John Mershiemer, një politolog Amerikan i njohur ne rrethet akademike dhe politike, është shprehur para disa kohesh se duke i fryrë vazhdimisht rrezikut kinez kur Kina nuk përbën akoma asnjë rrezik, po krijohet ne mënyre artificiale një rrezik real. Në vizitën e presidentit Biden në Azi, megjithëse jo në agjendën zyrtare të tij, Kina ishte thelbi i saj. Biden po mundohet të tregojë dhe forcojë influencën e Shteteve të Bashkuara në Azinë Lindore, dhe të krijojë një front kundër ngritjes së Pekinit në rang superfuqie.

Dhe kjo është ajo që ndodhi në udhëtimin që Joe Biden filloi të premten e kaluar, i pari i mandatit të tij në Azi. Presidenti amerikan vizitoi Korenë e Jugut dhe Japoninë, por nuk do të udhëtojë në Kinë, diçka që bëri paraardhësi i tij, Donald Trump. Edhe pse mungonte në itinerar, Pekini ishte protagonisti i vërtetë i turneut të presidentit Biden, i cili synonte të dërgojë - siç bëri në samitin e tij me vendet e Azisë Juglindore javën e kaluar - mesazhin se, pavarësisht luftës në Ukrainë, Washingtoni e mban Paqësorin si prioritet. Dhe se nuk heq dorë nga rivaliteti me kolosin aziatik. Kështu në ktë funksion është ngritur edhe Korniza Ekonomike e Indo-Paqësorit, e cila synon asgjë më pak se ndërtimin e një koalicioni të vendeve të Azisë Lindore, dhe të Azisë Juglindore si kundërpeshë ndaj ngritjes së Kinës. Një gjigant që e ka pritur vizitën me një shqetësim të madh. "Edhe përpara se të fillojë udhëtimi i liderit amerikan, pikëpamja se Japonia dhe Shtetet e Bashkuara bashkojnë forcat për t'u përballur me Kinën është tashmë e përhapur, duke krijuar një atmosferë helmuese," u shpreh ministri i jashtëm kinez Wang Yi në bisedë me homologun e tij japonez Yoshimasa Hayashi në bisedën që patën para vizitës së presidentit Biden.

Gjithashtu në prag të turneut, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan ishte në bisedime të mërkurën me homologun e tij kinez Yang Jiechi për të diskutuar turneun e presidentit Biden, luftën në Ukrainë dhe "çështjet specifike për marrëdhëniet Kinë-SHBA", sipas komunikimit të Shtëpisë së Bardhë. Kjo nënkupton se Pekini ishte në fakt kryefjala e këtij udhëtimi.

Në Seul dhe në Tokio, presidenti amerikan gjeti veshë pritës. Në Japoni, Fumio Kishida ka qeverisur që nga tetori, dhe mendohet se ka një prirje pro Washingtonit në qasjen ndaj Kinës. Në Korenë e Jugut, presidenti konservator Yoon Suk-yeol sapo ka marrë detyrën, në favor të një marrëdhënieje më të ngushtë me Washingtonin dhe të zgjerimit të politikës së jashtme të vendit të tij drejt një roli më global. Gjithashtu, presidenti i sapo zgjedhur Koreano Jugor Yoon ka treguar shenja të hapur për një afrim me Tokion, pas largimit që karakterizoi mandatin e paraardhësit të tij, Moon Jae-in, për arsye historike.

Në këtë situatë, nuk është rastësi që Kina dërgoi vetë Zëvendës Presidentin, Wang Qishan, në inaugurimin e Yoon më 10 Maj. Gjithashtu ministri kinez i jashtëm, Wang Yi, foli së fundmi në telefon me homologen e tij koreano-jugore, Park Jin.

