Konflikti ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës dhe sanksionet që rezultojnë ndaj Rusisë do të kenë pasoja të rënda për ekonominë globale, e cila sapo është rimëkëmbur nga efektet negative të pandemisë së koronavirusit. Rritja ekonomike globale do të marrë një goditje, çmimet e energjisë, ushqimeve dhe mallrave do të rriten, inflacioni global do të rritet, zinxhirët e furnizimit do të ndërpriten dhe tregtia globale do të ngadalësohet. Evropa është padyshim rajoni më i cenueshëm, për shkak të mbështetjes së saj në naftën dhe gazin rus. Zëvendësimi i furnizimeve të gazit natyror rus në Evropë, që vlerësohet në rreth 40% e konsumit total evropian, do të jetë i pamundur në afat të shkurtër.

Ndërsa varësia nga gazi rus ndryshon shumë nga një vend në tjetrin, të gjitha ekonomitë do të preken nga rritja e çmimeve të gazit në kontinent. Në pjesën tjetër të botës, pasojat ekonomike do të ndihen kryesisht nëpërmjet rritjes së çmimeve të mallrave, të cilat do të nxisin presionet ekzistuese inflacioniste në shumicën e vendeve të globit. Rënia e kërkesës nga Evropa do të pengojë tregtinë globale. Përshkallëzimi i konfliktit midis Rusisë dhe Ukrainës rrit premisat që çmimet e mallrave të mbeten më të larta për shumë më gjatë.

VCG

VCG

Investitorët presin që bankat qendrore të vendosin rritje më agresive të normave të interesit për të kontrolluar rritjen e çmimeve. Banka Botërore ka vënë në dukje gjithashtu, ndikimin negativ në nivel global në tregtinë e shërbimeve, pasi udhëtimet jashtë vendeve janë ulur ose janë ndërprerë me mbylljen e hapësirës ajrore, kufizimet e udhëtimit, sanksionet dhe rritjen e çmimeve të karburantit. Rusia dhe Ukraina janë ndër 10 vendet kryesore për udhëtimet totale globale dhe një burim kyç i të ardhurave për vendet e varura nga turizmi në Evropë, Azinë Lindore dhe Paqësor, Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe Azinë Jugore. Lufta ka të ngjarë të ndalojë rimëkëmbjen pas pandemisë në turizmin ndërkombëtar, i cili tashmë ishte anemik nga ndërprerjet e vazhdueshme të COVID-19.

VCG

VCG

Lufta në Ukrainë ka çuar në humbje të mëdha jetësh, ka shkaktuar krizën më të madhe të refugjatëve në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore dhe ka frenuar rëndë rimëkëmbjen globale. Një numër shumë i madh refugjatësh janë larguar tashmë nga lufta, dhe shumë të tjerë mund të pasojnë. UNHCR, Agjencia e OKB-së për refugjatët, raporton se mbi 4.5 milion refugjatë janë larguar nga Ukraina që nga 24 shkurti. Rritja e çmimeve, dhe në veçanti për produktet e nevojave bazë, do të shtojnë rrezikun e trazirave sociale si në ekonomitë e zhvilluara, ashtu edhe në ato në zhvillim, si dhe do të ndikojnë në thellimin e varfërisë. Projeksioni bazë i Bankës Botërore supozon se varfëria e Ukrainës, bazuar në normën e pragut prej 5,50 USD në ditë, do të rritet nga 1,8% në 2021 në 19,8% në 2022. Banka Botërore vlerëson se rritja e çmimeve të ushqimeve mund të rrezikojë rreth 40 milion njerëz të tjerë të kalojnë nën kufirin e varfërisë prej 1.90 USD në ditë.

