E ndërsa mbi tokën ukrainase që nga 24 shkurti vazhdojnë luftimet e ashpra, shumë pak metra poshtë tankeve, ekziston “paqja” dhe vëllazëria. Mbi 45 mijë kilometrat e tubacioneve që transportojnë gazin rus drejt Evropës, as nuk e dijnë se lart po luftohet e, aq më pak, përse. Asnjë raketë apo bombë inteligjente, qoftë edhe nga ato “budallaqe” që, në 53 ditë kanë goditur spitale e maternitete, kisha, shkolla e teatro, për çudi nuk kanë prekur asnjë centimetër të këtyre tubacioneve.

Nga gazsjellësi më i madh rus që kalon nëpër Ukrainë dhe që paradoksalisht quhet “Bratsvo” (Vëllazëria), Rusia përfiton çdo ditë 700 milion euro, ndërsa Ukraina rreth 2 miliard euro në vit. Vetëm në 50 ditët e para të luftës në Ukrainë, europianët i kanë paguar Rusisë plot 36 miliardë dollarë, ndërsa Rusia mendohet të ketë humbur deri tani nga kjo luftë vetëm 20 miliardë. Pagesat vazhdojnë pavarësisht se shumica e bankave ruse janë sanksionuar dhe privuar nga Kodi SWIFT, por Gazprombank ku kalojnë këto pagesa, çuditërisht nuk është këtë listë “të zezë”. Madje kjo bankë ruan ortakërinë e saj prej miliarda eurosh edhe me institucione financiare perëndimore, dy prej të cilave banka shumë të njohura në Itali, njëra syresh, me filial edhe në Shqipëri. Por çudia më e madhe është se ndërsa gjatë natës rusët bombardojnë Ukrainën, në mëngjes Moska kryen pagesat e tranzitimit të gazit të saj për Kievin. Sipas kompanisë ukrainase “Naftgaz”, rusët kanë vazhduar t”i paguajnë detyrimet rregullisht Ukrainës edhe gjatë këtyre ditëve të luftës...

Por paradokset nuk mbarojnë këtu. Evropianët vazhdojnë të kërcënojnë çdo ditë Rusinë me sanksione edhe më të ashpra, por kur përmendet fjala gaz, të gjithë kujtohen se “divorci” me gazin rus, kërkon të paktën një dekadë. Aq më tepër, që gazi rus është jo vetëm më i miri në treg, por edhe më i liri. Nga ana tjetër, Rusia kërcënon se do ta shesë gazin e saj vetëm me Rubla, por çdo ditë vazhdon t’i marrë me më shumë dashuri 700 milion eurot e perëndimorëve. Ndërkohë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, vazhdon t’i kërkojë me ngulm aleatëve të tij europianë që të bojkotojnë gazin rus, por rubinetin që e ka vetë në dorë, të paktën atë të tubacioneve që kalojnë nëpër Ukrainë, edhe ai nuk e mbyll.

Në fakt “lufta” ndaj Luftës që bëhet sot ngjan me një demagogji, sepse lufta në Ukrainë as kishte filluar kur çmimi i gazit fluturoi në qiell. Nga janari i vitit të kaluar deri në dhjetor 2021, çmimet regjistruan një rritje astronomike, 500 për qind për gazin dhe rreth 400 për qind për energjinë elektrike. Nga 19 euro kilowat/orë në janar, në 21 dhjetorin e kaluar u arrit shifra rekord prej 180 euro. Specialistë të fushës pretendojnë se në vitin 2021 kishte edhe disa shkaqe të tjera që çuan në këtë situatë, si thatësira në Brazil (ulja e kapacitetit të tyre për të prodhuar energji nga hidrocentralet); rënie e prodhimit në Detin e Veriut, deri te blerja e sasive të mëdha të gazit nga Kina, e cila nuk njohu recesion nga Covid 19 sikurse pjesa tjetër e globit. Por a mjaftonte vetëm kaq?1

Kur sulmi mbi Ukrainë nuk besohej as nga vetë presidenti Zelensky, kompanitë e mëdha në ndërmjetësimin e lëndëve të para hidrokarbure, e kishin fituar “Luftën”. Gjigandi holandez, Vidol, nga 140 miliardë dollarë xhiro në 2020-ën, arriti në 279 miliardë në 2021-in (plus 99 për qind); shumëkombëshja Trafigura me bazë në Singapor, nga 147 miliardë dollarë u ngrit në 231 (57 për qind më shumë); ndërsa anglo-zviceranët e Glencore, nga 145 miliardë në 207 miliardë (plus 42 për qind). Përveç ndërmjetësve, në festë nuk kishin si të mungonin as kompanitë e mëdha financiare të Wall Street, si Morgan Stanley dhe Goldman Sachs, të cilët spekuluan gjithashtu në rritjen e kostos së gazit. Të gjithë të misipërmit e kishin fituar “Luftën” pa nisur ende ajo dhe… pa zbrazur asnjë fishek. Media serioze europiane zbulojnë se kompanitë e mëdha të naftës si Exxon, Shell, BP dhe Eni kishin shpenzuar mbi 90 milionë euro në pesë vitet e fundit për lobim në Bruksel, duke përfituar jo vetëm politika të favorshme gazi nga Komisioni dhe Parlamenti Europian, por edhe miliarda fonde për tubacione të reja me Rusinë. Nuk është rastësi që mjaft politikanë të lartë europianë pas lënies së mandatit të tyre politik, kishin marrë role të larta drejtuese në Gazprom, “ylli” i të cilëve mbetet gjithmonë ish-kancelari gjerman Gerhard Schroder.

Ndërkohë, edhe tani që shkruajmë, lart mbi tokë, ende luftohet. Qindra-mijëra jetë nuk janë më, miliona të tjerë janë ndarë nga shtëpitë, familja dhe toka e tyre në Ukrainë. Por, ndryshe nga lart, shumë pak metra poshtë tankeve dhe bombardimeve, ende ekziston paqja dhe vëllazëria…Aty Lufta është fituar.(Foto:VCG)

Edmond Laçi