Sapo konflikti Rusi – Ukrainë u shfaq në horizont, ende pa filluar mirë luftimet, ekonomia botërore filloi marramendjen. Me përjashtime të pakta, si për shembull ekonomia kineze, japoneze, australiane, etj., pothuajse të tërë vendet e tjera të botës e ndjenë ndikimin e këtij konflikti në pakësimin e rezervave të mallrave të konsumit të përditshëm dhe në rritjen e kërkesës për energji të të tëra llojeve.

Në fillim, qeveritë u përpoqën që të përballonin këtë situatë me ndërhyrje me anë të politikave lehtësuese fiskale e monetare, por me kalimin e ditëve dhe javëve, u kuptua se përshpejtimi i bjerrjes së parametrave makroekonomikë dhe përkeqësimi i gjendjes ekonomike, që në fund të fundit shfaqet në çmimet e mallrave të konsumit, ishte e pamundur që të ndalej.

Sot, në mbarë botën perëndimore dhe në shumicën e vendeve të tjera të botës çmimet e mallrave të konsumit, si çmimet e energjisë, çmimet e drithërave të bukës dhe çmimet e mallrave industriale si, teknologjitë IT, teknologjitë bujqësore dhe agrobiznesit, teknologjitë e përpunimit të metaleve dhe prodhimit të makinerive e pajisjeve, etj, janë në rritje. Por kjo është vetëm një nga aspektet e shumta ku ky konflikt ndikon.

VCG

VCG

Aspekte të tjetra ku ky konflikt ka ndikuar në një masë të madhe krahasuar me ngjarje të tjera të rëndësishme botërore, është edhe zgjerimi i diferencimit midis të pasurve dhe të varfërve, përkeqësimi i kushteve të bërjes së biznesit në rang botëror dhe varfërimi i mëtejshëm i vendeve ekonomikisht të varura nga ekonomitë e tjera, gjë që shprehet në rritjen e borxhit publik, rritjen e nivelit të taksave, uljen e konsumit të mallrave të përdorimit të përditshëm dhe atyre industrialë, uljen e investimeve, etj

Paralelisht me sa më lart, për shkak të masave të marra nga Perëndimi, rënia e vlerës së rublës dhe rritja e normës së interesit nga ana e bankave qendrore, çorienton sjelljen konsumatore dhe të ekonomive individuale në shkallë globale.

Rusia ka marrë shumë hua në tregjet ndërkombëtare, por ulja e rankimit të ekonomisë ruse në nivelet më të ulëta të mundshme nga ana e Moody dhe Standard & Poors, bën që Rusia të ketë vështirësi në kthimin e huave, që në tërësi përbëjnë një shumë e madhe për t’u lënë mënjanë nga huadhënësit amerikanë, britanikë, evropianë, etj.

Rënia e vlerës së aksioneve të kompanive ruse në bursë shqetësoi tregjet financiare, që tashmë po sillen me një maturi që ndikon psikologjikisht në perceptimin që kanë investitorët për të ardhmen e ekonomisë globale në periudhën afatmesme dhe afatgjatë.

VCG

VCG

NASDAQ u luhat midis -20% deri në 10%, kur në kushte paqeje rritja prej deri në 25% do ishte e garantuar, shtuar këtu edhe efektin e ngritjes së shpejtë të ekonomisë pas kalimit të pandemisë, nëse pandemia nuk do pasohej nga ky konflikt.

Edhe tregjet e vendeve në zhvillim patën një rënie totale rreth 4 – 5%.

Duket se stagflacioni, një kombinim i rritjes së ulët ekonomike shoqëruar me inflacion e papunësi të lartë, po shfaqet në horizont.

Rusia preku rezervat e arit dhe me to doli në tregjet ndërkombëtare, por ajo ka ende shumë rezerva valutore, të diversifikuara nën ruajtje në vende të ndryshme si në Kinë, Francë, Japoni, etj., por që duket se do i prekë për shkak të konfliktit. Nëse kjo do ndodhë, atëhere në ekonominë globale edhe pse qeveritë do përpiqen të grumbullojnë para nga publiku për efekt të shpenzimeve publike, norma e interesit për bono thesari do vijë në ulje, gjë që do pengojë investimet publike dhe buxhetin e shtetit të vendeve që tashmë janë përfshirë në konflikt në një mënyrë apo në një tjetër, duke përkeqësuar edhe më tej parametrat makroekonomikë të ekonomisë së tyre individuale. Kjo do përbëjë një efekt domino, nga i cili vetëm ekonomi të konsoliduara dhe të papërfshira në konflikt do të mund t’i bëjnë ballë.