Rënia e rritjes ekonomike globale

Dëmi ekonomik i shkaktuar nga konflikti do të kontribuojë në një ngadalësim të konsiderueshëm të rritjes globale në vitin 2022. Rritja globale parashikohet të ngadalësohet nga rreth 6.1% në vitin 2021, në 3.6% në vitin 2022. Rritja ekonomike për vitin 2022 është ulur nga 4.9% në parashikimin e muajit Tetor (2021) në 3.6% në Janar (2022). Kanali kryesor, përmes të cilit lufta në Ukrainë dhe sanksionet ndaj Rusisë ndikojnë në ekonomitë e vendeve, është rritja e çmimeve globale të energjisë dhe siguria e energjisë. Rritja e çmimeve të energjisë do të transmetohet në prodhim më të ulët dhe inflacion më të lartë.

Ndikimi ekonomik i konfliktit do të ndihet më shumë në Ukrainë dhe Rusi, të cilat të dyja do të kalojnë në recession në vitin 2022. Rritja ekonomike në Rusi parashikohet të tkurret në -8.5% në vitin 2022. Megjithëse vlerësimet e sakta të dëmit në ekonominë e Ukrainës janë të pamundura për t'u marrë, lufta do të shkaktojë një tkurrje shumë të rëndë. Për vitin 2022, ekonomia e Ukrainës pritet të tkurret me 35%. Dhe edhe nëse lufta do të përfundonte shpejt, humbja e jetëve, shkatërrimi i kapitalit fizik dhe ikja e qytetarëve do të pengojnë rëndë aktivitetin ekonomik për shumë vite në vijim.

Rritja e çmimeve ne tregjet globale të mallrave

Çmimet e mallrave mund të rriten për shkak të ndërprerjeve të furnizimeve, shkatërrimit të infrastrukturës dhe sanksioneve. Rusia është prodhuesi i tretë i naftës në botë, prodhuesi i dytë i gazit natyror dhe ndër pesë prodhuesit kryesorë globalë të çelikut, paladiumit, nikelit, bakrit dhe aluminit. Ukraina dhe Rusia përbëjnë deri në 30% të eksporteve globale të grurit dhe në një masë më të vogël të misrit. Rusia më vete është eksportuesi më i madh i grurit në botë në rreth 20% të tregtisë globale. Ukraina është një prodhues kryesor i misrit i 6-ti më i madhi, i grurit i 7-ti, i lulediellit i 1-ri ne botë dhe është ndër dhjetë prodhuesit kryesorë të panxharit të sheqerit, elbit, sojës, etj.

Rusia dhe Ukraina përfaqësojnë gjithashtu rreth 75% të eksporteve globale të farave të lulediellit dhe vajit të lulediellit, të cilat përdoren si vaj ushqimor për konsum njerëzor dhe kafshësh. Çdo reduktim në furnizimet me energji, metale dhe produkte bujqësore do të reflektojë në rritjen e çmimeve globale për këto mallra. Sipas parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Prill të vitit 2022, çmimet e grup-produkteve kryesore priten të rriten më shumë se parashikimi fillestar. Parashikimi i rritjes së çmimeve të naftës në vitin 2022 krahasuar me vitin 2021, pritet të rriten në 64.3%; të produkteve ushqimore në rreth 20.9%; të pijeve në rreth 22.9%; të materialeve bujqësore në 10.7%; të metaleve në rreth 16.7% dhe të produkteve të manifakturës në rreth 15.5%.

Ndërprerjet e prodhimit për shkak të luftës, sanksionet dhe aksesi i dëmtuar i infrastrukturës së transportit dhe në sistemet e pagesave do të prishin flukset tregtare, dhe do të ndikojnë në rritjen e çmimeve, veçanërisht për energjinë dhe ushqimin. Pas zhvillimeve të fundit, çmimet e energjise u rritën në një nivel rekord mbas datës 25 shkurt. Çmimi i naftës tejkaloi 100 USD për fuçi për herë të parë që nga viti 2014, duke arritur në nivelin rekord në datën 8 mars në 119.3 USD për fuçi nga 85.1 USD në datën 25 shkurt.

Çmimi i gazit TTF në Evropë u rrit në një nivel rekord prej 223.2 Euro më 8 mars nga 95.2 Euro në datën 25 shkurt, dhe i qymyrit në 420.5 USD për ton në datën 8 mars nga 181 USD për ton në datën 25 shkurt. Pas një rënie të përkohëshme mbas datës 8 mars, përsëri cmimet janë rritur dhe parashikimi deri në fund të gjashtemujorit është se niveli i tyre do të mbetet i lartë krahasuar me datën e fillimit të luftës.

