Në këto kohë tejet të trazuara dhe fluide në botën e sotme të përkeqësuara më tej për shkak të konfliktit ushtarak midis Rusisë dhe Ukrainës dhe reperkursioneve te tij në të dy vendet si dhe në pjesë të ndryshme të botës, kryesisht në Evropë, vihet re një shkallëzim i tensioneve politike, ekonomike e ushtarake midis fuqive të mëdha të shoqëruara me kërcënime në rritje të nxitura nga fryma e pandryshueshme hegjemoniste e disa prej ‘superfuqive’ të vjetra sjellja e të cilave vazhdon të mbisundohet nga fryma e diktatit, i cili po bëhet, në fakt, gjithnjë e më i papranueshëm nga komuniteti ndërkombëtar.

VCG

VCG

Përballë kësaj tablloje është fakt se ka përpjekje nga vende paqedashëse jo vetëm për t'i dhënë fund konfliktit që vazhdon në Evropën Lindore dhe konflikteve të tjera rajonale, dhe janë propozuar iniciativa për të shmangur kërcënimet reale ndaj paqes globale si kurrë më parë që nga Lufta e Dytë Botërore.

VCG

Jo shumë kohë më parë, në konferencën vjetore të Forumit Boao të Azisë, Presidenti kinez Xi Jinping propozoi një iniciativë Globale të Sigurisë për të promovuar "sigurinë për të gjithë" në botë. "Kina do të donte të propozojë një Iniciativë Globale të Sigurisë që të qëndrojmë të përkushtuar ndaj vizionit të sigurisë së përbashkët, gjithëpërfshirëse, bashkëpunuese dhe të qëndrueshme, si dhe të punojmë së bashku për të ruajtur paqen dhe sigurinë botërore", tha presidenti Xi në fjalimin e tij me videomesazh me atë rast. Ai po ashtu bëri thirrje për respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të të gjitha vendeve, duke theksuar mosndërhyrjen në punët e brendshme dhe respektimin e zgjedhjeve të pavarura të mënyrave të zhvillimit dhe sistemeve sociale të bëra nga njerëzit në vende të ndryshme.

"Ne, njerëzimi, po jetojmë në një komunitet të pandashëm të sigurisë. Herë pas here është vërtetuar se mentaliteti i Luftës së Ftohtë vetëm do të shkatërronte kuadrin e paqes globale, se hegjemonizmi dhe politikat e pushtetit vetëm do të rrezikonin paqen botërore dhe se konfrontimi i bllokut vetëm do të përkeqësonte sfidat e sigurisë në shekullin e 21-të", tha presidenti Xi, me sa duket duke iu drejtuar SHBA-së.

Dhe një vështrim i kursit të politikës së jashtme të SHBA-së në raport me komunitetin ndërkombëtar dhe veçanërisht me fuqitë e mëdha ‘jo miqësore’ nxjerr në pah se çdo etapë e saj ka qënë e karakterizuar nga elementi i vetëshpallur prej tyre i Luftës së Ftohtë në forma të ndryshme të shoqëruara me veprime armiqësore politike, ekonomike e madje edhe ushtarake në dëm të vendeve të tjera, por pa pashmangërisht edhe ndaj vetvetes.

VCG

VCG

Tani një frymë e tillë acari po fryn gjithnjë më shumë nga Shtëpia e Bardhe drejt Republikës Popullore të Kinës, por me një ndryshim: nëse në rastin e Luftës së Ftohtë midis SHBA-së e ish- Bashkimit Sovjetik, Lindjes e Perëndimit, NATO-s e Traktatit të Varshavës që është shpërbërë, kishim të bënim me një ballafaqim të drejtpërdrejtë ushtarak dhe ideologjik, garë të ethshme armatimesh, në rastin e Kinës strategët amerikanë kanë shtuar edhe aspektin ekonomik sepse edhe pse ata nuk i pranojnë publikisht faktet tregojnë se Uashingtoni shikon me xhelozi dhe shqetësim rritjen ekonomike të këtij vendi të madh aziatik.