Çështjet megjithatë janë pak më të komplikuara se sa mund të duken nga Washingtoni: Japonia dhe Koreja e Jugut, edhe pse në marrëdhënie shumë të mira me Shtetet e Bashkuara, kanë një rivalitet të hershëm për shkak të pushtimit brutal të Koresë nga Japonia gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe mos marrjes së përgjegjësive të plota dhe kërkimit falje të Japonisë. Një rrugë e ndërmjetme për afrim mund të kishte qënë pikërisht roli konstruktiv që Pekini ka luajtur duke forcuar lidhjet ekonomike, dhe mbajtur një nivel të ulët te tensioneve politike për shkak të historisë së tensionuar. Është vështirë të mendosh se Koreja dhe Japonia mund të sheshojnë të kaluarën e tyre problematike duke kaluar nga Washingtoni dhe anashkaluar Pekinin, kur si e kaluara ashtu edhe e ardhmja e këtyre tre vendeve është ngushtësisht e lidhur me marrëdhëniet që mund të ndërtojnë në Azi këto vende fqinje pavarësisht lidhjes së tyre me Shtetet e Bashkuara. Të hënën, 16 Maj, ministri i jashtëm kinez, Wang Yi paralajmëroi homologun e tij Koreano-Jugor, Park kundër "shkëputjes" nga Seuli dhe mundësisë së "prishjes së zinxhirëve të furnizimit" me Kinën. "Ne duhet të respektojmë interesat tona të përbashkëta," tha Wang, i cili bëri thirrje "të qëndrojmë vigjilentë ndaj rrezikut të një Lufte të re të Ftohtë".

Tokio do të presë gjithashtu një samit të Quad, shoqatës informale midis Japonisë, Australisë, Indisë dhe SHBA-së që përpiqet t'i përgjigjet ndikimit në rritje të Kinës në rajon. Një samit që Pekini do ta shqyrtojë me kujdes.

Samiti do t'i japë gjithashtu presidentit Biden mundësinë për t'u marrë me Australinë pas zgjedhjeve ku Laburistët e Anthony Albanese fituan bindshëm dhe pritet të shikohet se a do të jetë me konstruktive ndaj Kinës qeveria e drejtuar nga Albanese, dhe se si kjo mund të mos jetë gjithnjë në linjë me politikën e Shtëpisë së Bardhë.

Presidenti amerikan do të mbërrijë në rajon me dhurata. Në këtë rast, në formën e një propozimi për bashkëpunim ekonomik, Korniza Ekonomike Indo-Paqësore (IPEF, Anglisht), e cila do të nënshkruhet në Tokio dhe të cilës Seuli tashmë ka deklaruar se do t'i bashkohet. Në rajon, IPEF perceptohet gjerësisht si një koalicion që përjashton Kinën nga zinxhirët globalë të furnizimit. Nisma synon të kthejë një prani të SHBA-së në fushën e marrëveshjeve makro-tregtare të nënshkruara vitet e fundit midis vendeve të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (njohur si ASEAN). Ish-presidenti Donald Trump u tërhoq në atë kohë nga Marrëveshja e Paqësorit të Bashkëpunimit Ekonomik ose CPTPP, i negociuar nga Administrata e Barack Obama. Kina ka aplikuar për anëtarësim në CPTPP. Por me shumë më pak substancë sesa alternativat e tij, projektet e propozuar nga Biden për tregtinë përfaqësojnë gjithashtu një pranim se politika aktuale e SHBA-së nuk ka oreks për të miratuar çdo gjë që i vjen erë globalizimit. Siç përshkruhet nga Departamenti Amerikan i Tregtisë, iniciativa ka katër shtylla: zhvillimi komercial dhe i infrastrukturës; energjinë e pastër, zinxhirët e furnizimit dhe çështjet e taksave dhe antikorrupsionit. Por asaj i mungon një tërheqje kryesore: nuk do t'u ofrojë nënshkruesve aziatikë akses më të madh në tregjet e SHBA.

Në shtyp raportohet se Seuli hodhi poshtë idenë se të qenit pjesë e kornizës do të shkaktonte një "shkëputje" midis Kinës dhe Koresë së Jugut, duke vënë në dukje se tregtia e dyanshme tejkaloi 300 miliardë dollarë vitin e kaluar. Rreth një e katërta e eksporteve të Koresë së Jugut shkuan në Kinë në vitin 2021, ndërsa 15 për qind ishin në SHBA. Në koherencë me trendin e shkëmbimeve ekonomike, do ishte edhe qëndrimi jo konfrontues i Koresë së Jugut ndaj Kinës, që sikurse shifrat tregojnë, ka një varësi të madhe ndaj saj. Kjo shkon në interes të dy palëve. Aq më tepër kur Koreja e Jugut dhe Kina nuk kanë asnjë mosmarrëveshje të natyrës territoriale që të mund të krijojë tensione.