Një rritje të shpejtë patën dhe çmimet e drithrave dhe i vajit të lulediellit. Çmimet më të larta të drithërave do të ndikonin në rritjen e çmimit të konsumit për produkte të tilla si makaronat, vaji ushqimor, të mishit, etj. Çmimi i grurit u rrit në nivel rekord mbas datës 25 shkurt nga 789.9 USD për bushel në 1195 USD për bushel në datën 8 mars. Çmimi i misrit nga 657.3 USD për bushel në datën 25 shkurt në 745.4 USD në datën 8 mars. Çmimi i vajit të lulediellit nga 1499 USD për ton metrik në shkurt në 2361.1 USD për ton metrik në muajin mars. Çmimi i grurit mbas nje rënie të lehtë vazhdoi rritjen duke ju afruar nivelit të datës 8 mars. Ndërsa çmimi i misrit dhe i vajit të lulediellit kanë vazhduar rritjen e tyre dhe në muajin prill.

Një tjetër efekt indirekt për bujqesinë dhe industrinë agro-ushqimore do të vinte si rezultat i rritjes së çmimeve të plehrave kimike. Rusia është një nga eksportuesit më të mëdhenj në botë të plehrave. Një mungesë mbarë botërore e sasisë së plehrave do të çojë në rritje të çmimeve të ushqimeve, me efekte të dëmshme për prodhimin bujqësor dhe sigurinë ushqimore.

Zhvillimet mbas shpërthimit të konfliktit treguan një rritje të ndjeshme të çmimeve të plehrave kimike. Çmimi i uresë u rrit nga 744 USD për ton metrik në muajin shkurt në 925 USD për ton metrik në muajin prill. Çmimi i DAP u rrit nga 872.5 USD për ton metrik në muajin shkurt në 954 USD për ton metrik në muajin prill. Çmimi i plehrave fosfatike u rrit nga 392 USD për ton metrik në muajin shkurt në 562.5 USD për ton metrik në muajin mars duke mbetur i pandryshuar në muajin prill.

Rritja e inflacionit

Inflacioni në vitin 2022 pritet të mbetet më i lartë se në parashikimin e mëparshëm, i nxitur nga rritja e çmimeve të mallrave dhe sherbimeve. Për vitin 2022, inflacioni parashikohet në 5.7% në ekonomitë e avancuara ose 3.4% më lartë se parshikimi fillestar. Në ekonomitë në zhvillim parashikohet në 8.7% ose 3.8% më shumë se parashikimi fillestar.

Çmimet më të larta për mallrat ushqimore ndërkombëtare do të ndikojnë në rritjen e inflacionit në vendet në mënyra të ndryshme në varësi të mungesës së produkteve, zgjatjes së ndërprerjes së furnizimeve, pjesës ushqimore të shportës së konsumit të familjeve dhe llojeve të ushqimeve të konsumuara. Norma e inflacionit është rritur në vendet e zonës euro në periudhën shkurt – prill 2022. Nga 5.9% në muajin shkurt është rritur në 7.4% dhe 7.5 % në muajin prill. Ndërsa rritja e indeksit të inflacionit me mallrat e ushqimit ka qënë e moderuar gjatë periudhës, indeksi i inflacionit për produktet e energjisë është shumë i ndjeshëm.

Norma e inflacionit për produktet e energjisë është rritur në 32% në muajin shkurt, në 44.4% në muajin mars dhe në 38% në muajin prill. Norma vjetore e inflacionit të Rusisë u përshpejtua ndjeshëm në 16.7% në muajin mars dhe 18.7% në muajin prill, nga 9.15% në muajin shkurt. Normat e inflacionit të muajit mars dhe prill ishin normat më të larta që nga marsi i vitit 2015. Zhvleftësimi i rublës dhe saksionet ekonomike të vendosura mbeten faktorët kryesorë të rritjes së inflacionit. Norma vjetore e inflacionit në Ukrainë u përshpejtua në 13.7% në muajin mars dhe në 16.4% në prill nga 10.7% në muajin shkurt. Në të dy vendet indeksi i inflacionit për mallrat ushqimore është shumë më i lartë se indeksi i inflacionit total, në ndryshim me vendet e zonës europiane ku indeksi i inflacionit i mallrave ushqimore mbetet më i ulët.

