Forumi Boao për Azinë (BFA) është një organizatë që mban takime të nivelit të lartë përfaqësimi nga politika, biznesi dhe akademia në Azi dhe kontinente të tjera, duke dashur të ndajë vizionin e tyre mbi çështjet më urgjente në këtë rajon dhe në botë në përgjithësi. Forumi, i njohur ndryshe si “Davosi aziatik”, e merr emrin e tij nga qyteti i Boao, në provincën Hainan të Kinës jugore, i cili ka qenë vendi i përhershëm për konferencën e tij vjetore që nga viti 2002. BFA është i përkushtuar për të promovuar integrimin ekonomik rajonal në Azi dhe më gjerë.

Kina i bashkëngjit rëndësi dhe vëmendje të veçantë kësaj platforme që prej krijimit të saj. Kjo vihet re dhe në ceremoninë e hapjes së Forumit në prill 2022, ku Presidenti Xi Jinping mbajti një fjalim të titulluar “Përballimi i sfidave dhe ndërtimi i një të ardhmeje të ndritshme përmes bashkëpunimit”. Në fjalën e tij Presidenti Xi vuri në dukje se ndryshimet aktuale paraqesin sfida që duhet të merren seriozisht. “Një rishikim i historisë njerëzore tregon se sa më të vështira bëhen gjërat, aq më e madhe bëhet nevoja për të qëndruar të sigurt.” – shprehet Xi. Duke vazhduar në fokusin e luftës anti-pandemike dhe nevojën për rimëkëmbje ekonomike, numri një i politikëbërjes kineze bën thirrje për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e njerëzve, për të koordinuar përpjekjet, për të promovuar një zhvillim global të balancuar dhe gjithëpërfshirës.

Kina propozon një “Nismë Globale të Sigurisë”

Në fjalën e tij në Forumin Boao Presidenti Xi shprehet se komuniteti ndërkombëtar duhet të punojë së bashku për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në botë. “Mentaliteti i Luftës së Ftohtë vetëm do të shkatërronte kornizën globale të paqes, hegjemonizmi dhe politikat e pushtetit vetëm do të rrezikonin paqen botërore dhe konfrontimi mes blloqeve vetëm do të përkeqësonte sfidat e sigurisë në shekullin e XXI” - vazhdon Xi.

Kjo shprehi nënkupton një përkushtim ndaj vizionit të sigurisë së përbashkët, gjithëpërfshirës, dhe bashkëpunues. Nënkupton respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të të gjitha vendeve, mosndërhyrjen në punët e brendshme, respektimin e rrugëve të zhvillimit dhe sistemeve sociale në vende të ndryshme dhe përkushtimin për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve. Ndarja e botës në blloqe përgjatë historisë ka sjellë vetëm shkatërrim e vuajtje, dhe në kohët tona fatkeqësisht po ravijëzohet në të ashtuquajturin “mentalitet i Luftës së Ftohtë”. Presidenti Xi bën thirrje për të refuzuar konfrontimet dhe mentalitetin e Luftës së Ftohtë, për të refuzuar standardet e dyfishta dhe përdorimin e pakujdesshëm të sanksioneve të njëanshme. Nga ana tjetër ai shprehet se duhet përqafuar një filozofi e qeverisjes globale që thekson konsultimin e gjerë, kontributin e përbashkët dhe përfitimet e përbashkëta. Presidenti Xi theksoi se gjatë dekadave të fundit, Azia ka gëzuar stabilitet dhe rritje të shpejtë, duke bërë të mundur mrekullinë ekonomike aziatike. “Le ta bëjmë Azinë një spirancë për paqen botërore, një fuqi për rritjen globale dhe një ritëm të ri për bashkëpunimin ndërkombëtar.” Xi e përfundoi fjalimin e tij duke venë në dukje se për sa kohë që bashkojmë duart do të jemi në gjendje të ndërtojmë sinergji të mëdha përmes bashkëpunimit duke kapërcyer sfidat për të sjellë një të ardhme më të ndritshme dhe më të mirë për njerëzimin.

Një elaborim i mëtejshëm i kësaj nisme

Dy ditë pas këtij fjalimi të Presidentit Xi, shefi i diplomacisë kineze Wang Yi shtjellon më tej “Nismën e Sigurisë Globale” dhe thekson se kombi Kinez do të jetë gjithmonë shtylla kurrizore e ruajtjes së paqes botërore. Wang shprehet se nisma kontribuon me mençurinë kineze për të kompensuar deficitin aktual të paqes, për të parandaluar konfliktin dhe luftën, dhe propozohet në një kohë kur njerëzimi përballet me mjegullën pandemike, tensionet në rritje në Ukrainë dhe kërcënime të ndryshme tradicionale dhe jotradicionale të sigurisë. Në një kohë si e tashmja, kur bota po përballet me një rrezik të paprecedentë përçarjeje, nisma i përgjigjet gjithashtu ndjekjes së përbashkët të multilateralizmit dhe solidaritetit global. Propozimi i përmbahet respektimit të sovranitetit dhe integritetit territorial të të gjitha vendeve, mbështet qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së dhe synon zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me mjete paqësore. Wang vuri në dukje se siguria e një vendi nuk mund të garantohet në kurriz të sigurisë së një vendi tjetër, as siguria rajonale nuk mund të garantohet duke zgjeruar blloqet ushtarake. Interesat e sigurisë së të gjitha vendeve janë të barabarta dhe të ndërvarura, dhe nuk duhet të injorohen dhe të shkelen sistematikisht me kalimin e kohës.

