Retorika e qëndrimeve europiane ndaj Republikës Popullore të Kinës është e dyzuar. Nga njëra anë qëndron fiksioni europian i modelit të qeverisjes në Kinë. Nga ana tjetër është interesi i Europës për tregun kinez. Në këtë dilemë marrëdhëniesh shihet një lloj kontradiksioni në atë se çfarë është Kina për Bashkimin Europian! Një vend mik apo një vend armik?! Një partner i besueshëm apo një superfuqi që e rrezikon kontinentin europian?!

Retorika politike anon nga nxitja e armiqësive midis dy ekonomive më të mëdha në botë, pas SHBA-ve. Marrëdhëniet ekonomike, sidomos të shteteve të veçanta europiane, e trajtojnë Kinën si një vend me interes të veçantë për lulëzimin e zhvillimin ekonomik të këtyre vendeve. Disa nga këto vende, përfshirë Gjermaninë, kanë investuar reciprokisht miliarda dollarë amerikanë në ekonomi. Por dilema është aty: Cilën anë duhet mbajtur? Duhet t'i jepet përparësi politikës, apo marrëdhënieve ekonomike?! Sa kohë që politika nuk prek interesat e tregut, si rregull përparësi kanë lidhjet ekonomike.

Në fakt Pekini ka shtuar dozën e besimit në suksesin e formës së qeverisjes së tij. Pandemia dhe përballimi me sukses i saj ishte një ndër arsyet pse në opinionin perëndimor Kina konsiderohet si një vend i suksesshëm në formën e qeverisjes. Por pikërisht kjo formë qeverisjeje nuk parapëlqehet dhe trajtohet gati me ashpërsi politike nga një pjesë e elitës politike europiane. E vërteta është se ka dallim midis modelit të qeverisjes europiane dhe asaj kineze. Por askush nuk bën analizën, nëse qeverisja europiane është ose jo e përshtatshme për një vend si Kina. Përkundrazi europianët shpesh herë bëhen të ngurtë dhe rekomandojnë madje me arrogancë modelin europian në Kinë.

Ndërkohë që duhet thënë se që prej lashtësisë në Kinë ka ekzistuar një model i veçantë i shtetit. Nëse dikush njeh filozofinë e Konfucit dhe e krahason atë me veprat filozofike të Platonit e Aristotelit, ve re se Konfuci ishte më i afërt në pikëpamjet e tij politike me Sokratin, sesa me dy filozofët e lartpërmendur. Kjo e bën modelin kinez të qeverisjes në antikitet unik në llojin e vet. Ndërkaq Europa e sotme bazohet në konceptet filozofike e politike të Platonit dhe Aristotelit, të cilët në dallim nga Sokrati e Konfuci ishin më afër shtetit sesa qytetarit.

Trashëgimia dhe historia në shtetformim është tipari më dallues i civilizimit të sotëm. Jo më kot shtetet me histori janë më të suksesshme sesa shtetet e formuara rishtas e pa përvojë historike. Nëse Europa ka një sistem qeverisjeje të përparuar, kjo i dedikohet trashëgimisë europiane të antikitetit, sidomos atij të Perandorisë Romake. Po kështu edhe Kina ka traditën e saj historike, atë të shekullit IV para erës së re, kur në këtë vend u aplikua modeli i drejtësisë, bazuar në humanizmin e predikuar nga Konfuci.

Sot në vendet e Bashkimit Europian ka jo pak politikanë dhe studiues, të cilët e konsiderojnë rendin kinez si të papajtueshëm me rendin europian. Ndërkaq po këta politikanë, studiues e ekspertë rekomandojnë një marrëdhënie miqësore në pikëpamje ekonomike me Kinën. Nën drejtimin e presidentit Xi Jinping Kina ka ndërtuar një strategji aktive në zhvillimin e politikës së saj të jashtme. Ajo ka fituar simpati në popujt e botës sa i përket përballimit të suksesshëm të pasojave të pandemisë Covid-19. Nga një vend në zhvillim, Republika Popullore e Kinës tashmë është një superfuqi ekonomike, ushtarake e politike.

Dhe për të gjitha këto arsye ajo shihet edhe si aset bashkëpunimi në ekonomi, edhe si rrezik potencial në politikë. Ndaj dhe dilema e një qëndrimi të dyzuar, për marrëdhënie miqësore në ekonomi e për marrëdhënie jo miqësore në politikë, është forcuar. Megjithatë, njerëzit e logjikës e kuptojnë se një vend me standardet e ekonomisë së tregut dhe i aftë të konkurrojë në tregun global përcakton në përgjithësi edhe standardet njerëzore e humane të politikës së tij, i madh apo i vogël qoftë ky vend. Por ajo që nuk kuptohet e nuk besohet lidhet me faktin se, nëse një qeverisje e drejtuar nga një parti politike është ose jo e aftë të aplikojë politika liberale. Kina ka ndërtuar një ekonomi plotësisht liberale, të aftë për të konkurruar në tregun ndërkombëtar. Ajo është tashmë një fuqi e madhe, me teknologji të përparuar dhe ky është avantazhi kryesor i saj edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare!

Por Europa ndodhet ende midis dilemës nëse do të duhej të bashkëpunonte me Republikën Popullore të Kinës në pikëpamje ekonomike, tregtare e në investime, ose jo! Kjo dilemë vetëm sa shton vështirësitë dhe i komplikon marrëdhëniet midis dy palëve. Në këtë kuptim dilema ka dhe do të ketë vetëm një zgjidhje: Të rritet e forcohet bashkëpunimi midis dy aktorëve kryesorë të ekonomisë botërore. Frika se ndërtimi i marrëdhënieve ekonomike midis Europës dhe Republikës Popullore të Kinës mund të dobësojë lidhjet politike e strategjike të BE-së me aktorë e faktorë të tjerë ndërkombëtarë nuk besoj se është e përligjur. Realiteti flet për domozdoshmërinë e këtyre lidhjeve. Pa shfrytëzimin e potencialeve reciproke Europë-Kinë zor se do të ketë zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe të suksesshëm midis dy kontinenteve!

Prandaj dhe zik-zaket e konsideruara si marrëdhënie të konceptit "mik-armik" me Republikën Popullore të Kinës duhen konsideruar fiktive dhe të pabaza. Kina ka nevojë për Europën dhe Europa ka nevojë për tregun kinez! Asnjëra pa tjetrën nuk mund të ketë të ardhme të prosperuar!

Enver Bytyçi