet të ri për ekonominë, tregtinë, shkëmbimet kulturore etj.

CMG: Në praktikë si zbatohet nisma “Një brez, një rrugë”? Cilat janë prioritetet e kësaj nisme jo vetëm brenda Kinës, por edhe jashtë saj:

Dr. Marsela Musabelliu: Në fillim ishte një politikë përgjithëshme, ishte koncepti si do të lidhej Kina me pjesën tjetër të botës dhe çfarë mund të bëhej përgjatë kësaj nisme. Dy vite më pas u krijuan disa blloqe të qarta ku do të mbështeteshin bazamentet e nismës. Nga Komisioni Kombëtar i Zhvillimit dhe Reformës së Kinës ka nxjerrë dokumentin e pare sa i përket prioriteteve dhe shtyllave të nismës “Një brez, një rrugë”që janë: koordinimi i politikave; lehtësimi i ndërlidhjes; tregtia e lire ose e papenguar; integrimi financiar dhe lidhjet apo shkëmbimet midis njerëzve.

Nisma “Një brez, një rrugë” nuk ka të bëjë vetëm me një shtyllë të vetme, por janë disa me të cilat shtetet, kombet, kompanitë por dhe njerëzit përgjatë Rrugës mund të bëhen pjesë e saj.

Koordinimi i politikave është pika e pare, sepse kemi të bëjmë me shtete dhe sidomos për projekte madhore është shumë i rëndësishëm. Për shembull një hekurudhë apo një autostradë mund të kalojë nga një deri në njëzet shtete dhe duhet koordinimi i të gjitha shteteve për ta bërë të mundur.

VCG

VCG

Ndërkohë ndërlidhja, apo infrastruktura kanë nevojë për plane të sakta sepse projektohen në terrene të ndryshme, në disa raste të vështira.

CMG: Një pike e forte e nismës “Një brez, një rrugë” është pikërisht infrastruktura sepse kemi të bëjmë dhe me transportin dhe ngritja e infrastrukturës në një nivel të lartë, për të siguruar lidhjen mes porteve, aeroporteve dhe hekurudhave. Shkëmbimet kanë të bëjnë dhe me fusha të tjera?

Dr. Marsela Musabelliu: Po, patjetër. Vetë nisma evoluon sipas kërkesave të kohës. Gjatë krizës së madhe pandemike u shfaq Rruga e Mëndafshit shëndetësore dhe me anë të lidhjeve në sajë të “Një brez, një rrugë” vendet anëtare arritën të siguronin më shpejt ndihmën me mjete shëndetësore që nga maskat mbrojtëse deri te vaksinat.

CMG: Për ta aktualizuar këtë i referohemi deklaratës së këshilltarit të shtetit dhe minister i jashtëm i Kinës Wang Yi, thuhet se nisma “Një brez, një rrugë” shërbeu pikërisht për këtë. Bëhet fjalë për ndihmën e madhe që Kina, nëpërmjet infrastrukturës së krijuar nga kjo nismë kontribuoi në shpërndarjen e ndihmave për shumë vende.

Dr. Marsela Musabelliu: Tashmë shtyllat ishin vendosur. Koordinimi i politikave vite para pandemisë ka bërë të mundur që ekspertët e vendeve të ndryshme të takoheshin më lehtë. Kemi shembullin e Shqipërisë kur gjatë pandemisë grupe ekspertësh shqiptarë dhe kinezë kanë ndarë mendime dhe protokolle mjekësore.

CMG: Kina ishte shumë e avancuar në këtë drejtim dhe pavarësisht se online është krijuar një network shumë i rëndësishëm për situatën.

Dr. Marsela Musabelliu: Shtyllat ishin të rëndësishme dhe qeveria kineze i ka bërë të qarta që në fillimet e nismës “Një brez, një rrugë”. Në fillim u krijua një konstelacion me organizata koordinuese, grupe pune dhe shkëmbime të ekspertëve nga vende të ndryshme.

CMG: Ju keni shkruar artikuj në atë periudhë, por dhe ne si media e kemi pasqyruar këtë situate kur Kina ka ndihmuar në mënyrë të posaçme vendet e Afrikës gjatë periudhës pandemike jo vetëm me pajisje mjekësore, por dhe me burimet e saj njerëzore. Kanë qenë të shumtë mjekët kinezë dhe stafe mjekësore që kanë ndihmuar vende më pak të zhvilluara të Afrikës, por dhe Azisë. Kjo nismë shërbeu si terreni i shkëmbimeve.

VCG

VCG

Dr. Marsela Musabelliu: Po, sepse mekanizmat e komunikimit ishin të gatshme, në sajë të nismës “Një brez, një rrugë”. Ekspertët e fushave të ndryshme para pandemisë kishin shkuar në vendet e nismës dhe kështu ishin krijuar lidhjet. Fatkeqësisht në ato kohë vendet sidomos të Afrikës nuk kishin akses në ndihma mjekësore nga maskat mbrojtëse e deri te vaksinat.