Përse Kina është aktori i duhur për të promovuar sigurinë globale?

Që nga themelimi i Republikës Popullore të Kinës, Kina kurrë nuk ka nisur një luftë, kurrë nuk ka pushtuar asnjë pëllëmbë tokë të një vendi tjetër, kurrë nuk ka marrë pjesë ose formuar ndonjë bllok ushtarak. Si fuqi e madhe botërore, Kina ka historik të shkëlqyer për çështjet e paqes dhe sigurisë. Për më tepër mbetet i vetmi vend që përfshin "respektimin në rrugën e zhvillimit paqësor" në Kushtetutën e saj dhe i vetmi nga pesë shtetet me armë bërthamore që është zotuar të mos jetë i pari që do të përdorë këto armë. Pavarësisht nga shtrirja e zhvillimit të saj, Kina nuk do të pretendojë kurrë hegjemoninë, zgjerimin, kërkimin e sferave të ndikimit ose përfshirjen në një garë armatimi dhe do të jetë gjithmonë e përkushtuar për të ruajtur paqen dhe qetësinë botërore, shprehet Ministri i Jashtëm Wang Yi. Kina ka përmbushur përgjegjësitë e saj ndërkombëtare dhe kjo nismë e re propozon që vendet të mbështesin me vendosmëri autoritetin e OKB-së dhe të praktikojnë së bashku multilateralizmin e vërtetë, duke iu përmbajtur zgjidhjeve paqësore dhe zgjidhjeve politike. Bota sot është larg nga të qenit paqësore dhe e qetë dhe kjo situatë nuk duhet të vazhdojë më, sepse bie ndesh me trendin e historisë moderne si dhe me sigurinë dhe mirëqenien e njerëzimit. Është në këtë kontekst që Presidenti Xi Jinping propozon “Nismën e Sigurisë Globale”, duke pasur parasysh avancimin e ndërtimit të një komuniteti me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin. Kjo nismë do të jetë një vizion i rëndësishëm që drejton përpjekjet për reformimin e sistemit të qeverisjes së sigurisë globale dhe zgjidhjen e vështirësive me të cilat përballet bota. Si vendi që parashtroi këtë nismë dhe si një e fuqi e madhe e përgjegjshme Kina ka mbajtur gjithmonë lart vlerat e paqes, zhvillimit dhe bashkëpunimit reciprok duke dhënë shembull edhe për fuqitë e tjera në botë.

Përse tani?

Është tepër e rëndësishme të ripërsëritet në këto kohë nevoja dhe angazhimi për paqe dhe stabilitet. Bota po përballet me sfida të pakonceptueshme pasi ngadalësimi global i rritjes ekonomike, përshkallëzimi i konfliktit Rusi-Ukrainë dhe pandemia ende e rrezikshme në shumë vende, bëjnë që destabilizimi të jetë në rend të ditës.

Nocionet dhe detajimi i tyre nuk mungojnë në narrativën e marrëdhenieve ndërkombëtare por nocionet duhet të përkthehen në veprime aktive sepse ruajtja e stabilitetit është themeli i prosperitetit botëror. Problemi nuk është se si të përkufizohen këto terma, problemi është nëse vendet, sidomos ato më të fuqishme, kanë vullnet politik për t'u përkushtuar ndaj këtyre qëllimeve. Ndërsa konflikti Rusi-Ukrainë vazhdon dhe efektet e tij duken përditë e më impaktuese “Nisma e Sigurisë Globale” e propozuar nga Presidenti Xi Jinping me një vizion për ruajtjen e sigurisë "të përbashkët, gjithëpërfshirëse, bashkëpunuese dhe të qëndrueshme" ofron zgjidhjen e Kinës për dilemat e sigurisë në botë. Kjo nismë konceptualisht qëndron mbi themelet politikës së jashtme të Kinës.

Bota është në një udhëkryq historik, zgjedhja e rrugës së duhur mund të bëjë ndryshimin midis katastrofës dhe shpresës. Në këtë udhëkryq Kina ofron zgjidhje, me një angazhim pragmatik dhe e gatshme për të kontriubuar në të mirën madhore dhe përfundimtare për të gjithë, paqen.

Dr. Marsela Musabelliu