Nuk është rastësi që qëndrimet e Kinës për ngjarjet ndërkombëtare, e konkretisht së fundmi lidhur me konfliktin e Ukrainës tërheqin gjithnjë e më tepër vëmendjen e mbarë opinionit publik ndërkombëtar duke u vënë në qendër të vëmendjes së tij. Ka shumë arsye për këtë interes dhe ndjeshmëri të madhe ndaj narrativës ‘çfarë thotë Kina’, por mbi të gjitha ‘sytë e drejtuar nga Kina’ nga pjesa më e madhe e komunitetit ndërkombëtar lidhen me faktin se ai shikon në qëndrimet e Republikës Popullore të Kinës frymën e paqes dhe të zhvillimit, objektivitetin dhe paanshmërinë sikurse edhe dëshirën për të ndihmuar në zgjidhje të konflikteve nëpërmjet dialogut dhe multilateralizmit duke e konsideruar OKB-në si institucionin më të përshtatshëm për çdo situatë. Autoriteti i Kinës dhe i popullit të saj ka kapur kuotat më të larta me kontributin e tyre në luftën e vërtetë për jetë a vdekje kundër pandemisë kovidiane duke ofruar ndihma në mbarë botën edhe pse po luftonte betejën e saj kundër virusit vdekjeprurës si dhe duke mbajtur gjallë ekonominë botërore në depresion me ritmet e larta të rritjes së saj ekonomike edhe në kohë krize. Ky ishte rasti më i fundit i solidaritetit kinez mbi unilateralizmin, i vetmohimit kinez mbi grykësinë e nxjerrjes së përfitimeve edhe nga vuajtja e popujve të tjerë në nevojë.

Ukrania.VCG

Ukrania.VCG

Duke iu përmbajtur kësaj linje politike, Kina ka ndjekur që në fillim konfliktin midis Rusisë dhe Ukrainës me seriozitet, shqetësim e interes për zgjidhjen e tij nëpërmjet dialogut e jo armëve, që mosmarrëveshjet të sheshohen në frymën e mirëkuptimit e dakortësisë së palëve ndërluftuese në të mirë të popujve të tyre, të cilët po i vuajnë mizorisht pasojat e luftës, dhe jo duke lejuar palë të treta ti hedhin benzinë zjarrit nën maskën e çjerrur të ndihmës.

E në rastin konkret strategët skifterë perëndimorë jo vetëm që manipulojnë me makinacione nga më monstruozet ta mbajnë ndezur këtë zjarr, por nga ana tjetër xhonglojnë për të përzier edhe vende të tjera të ashtuquajtura jo miqësore, që nuk ndjekin diktatin e tyre të imponimit të zgjidhjeve ala perëndimore.

Në fakt politika amerikane, dhe si vegël e saj edhe linja e drejtuesve më të lartë të NATO-s dhe të disa vendeve anëtare të saj, kanë qenë të karakterizuara nga strategjia e ‘izolimit’ të Kinës, veçanërisht gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, me lloj-lloj mënyrash e skenaresh, presionesh e kërcënimesh. Prandaj nuk habit kërkënd zhurma që po bëhet nga Perëndimit me burim Uashingtonin e Brukselin (ku është selia e aleancës politiko-ushtarake e Atlantikut Verior) lidhur me ‘rolin’ e Pekinit ne konfliktin ruso-ukrainas duke shpërndarë nëpërmjet mjeteve të tyre dizinformuese, që vetë pyesin e vetë përgjigjen, tymnajën e koncentruar në pretendimin se ‘Kina mbështet Rusinë’.

Ministri i Jashtëm i Kinës Wangyi

Ministri i Jashtëm i Kinës Wangyi

Në kundërshtim më çdo normë ndërkombëtare dhe me arrogancë që të kujton Luftën e Ftohtë të pas Luftës së Dytë Botërore drejtuesit e aleancës ushtarako-politike perëndimore kanë përshkallëzuar retorikën e tyre duke u bërë presion vendeve të ndryshme se si të sillen ndaj konfliktit në fjalë e madje të pajtohen me qëndrimet e tyre. Duke mos u ndalur në retorikë ata kanë guxuar të bëjnë edhe kërcënime sfiduese.

Në shënjeshtër ka qenë veçanërisht Kina dhe këtë radhë aktori kryesor i kësaj parade armiqësore anti-kineze është bërë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg që mban këtë post që nga tetori 2014.

