Në ndërtimin e marrëdhënieve paqësore midis fuqive të mëdha është e rëndësishme që secila palë të jetë e gatshme dhe në gjendje të artikulojë një vizion për të ardhmen. Secila palë duhet të besojë se edhe nëse pala tjetër do të ishte dominuese, sërish do të kishte një vend të pranueshëm për të në rendin mbizotërues. Si do të akomodojnë Shtetet e Bashkuara rritjen e Kinës, peshën e saj ekonomike dhe interesat e saj politike në rendin botëror aktual?

Thirrja për një lloj të ri të marrëdhënieve të fuqive të mëdha është një përgjigje ndaj një problemi që ka historia dhe teoria e marrëdhënieve ndërkombëtare, të cilat na rrëfejnë për rrezikun e konfliktit midis një fuqie në rritje dhe një fuqie dominuese, ndryshe quajtur “Kurthi i Tukididit”. Por në kohët që jetojmë problemi nuk është leximi ynë i historisë, por është leximi ynë i së ardhmes.

Kinë-SHBA: quo vadis?

Në vitin 2009 Presidenti Obama shprehu se marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Kinës janë marrëdhëniet më të rëndësishme dypalëshe të shekullit XXI-të. Në fakt, marrëdhëniet pozitive Kinë-SHBA janë jetësore jo vetëm për të dy vendet por edhe për botën në përgjithësi. Pas më shumë se katër dekadave nga vendosja zyrtare e marrëdhënieve diplomatike, dy fuqitë më të mëdha ekonomike në botë kanë krijuar lidhje të ngushta e të paprecedenta. Shumë sfida u shtuan në këtë marrëdhënie pas ardhjes se Donald Trump në pushtet në 2016. Administrata Trump ndërmori ndryshimin më të thellë të politikës së SHBA-së për Kinën (e cila deri diku kishte ngelur e pandryshuar ndër dekada) duke e parë Kinën si një kërcënim ekzistencial për rendin ndërkombëtar dhe mënyrën e jetesës amerikane. Fraksione të ndryshme e karakterizuan kërcënimin në mënyra të ndryshme nën administratën Trump, dhe Uashingtoni nën drejtimin e tij bëri ndryshimin vendimtar të politikës nga bashkëpunimi në konfrontim. Në vitin 2018, qeveria e SHBA-së, për herë të parë, e etiketoi Kinën një "konkurrente strategjike".

Më tej Administrata Biden, edhe pse mbajti në vend politikat kyçe të epokës Trump, ka pasur një pikëpamje më pak apokaliptike, duke e trajtuar Kinën si një konkurrente për ndikimin global, por narrativa ngelet pothuajse e njëjtë. Por, një tjetër çështje e nxehtë po fiton terren mes disa politikëbërësve: Shtetet e Bashkuara janë në një "Luftë të Ftohtë" me Kinën! Profesori i Harvardit, Joseph Nye, shprehet se veprimet e presidentit Biden sugjerojnë se strategjia e tij për t'u marrë me Kinën mund të vuajë vërtetë nga të menduarit e Luftës së Ftohtë, i cili e mbyll mendjen në modelin tradicional dydimensional të shahut. Për Kinën, është një lojë tredimensionale. Dhe nëse vazhdojmë të luajmë shah dydimensional, do të humbasim. – shprehet Nye. Në Luftën e Ftohtë të shekullit të kaluar me Bashkimin Sovjetik, “loja” bazohej në një premisë të thjeshtë dydimensionale - midis ushtarakëve të tyre përkatës. Por me Kinën, loja bëhet tredimensionale sepse ka një shpërndarje të fuqisë në çdo nivel - ushtarak, ekonomik dhe social.

Nga ana tjetër Sekretari i Shtetit, Antony Blinken është shprehur se nuk është qëllimi i SHBA-së të mbajë të shtypur Kinën por perëndimi do të mbrojë rendin ndërkombëtar prej përpjekjeve subversive nga çdo vend, përfshirë Kinën. Ai tashmë ka hedhur tezën e ashtuquajtur CCC (Cooperate - Compete - Confront) që ka si qendër idenë e “në marrëdhëniet SHBA-Kinë ka tre opsione: Bashkëpunim ku mundesh, Konkurrencë kur duhet dhe Ballafaqim kur nevojitet”. Por, me sa duket diskursi politik po përshkallëzohet jashtë skemave të mësipërme.

