Nga Chen Weihua shefi i Zyrës “China Daily” BE me seli në Bruksel

Unë mora një letër nga komuna në Bruksel, duke më pyetur, ashtu si dhe në letrat për banorët e tjerë - se çfarë mund të bëj për të ndihmuar refugjatët nga Ukraina, nga ofrimi i strehimit, shërbimit vullnetar dhe/ose dhurimi i parave. Përgjigja e ngrohtë, e shpejtë dhe solidariteti i paprecedentë në Belgjikë dhe vende të tjera evropiane përballë krizës së refugjatëve ukrainas është mbresëlënëse. Pavarësisht ndjenjës në rritje kundër imigracionit në disa vende anëtare të Bashkimit Evropian, shumë evropianë po i mirëpresin krahëhapur refugjatët ukrainas, të cilët përfshijnë një numër dërrmues grash dhe fëmijësh që kur qeveria ukrainase i ka ndaluar burrat e moshës 18 deri në 60 vjeç të largohen nga vendi. Familja mbretërore belge, për shembull, ka thënë se do të vërë në dispozicion tre nga pronat e saj për familjet e refugjatëve ukrainas pasi rreth 200,000 refugjatë ukrainas pritet të mbërrijnë në Belgjikë.

Anëtarët e forcave të armatosura gjermane ndihmojnë në regjistrimin e refugjatëve nga Ukraina në një qendër të sapokrijuar për të mbërriturit në Berlin.HANNIBAL HANSCHKE/REUTERS

Anëtarët e forcave të armatosura gjermane ndihmojnë në regjistrimin e refugjatëve nga Ukraina në një qendër të sapokrijuar për të mbërriturit në Berlin.HANNIBAL HANSCHKE/REUTERS

Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët tha të mërkurën se më shumë se 5 milionë refugjatë janë larguar nga Ukraina. Ndërsa më shumë se 2.8 milionë prej tyre kanë kërkuar strehim në Poloninë fqinje, mbi 757,000 kanë ikur në Rumani, mbi 471,000 në Hungari, pothuajse 427,000 në Moldavi dhe gati 343,000 në Sllovaki. Ndërsa rreth 550,000 kanë ikur në Rusi.

Komisioni Evropian, përveç shpalljes së masave të tjera për t'u marrë me krizën e refugjatëve, ka premtuar shuma të mëdha fondesh për të ndihmuar ukrainasit që ikin nga konflikti Rusi-Ukrainë, i cili shpërtheu pothuajse dy muaj më parë. Muajin e kaluar, BE njoftoi hapa për të ndihmuar vendet anëtare të sigurojnë mbrojtjen e të drejtave për arsim, kujdes shëndetësor, strehim dhe punë të atyre refugjatëve.

Përmes eventit global me moton "Ngrihuni për Ukrainën" më 9 prill të sponsorizuar nga Komisioni Evropian dhe qeveria kanadeze, rreth 9.1 miliardë euro (9.9 miliardë dollarë) u mblodhën për të ndihmuar ukrainasit e zhvendosur, brenda dhe jashtë vendit.

Zsolt Darvas i institutit "Bruegel" me bazë në Bruksel tha se pritja e refugjatëve ukrainas mund t'u kushtojë vendeve të BE-së mbi 40 miliardë euro këtë vit dhe bëri thirrje për një fond të dedikuar të BE-së për të menaxhuar barrën fiskale. Kriza humanitare e shkaktuar nga konflikti Rusi-Ukrainë është përshkruar si më e madhja në Evropë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore dhe njerëzit në Evropë duhet të vlerësohen për bujarinë e tyre në trajtimin e krizës.

Por mirëpritja e ngrohtë që populli evropian u ka bërë refugjatëve ukrainas ka ngritur pyetje mes shumë njerëzve pse refugjatët dhe azilkërkuesit nga vende të tjera, si Afganistani dhe Lindja e Mesme dhe vendet afrikane, janë trajtuar ndryshe. InfoMigrants.net, e cila i kushtohet mbulimit të lajmeve rreth emigrantëve, raportoi më 25 mars se njerëzit që kanë ikur nga Afganistani, Siria dhe Briri i Afrikës kanë pritur për ditë të tëra me shpresën për të hyrë në qendrën e vetme belge të regjistrimit në Bruksel për azilkërkuesit. drejtuar nga Fedasil (Agjencia Federale për Pritjen e Azilkërkuesve).

Në zgjedhjet presidenciale në Francë, nga 10 deri më 24 prill, refugjatët dhe emigracioni zunë një vend kyç. Si kandidatja e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, ashtu edhe anëtarët e kabinetit të Presidentit Emmanuel Macron kanë mbajtur fjalime nxitëse që synojnë refugjatët, shumë prej tyre myslimanë. Në Mbretërinë e Bashkuar, plani i kryeministrit Boris Johnson javën e kaluar për të dërguar azilkërkues në Ruandë është dënuar nga UNHCR dhe OJQ-të. Në fakt, Komisioni Evropian ka sanksionuar dhjetëra miliona euro gjatë viteve të fundit për të ndihmuar shtetet e BE-së të sigurojnë kufijtë e tyre dhe të ndalojnë refugjatët nga Afganistani, dhe nga Lindja e Mesme dhe vendet afrikane që të hyjnë në BE, pavarësisht faktit se këta njerëz po ikin nga konfliktet ashtu si refugjatët ukrainas.

Në fjalimet e tyre, shumë liderë të BE-së kanë thënë se "Ukraina është një prej nesh" dhe "i përket familjes evropiane", sikur të justifikojnë trajtimin e tyre prej “njerke” ndaj refugjatëve nga vendet jo-evropiane, të cilët shpesh janë njerëz të racave dhe ngjyrave të ndryshme. Shumë vende evropiane janë të njohura për donacionet e tyre bujare për kauzën globale humanitare, por bujaria e tyre nuk vlen njësoj për refugjatët nga Ukraina dhe vende të tjera.