VCG

VCG

Nga ana praktike, pakësimi i rezervave të drithërave të bukës dhe yndyrave ushqimore, si dhe pakësimi i ofertës për lëndë të para e burime minerare në formë likuide, të gaztë dhe të ngurtë si hidrokarbure (naftë e gaz), hekur, nikel, krom, mangan, etj., ka goditur rëndë strukturën dhe superstrukturën mbi të cilën ndërtohen institucionet dhe tregjet në vendet e varfra dhe në zhvillim.

Një nga çështjet kryesore që preket nga ky konflikt, që ka një ndikim shumë të madh në ekonominë globale është logjistika. Ndërprerja dhe dëmtimi i zinxhirit të furnizimit në rrugët automobilistike, hekurudhore, detare, ajrore dhe me tubacione për shkak të konfliktit, bën që jo vetëm ekonomia e Rusisë dhe Ukrainës, por edhe ajo evropiane dhe më tej të synojnë riorganizimin dhe gjetjen e rrugëve të tjera për rindërtimin e zinxhirit të furnizimit dhe kjo përbën një kosto tjetër shumë të madhe për ekonominë globale, për shkak të presionit në çmime që sjell ky riorientim i përcjelljes së produkteve dhe shërbimeve nga prodhuesi te konsumatori përfundimtar.

Meqenëse Rusia dhe Ukraina janë dy nga vendet që furnizojnë në një masë të madhe ekonominë botërore me lëndë të para, materiale dhe pajisje si dhe me produkte gjysmë të gatshme dhe përfundimtare, për shkak të devijimit të një pjese të madhe të veprimtarisë prodhuese të këtyre vendeve në mbështetje të luftës, në ekonominë botërore është krijuar një vakum për mallra dhe shërbime, dhe, nëse konflikti nuk mbaron shpejt, ky vakum edhe mund të mbyllet, por kosto e mbylljes së këtij vakumi do jetë shumë më e madhe se sa kosto e mbylljes së konfliktit.

Edhe izolimi i këtyre dy ekonomive për shkak të luftës si për shkak të sanksioneve ndaj Rusisë, ashtu edhe për shkak të efekteve psikologjike të (mos) bërjes së biznesit me Ukrainën, sjell bllokimin e dy prej ekonomive më të mëdha në botë, që ve në vështirësi shumë të mëdha partnerët ekonomikë dhe tregtarë të këtyre dy vendeve, partnerë që vetë nga ana e tyre kanë partner të tjerë tregtarë, ekonomitë e të cilëve janë të varur nga këto zhvillime.

VCG

VCG

Për shembull, Italia është një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të yndyrave vegjetale, por që lëndën e parë e merr kryesisht nga Ukraina dhe Rusia. Italia është një nga eksportuesit më të mëdhenj në botë të yndyrave vegjetale të përpunuara dhe rritja e çmimit të këtyre yndyrave ndikon në çmimin me pakicë të vajit të lulediellit, me anë të të cilit gatuajnë pothuajse të tëra amvisat në shumë vende të botës. Po kështu edhe me grurin, që shndërrohet në miell edhe me naftën bruto që shndërrohet në benzinë, kerosen, etj.

Por, padyshim që një ndikim të madh ka konflikti në sektorin e turizmit. Prej vitesh turistët rusë dhe ukrainas kanë qenë vizitorë të natyrshëm në Mesdhe, Ballkan, Azi e Paqësor. Tashmë kjo nuk është e mundur. Kjo do të thotë se nga tregu i turizmit hiqen miliona e miliarda dollarë. Kjo ndikon për keq në punësimin në këtë sektor dhe në investimet e mëtejshme, për shkak të pakësimit të fitimit të operatorëve turistikë.

Por, në fund të fundit ky konflikt tregoi se jo vetëm që Rusia nuk është më e dyta në botë për nga fuqia, por që edhe Amerika së shpejti nuk do jetë më e para për këtë çështje. Kjo bën që këto dy superfuqi, për shkak të humbjes së pozitës së tyre, të marrin vendime nën kushtet e pasigurisë dhe presionit të humbjes së pozitave në tregjet ndërkombëtare, gjë që ndikon në ekonominë botërore me një shtim të kostove, që po bëhen më të papërballueshme në rang global.

Nga: Dr. Enriko Ceko