Mirëpo për mirë apo për keq bota e sotme është tejet e ndërlidhur dhe asnjë fuqi e madhe, përfshi edhe SHBA-në, nuk mund të pretendojnë të ndjekin kursin e ashtuquajtur të ‘ecjes vetëm’ dhe të nxisin vazhdimisht e shpesh në të njëjtën kohë sipas oreksit ‘luftëra të nxehta’ dhe ‘luftëra të ftohta’, të sanksionojnë këtë vend apo atë grup vendesh, të vendosin embargo të llojeve të ndryshme pa rritur më tej rreziqet për një luftë të tretë botërore (me hijen e përdorimit të armëve bërthamore), një narrativë e cila, mjerisht, po qarkullon gjithnjë më shumë nëpër botën tonë.

Koha dhe praktika e zhvillimit në rang botëror, por edhe të vendeve të veçanta, ka dëshmuar se fryma e bashkekzistencës dhe bashkëpunimit është e vetmja rrugë e drejtë dhe këta elementë marrin vlerë të rëndësishme dhe konkrete në marrëdhëniet midis të gjithë fuqive të mëdha, e specifikisht midis SHBA-së dhe Kinës.

Vendimi i udhëheqjes së Partisë Komuniste të Kinës për hapje të vendit pas viteve 1978 ka sjellë një transformimin rrënjësor të Kinës duke e ngritur atë në majat e zhvillimit të gjithanshëm dhe duke u renditur të dytën si fuqia më e madhe ekonomike në botë. Por ky hop gjigand përparimi ekonomik, social e ushtarak i këtij vendi ishte një impuls tejet pozitiv që shkundi pozitivisht mbarë botën në aspektet ekonomike, tregtare dhe financiare dhe efektet e tij u ndjenë në rigjallërimin e ekonomisë globale botërore e kryesisht të SHBA-së e fuqive të tjera perëndimore.

Ishte hapur një treg gjigand i një vendi të madh me popullsinë më të shumtë në rruzullin tokësor prej 1.4 miliard njerëzish të etur për ta çuar vendin e tyre përpara me punë të palodhur e dedikim të paepur. Me shpejtësi SHBA e Perëndimi por edhe vendet në zhvillim i përqendruan sytë tek Kina dhe nga viti në vit tërheqja ndaj saj rritej me shpejtësi galopante.

VCG

VCG

Në nivelin ekonomik, Shtetet e Bashkuara dhe Kina janë thellësisht të ndërvarura. Vlera e tregtisë së SHBA-së me Kinën në vitin 2020 ishte më shumë se gjysmë trilion dollarë. Vetëm duke marrë në konsideratë këtë shifër zor se mund të mendohet që amerikanët të presin urat e bashkëpunimit me ekonominë kineze, e cila do të kishte një kosto të paimagjinueshme për ta. Nga ana tjetër, Kina sikurse thotë një fjalë popullore nuk i ka vënë të gjitha ‘vezet në një shportë’, e konkretisht faktet tregojnë se vit pas viti ky vend aziatik është bërë partneri më i madh tregtar i shumë vendeve e grupimeve ekonomike ndërkombëtare duke e kaluar volumin total të shkëmbimeve kino-amerikane. Konkretisht Kina si vendi më i madh në zhvillim, dhe BE-ja si bashkimi më i madh i vendeve të zhvilluara, janë partnerët më të mëdhenj tregtar të njëri-tjetrit me tregtinë e dyanshme që tejkaloi 800 miliardë dollarë amerikanë në vitin 2021.

Ndërkohë në tremujorin e parë të këtij viti, sipas një deklarate të zëdhënësit të Ministrisë së Tregtisë, Gao Feng në një konferencë për shtyp e cituar nga agjencia e lajmeve “Xinhua” tregtia dypalëshe midis Kinës dhe Bashkimit Evropian u rrit me 12.2% në krahasim me vitin e kaluar, duke arritur në 205.87 miliardë dollarë. Tregtia dypalëshe e produkteve mekanike dhe elektrike, mallrave industriale të lehta dhe produkteve të teknologjisë së lartë u rrit përkatësisht me 10%, 19% dhe 31% në tremujorin e pare. Sipas zëdhënësit Gao Feng, kjo është një rritje e ndjeshme e tregtisë dypalëshe midis Kinës dhe BE-së. Gao theksoi se Kina është e gatshme të punojë me BE-në për të ruajtur stabilitetin e hallkave industriale dhe të furnizimit dhe për të nxitur motorë të rinj të rritjes në parandalimin e epidemisë, në sektorin dixhital, në shkencë dhe teknologji, për të rritur e zhvilluar më tej bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar.

