Megjithëse rezultati i zgjedhjeve në Hungari ishte i pritshëm, përsëri ai i tejkaloi kufijtë e sondazheve. Me mandatin e katërt, të rikonfirmuar përmes një triumfi elektoral, Orban bëhet kështu udhëheqësi më jetëgjatë në vendet e Bashkimit Europian. Brukseli e ka parë me shqetësim rizgjedhjen e shtetarit të pabindur ndaj kornizave burokratike dhe menjëherë ka filluar sulmin ndaj tij. Por kjo nuk është shumë shqetësuese për Viktor Orban, që tashmë ka çimentuar pushtetin e vet dhe i imponohet hungarezëve në atë masë sa e votojnë masivisht.

Orban ka gati dy dekada që ka ditur të mbajë ekuilibre si me vendet anëtare të BE-së, të marrë përfitimet e benefitet që sjell anëtarësimi në klubin e Bashkimit Europian, por në të njëjtën kohë ka ruajtur dhe ka thelluar marrëdhëniet me Presidentët Xi Jinping, Vladimir Putin dhe Donald Trump kur ishte në pushtet. Kjo qasje balancuese e komunikimit dhe marrëdhënieve është paragjykuar më shumë në Bruksel se sa në kancelaritë e tjera dhe kritikat ndaj tij kanë qenë të ashpra. Pas fitores në zgjedhjet e fundit, Orban deklaroi se marka e tij e konservatorizmit liberal përfaqëson të ardhmen e Evropës. Kjo është një sfidë për pjesën tjetër të BE-së.

Diplomatë e analistë të ndryshëm vijojnë të kërkojnë shkaqet e përsëritura të fitores së Orban e ndërkohë të shikojnë se si mund t’i ngushtohen shtigjet e komunikimit liderit të konfirmuar hungarez. Ndërkohë vetë Orban, vazhdon i qetë me politikat e tij, në përpjekje për të qenë i ekuilibruar në të gjitha llojet e raporteve e marrëdhënieve, pa i parë gjërat me emocionet dhe rrjeshtimet euforike të momentit. Ai nuk qëndron rastësisht në pushtet dhe as përmes efekteve të demagogjisë. Fushata e tij ishte konkrete dhe ndryshe nga e kundërshtarëve të vet politikë, opozitës së përçarë. Partia Fidesz në këto zgjedhje arriti të mobilizojë zgjedhësit shumë më mirë se sa pritej, duke realizuar rezultate jashtë parashikimit edhe në ato bastione ndër të cilat opozita i parashikonte si të sajat dhe të sigurta në fitore. Retorika dhe komunikimi i Orbanit bënë që të shënonte një kurbë rritëse e gjithë trajektorja elektorale. Ai nuk u kursye në fushatë të fliste kundër politikave shtrënguese dhe pa shumë jetë të Brukselit, të fliste kundër rritjes së shpenzimeve, të kritikonte hapur politikat e George Sorosit dhe ndërhyrjet brutale të tij në politikat e brendshme të vendeve të ndryshme, gjë që ka sjellë jo pak mungesë stabiliteti dhe ka mbështetur abuzivizmin e hapur me pushtetin, ka folur kundër migrimit dhe tani është shfaqur kundër luftës, duke u përpjekur që të analizojë në thellësi shkaqet dhe të mos bjerë në prehrin e gabimeve sipas tij të njërit bllok kundër tjetrit.

Fitorja erdhi ndërsa lufta është ndezur më Ukrainën fqinje dhe Orban ka ditur ta administrojë frymën “e mitingut rreth flamurit”, i cili i sheh votuesit të favorizojnë liderët politikë në kohë krizash ndërkombëtare. Orban në mënyrë dramatike tonin e fushatës së tij pas ngjarjeve në Ukrainë, duke i portretizuar zgjedhjet si orientim midis paqes dhe stabilitetit ose luftës dhe kaosit. Opozita bëri thirrje që Hungaria të mbështesë Kievin dhe të veprojë në unison me Bashkimin Evropian, ndërkohë që mediat proqeveritare i analizonin këto thirrje si një kërkesë për të tërhequr Hungarinë në konflikt.

Shikimi i gjërave vetëm nga një kënd i ngushtë, i interesave ekonomike e politike dhe e dominancës vetëm nga një fuqi është një perspektivë e zymtë zgjidhjeje e situatës sipas Orban. Fidesz gjatë fushatës u shpreh se është në anën e paqes, duke nënvizuar se Hungaria nuk do të bëjë furnizime me armë, nuk do të dërgojë trupa paqeje në Ukrainë dhe nuk do të miratojë sanksione që rrezikojnë furnizimin me energji të Hungarisë. Madje ai tha që do ta blejë naftën me rubla, ashtu siç kërkoi Putin. Në këtë moment kritikat ndaj tij janë shtuar, duke e quajtur edhe prishës së unitetit evropian. Orban i kishte paralajmëruar me kohë këto qëndrime dhe nuk kishte asgjë të papritur në kursin e tij politik.