"Ne kemi parë se Kina nuk është e gatshme të dënojë agresionin e Rusisë dhe Pekini i është bashkuar Moskës për të vënë në pikëpyetje të drejtën e kombeve për të zgjedhur rrugën e tyre", ka deklaruar kohët e fundit Stoltenberg pas një takimi të Ministrave të Jashtëm të NATO-s në Bruksel i cituar nga MassNews më 7 prill 2022. “Kjo është një sfidë serioze për të gjithë ne. Kjo e bën më të rëndësishëm që ne të qëndrojmë të bashkuar”, pretendonte Stoltenberg.

Nga ana tjetër, kreu i NATO-s i bëri thirrje Pekinit që të "përmbajë përgjegjësitë e tij si anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së" dhe "të shmang mbështetjen e përpjekjeve ushtarake të Rusisë".

Mirëpo me të vërtetë kreu i NATO- s beson se me kërcënimet e tij për sanksione nga SHBA dhe BE do të detyrojnë Kinën të hedh vallen sipas melodisë veri-atlantikase, me një fjalë të veprojë sikurse duan ata? Është tashmë fakt i pamohueshëm, dhe koha e ka provuar dhe po e provon gjithnjë e më tepër se kur ‘teshtitet’ ekonomia kineze, e dyta më e fuqishme në botë, drithërimat prej saj i ndjen tërë bota përfshi edhe SHBA e aq më tepër Evropa. Mentaliteti hegjemonist pjesë e të cilës janë sanksionet e strategjisë perëndimore ndaj kundërshtarëve është i vjetëruar, jo funksional në kohët e sotme kur multilateralizmi është bërë normë e rendit të ri botëror arkitektura e të cilit është në përfundim e sipër.

Ukrania.VCG

Ukrania.VCG

Nga ana tjetër, Zoti Stoltenberg gjoja nuk e kupton apo nuk e merr në konsideratë se për pjesën dërmuese të vendeve dhe popujve të Afrikës, Azisë, Amerikës Latine dhe disa rajoneve të tjera më të vogla të botës politika e sanksioneve u sjell ndërmend me zemërim dhe dhimbje kohën e kolonializmit dhe neokolonializmit, kur veç grabitjes së pasurive të pamata të çdo gjëje nën tokë, mbi tokë dhe sipër saj, Perëndimi që përfaqëson ai, ushtroi një genocid çnjerëzor, kreu masakra me armët më të tmerrshme përfshi edhe armët kimike, bombat me napalm e deri tek bombat me neutron në Vietnam, Laos, Kamboxhia; ai ndez, shuan e rindez konflikte rajonale në pjesë të ndryshme të botës për të mbajtur në punë makinën ushtarake. Zor se popujt e këtyre vendeve ua falin kolonialistëve të vjetër dhe të rinj genocidin mizor, grabitjen e pamëshirshme të pasurive e shfrytëzimin anti-njerëzor, përfshi gratë e fëmijët, të ushtruar prej tyre.

Ikja e njësive të dizintegruara ushtarake të NATO-s nga Afganistani është ngjarja më e freskët e komanduar nga Stoltenberg, është disfata e tij dhe e aleancës ushtarake që ai komandon. Por çfarë i kanë bërë atij vendi dhe populli pushtuesit veri-atlantikas me SHBA në krye me zjarr e hekur për dy dekada janë të paimagjinueshme në sytë e njerëzimit, të popujve me të vërtetë demokratë, kurse pasojat e lëna pas janë tmerrësisht të rënda për tu kapërcyer.

