Për më shumë se dy vjet, Zhang Zhongde ka patur një mision: të luftojë Covid 19 sa herë që i kërkohet.

Pasi kaloi 72 ditë duke mbështetur Wuhan-in e Kinës qendrore në betejën epidemike në fillim të vitit 2020, numri dy i Spitalit Provincial të Guangdong të Mjekësisë Tradicionale Kineze ka përforcuar 10 nga fushatat e Kinës kundër Covid 19.

Pas betejës 266- ditore si ekspert mjekësor në 10 qytete të ndryshme anembanë Kinës, 58-vjeçari nxitoi në Hong Kong në mars, për të frenuar shpërthimin më të madh të virusit në rajon, vetëm dy muaj pasi kishte kapërcyer valën e mëparshme.

Fusha e tij e re e betejës është në “AsiaWorld-Expo” (AWE), një nga dy objektet kryesore të ekspozitave në Hong Kong. Tani ai është kthyer në një spital fushor për pacientët me Covid 19, përfshirë shumë të moshuar që vuajnë nga sëmundje kronike.

Ai drejtoi një ekip mjekësor prej 300 personash në qendrën financiare globale, ekipi më i madh që ai ka udhëhequr, për të mbështetur vendasit në luftimin e epidemisë, që gjithashtu tërhoqi shumë ekipe të tjera ndihme nga kontinenti për testimin, trajtimin dhe ndërtimin e objekteve.

Edhe pse ishte plotësisht i përgatitur, në fillim mbeti i habitur nga situata. Vala e pestë e Covid 19 nisi në fillim të këtij viti dhe pas Vitit të Ri Hënor, infektimet arritën kulmin me më shumë se 50,000 raste të konfirmuara të raportuara çdo ditë gjatë periudhës së pikut, ndërsa shumë pacientë, kryesisht të moshuar, vdiqën.

Prioriteti kryesor në luftën e Hong Kongut kundër epidemisë është reduktimi i vdekjeve, rasteve serioze dhe infeksioneve. Megjithatë, me rritjen shpërthyese të rasteve të konfirmuara, pati një mungesë serioze të stafit në spitalet publike të Hong Kongut. Për trajtimin e pacientëve me sëmundje kritike kishte nevojë urgjente për ndihmë.

"Ne duhet t'i ndihmojmë ata",- tha Zhang, i cili ishte vetë buzë vdekjes gjatë shpërthimit të SARS-it në vitin 2003 dhe i njeh shumë mirë vuajtjet e pacientëve dhe pafuqinë, ankthin dhe frikën e tyre.

Ai u diagnostikua me sindromën e rëndë akute të frymëmarrjes (SARS) kur luftonte sëmundjen në vijën e parë. I përhumbur nga një temperaturë e lartë për ditë e net, frymëmarrja iu bë aq e vështirë dhe rrahjet e zemrës aq të forta, sa miqtë dhe të afërmit menduan se Zhang nuk mund t'ia dilte. Për fat të mirë, ai u shërua pas rreth 40 ditësh trajtim.

"Kur shpërthimi i një epidemie mbingarkon një sistem lokal të kujdesit shëndetësor, ne jemi të detyruar të bëjmë gjënë e duhur dhe të ofrojmë mbështetjen tonë",- tha Zhang. "Lufta kundër epidemisë së Covid 19 është si të shuash një zjarr. Nëse zjarrfikësit lokalë nuk janë të mjaftueshëm, forcat nga vende të tjera do të jenë aty".

Ekipi i Zhang filloi duke u njohur me mjedisin dhe rrjedhën e punës. Anëtarët e ekipit u ambientuan për tri ditë dhe kaluan të gjitha testet për të qenë gati për të punuar. Më pas, ata mësuan për gjendjen e pacientëve dhe përmirësuan planin e trajtimit.

Përvoja e Zhang si një pacient i rikuperuar nga SARS, një guru në mjekësinë tradicionale kineze (TCM) dhe si mjek i vijës së parë gjatë përballjes me Covid 19 në dy vitet e fundit, ka bërë një ndryshim të madh. Fakti që Mjekësia Tradicionale Kineze ka zhvilluar një sistem të mirë teorik në trajtimin e shpërthimeve të sëmundjeve infektive i dha atij armë më të fuqishme për t'u marrë me misionin e ri në Hong Kong.

Të gjithë pacientët e shtruar në spitalin AWE do të vlerësohen nga një ekip mjekësh kinezë dhe perëndimorë. Nëse është e përshtatshme, pacienti mund të marrë trajtim bazuar në mjekësinë tradicionale kineze mbi baza vullnetare. Tani, ekipet e mjekësisë kineze dhe perëndimore punojnë së bashku për konsultimet dhe trajtimin e pacientëve.

"Plani aktual po funksionon shumë mirë. Është rezultat i bashkëpunimit midis Hong Kongut dhe mjekëve kontinentalë",- tha ai.

Zhang vuri në dukje se gjithnjë e më shumë njerëz në Hong Kong po përqafojnë qasjen e adaptimit të TCM në trajtimin e Covid 19 dhe qeveria e Rajonit Special Administrativ të Hong Kongut është zotuar gjithashtu të lehtësojë kufizimet në sistemet dhe politikat aktuale për të ofruar më shumë mundësi për zhvillimin e TCM në Hong Kong.

Me punën e palodhur të të gjitha palëve, vala e pestë e epidemisë në Hong Kong ka vijuar së fundmi trajektoren e saj rënëse, me numrin e rasteve të konfirmuara, të rënda dhe vdekjeve që bie çdo ditë.

Zhang është optimist: "Ne do të vazhdojmë të jemi të bashkuar dhe të luftojmë epideminë drejt një rezultati të suksesshëm".