CMG: Pjesa më e madhe e këtyre vendeve është furnizuar dhe e ka suportuar valën pandemike me vaksinat kineze Coronavac dhe Sinovac.

Dr. Marsela Musabelliu: Në kontinentin afrikan sot 70 për qind e të imunizuarve janë vaksinuar me vaksina kineze. Prandaj është shumë i rëndësishëm koordinimi i politikave, integrimi financiar, komunikimi i lire dhe i papenguar, por dhe shkëmbimet midis njerëzve.

Jo vetëm gjatë pandemisë, që ende nuk është fashitur, por dhe përpara dhe gjatë saj kur e gjithë bota shkoi online ne kemi dëgjuar termin “Rruga e Mëndafshit digjitale”. Në momentin kur infrastrukturat e vendeve përgjatë nismës “Një brez,një rrugë” nuk ishin të gatshme, ndihma me ekspertët kinezë ishte e mundur për vendet përkatëse, sepse gjithçka po ndodhte online.

Para pandemisë jemi njohur dhe me një prioritet tjetër si “Rruga e Mëndafshit e gjelbër”, si të ruajmë natyrën.

CMG: Duke mbetur te pandemia, është rasti për të vlerësuar Kinën për gatishmërinë që ndonëse ishte vetë në vështirësi nga pandemia dhe shumë lehtë mund të kishte mbyllur dyert e saj, tregoi një përgjegjësi të madhe ndaj botës, kryesisht vendeve më pak të zhvilluara dhe të varfëra duke i ndihmuar ato. Kështu nisma “Një brez, një rrugë” është një histori suksesi, sa i përket situatës së paprecedent, siç ishte pandemia Covid 19.

Dr. Marsela Musabelliu: Dua të shtoj që ende pa u shpikur vaksina në një mbledhje të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ku ishi pjesmarrës vende anëtare të nismës “Një brez, një rrugë”, por dhe vende të tjera që janë duke u menduar t’i bashkohen nismës, pala kineze premtoi që në momentin që Kina do të shpikë vaksinën kundër Covid 19 do ta bëjë atë një të mirë publike globale.

CMG: Dhe kështu ndodhi. Nëse nisemi nga eksperienca shqiptare kemi pjesën më të madhe të popullsisë së Shqipërisë të vaksinuar me vaksina kineze dhe po kështu vendet e Ballkanit Perëndimor e më tej. Që një nismë të jetë e suksesshme ajo duhet mbështetur dhe nga vendet nëpër të cilat ajo kalon. Si e ka pritur pjesa tjetër e botës nismën kineze dhe si kanë shkuar deri tani projektet e saj ?

Dr. Marsela Musabelliu: Kjo është e para nismë madhore globale, e iniciuar nga Kina, që hapet për pjesën tjetër të botës në mënyrë të gjerë, komplekse dhe gjithëpërfshirëse. Në fillimet e saj kishte skepticizëm dhe disa shtete nguarruan t’i bashkohen nismës sepse ndoshta nuk ishin informuar si duhet, ose nuk ishin të gatshëm, apo sepse kombet shohin dhe interesat e tyre strategjike. Por 8 vjet më pas shohim se kjo nismë është përqafuar gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar.

Sipas statistikave deri në shkurt të vitit 2022, 73 për qind e vendeve të globit janë pjesë e nismës “Një brez, një rrugë” dhe janë 140 vende që deri tani kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me Kinën për të qenë pjesë e saj. Që nga nisja e nismës që lidhej me gjurmimin e Rrugës së lashtë të Mëndafshit, praktikisht tani është zgjeruar shumë më tepër. Nëse Rruga e Mëndafshit shekuj më pare kapte Afrikën, aktualisht nisma ka shkuar deri në Amerikën Latine. Në nismë bëjnë pjesë 34 vende të Europës dhe Azisë Qendrore, ndër të cilat 18 vende janë anëtare të Bashkimit Europian. Bëjnë pjesë gjithashtu 40 vende të Afrikës, 24 vende të Azisë Lindore, 17 nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut, 19 vende të Amerikës Latine dhe Karaibeve dhe 6 vende në Azinë Juglindore. Që një nismë ndërkombëtare të përqafohet nga 140 shtete të botës do të thotë që lidershipet e këtyre vendeve dhe njerëzit e kanë kuptuar që është shtylla kryesore e bashkëpunimit me përfitime të ndërsjella.

Sa i përket projekteve janë autostrada, hekurudha, porte, aeroporte dhe deri tani kemi disa histori suksesi. Para disa ditësh po shikoja ndërtimin e pjesës së fundit të Korridorit Ekonomik Kinë-Pakistan, apo hekurudha në Nairobi etj.

Të gjitha këto histori suksesi në fillim u pane me skepticizëm nga disa vende dhe filluan terminologji të tilla si “diplomacia e kurthit të borxhit” ose ekspansioni. Por tani bazuar në studime empirike bazuar mbi të ardhurat e projekteve të këtyre vendeve nuk ka ekzistuar asnjë rrezik i tillë.