Takimi i 3-të i Ministrave të Jashtëm të Vendeve Fqinje të Afganit

Takimi i 3-të i Ministrave të Jashtëm të Vendeve Fqinje të Afganit

Por kur flet për sanksione, tash edhe kundër Kinës, Stoltenberg duhet ti tregojë popullit afgan si SHBA-ja e NATO-ja do të shpaguajnë për krimet makabre dhe gërmadhën që kanë lënë prapa në atë vend të mjerë. E ndërsa ai flet për sanksione kundër Kinës e ‘frenim’ të saj, Pekini zyrtar bashkë me vendet fqinjë të Afganistanit (Rusi, Pakistan, Iran, Taxhikistan, Turkmenistan dhe Uzbekistan) kanë shtuar përpjekjet konkrete për të ringjallur Afganistanin. Ky zotim u rikonfirmua në takimet shumëkombëshe të organizuara nga Kina më 30 mars 2022 në qytetin e lashtë Tunxi ku u diskutua mbi krizën ekonomike dhe financiare me të cilën po përballet Afganistani si dhe për vendosjen e stabilitetit polititik e social atje. Më shumë se 23 milionë afganas po vuajnë nga uria ndërsa 10 milionë fëmijë kanë nevojë për ndihmë urgjente për të mbijetuar. Nje plagë e dhimbshme antinjerëzore që la prapa ushtria e kryesuar nga Stoltenberg!!!

Ndërkohë a i shërben shmangjes së shtrirjes së konfliktit ruso-ukrainas kur në kulmin e kësaj krize Stoltenberg shantazhon për një qëndrim më ‘militant’ në marrëdhëniet me Kinën, shtetin ndër më të fuqishmit në botë. “NATO dhe partnerët tanë Azi-Paqësor kanë rënë dakord tani të rrisin bashkëpunimin tonë praktik dhe politik në disa fusha, duke përfshirë kibernetikën, teknologjinë e re dhe kundërinformimin”, deklaroi ai.

Vizione për të mbledhur aleatë kundër Kinës në Paqësor përçojnë edhe synimet e SHBA, Britanisë së Madhe dhe Australisë nëpërmjet aleancës së tyre të re 'AUKUS' të shpallur në shtator 2021. Ministria e Jashtme e Kinës e ka përshkruar aleancën trepalëshe si një përpjekje për të ndërtuar një "version Azi-Paqësor të NATO-s" një iniciativë militariste e cila është "e dënuar të dështojë".

Kina si çdo vend i pavarur dhe i lirë i botës, që e ka të shenjtë sovranitetin dhe integritetin e saj territorial si dhe zhvillimin e mirëqenien e popullit të vet ndjek politikën paqësore dhe bashkëpunuese, jashtë blloqeve e grupeve ushtarako –politike pa iu imponuar apo ndërhyrë në punët e brendshme të vendeve të tjera. Kjo linjë ka gjetur shprehje konsekuente dhe të paanshme edhe ndaj konfliktit midis Rusisë dhe Ukrainës që kur ai ka nisur e deri më sot, e kanë qenë të vazhdueshme thirrjet e autoriteteve më të larta të Pekinit për dialog e negociata midis palëve për një armëpushim ndërmjet dy vendeve dhe zgjidhje afatgjatë të çështjes së Ukrainës.

Pekini ka bërë të gjitha përpjekjet e mundshme për të nxitur paqen dhe angazhohet se do të vazhdojë të luajë një rol pozitiv në zgjidhjen e çështjes së Ukrainës, ka deklaruar solemnisht Presidenti Xi Jinping duke vënë në dukje se Kina do të vazhdojë të ofrojë ndihmë humanitare për Ukrainën dhe vendet e tjera të prekura.

Nga ana tjetër, Kina u ka bërë thirrje fuqive të mëdha të braktisin mendësinë e Luftës së Ftohtë, të heqin dorë nga përballja midis blloqeve dhe të ndërtojnë një arkitekturë të ekuilibruar, të efektshme dhe të qëndrueshme të sigurisë globale dhe rajonale. Këto ide Presidenti Xi Jinping ia parashtroi edhe homologut të tij amerikan Joe Biden në videobisedën që patën muajin e kaluar me kërkesën e këtij të fundit.

Sipas Xi-së, SHBA dhe NATO-ja gjithashtu duhet të zhvillojnë dialog me Rusinë për të zgjidhur thelbin e krizës në Ukrainë dhe për të zbutur shqetësimet e sigurisë si të Rusisë, ashtu edhe të Ukrainës. Xi paralajmëroi kundër ushtrimit të sanksioneve të gjithanshme e jodiskriminuese, duke thënë se, nëse përshkallëzohen më tej, ata do të shkaktojnë një krizë serioze në zinxhirët globalë të tregtisë, financave, energjisë, ushqimit dhe industrisë, do të dëmtojnë mirëqenien e njerëzve dhe do të përkeqësojnë ngadalësimin e ekonomisë botërore.