Pekin

Pekin

Në epokën e Luftës së Ftohtë, të dy kampet ishin të izoluar nga njëri-tjetri dhe formuan dy tregje paralele, të cilat sollën ndikim negativ të pallogaritshëm në zhvillimin e ekonomisë botërore. Ndërsa në shekullin e globalizimit vendet bëhen gjithnjë e më të ndërvarura në furnizimin e tregut, prodhimin dhe ndarjen e punës. Një luftë e re e ftohtë do të çojë në mënyrë të pashmangshme në kolapsin e zinxhirit industrial dhe humbje për të dy palët e më tej.

Gjeopolitika e shekullit XXI dhe “sfida” kineze

A është Kina një fuqi status quo apo një fuqi revizioniste? - Pyeste profesor Alastair Johnston që në vitin 2003. Dhe kjo pyetje dominoi gjeopolitikën e dy dekadave të fundit, nëse Kina është një fuqi e status quo që do të vazhdojë të jetojë në përputhje me normat rajonale dhe ndërkombëtare apo nëse është një fuqi revizioniste gjithnjë e më e gatshme për të sfiduar hegjemoninë e SHBA-së.

Në vitet e fundit Uashingtoni ka shtuar përpjekjet e tij për të ndërtuar koalicione anti-Kinë në Indo-Paqësor e me tej ndërkohë që Kina etiketohet si “subversive” dhe vihet në qendër të vëmendjes për shumë aspekte, dhe ajo që nënvizohet më tepër është fjala “sfidë”.

Shenzhen

Shenzhen

Por, a është Kina një fuqi subversive dhe agresive siç është portretizuar? - Profesor John Gong, shprehet se Kina kurrë nuk ka bërë asgjë për të përmbysur qeveritë e huaja, nuk ka qenë e përfshirë në ndonjë luftë ‘satelitore’, ose ndonjë lloj ndërhyrje tjetër në vend të huaj për gati katër dekada. Ndoshta ndjenja në perëndim nuk ka të bëjë me Kinën që të jetë një shtet revizionist apo pushtet-përmbysës, por ka të bëjë më shumë me faktin se Kina po jep një shembull alternativ dhe ai shembull alternativ është një lloj eklipsimi i modelit që perëndimi ka promovuar. Modeli i zhvillimit të Kinës po bëhet tërheqës dhe nga këtu po vjen kryesisht e ashtuquajtura ‘‘sfidë’’. Kina nuk ka pasur kurrë qëllimin ose interesin të rishkruajë rregullat e sistemit ndërkombëtar, ajo që qeveria kineze ka shprehur vazhdimisht është se ata duan të jenë pjesë e saj.

Kina kaloi nga një vend i varfër agrar në një vend të madh industrial në shumë pak kohë, dhe ndryshe nga pritshmëritë, për këtë rritje Kina nuk ka pushtuar asnjë vend të vetëm, asnjë plumb të shtënë dhe kjo është e paprecedent në historinë njerëzore. Ngritja e çdo fuqie të madhe nga Athina në Romë, në perandorinë britanike deri në ngritjen e Amerikës, të gjitha u shoqëruan me gjakderdhje, kolonizim, skllavëri, luftëra. Rritja e Kinës ka qenë më e shpejtë në kohë sesa të gjitha ato dhe pa dhunë ose kërcënim, dhe në vend që të festohen këto arritje, ka vetëm antagonizëm dhe retorikë akuzuese. Për kinezët kjo është e pahijshme dhe deri diku zhgënjyese.

Fabrika e makinës

Fabrika e makinës

Hegjemoni, historia dhe e ardhmja

Historia politike na tregon se rendi botëror ka adaptuar norma të ndryshme kolektive dhe preferenca të përbashkëta nga një epokë në tjetrën. Në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, hegjemonia në përgjithësi i referohet aftësisë së një aktori për të formuar sistemin ndërkombëtar. Zakonisht ky aktor është një shtet, siç është Britania e Madhe në shekullin e XIX-të ose Shtetet e Bashkuara në shekujt XX dhe XXI. Hegjemonia si status quo tregon një situatë të asimetrisë së madhe materiale në favor të një shteti, që ka: fuqi të mjaftueshme ushtarake për të mposhtur sistematikisht çdo kontestues të mundshëm në sistem; kontrollon qasjen në lëndët e para, burimet natyrore, kapitalet dhe tregjet; ka përparësi konkurruese në prodhimin e mallrave me vlerë të shtuar; gjeneron një ideologji të pranuar që pasqyron këtë status quo; dhe diferencohet funksionalisht nga shtetet e tjera në sistem, duke pritur që të ofrojë të mira të caktuara publike si siguria, ose stabiliteti tregtar dhe financiar.

