VCG

VCG

Europa dhe Gjermania duan që sa më shpejt të jetë e mundur të heqin dorë nga furnizimi me naftë dhe gaz prej Rusisë. Lufta në Ukrainë dhe sanksionet që i janë vënë Moskës po e detyrojnë kontinentin e vjetër europian dhe sidomos lokomotivën e këtij kontinenti, Gjermaninë, të rriskojë, duke bllokuar linjat ruse të gazit dhe naftës. Pasojat ekonomike e financiare janë e do të jenë të mëdha. Por europerendimorët në vend të raketave ruse në dyert e saj, preferon të rriskojë në pikëpamje financiare. E keqja më e vogël është opsion! Europa nuk është në kohë të përshtatshme, kur do t'i duhet të përzgjedhë të mirën më të madhe.

Në këto kushte duhet zgjidhja alternative. Zgjidhja më e mirë do të ishte rritja e prodhimit të karburanteve nga ana e vendeve të OPEK. Por Arabia Saudite, si prodhuesja kryesore e këtyre vendeve e ka bllokuar këtë mundësi. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shtuar prodhimin e gazit dhe naftës me qëllim që ta eksportojnë në Europë. Këto ditë një kompani amerikane nënshkroi marrëveshje edhe me Shqipërinë, me qëllim që porti i Vlorës të përdoret për ankorimin e anijeve me gaz nga SHBA-të. Ish-sekretari i Shtetit, Mike Pompei, ishte në Tiranë dhe nënshkroi këtë marrëveshje në cilësinë e kryetarit të bordit të kompanisë përkatëse.

VCG

VCG

Por a do të mjaftojë kjo për të plotësuar të gjitha nevojat e vendeve europiane dhe sidomos të Gjermanisë për gaz, naftë dhe nënprodukte të tjera të saj? Ekspertët mendojnë se nevojat janë shumë më të mëdha. Aq më tepër kur në Gjermani është kufizuar prodhimi i energjisë nga burimet e erës. Në planet e Federatës Gjermane është përcaktuar që deri në vitin 2030 ajo të rritë kapacitetet energjitike me 200 Gigawat. Do të duhen që në tetë vitet e mbetura të instalohen edhe 140 Gigawat të tjera, d.m.th së paku 17 Gigawat secilin vit.

Prandaj për të përballuar krizën energjetike të shumë vendeve europiane e sidomos Gjermanisë i duhet mbështetja dhe bashkëpunimi me Republikën Popullore të Kinës. Sidomos në furnizimin me solar. Nëse Berlini sot është i kushtëzuar në masën 55 përqind nga gazi e nafta ruse, ai me solarni kinez plotëson nevojat e veta në masën 95 përqind. Kina është partneri kryesor e gati i vetëm i Gjermanisë në këtë fushë të energjisë. Kompani kineze dhe gjermane bashkëpunojnë për të furnizuar ekonominë gjermane me solar e madje dhe me teknologji në aspekt.

VCG

VCG

Por ekspertë të ndryshëm në Europë shprehen skeptikë për varësinë ndaj solarit kinez. A ka zgjidhje tjetër? Ende askush nuk po mendon për këtë. Megjithatë eksperti, Volker Quashning, thotë se "Ne kemi parë tashmë se sa shpejt mund të ndryshojë situata gjeopolitike". Dhe bën pyetjen se kush mund të garantojë se edhe pas pesë vitesh do të mirëkuptohemi kaq mirë me Kinën? Ai më pas parashikon se nëse ndodh që Gjermania të mos marrë më nga Kina solarin, atëherë gjithçka do të ishte e vdekur.

Këto parashikime skeptike janë të natyrshme në kushtet e zhvillimeve të sotme gjeopolitike e sidomos pas konfliktit midis Rusisë dhe Ukrainës. Por një analizë e kujdesshme bën që skepticizmi të zbutet. Kjo lidhet kryesisht me natyrën diplomatike tradicionale të Republikës Popullore të Kinës. Edhe pse një fuqi e padiskutueshme në planet, Kina nuk ka shkaktuar trauma dhe nuk ka kërcënuar asnjëherë në historinë e saj rendin botëror.

Pekini ka një traditë diplomatike të marrëdhënieve korrekte me vendet e tjera dhe sidomos me kontinentin europian. Lidhjet ekonomike e tregtare të Kinës me Europën dhe sidomos me Gjermaninë deri më sot nuk kanë dëshmuar asnjë lloj krize ose presioni gjeopolitik. Prandaj dhe nuk është e pritshme që në të ardhmen të ketë ndryshime në këto politika ekuilibruese të Pekinit. Megjithatë Kina ndoshta mund të dëshmojë më shumë garanci për lidhjen serioze e solide me vendet e Europës Perëndimore, veçmas me Republikën Federale të Gjermanisë!

VCG

VCG

Enver Bytyçi