Qëllimet Amerikane për të krijuar një koalicion kundër Kinës ne Azinë Juglindore, nga ana tjetër, mund të komplikohen edhe më shumë nga interesat e ndryshme që vendet përbërëse kanë atje ndaj Kinës dhe Shteteve të Bashkuara. Si gjithmonë, të dhënat ekonomike mund të shpjegojnë trendin e tanishëm. Shtetet e Bashkuara janë zotuar të investojnë menjëherë diku te 150 milionë dollarë në këto vende në projekte të vogla të lidhura me energjinë e pastër. Por vendet si Cambodia, Tailanda, Laos, apo të tjera kanë nevojë për projekte të qarta e bazike të infrastrukturës, që kërkojnë miliarda dollarë dhe që vetëm Kina është zotuar të ndërtojë – disa prej këtyre projekteve janë ndërtuar tashmë. Shkëmbimet tregtare me Kinën janë në rendin e dhjetëra miliarda dollarë më shumë se ato mes këtyre vendeve dhe Shteteve të Bashkuara, dhe gjasat janë që ky trend do të vazhdojë. Së fundmi disa lider kanë dalë hapur kundër shtytjes për të zgjedhur mes Pekinit apo Washingtonit. Domethënës është qëndrimi i kryeministrit Cambodian, Hun Sen, i cili, kur vizitoi Washingtonin së fundmi, u shpreh se vendi i tij nuk ka nevojë të zgjedhë dhe se marrëdhëniet e mira me Kinën nuk përjashtojnë aspak marrëdhënie me vende të tjera. Edhe Tailanda, mik i hershëm i Shteteve të Bashkuara, ka marrëdhënie shumë të mira me Kinën dhe shkëmbime të gjithanshme e bashkëpunim në shumë fusha të tjera përtej asaj ekonomike. Edhe Lee Hsien Loong, kryeministri i Singaporit, një qytet shtet i fuqishëm në Azinë Juglindore, u shpreh këtë javë se një konfigurim më i mirë për vendet e rajonit të Azisë Lindore e Juglindore është ai që implikon mos pjesëmarrjen e këtyre vendeve në blloqe kundërshtare dhe mbajtjen e marrëdhënieve të mira si me Perëndimin ashtu edhe me Kinën.

Kina po mundohet të ulë perceptimin artificial të krijuar nga Perëndimi se ngritja e saj në rang superfuqie është një kërcënim për vendet e tjera të rajonit dhe më gjerë. Por ky lloj diskursi mëshohet fort nga Shtetet e Bashkuara ku mendohet se mund ti shtyjë disa vende ta konsiderojnë si të vërtetë gjoja kërcënimin kinez e për pasojë të hidhen në krahët e Amerikës kundër Kinës. Një gjë e tillë, mund të sjellë një antagonizëm të pafrytshëm, dhe të krijojë një kërcënim të vërtetë për interesat e Pekinit në rajon, i cili detyrimisht do duhet të reagojë në mbrojtje të tyre.

Sikur tentativa të tilla mos të ishin mjaftueshëm për krijimin e nje frymë antagonizmi mes Kinës dhe Amerikës, presidenti Biden i hodhi zjarr benzinës kur i pyetur nga një gazetar në Tokio u shpreh se Shtetet e Bashkuara do të ndërhynin ushtarakisht në mbështetje të Tajvanit në rast konflikti me Kinën Kontinentale. Megjithëse deklarata nuk solli asnjë surprizë, sepse deklarata të ngjashme kishin dalë edhe më parë nga Shtëpia e Bardhë, ajo nuk ndihmon në përmirësimin e lidhjeve Kinë-Amerikë. Në situatën aktuale Kina dhe Amerika janë duke vlerësuar rrugët e një bashkëjetesë që duket e vështirë që kur një përballje ekonomike filloi nga administrata e ish presidentit Trump. Të dyja palët deklarojnë se dëshirojnë të evitojnë atë që disa analistë e quajnë një Luftë e re e Ftohtë. Por Pekini e kundërshton me forcë një ri prezantim të Luftës së Ftohtë që do të shikonte si protagonistë antagonistë Kinën dhe Amerikën. Mbetet për tu parë nëse tentativa e Washingtonit për të krijuar një unazë aleancash rreth Kinës nga njëra anë, dhe reagimi defensiv i Pekinit nga ana tjetër, mund të krijojë një aset të ri në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare në Azinë Lindore. Nëse kjo ndodh, ky konfigurim i ri do të minonte bashkëjetesën aktuale mes popujve të rajonit, por edhe mes superfuqive si Amerika e Kina, do të minonte po ashtu arritjet ekonomike, dhe do ishte me pasoja të paparashikueshme për rendin global, dhe sigurisht më dramatike se konflikti aktual mes Rusisë dhe Ukrainës.
Ylber Marku