Një numër studiuesish kanë shqyrtuar rënien e hegjemonëve dhe rendin që ata diktojnë. Për disa, një rënie e tillë ka tendencë të jetë përçarëse sepse stabiliteti që siguroi hegjemoni i lëshon vendin një vakumi. Të tjerët kanë pohuar se bashkëpunimi mund të vazhdojë edhe gjatë rënies hegjemonike për shkak të institucioneve ose kontributeve të zgjeruara nga fuqitë jo-hegjemoniste.

Por, në këtë narrativë gjeopolitike nuk aplikohet dot rritja e Kinës pasi, shteti që “sfidon” hegjemonin, nuk ka asnjë trajtë hegjemonike brenda vetes. Në fakt, ngritja e Kinës u ka dhënë shteteve të tjera më shumë mundësi për të zgjedhur me kë merren ekonomikisht dhe politikisht. Prosperiteti i Kinës nuk vjen nga pushtimi i vendeve të tjera por përmes punës së pandalshme kombëtare ndër breza.

Kina nuk është kundërshtari i zakonshëm, dhe prandaj nuk ka kundërpërgjigje të zakonshme. Nuk mund të aplikohet mentaliteti i Luftës së Ftohtë me Kinën, pasi Kina nuk është Bashkimi Sovjetik. Ata kërkonin dominancë globale dhe ndërhyrja e sovjetikëve ishte prezent pothuajse në çdo shtet. Kina nuk akuzohet dot për ekspansion pasi, ka luajtur me rregullat e lojës që janë vendosur e diktuar nga Perëndimi, me pak fjalë rregullat e globalizimit.

Perceptimet e gabuara si baza e çdo keqkuptimi

Perceptimet e gabuara për Kinën vërehen edhe nga një shprehje e Napoleon Bonapartit që po merr terren vitet e fundit: “Lëreni Kinën të flejë, sepse kur të zgjohet do të trondisë botën”....por, siç shprehet Hajdar Muneka, ish-ambasador shqiptar në Kinë: “Në fakt, Kina asnjëherë nuk ka fjetur. As në periudhën e saj më të errët. Nga vështirësitë e saj ajo ka dalë edhe më e fortë. Sepse në vetëdijën e thellë të çdo kinezi është durimi dhe besimi në të ardhmen.”

Duke u rikthyer tek Josep Nye, ai shprehet se “metafora e Luftës së Ftohtë, edhe pse e përshtatshme, është disi “dembele” dhe potencialisht e rrezikshme. Ajo na errëson dhe na mashtron duke nënvlerësuar sfidën reale me të cilën përballemi – dhe duke ofruar strategji joefektive.” Për mirë dhe për keq, Kina dhe SHBA-të janë të lidhur në një “rivalitet bashkëpunues” që kërkon një strategji që mund të përmbushë ato dy gjëra kontradiktore - të konkurrojë dhe të bashkëpunojë - në të njëjtën kohë.

Së fundmi, zhvillimin e Kinës duhet parë në mënyrë racionale, pa ekzagjerimin e formave të ndryshme të teorisë së kërcënimit dhe duke mos përdorur interesat legjitime të Kinës si justifikime për manipulimin e politikës botërore. Më pak politikë, më pak ideologji dhe më shumë përfitime praktike për njerëzit. Afro tre dekada më parë në Kinë u shfaq doktrina e “Rritjes paqësore” – në atë kohë, shumë njerëz menduan se nuk ishte e besueshme, as e arritshme. Por po të shihet pas me kthjelltësinë e retrospektivës, kjo ngritje statusi tashmë ka ndodhur dhe nuk janë faktorë të jashtëm, por faktorë të brendshëm ato që përcaktojnë suksesin e rritjes së Kinës.

Në botën ende të mbërthyer nga pandemia, me ekonomitë që nuk po rimëkëmben, dhe me vështirësitë e konfliktit Ruso-Ukrainas, është shumë e lehtë të gjenden ‘armiq’ dhe të krijohen fushëbeteja fjalësh, por përshkallëzimi i diskursit agresiv në kohëra të tensionuara rrezikon të transformojë mentalitetin (e Luftës së Ftohtë) në paranojë - dhe paranoja ka sjellë vetëm efekte bumerang përgjatë historisë.

Dr. Marsela Musabelliu