Zinxhirët e furnizimit do të ndërpriten

Sanksionet financiare do të kenë një ndikim në zinxhirët e furnizimit dhe tregtisë, pasi kompanitë do të luftojnë për të gjetur kanale financiare përmes të cilave do të kryejnë tregti me Rusinë. Shkatërrimi i infrastrukturës së transportit veçanërisht porteve në Ukrainë do të komplikojë çështjet ekzistuese të zinxhirit të furnizimit. Ndërprerja në zinxhirët e furnizimit nga transportit do të vijë nga tre burime : (i) nga vështirësitë e tranzitit me rrugë me bazë tokësore; (ii) kufizimet në lidhjet ajrore; (iii) dhe anulimi i rrugëve detare të mallrave nga Ukraina. Rrugët tregtare me bazë tokësore midis Azisë dhe Evropës do të ndërpriten pasi tranziti përmes Rusisë bëhet më i vështirë, ose i pamundur, nga këndvështrimi i sigurisë.

Kjo do të prekë veçanërisht kompanitë kineze, të cilat, gjatë pandemisë së koronavirusit kishin rritur trafikun e tyre në rrugët tokësore përmes Rusisë gjatë rrugës për në Evropë, si një alternativë ndaj transportit detar dhe ajror. Lidhjet ajrore midis Rusisë dhe Evropës dhe nga ana tjetër e Azisë dhe Evropës, do të pengohen rëndë pas vendimit të vendeve të BE-së për të mbyllur hapësirën e tyre ajrore ndaj avionëve dhe ngarkesave ruse dhe masës reciproke të Rusisë për të mbyllur hapësirën e saj ajrore ndaj avionëve evropianë. Rrugët detare të mallrave përmes Detit të Zi do të anulohen pas vendimit të Ukrainës për të mbyllur transportin tregtar dhe vendimit të Turqisë për të kufizuar tranzitin përmes Bosforit. Kjo situatë do të ketë një ndikim të dukshëm në dërgesat e drithit që kalojnë tranzit përmes porteve ukrainase, ruse dhe ndoshta bullgare dhe rumune.

Rënie e volumit të tregtisë globale

Duke reflektuar ngadalësimin e ndjeshëm në aktivitetin ekonomik, rritjes së çmimeve, saksionet e vendosura dhe ndërprejet e furnizimit, ritmet e rritjes së tregtisë globale priten të bien ndjeshëm në vitin 2022. Kërkesa globale për mallra pritet të ngadalësohet. Tregtia e shërbimeve ndërkufitare dhe veçanërisht turizmi, pritet të ketë një rënie gjithashtu si për shkak të luftës dhe efekteve të mbetura të pandemisë. Sipas parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar volumi i tregtisë globale në vitin 2022 pritet të ngadalësohet nga 6.7% i vlerësuar në fillim në 5.0% në parashikimet e muajit prill. Rënien më të lartë do ta kenë eksportet si për ekonomitë e avancuara dhe ato në zhvillim. Eksportet do të rriten në 6.1% për ekonomitë e avancuara nga 7.3% e vlerësuar në fillim dhe për ekonomitë në zhvillim në 3.9% nga 7.1% e vlerësuar fillimisht. Më të prekuara në rënien e volumit të eksporteve dhe të importeve mbeten ekonomitë në zhvillim krahsuar me ekonomitë e avancuara.

Thellësia e ndikimit në treguesit e ekonomisë globale do të varet nga koha te cilen do të zgjasë lufta, nga shkalla e shkatërrimit dhe nderprejes se aktivitetit ekonomik që ajo do te shkaktoje.

Prof. Dr. Petraq Milo