Kur në mesin e muajit mars udhëtuan drejt Kievit kryetarët e qeverive të Polonisë, Çekisë dhe Sllovenisë, ai u nis në një drejtim tjetër. Ishte në Beograd për vizitë tek Aleksandar Vuçiç, i cili fitoi edhe ai zgjedhjet në mënyrë të përsëritur si aleati i tij hungarez. Mesazhi që Orban dha me këtë rast ishte i qartë. Vendimi i Orban për të treguar një kurs ndryshe, ishte jo shumë i lehtë, pasi vendet e Vishegradit përgjithësisht kanë qenë të sinkronizuara në politikën e jashtme dhe përballë blloqeve të ndryshme. Por brenda vendit ai vazhdon të gëzojë mbështetje dhe disa masa me karakter ekonomik përpara zgjedhjeve i kanë rritur reputacionin. Ndërkohë opozita hungareze , ashtu si edhe ajo në Serbinë fqinje, shfaqi mungesë koherence e vizioni dhe një apati në veprimin politik.

Peter Marki–Zay, kandidati kryesor i opozitës u shfaq pothuaj gjatë gjithë fushatës pa mbështetës që i jepnin garancinë e fitores dhe sigurinë që njerëzit të përqafonin programin e tij. Si një ish mbështetës i dikurshëm i partisë Fidesz, ai kishte kredenciale të pamjaftueshme për të patur një rezultat që i jepte ndjenjë fitoreje. Epërsia e qartë ndaj kandidates socialdemokrate dhe rivales së tij Klara Dobrev në zgjedhjet paraprake opozitare, krijuan përshtypjen se 49 vjeçari Peter Marki-Zay do të ishte një kandidat serioz dhe i vështirë për kryeministrin aktual. Gjashtë parti opozitare, të përçara më parë, por akoma pa gjetur një sinergji e sinqeritet bashkëpunimi, nga e majta, ekologjistët e deri tek konservatorët e krahut të djathtë, ranë dakord përmes zgjedhjeve të kenë një kandidat të përbashkët. Ashtu edhe ndodhi, por rezultati ishte zhgënjyes. Dobrev, nënkryetare e Parlamentit Evropian kishte një përvojë politike shumë më të madhe se sa Peter Marki-Zay dhe udhëheqja e opozitës prej saj, shikohej realisht me më shumë optimizëm e siguri. Martesa e saj me ish kryeministrin hungarez Ferenc Gyurcsany bëri që në raundin e dytë të zgjedhjeve paraprake Dobrev të humbasë, pasi do i jepte Orban mundësi për ta sulmuar në shumë plane. Partia e së djathtës ekstreme “Mi Hazank” arriti të dalë përtej parashikimeve dhe të jetë pjesë e parlamentit të ardhshëm.

Si një parti satelite e Fidesz-it pritet që në të ardhmen ajo të mbështesë maxhoranxën, kësisoj pozitat e Orbanit do të jenë edhe më të forta, megjithëse ka votat e mjaftueshme për të qeverisur i vetëm, madje edhe për të ndërhyrë në kushtetutë. Kjo është pjesa që shqetëson më shumë Perëndimin, i cili e shikon të ardhmen e Orbanit përherë e më tepër larg BE-së. Ka nga ata që mendojnë se BE do ta sanksionojë edhe Orbanin, pasi miqësia e tij me Putinin është e hapur, duke krijuar një korridor për të cilin kritikat vetëm sa rriten.

BE-ja dhe Orban kanë një kohë të gjatë që përplasen publikisht dhe hendeku sa vjen e rritet. Zgjedhjet, të cilat priteshin të prodhonin një rezultat të ngushtë, ku BE do të legjitimonte ndërhyrjen e qëndrimin e vet, prodhuan një rezultat tjetër dhe kjo tashmë ka bërë që taktika e përplasjes të fokusohet tek mbështetja që Orban i jep presidentit rus.

Hungaria ka qenë prej kohësh në mosmarrëveshje me Komisionin Europian në Bruksel për çështje të tilla si emigracioni, reformat gjyqësore dhe liria e medias. Fitorja e thellë në zgjedhje i jep Orban dhe qeverisë së tij një mandat të fortë për të thënë se hungarezët votuan dhe duan që ata të vazhdojnë të drejtojnë vendin ashtu siç ka qenë, veçanërisht kur bëhet fjalë për trajtimin e institucioneve europiane në Bruksel.

Në fjalimin e tij pas fitores, ai iu drejtua mbështetësve me fjalët: “Ne kemi një fitore të tillë që mund të shihet nga hëna, por është e sigurt që mund të shihet edhe nga Brukseli”, duke lënë të kuptohet se përplasjet me Brukselin do të jenë më të forta, por ai do të vazhdojë i qetë rrugëtimin e tij, si udhëheqësi më jetëgjatë në vendet e BE-së.

Gëzim Podgorica