Tregtia e jashtme e Kinës ruajti trajektoren e saj të rritjes në tremujorin e parë të 2022, pavarësisht sfidave dhe rreziqeve gjithnjë e më komplekse të brendshme dhe të jashtme.

Importet dhe eksportet totale të vendit u zgjeruan 10.7 për qind nga viti në vit në 9.42 trilion juanë në tre muajt e parë, treguan të mërkurën të dhënat nga Administrata e Përgjithshme e Doganave (GAC).

Në terma të dollarëve amerikanë, tregtia e jashtme totale arriti në 1.48 trilion dollarë amerikanë në periudhë, duke u rritur 13 për qind nga viti në vit, treguan të dhënat.

Eksportet u rritën 13.4 për qind nga viti në vit në 5.23 trilion juanë, ndërsa importet u rritën 7.5 për qind në 4.19 trilion juanë gjatë periudhës, duke çuar në një suficit tregtar prej 1.04 trilion juanë, treguan të dhënat.

Përsa i përket llojeve të mallrave, eksportet e produkteve mekanike dhe elektrike u zgjeruan me 9.8 për qind duke zënë 58.4 për qind të totalit, ndërsa eksportet e produkteve me intensitet të punës u rritën me 10.9 për qind në tremujorin e parë, tregojnë të dhënat e GAC.

"Tregtia e jashtme e Kinës ka ruajtur vrullin e rritjes dhe ka shënuar një zgjerim pozitiv nga viti në vit për shtatë tremujorë radhazi, gjë që tregon elasticitetin dhe potencialin e saj të madh," tha Li Kuiwen, zëdhënës i Adminsitratës së Doganave, në një konferencë për shtyp.

Importet dhe eksportet e Kinës me partnerët e saj kryesorë tregtarë, ASEAN, Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, u rritën përkatësisht 8.4 për qind, 10.2 për qind dhe 9.9 për qind nga një vit më parë, në tre muajt e parë.

Tregtia e Kinës me vendet e Brezit dhe Rrugës pa një rritje mbresëlënëse me 16.7 për qind nga një vit më parë në 2.93 trilion juanë në periudhën janar-mars.

Tregtia midis Kinës dhe 14 anëtarëve të tjerë të Partneritetit Ekonomik Gjithëpërfshirës Rajonal u zgjerua me 6.9 për qind nga viti në vit në 2.86 trilion juanë, duke përbërë 30.4 për qind të totalit të tregtisë së jashtme të Kinës në këtë periudhë.

Li ia atribuon rritjen e qëndrueshme të importeve dhe eksporteve të Kinës ekonomisë elastike të vendit dhe rritjes së kërkesës globale për mallrat kineze mes rimëkëmbjes.

“Tendenca e përgjithshme e rimëkëmbjes së ekonomisë botërore mbetet e pandryshuar dhe kërkesa globale për produktet kineze është ende në zgjerim”, tha Li.

Politikat juridike të qeverisë ndihmuan gjithashtu në stimulimin e vitalitetit dhe forcimin e elasticitetit të subjekteve të tregut që merren me tregtinë e jashtme, shtoi Li, duke cituar se numri i ndërmarrjeve që angazhohen në tregtinë e jashtme në vend u rrit në 432,000 në tremujorin e parë të vitit.

"Tregtia e jashtme e Kinës arriti një fillim të qëndrueshëm në tremujorin e parë të vitit, duke hedhur një bazë të mirë për të kapërcyer objektivin e gjithë vitit," tha Li.

Ai paralajmëroi se duhen bërë përpjekje më të mëdha për të arritur qëllimin pasi vendi përballet me sfida dhe rreziqe të shumta, një bazë të lartë nga viti i kaluar, si dhe disa "faktorë të papritur të brendshëm dhe të jashtëm që i kanë tejkaluar pritjet".