Në 1 prill 2022 u zhvillua Samiti Kinë – BE, takimi i 23-të midis këtyre dy fuqive të mëdha botërore.

Presidenti i Kinës, Xi Jinping u takua me Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel dhe Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në një lidhje virtuale, me anë të së cilës mesazhuan konceptin e ecjes paralel të sistemeve që njohin e pranojnë njëri tjetrin, duke konceptuar ura bashkëpunimi dhe integrimi, duke mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm në rang global.

Presidenti Xi rikujtoi në samit sugjerimin e tetë viteve më parë për të nxitur partneritetin Kinë-BE për paqen, zhvillimin, reformat dhe qytetërimin, vizioni që në kushtet aktuale vjen globalisht shumë i rëndësishëm.

Jinping tha: “Kina dhe BE-ja duhet të veprojnë si dy forca kryesore që mbështesin paqen botërore, duke kompensuar pasiguritë në peizazhin ndërkombëtar me stabilitetin e marrëdhënieve midis tyre, duke marrë drejtimin për mbrojtjen e sistemit ndërkombëtar me OKB-në në thelb të tij, për një rend ndërkombëtar të mbështetur nga e drejta ndërkombëtare dhe normat bazë që rregullojnë marrëdhëniet ndërkombëtare, bazuar në qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së, duke shmangur mentalitetin e blloqeve rivale, duke kundërshtuar përpjekjet për një Luftë të re të Ftohtë, e duke synuar ruajtjen e paqes dhe stabilitetit botëror”.

Në takim u tha: “Kina dhe BE-ja duhet të veprojnë si dy tregje të mëdha që promovojnë zhvillimin e përbashkët dhe të thellojnë globalizimin ekonomik përmes bashkëpunimit të hapur. Kina përkushtohet të thellojë reformat dhe hapjen e mëtejshme, mirëpret investimet e biznesit evropian dhe pret që BE të sigurojë mjedis të drejtë, transparent, jodiskriminues për investimet dhe zhvillimin e biznesit kinez në Evropë. Kinës dhe Evropës u duhet një sinergji midis strategjive të tyre të zhvillimit, duke eksploruar më shumë përputhshmëri dhe plotësuesi midis filozofisë dhe paradigmës së re të zhvillimit të Kinës dhe politikës tregtare të BE-së për autonomi të hapur strategjike”.

Kryeministri i Kinës, Li Keqiang, vuri në dukje se Kina dhe BE-ja janë përkatësisht dy territoret unike më të mëdha të zhvilluara në botë. Marrëdhëniet e qëndrueshme Kinë-BE si thelbësore për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin botëror, sjellin kontribute cilësore për prosperitetin e përbashkët në arenën globale. Kina dhe BE, si partnerët të mëdhenj tregtarë dhe forca shumë të rëndësishme për ndërtimin e një ekonomie të hapur botërore, duhet të ndërtojnë mekanizma dhe të shfrytëzojnë ato ekzistuese për të përmirësuar koordinimin e politikave në lidhje me sfidat e përbashkëta. Kina nxit mjedis biznesi orientuar nga tregu e bazuar në ligj, sipas standardeve ndërkombëtare, duke trajtuar ndërmarrjet e të gjitha llojeve të pronësisë si të barabarta.

Drejtuesit e BE-së, Michel dhe von der Leyen pranuan publikisht, ndërkombëtarisht, se Kina është një forcë e rëndësishme në botë. BE i kushton rëndësi të madhe pozitës dhe rolit ndërkombëtar të Kinës si dhe zhvillimit të marrëdhënieve me Kinën, si marrëdhënie afatgjata të përfitimit të ndërsjellë ku palët janë të përkushtuara për të mbrojtur paqen dhe multilateralizmin, pasi për BE-në dhe Kinën jetike janë dialogu dhe bashkëpunimi, duke ripohuar angazhimin e BE-së ndaj parimit të një Kine, me të cilën do vazhdojë të thellohet bashkëpunimi në shumë fusha.

