Opinioni publik shpesh herë pompohet me lidhjet e veçanta midis Republikës Popullore të Kinës e Rusisë dhe bazuar në këtë perceptim bëhen diskutimet rreth konfliktit në Ukrainë. Ka analistë të cilët mbështesin në këtë lloj diskursi shenjën e barazimit midis asaj çfarë përfaqëson politika ndërkombëtare e Pekinit me atë të Moskës. Ndoshta në këtë perceptim ka ndikuar fjalia e presidentit kinez Xi, i cili më 4 shkurt 2022 i thoshte presidentit rus, Putin, se lidhjet dhe bashkëpunimi midis dy vendeve nuk ka asnjë kufi! Por ndikojnë në një perceptim të tillë edhe faktorë të tjerë dhe ndikime jashtë realitetit e të vërtetës.

Megjithatë ka një dallim të madh midis angazhimeve për bashkëpunim dhe interesave në këtë aspekt. Shtetet e mëdha krijojnë balanca të interesave të tyre, edhe pse ato mund të ndjejnë nevojën e bashkëpunimit dhe aleancave në kohë të caktuara. Nisur nga ky këndvështrim duket jo real vlerësimi se Kina përben rrezik, së paku për momentin, për Azinë dhe botën! Nuk duket një sjellje e zgjuar as përpjekja e ndonjë eksponenti perëndimor për ta shtyrë Kinën me akuza kundër saj drejt aleancës me Rusinë!

VCG

VCG

Prandaj janë të shumtë ata ekspertë dhe ndjekës nga afër të politikave kineze, të cilët mendojnë dhe besojnë ndryshe. Shumë prej tyre nuk shohin asnjë interes kinez në konfliktin e Ukrainës dhe madje besojnë se Pekini ka interesa imediate për përfundimin sa më të shpejtë të luftës. Gjermani Marilen Martin është njëri prej tyre. Ai beson se Kina ka nevojë që t'i jepet fund sa më shpejt kësaj lufte të pakuptimtë në Europën Lindore. Dhe të gjitha analizat, të cilat dëshmojnë këtë interes kinez çojnë në këtë përfundim.

Pekini ka investuar shumë në disa projekte që lidhin Europën me Kinën. Rruga e Mëndafshit është njëri prej tyre. Ndërsa prej më shumë se një dekadë është promovuar bashkëpunimi me formulën 17+1, midis Republikës Popullore të Kinës dhe vendeve të Europës Lindore, Juglindore e Qendrore. Lufta në Ukrainë prek pikërisht zonat e këtyre dy projekteve madhore. Për pasojë duhet të jesh naiv që të besosh se qeveria kineze ka ndonjë lloj interesi qoftë dhe periferik për luftë dhe konflikte në këto zona. Përkundrazi, stabiliteti është nevoja parësore e Kinës me qëllim realizimin e projekteve të paracaktuara të saj. Çdokush, po ashtu Fuqitë e mëdha, kur bëjnë projekte të mëdha investimesh, kujdesen për paqe, siguri e stabilitet të zonave ku operojnë. Projektet kineze të lartpërmendura nuk bëjnë përjashtim.

VCG

VCG

Ndërkaq lidhjet e Kinës me Ukrainën janë shumë të rëndësishme. Thuajse të gjitha projektet infrastrukturore, si hekurudha, rrugë, me qëllim që të lidhen përmes tyre portet janë arterie që I përkasin gjithashtu Ukrainës. Ato lidhin Kinën me Europën Perëndimore, duke kaluar përmes territorit të Ukrainës. E tillë është dhe hekurudha e projektuar nga Hollanda (Roterdami) kalon përmes Ukrainës në drejtim të Kinës. Madje Ukraina me territorin, pasuritë dhe portet e saj konsiderohet nga ana e Pekinit si një nyje nevralgjike dhe e rëndësishme për interesat e tij.

VCG

VCG

Prandaj dhe lufta në Ukrainë prek direkt interesat ekonomike të Kinës. Dhe nëse besojmë se ekonomia është themeli i ndërtimit të politikave të jashtme të shteteve dhe sidomos të Fuqive të Mëdha, atëherë duket qartë sesa e rëndësishme është për Kinën t'i jepet fund sa më parë konfliktit e luftës në Ukrainë. Prej vitit 2017 Ukraina është pjesë e një projekti të madh kinez për lidhjen me hekurudha të porteve detare që çojnë nga Europa në Kinë. Nëse shohim bilancin tregtar përmes këtyre porteve atëherë dallojmë se ata janë shumë të rëndësishme për Kinën, pasi përmes kësaj linje anijet kineze të tregtisë shkurtojnë rrugën e transportit. Nëse në vitin 2016 ishin realizuar 1600 udhëtime anijesh përmes kësaj linje, numri i këtyre udhëtimeve arriti në vitin 2021 në 14.000 gjithsej. Ndërkaq në vlerë mallrat kineze të përpunuara në vitin 2016 kapnin shumën prej 8 miliard dollarë amerikanë, kurse në vitin 2021 arritën shumën prej 75 miliard dollarë. Ky kapërcim i madh me gati dhjetë fish në vetëm pesë vite dëshmon për atë sesa jetike është Ukraina për Republikën Popullore të Kinës.

VCG

VCG

E gjithë kjo tregti mallrash dëmtohet rëndë nga rrjedhat e luftës. Ndërkohë Kina importon nga Ukraina rreth 30 përqind të të gjithë importit të drithërave. Po ashtu edhe produkte të tjera nga ato bujqësore e deri të industrisë ushtarake. Ndaj dhe profesori i Universitetit Amerikan të Uashingtonit, Joseph Torigian, beson se "Interesi i Pekinit është shumë i madh që t'i jepet fund luftës sa më shpejt"! Madje ai beson se ndërsa në publik ka një entuziazëm në lidhjet midis Pekinit e Moskës, ky entuziazëm lidhur me luftën në Ukrainë qëndron jashtë këtij konceptimi. Kjo sepse territori dhe deti ukrainas janë shumë të rëndësishëm për lëvrimin e mallrave midis kontinentit europian dhe Republikës Popullore të Kinës.

Në përfundim mund të thuhet se raporti dhe ruajtja e ekuilibrit të marrëdhënieve të Kinës me Rusinë nga njëra anë dhe me Ukrainën nga ana tjetër, është dhe do të mbetet edhe në të ardhmen boshti i politikës së Jashtme të Pekinit zyrtar. Për këtë arsye ndërmjetësimi i presidentit Xi, ose qeverisë kineze në zgjidhjen e krizës mund të sillte te përfundimi i luftës dhe rikthimi i paqes e stabilitetit në Ukrainë, në Rusi dhe në të gjithë Europën Lindore.

Enver Bytyçi