Duke ndjekur dinamikën e të gjithë ngjarjeve nuk ka asnjë dyshim se më shumë të shqetësuar për vazhdimin e pasojat e luftës në Ukrainë janë pjesa më e madhe e vendeve evropiane, udhëheqësit e tyre se sa presidenti amerikan Joe Biden apo kreu i NATO-s Stoltenberg. Ata i preokupon ky konflikt se, pikësëpari, ai po zhvillohet ne Evropë, jo në SHBA sikurse ka ndodhur gjithmonë, se pasojat ekonomike janë katastrofale edhe për ekzekutuesit e sanksioneve. Jo më të vogla janë pasojat politike në vende të ndryshme evropiane kur jo vetëm forcat politike por edhe shtresa të ndryshme të popullsisë janë të ndara në qëndrime. Udhëheqës evropianë i druhen destabilizimit të mëtejshëm të mundshëm, përshkallëzim të konfliktit përtej kufijve të Rusisë dhe Ukrainës prandaj nuk ngurojnë që të mbajnë kontakte me presidentin rus Vladimir Putin e udhëheqës të tjerë të Moskës. BE-ja e vende të shumta anëtare të kësaj organizate mbajnë kontakte intensive me udhëheqjen më të lartë të Pekinit, përfshi presidentin Xi. Evropa por edhe rajone të tjera të botës e kanë provuar historikisht se prerja e të gjitha urave të komunikimit nuk ka dhënë rezultat, përkundrazi ka mbajtur të ndezura flakët e luftës.

Mënyra se si autoritetet amerikane dhe aleanca atlantikase e komanduar prej Uashingtonit i qasen qëndrimit të Kinës ndaj konfliktit ruso-ukrainas evidenton synimin e SHBA, ndër të tjera, të rifitojë statusin e mëparshëm hegjemon ndaj vendeve aleate evropiane pas një periudhe të gjatë mosmarrëveshjesh si në fusha politike ashtu edhe ekonomike e ushtarake. Asnjëherë Uashingtoni nuk i ka parë me sy të mirë marrëdhëniet e frytshme midis Kinës dhe BE-së. Strateget amerikanë mendojnë se duke përdorur kartën e luftës së Ukrainës e dizinformacionet lidhur me qëndrimin e Kinës ndaj Rusisë të krijojnë të çara midis Kinës dhe BE-së.

Është rasti me pak radhë të vihet në dukje qëndrimi i dyfishtë diabolik perëndimor ndërmjet Kinës dhe Indisë ndaj luftës në Ukrainë dhe qëndrimit respektiv ndaj Rusisë. Është fakt se India, ashtu si Kina, nuk e ka dënuar kurrë Rusinë dhe sipas njoftimeve përmes blerjeve të naftës së papërpunuar nga Rusia, po e mbështet Moskën qartasi. Edhe nëse i është bërë Delhit ndonjë ‘paralajmërim’ askërkund nuk mund të krahasohet ai veprim me stuhinë anti-kineze, e cila duket që nuk ka të bëjë as me Rusinë e as me Ukrainën por me armiqësinë në rritje të SHBA-së ndaj atij vendi të madh në zhvillim të vrullshëm.

Natyrshëm mund të kuptohet se përpjekja e fundit amerikane ku po përdoret edhe kreu i NATO-s Stoltenberg nuk është ndonjë gjë e re në fushatën anti-kineze. Përkundrazi është vazhdim i të ashtuquajturës strategji të ‘rrethimit’ të Kinës por duke përdorur një konflikt të rrezikshëm ushtarak ne Evropën Lindore në këtë rast. Strategët amerikanë shfaqen si të paaftë (?) të kuptojnë se tashmë Kina dhe populli i saj prej 1.4 miliard njerëzish janë kthyer në një fuqi politike, ekonomike dhe ushtarake që shumë analistë e konsiderojnë superfuqi- e barabartë në mes të barabartëve në tryezën e fuqive të mëdha në këtë tokë. Sikurse nuk i janë bindur diktatit amerikan/ perëndimor më parë, Kina e populli i saj nuk i tremben inskenimit famëkeq të sanksioneve apo çdo presioni tjetër sepse kanë provuar historikisht mbi kurriz skenare nga më monstruozet të thurura në kancelaritë e tyre. Dhe kjo që po ngjet, për fatin e keq të politikëbërësve në Uashington e Bruksel (NATO) i përshtatet shprehjes: ‘Një stuhi në një gotë çaji“!
Genc Mlloja