Kina dhe BE janë forca shumë të rëndësishme dhe zëra shumë të fuqishëm në arenën ndërkombëtare për ruajtjen e paqes botërore, tregje shumë të rëndësishme për të promovuar zhvillimin e përbashkët dhe qytetërime unike dhe të hershme tashmë mëse të gatshme për të çuar përpara kauzën e përparimit njerëzor dhe vlerave universale, në një kohë kur situata aktuale ndërkombëtare është e paqëndrueshme me pasiguri në rritje, gjë që kërkon forcim të komunikimit strategjik, rritjen e besimit reciprok, ndërtimin e konsensusit dhe zhvillimin e dialogut e bashkëpunimit bazuar në respektin dhe përfitimet reciproke dhe përfitimet e të tjerëve nga ky bashkëpunim gjithashtu, duke injektuar qëndrueshmëri dhe energji pozitive në arenën ndërkombëtare.

Në lidhje me ekonominë, tregtinë dhe biznesin në rang global, u vërejt se pala evropiane e pranon se po vjen një kohë që Kina duhet të mbajë një rol edhe më të madh në Organizatën Botërorë të Tregtisë, aq më tepër kur tregtia në rang global po kalon drejt një normaliteti të ri, në të cilin ekonomia kineze duket se është përshtatur krejt natyrshëm.

Kina gradualisht po bëhet ekonomia më e madhe në botë dhe është një ndër partnerët më të mëdhenj tregtarë i BE-së. Fluksi tregtar ditor Kinë – BE llogaritet tashmë rreth 1 miliardë euro.

Fusha të tilla si ekonomia, tregtia e lirë, investimet, ekonomia dixhitale, kooperimi shkencor, mjedisi, bashkëpunimi kulturor, mediatik, vlerat e përbashkëta dhe qasja globale, cilësia, siguria dhe garancia ushqimore, energjia, zhvillimi i gjelbër, qëndrueshmëria dhe mirëmenaxhimi i zinxhirëve të furnizimit, përballja së bashku me sfidat globale si COVID-19, ndryshimet klimatike, aspektet e biodiversitetit dhe promovimi i një rimëkëmbje të qëndrueshme të ekonomisë botërore, etj., janë fusha ku balanca dhe logjika predominojnë mbi paragjykimet dhe indiferencën e periudhave të shkuara. Këto bëjnë që Kina dhe Evropa, historikisht dy forcat më madhore të tregut e civilizimit në botë, të jenë të bashkuara si fuqi madhore si në lidhje me përmirësimin e qeverisjes në aspektin global, ashtu dhe në lidhje me zhvillimin e qëndrueshëm në rang global.

BE, një bashkim politik dhe ekonomik i 27 shteteve, me sipërfaqe rreth 1.6 milionë km² e me popullsi rreth 447 milionë banorë, operon si treg i vetëm i brendshëm me një sistem të standardizuar ligjesh, që garantojnë lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit. Por BE-ja, edhe pse ka mjaftueshmërisht burime njerëzore dhe financiare, nuk ka burime të mjaftueshme natyrore që venë në dyshim zhvillimin e qëndrueshëm.

Republika Popullore e Kinës, territor unik dhe i pandashëm, ka një sipërfaqe rreth 9.6 milionë km² dhe një popullsi rreth 1.4 miliardë banorë. Kina ishte, është dhe do jetë një nga fuqitë më të mëdha ekonomike në botë. Kina është një ndër vendet më të pasura në botë dhe një ndër vendet që ka më shumë miliarderë dhe milionerë në botë, me ekonominë me rritjen më të shpejtë në botë dhe është prodhuesi dhe eksportuesi më i madh në botë i të tërë gamës së produkteve dhe shërbimeve të mallrave të konsumit dhe të mallrave dhe produkteve industriale e teknologjive të fushave të ndryshme. Kina ka ushtrinë më të madhe në botë, e cila është e pajisur me arsenalin më të madh në sasi dhe më të avancuar në teknologji të armatimit në glob.

Nga ky këndvështrim krahasues Evropa është e rëndësishme për Kinën si në aspektin e reciprocitetit dhe bashkëpunimit në të tëra fushat, ashtu dhe në aspektin e një tregu me vlerë unike në rang global, ku shtresa e mesme përbën forcën lëvizëse, ndërsa Kina është e rëndësishme për Evropën në aspektin e partneriteteve strategjike, fuqisë politike, ekonomike, diplomatike, ushtarake, kulturore e shkencore në rritje të Kinës në arenën ndërkombëtare.

Nga: Dr. Enriko Ceko