Fakte të tilla janë një pjesë që rikonfirmojnë se interesat e përbashkëta midis Kinës dhe BE-së janë shumë më të mëdha se dallimet për të cilat punohet për ti kapërcyer. Ata, natyrshëm, kanë pikëpamje të ndryshme për çështje të caktuara, megjithatë interesat e përbashkëta ndërmjet të dy palëve janë shumë më të mëdha se sa mosrakordimet sepse ne fund të fundit marrëdhëniet Kinë-BE janë thelbësore për rimëkëmbjen ekonomike dhe stabilitetin e botës.

Por dukshëm jeta reale e tregon se strukturat sociale të Shteteve të Bashkuara dhe Kinës janë gjithashtu thellësisht të ndërthurura e këto janë të shprehura në miliona lidhje sociale, nga studentët, turistët dhe të tjera fusha midis dy vendeve. Dhe përvoja e hidhur e pandemisë tregoi se edhe fizikisht është e pamundur të shkëputen çështjet të tilla ekologjike apo ndryshimet klimatike në këtë botë të destinuar ku të jetojnë të gjithë popujt së bashku.

Krahas trajtimit të Kinës me mendësinë e Luftës së Ftohtë, edhe pse gjithë bota e shikon se konkurrimi ‘jo miqësor’ midis dy fuqive më të mëdha ekonomike nuk është në favor të stabilitetit global dhe pa shpresë për të mposhtur atë vend tashmë të integruar masivisht jo vetëm në ekonominë globale botërore por edhe në të gjithë organizatat më prestigjioze ndërkombëtare ku në krye qëndron OKB-ja, shigjetat e kësaj ‘Lufte’ kanë qenë të drejtuara edhe kundër institucioneve ndërkombëtare të ngritura njëra pas tjetrës në gërmadhat që la pas Lufta e Dytë Botërore.

Ndër pasojat direkte të kësaj mendësie të Luftës së Ftohtë ishin braktisja spektakulare nga Uashingtoni i Marrëveshjes së Parisit mbi Klimën e arritur me shumë mund ku krahas Francës, Kina ka luajtur një rol vendimtar. Duke ndjerë pasojat e një veprimi të tillë ‘kundra rrymës’ nga reagimi mbarëbotëror Uashingtoni deklaroi se mund të kthehej por sipas ‘kushteve të saj’!!!

VCG

VCG

‘Amerika e Para’ ose më mirë me thënë Amerika e ‘vetmuar’ vazhdoi kursin e braktisjes së komunitetit ndërkombëtar në periudhën e administratës se ish- presidentit Donald Trump duke u larguar nga organizata e OKB-së për kulturën dhe arsimin, UNESCO në të cilën janë anëtarë 195 vende. Duke shprehur zemërim për atë akt të pashembullt Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres deklaroi se “ndjehej thellësisht i keqardhur nga ky zhvillim”, kurse zyrtarë të lartë të UNESCO-s e quajtën këtë bojkot ‘humbje për multilateralizmin’.

Por ndër bojkotet kulminante dhe anti-njerëzore amerikane konsiderohet braktisja e Organizatës Ndërkombëtare të Shëndetësisë (OBSH-së) me qendër në Gjenevë, e cila u krijua më 1948 si agjenci e Kombeve të Bashkuara dhe ka 194 shtete anëtare. Është e tepërt të përmendim misionin e saj dhe rolin që ka luajtur ajo në mbarë botën, veçanërisht në vende të varfëra në fushën e shëndetësisë, por tërheq vëmendjen fakti se periudha e bojkotit përfshiu kohën më të vështirë që po kalonte njerëzimi - shpërthimin e pandemisë kovidiane.