VCG

VCG

CMG: Përse Kina si një nismëtare dhe promotore e kësaj nisme është aktori i duhur për të zhvilluar projektet përgjatë Rrugës?

Dr. Marsela Musabelliu: Në radhë të pare duhet patur parasysh historiku i ndërtimit të veprave madhore në Kinë. Mjaftojmë të mendojmë Murin e Madh Kinez, këtë vepër gjigante ku janë mobilzuar disa miliona njerëz në kohë të ndryshme. Nëse ka një vend në botë që e di shumë mire si janë veprat madhore me efikasitet, kompetencë dhe aftësi, kjo është Kina.

E kemi pare në kohët e fundit rrjetin hekurudhor të Kinës. Sot Kina ka 37 mijë e 900 km katrorë hekururdha të shpejtësisë së lartë, super moderne, ndërsa në të gjithë territorin e saj ka 141 km katrorë hekurudhë.Pra e dine shumë mire si bëhet ndërtimi dhe menaxhimi i hekurudhave. Mjafton të kujtojmë se Kina ka objektivin që deri në vitin 2035 të ndërtojë dhe 70 mijë km hekurudhë. E njejta gjë ndodh dhe me autostradat. Në vitin 2021 Kina arriti 1690 km autostradë dhe sipas të dhënave të fundit në krahasim me të gjitha shtetet Kina ka rrjetin më të madh të autostradave brenda kufijve të një shteti. Pra Kina i njeh shumë mire këto vepra madhore dhe mund të ndajë përvojën e saj me vendet anëtare të nismës “Një brez, një rrugë”

CMG: E thënë në një mënyrë më të thjeshtë dhe më popullore, këtë zhvillim dhe këtë sukses Kina nuk e ka mbajtur për vete.

Dr. Marsela Musabelliu: Sipas studimeve, nisma “Një brez, një rrugë” deri tani me vlerë projektesh shkon 2.3 trilion dollarë amerikanë.Po ta vendosim këtë në shkallë globale i bie të jetë ekonomia e tetë e botës, duke kaluar Italinë, Brazilin, Australinë e vende të tjera. Sipas studimeve nëse këto projekte do të përfundojnë do të ulin me 30 për qind kostot e transportit botëror. Sidomos në këtë kohë krize imagjinoni sa e rëndësishme është kjo për komunitetet e nismës.

Nëqoftëse nisma do të kombinohet me Marrëveshjet e Tregtisë së Lirë midis vendeve mund të rritë mirëqenien e popujve me 4.9 për qind. Ndërsa sipas Bankës Botërore, projektet e nismës “Një brez, një rrugë” mund të nxjerrin afro 8 milion njerëz nga varfëria.

Historitë e suksesit të Kinës nuk mund të replikohen 100 për qind sepse duhet një rrjet, një sistem, duhet një përqëndrim i resurseve qeveritare dhe shoqërore sipas modeleve të ndryshme, por mund të mësohet. Kina është treguar e gatshme që njohuritë për digjitalizimin, shpërndarjen e internetit dhe blerjet online t’i ndajë me pjesën tjetër të botës. Në vendet e nismës ka seminare, konferenca të pafundme midis ekspertëve në nivel dypalësh dhe shumëpalësh.

CMG: Si parashihet e ardhmja e nismës “Një brez, një rrugë”?

Dr. Marsela Musabelliu: Unë jam e bindur që nëse ka një kohë në historinë moderne është kjo e tanishmja për të promovuar nisma si “Një brez, një rrugë”. Kur ndërvarësia është e pashkëputshme dhe globalizimi është i pashmangshëm duhet të gjejmë mënyra, mekanizma dhe nisma si kjo të cilat funksionojnë në mënyrë multilaterale. Jo vetëm një vend të marrë benefitet, por vendet duhet të bashkohen sepse kur shohim që gjithça bëhet më e vështirë duhet gjetur një mënyrë e përbashkët me mekanizmat ekzistues.

Nisma “Një brez, një rrugë” është një produkt ikonik i Kinës.Ajo e bën Kinën të vetmin vend në botë me një plan afatgjatë për rritjen ekonomike globale. Por ka dhe nisma të tjera. Në vitin 2021 kemi Iniciativën e Zhvillimit Global me 8 pika, që erdhi si përgjigje e botës paspandemike. Nisma “Një brez, një rrugë” e ndërthurur me këtë iniciativë do të hapin shumë mundësi për vendet e tjera, ndaj duhet përqafuar. Bota paspandemike ka shumë nevojë për objektivat e kësaj iniciative si reduktimi i varfërisë, siguria ushqimore, transformimi i gjelbër, energjia e pastër, bashkëpunimi kundër pandemisë dhe gjithçka tjetër.

Intervistoi Eda Merepeza