Çfarë është Infodemia? Siç thuhet nga OBSH, shpërthimi dhe reagimi i COVID-19 është shoqëruar nga infodemi masive: një tepricë informacioni, disa të sakta dhe disa jo. Kjo e bën të vështirë për njerëzit gjetjen e burimeve të besueshme dhe udhëzime të besueshme kur ata kanë nevojë për të. Në këtë situatë, dezinformata dhe thashetheme shfaqen në skenë, së bashku me manipulimin e informacionit me qëllim të dyshimtë. Në epokën e informacionit, ky fenomen përforcohet përmes rrjeteve sociale, duke u përhapur më tej dhe më shpejt se vetë virusi.

Kryetari i Akademisë së Shkencave S. Gjinushi (ATSH)

Kryetari i Akademisë së Shkencave S. Gjinushi (ATSH)

Tashmë që pandemia duket se po i lëshon terren normalitetit edhe në Shqipëri, ekspertët e shëndetësisë po publikojnë studime të ndryshme. Me infodeminë në fokus, Akademia e Shkencave e Shqipërisë në bashkëpunim me Seksionin e Shkencave Natyrore dhe Teknike organizoi javën e kaluar në kryeqytet forumin shkencor “Infodemia e shkaktuar nga COVID-19, pasojat dhe përballimi i saj”.

Kryetari i Akademisë së Shkencave Skënder Gjinushi në fjalën e tij tha se, prej dy vjetësh përballja me fenomenin e rrezikshëm COVID-19 ka qenë sfidë për qeverinë, për shoqërinë, për ekonominë, për vetë sistemet shëndetësore dhe sfidë për shkencën. Infodemia nuk është as virus dhe as vaksinë, por e rëndon pandeminë.

Ndërsa zv/ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli tha se është detyrë e institucioneve, por edhe shumë më gjerë gjetja e rrugëve dhe mënyrave për të transmetuar informacionin korrekt e të besueshëm, duke respektuar fjalën e lirë dhe mendimin ndryshe. Qeveria shqiptare është përpjekur që t’iu bashkohet praktikave më të mira ndërkombëtare, theksoi ajo duke shtuar se gjatë pandemisë specialistët më të mirë të fushave u angazhuan në media dhe shfrytëzuan të gjitha rrjetet sociale për informim të saktë në median e shkruar, të folur e atë vizive, krijuan spote publicitare. U përballëm me disinfomacionin, por sfiduam me arritjen e vaksinimit masiv.

Akademiku Genc Sulçebe

Akademiku Genc Sulçebe

Infodemia apo lajmet e pavërteta të dhëna mbi pandeminë e Covid-19 kanë ndikuar negativisht në shumë drejtime. Gjatë fjalës së saj në Forum, prof. Silva Bino prezantoi informacionin dhe aktivitetin publik për fushatën e vaksinimit. Ajo tha se debatet për vaksinën nuk ka qenë aq shkencore, kanë qenë populiste dhe kanë sjellë keqinformim të publikut, ku shoqëria, TV, radio, media, interneti, VIP-at përmes informimit publik kanë dekurajuar për vaksinimin.Prof. Bino prezantoi edhe efektin konkret sipas përqindjeve të rajoneve të mbuluara me vaksinimet.

“Pjesa më e madhe e grave shtatzëna në Shqipëri janë të pavaksinuara pavarësisht se ato kanë një incidencë të lartë të vdekjeve dhe të aborteve spontane nga Covid-19. E shikoni me të kuqe se pjesa e madhe e popullatës së Kamzës, Vorës, Krujës, ku përqendrohet një pjesë e madhe e popullsisë nuk jane të vaksinuar nga këto keqinformime”.

Ndërsa lidhur me situatën e vaksinimit ekspertja Bino vlerësoi punën e “bluzave të bardha” në pandemi.

“ Shqipëria ka një mbulesë të shkëlqyer në lidhje me punonjësit shëndetësorë që është mbi 90% dhe moshat mbi 60 vjeç që është mbi 75%”

Studjuesja amerikane M. Perry (ATSH)

Studjuesja amerikane M. Perry (ATSH)

E ftuar në këtë Forum epidemiologia prof. Melissa J. Perry nga Universiteti “The George Washington”, në SHBA foli për përballjen me infodeminë: kapërcimin e dezinformimit shëndetësor në shkallë vendore e globale.

“Informacioni mbi shëndetin është bërë një nga objektivat më të njohur për keqinformim. Një analizë e ditëve të fundit e medieve sociale në gjuhën angleze ka treguar se 12 persona kanë qenë përgjegjës për gati 75% të keqinformimit nëpërmjet internetit përsa i përket vaksinimit në një periudhë të caktuar dhe se 20 persona me platforma antivaksinimi kishin gjithsej 59.3 milionë ndjekës”tha ajo.

Briseida Mema, reportere nga Shqipëria e agjencisë franceze të lajmeve AFP e vuri theksin tek ngritja e strategjive të informimit publik, sfidat e mediave, autoriteteve të shkencës e të shëndetit publik në rrethanat e pandemisë dhe propozoi krijimin e një strukture të pavarur me iniciativën e autoriteteve shtetërore, ku të përfshihen partnerë të ndryshëm politikë, mjekë, specialistë të shëndetit publik, antropologë, sociologë, infeksionistë, ekspertë të komunikimit me synimin që të përcjellin mesazhe koherente dhe funksionale në shërbim të shëndetit.

Zv.ministrja e Shëndetësisë M. Rakacolli (ATSH)

Zv.ministrja e Shëndetësisë M. Rakacolli (ATSH)

“Ne nuk po luftojmë vetëm një epidemi. Ne po luftojmë edhe një infodemi. Informacioni i rremë përhapet më shpejtë dhe më lehtë dhe ky virus është po aq i rrezikshëm”, deklaroi në nëntorin e 2020-ës drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), dr. Tedros Adhanom Ghebreyeus.

Forumi u mbajt me pjesëmarrjen e Ministrisë së Shëndetësisë, QSUT, Universitetit të Mjekesisë, fakultetit të mjekësisë, Institutit të Shëndetit Publik dhe mediave. Ky forum u organizua nga akad. Shaban Sinani, akad. Neki Frasheri, prof. Melissa Perry, akad. Genc Sulçebe, prof. Alban Ylli, prof. Albana Fico, prof. Perlat Kapisyzi, prof. Arjan Harxhi, dr. Ilir Alimehmeti, akad. Ilia Mikerezi.

Pamje nga Forumi (ATSH)

Pamje nga Forumi (ATSH)

Pandemia e shkaktuar nga COVID-19 është një dukuri botërore, me efekte shumë të rëndësishme globale jo vetëm në shëndet, me rritjen e konsiderueshme të sëmundshmërisë dhe pasoja të tjera të saj, por dhe në zhvillimet ekonomike globale, në jetën sociale, politike etj.

Eda Merepeza