Pikërisht kur komuniteti ndërkombëtar duhet të ishte më i bashkuar se kurrë në këtë luftë të vërtetë për mbijetesë të njerëzimit, SHBA iu shmangën goditjes së parë të tmerrshme të virusit vdekjeprurës që preku tërë botën. Ishte Kina ajo që pa bujë e propagandë por me frymën e solidaritetit u angazhua menjëherë me ndihma jetike anti-covid që për popujt e botës janë të paharrueshme. E duhet shtuar se populli kinez vetë po luftonte me virusin vdekjeprurës.

Itinerari amerikan i vetëpërjashtimeve nga hallkat e bashkëpunimit ndërkombëtar ka vazhduar pa dallim. Nisur nga parimi ‘Amerika e Para’ SHBA u tërhoqën nga Partneriteti Trans Paqësor (Trans-Pacific Partnership), një iniciativë që e drejtonte vetë.

Po kështu SHBA braktisën marrëveshjen bërthamore me Iranin e negociuar nga ish- Presidenti Barack Obama dhe që përfshinte Gjermaninë, Francën dhe Britaninë. Kina e dënoi një braktisje të tillë të Amerikës që ktheu gjendjen në pikën zero lidhur me problemin bërthamor iranian duke rritur tensionet ndërkombëtare.

E pa u ndaluar në veprimet izolacioniste ish- Ambasadorja amerikane në OKB shpalli tërheqjen nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut që ka 47 anëtarë të zgjedhur nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së. Vendi që vetëdeklarohet si kampion i mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe ‘eksportues’ i demokracisë amerikane (sa ndërhyrje ushtarake amerikane janë bërë nën këtë egidë) e quajti këtë organizëm të OKB-së si ‘hipokrite e që i sherbente vetes’.

Të gjitha këto bojkote me ngarkesë të qartë të Luftës së Ftohtë ndaj tërë njerëzimit ndodhën në periudhën e ish- presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, dhe nuk është se hasën në ndonjë kundërshti të ‘fortë’ të qarqeve politike apo të segmenteve të tjera të shoqërisë së atij vendi duke përfshirë edhe median.

Prandaj ‘Rikthimi i (pjesshëm) i Amerikës’ në disa prej organizmave të lartëpërmendura se disa të tjerë janë akoma në karantinë, me ardhjen e administratës së presidentit Joe Biden, shikohet akoma me skepticizëm nga një pjesë e gjerë e komunitetit ndërkombëtar. Shikohet me këtë sy sepse këta veprime nuk janë shoqëruar me ndonjë kërkesë falje apo zotim serioz se oshilacionet e politikës amerikane nuk do të godasin në të ardhmen institucionet e komunitetit ndërkombëtar sipas oreksit të disa qarqeve në pushtet. Ka dyshime në sinqeritetin se Uashingtoni do të rifillojë veprimtarinë e braktisur jo me mendësinë e imponimit të interesave të veta hegjemoniste; përkundrazi dyshimi mbizotëron se politika amerikane do të rifillojë përpjekjen për ti përdorur si më parë këta institucione jetike ndërkombëtare, pjesë e strukturës së Kombeve të Bashkuara, si arenë sulmesh ndaj vendeve të tjerë anëtarë siç po bën në mënyrë të ethshme ndaj Kinës në kuadrin e platformës së tij të Luftës së Ftohtë.

Prandaj nën titullin ‘Biden thotë 'Amerika u kthye'. Bota ka disa pyetje’ një koment botuar në portalin mediatik amerikan npr.org më 20 shtator 2021 i referohej Alynna Lyon, profesore në Universitetin e New Hampshire, e cila ka shkruar gjerësisht mbi marrëdhëniet e Uashingtonit me Kombet e Bashkuara, të kishte tërhequr vëmendjen se rikthimi amerikan duhet të shoqërohej më veprime e burime.

VCG

VCG

"Fjalët janë goxha boshe tani", thoshte Lyon. "Ai (Biden) nuk mund të thotë thjesht se dëshiron të punojë me vendet e tjera. Ai me të vërtetë duhet të përfshijë, veçanërisht aleatët, në planifikimin e agjendës së SHBA-së dhe asaj që mund të jetë agjenda e OKB-së dhe gjithashtu zbatimin e saj", vinte në dukje profesoresha amerikane.

Kësisoj Uashingtoni zyrtar e politikëbërësit e tij të çdo rangu duhet ta kuptojnë se Kina nuk është problem i tyre, por arroganca e politikat e gabuara të jashtme të ndjekura kokëfortësisht prej tyre në periudha të ndryshme. Shtetet e Bashkuara i braktisën vetë shumë prej mekanizmave të OKB-së, nuk i detyroi asnjë vend. E megjithatë një mësim tjetër duhet ta kenë mësuar: jeta vazhdoj, puna e Kombeve të Bashkuara dhe e çdo mekanizmi të saj funksionoi me një përkushtim më të madh, me një angazhim më të përkushtuar të vendeve anëtare sipas mundësive të tyre.

Mirëpo akoma të pashkëputur nga strategjia hegjemoniste duke e parë botën por edhe hapësirën kozmike si domen të tyre, unipolar, në SHBA nxitet fryma e Luftës së Ftohte kundër Kinës me synimin për të frenuar arritjet e saj të vrullëshme në fushën hapësinore.

Nuk është faji i Kinës se me përkushtimin e një plejade të tërë shkencëtarësh me durim dhe ekspertizë të pashembullt janë arritur suksese mbresëlënëse në fushën e kërkimeve në hapësire, e këto arritje janë realizuar në një kohë rekord. Madje Pekini zyrtar nuk ka nguruar të ofrohet për bashkëpunim me vendet e tjera në këtë fushë. Por si edhe në aspekte të tjera Uashingtoni i shikon të gjithë këto zhvillime me sy të keq dhe duket se është në siklet nga konkurrenca e ndershme kineze në këtë fushë si në shumë të tjera. Prandaj edhe përkushtimi i Kinës për përdorimin paqësor të hapësirës nuk i ka shpëtuar fabrikimeve të SHBA-së, të cilave u është bashkuar edhe Japonia, lidhur me të ashtuquajturin "kërcënim hapësinor të Kinës". Zëdhënësi i Ministrisë kineze të Mbrojtjes Kombëtare Tan Kefei ka akuzuar kohët e fundit SHBA-në dhe Japoninë për fabrikim të të ashtuquajturit "kërcënim hapësinor të Kinës". Sipas tij, Kina është e përkushtuar për përdorimin paqësor të hapësirës, nxit në mënyrë aktive parandalimin e armëve dhe garën e armatimit në hapësirë dhe promovon bashkëpunimin ndërkombëtar hapësinor. Shtetet e Bashkuara dhe Japonia, duke shpërfillur faktet, kanë sajuar justifikime të tilla për zgjerimin e tyre ushtarak dhe mbizotërimin në hapësirë, tha zëdhënësi ditët e fundit.

Por gjatë viteve të fundit, Shtetet e Bashkuara kanë vazhduar të promovojnë procesin e militarizimit të hapësirës me një mendësi të Luftës së Ftohtë, duke e përcaktuar haptazi hapësirën si një "fushëbetejë", duke krijuar një Komandë Hapësinore e një forcë hapësinore dhe duke zhvilluar e dislokuar energjinë e drejtuar dhe "Sistemet e komunikimit antisatelitor" dhe armë të tjera sulmuese hapësinore. Shtetet e Bashkuara po ashtu kanë zhvilluar stërvitje të shpeshta ushtarake, si "Schriever", "Roja globale" dhe "Flamuri hapësinor," bëri të ditur Tan. Sipas tij, për të promovuar bashkëpunimin ndërkombëtar, Kina ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me një numër agjencish dhe organizatash ndërkombëtare hapësinore, të cilat janë vlerësuar lart nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Çështjet Hapësinore.

VCG

VCG

Si një veprim në drejtimin e duhur për ruajtjen e paqes e shuarjen e konflikteve rajonale është rasti të sjellim në vëmendje se 2022 shënon 30-vjetorin e pjesëmarrjes së Kinës në operacionet paqeruajtëse (UNPKOs) me njësinë e parë të saj të Helmetave Blu.

Më 16 prill 1992, Kina dërgoi njësinë e saj të parë ushtarake të Helmetave Blu në Kamboxhia për UNPKO-të. Gjatë tre dekadave të fundit, një njësi pas tjetrës paqeruajtësish kinezë kanë nisur me guxim dhe kurajo një mision pas tjetrit, shpesh duke e vënë veten në rrezik në shërbim të paqës. 16 paqeruajtës ushtarakë kinezë kanë sakrifikuar jetën e tyre gjatë misioneve të OKB-së. Kina ka dërguar rreth 50,000 paqeruajtës në 25 UNPKO në më shumë se 20 vende dhe rajone. Kjo veprimtari është përshëndetur si “një element kritik dhe forcë kyçe në UNPKO-të”, deklaroi në një konferencë shtypi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Wang Wenbin më 18 prill 2022.

Kina është bërë kontribuuesi i dytë më i madh në buxhetin e rregullt dhe kontribuuesi më i madh i trupave në operacionet paqeruajtëse midis pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, e ajo është zotuar të vazhdojë të punojë krah për krah me të gjitha vendet paqedashëse për të përçuar më shumë energji pozitive për paqen dhe zhvillimin botëror.

Dai Bing, zëvendës përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në Kombet e Bashkuara deklaroi më 13 shkurt 2022 në Debatin e Përgjithshëm të Komitetit Special mbi Operacionet Paqeruajtëse se Kina si një kontribuues i madh i trupave dhe kontribuuesi i dytë më i madh financiar në operacionet paqeruajtëse të OKB-së ka një forcë gatishmërie prej 8,000 trupash. Vitin e kaluar, Kina organizoi stërvitjen ndërkombëtare paqeruajtëse në terren "Shared Destiny-2021", nisi Grupin e Miqve për Sigurinë dhe Sigurinë e Paqeruajtësve të OKB-së dhe dhuroi 300,000 doza të vaksinave COVID-19 për paqeruajtësit.

Duke analizuar me vëmendje dy qëndrime, atë të SHBA të shprehur në sloganin ‘Amerika është kthyer” si leitmotiv i Presidentit aktual Joe Biden dhe qëndrimin konsekuent të vazhdimësisë së Kinës mbi multilateralizmin, duket qartë se Uashingtoni kërkon të ruaj hegjemoninë e vet duke iu imponuar të tjerëve në forma të ndryshme të Luftës së Ftohtë.

Veprimet dhe kontributet e Kinës në përmbushjen e përgjegjësive të saj si një fuqi e madhe janë të dukshme në mbarë botën, nga thirrja për zgjidhjen politike të çështjeve të pikave të nxehta rajonale deri te pjesëmarrja në operacionet ndërkombëtare paqeruajtëse dhe nga përpjekjet e saj të gjithanshme për të ndihmuar vendet e tjera të luftojnë kundër COVID- 19 në trajtimin aktiv me ndryshimet klimatike, si dhe nga mbështetja e parimit të ndjekjes së të mirës më të madhe dhe interesave të përbashkëta deri te respektimi i parimit të miqësisë, sinqeritetit, përfitimit të ndërsjellë dhe gjithëpërfshirjes, dhe nga promovimi i vlerave të përbashkëta të njerëzimit deri te ndërtimi i një komuniteti me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin.

VCG

VCG

Këto koncepte për përparimin e njerëzimit dhe të ardhmen e botës kanë gjetur shprehje edhe në shumë iniciativa me përmasa të papara botërore sikurse është mega projekti “Një brez, një rrugë” apo iniciativa e bashkëpunimit midis Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, të cilat kanë dhënë rezultate konkrete në të mirë të vendeve pjesëmarrëse në to por edhe të mbarë botës. Ky është realiteti që paraqet Kina me vepra e jo fjalë e premtime boshe duke ndjekur në mënyrë të palëkundur rrugën e zhvillimit paqësor në interes reciprok midis popujve. Paqja e zhvillimi arrihen duke kontribuar konkretisht e sinqerisht në mbrojtjen e rendit ndërkombëtar dhe jo me veprime regresive jashtë realitetit që mbart Lufta e Ftohtë. Prandaj kursi i tanishëm amerikan i kësaj lloj lufte e destinuar të dështojë kundër Republikës Popullore të Kinës do të regjistrohet si ‘Ëndërr në sirtar’ duke u kujtuar si e tillë në të ardhmen jo të largët!
Genc Mlloja