Prej javësh pjesa më e madhe e qytetarëve të globit janë informuar nga mediat e tyre dhe ato ndërkombëtare për gjendjen e rrezikshme krijuar nga konflikti për Ukrainën.

Për një ide dhe pikëpamje të plotë për këtë është mirë të njohim më tepër Ukrainën dhe popullin e saj. Ukraina është një shtet në lindje të Europës, që kufizohet në lindje e verilindje nga Rusia, veriperëndim nga Bjellorusia, perëndim nga Polonia, Sllovakia dhe Hungaria, jugperëndim nga Rumania dhe Moldavia dhe në jug laget nga Deti i Zi e Deti Azov, me sipërfaqe 603.628km2, me 2.782 km vijë bregdetare, me rreth 44 milionë banorë, vendi më i madh brenda Evropës, vendi i 44 në botë për nga madhësia, që prej kohësh njihet si një nga prodhuesit më të mëdhenj të grurit në botë, me zhvillim impresiv të industrisë së prodhimit të avionëve dhe pajisjeve industrial, vend me fusha pjellore, përcaktuara nga NATO si rezerva botërore për ushqime, me rrafshnalta, që përshkohen nga lumenjtë Dniepër, Severskij Donec, Dniestër, etj, që rrjedhin në jug drejt Detit të Zi dhe Detit Azov, me Malet Karpate në perëndim, i pasur me burime natyrore si: hekuri, qymyrguri, mangani, gazi natyror, nafta, kripa, squfuri, grafiti, titani, magnezi, kaolina, nikeli, merkuri, lënda drusore, etj.

Territor i banuar prej dhjetëra mijëra vitesh, vetëm në mesjetë, u bë qendër e rëndësishme e kulturës sllavo lindore, ku u formua shteti Ruso-Kievian, pas shkatërrimit të të cilit, shekulli 13, Ukraina u sundua dhe u nda nga fuqi të ndryshme si ato polake, lituaneze, etj. Republika Kozake, shekujt 17 dhe 18, në Luftën I Botërore, u nda në dy pjesë, austriake dhe ruse, që luftonin kundër njëra tjetrës. Kur ushtritë gjermane sulmuan Bashkimin Sovjetik, 22 qershor 1941, në betejën për Kievin, atje u vranë më shumë se 600,000 ushtarë sovjetikë.

Pas vdekjes së Stalinit, 1953, Hrushovi, që u bë udhëheqës i ri i BRSS-së, ishte më parë Sekretari i Parë i Partisë Komuniste të RSS të Ukrainës. Me rastin e forcimit të miqësisë midis popujve rus dhe ukrainas (ideja kryesore e Hrushovit), në vitin 1954, Rusia (si pjesë e BRSS) i transferon Ukrainës krahinën e Krimesë.

Gjatë planit 5-vjeçar 1946–1950, 20% e buxhetit Sovjetik u investua në Ukrainë, duke rritur fuqinë punëtore të Ukrainës 33.2% dhe prodhimi industrial 2.2 herë, duke e bërë vendin lider evropian në prodhimin industrial dhe qendër të rëndësishme të industrisë së armëve, kërkimit shkencor dhe teknologjisë së lartë. Në Ukrainë u prodhua edhe kompjuteri i parë në lindje. Leonid Brezhnjev, që pasoi Hrushovin në krye të BRSS, ishte ukrainas.

Nën valën e ndryshimeve, në 16 korrik 1990, parlamenti ukrainas miratoi Deklaratën e Sovranitetit Shtetëror, me parimet e vetëvendosjes, demokracisë, pavarësisë politike dhe ekonomike dhe përparësinë e ligjeve ukrainase mbi legjislacionin sovjetik. Këtë bëri edhe Rusia. Pikërisht këtu duhet të ulemi, të shikojmë e shqyrtojmë fillesat e konfliktit të kohëve post moderne Rusi – Ukrainë. Në gusht 1991, një fraksion konservator, me grusht shteti u përpoq të hiqte Gorbaçovin nga kreu i Partisë Komunistë të BRSS. Pas kësaj, në 24 gusht 1991, Parlamenti ukrainas miratoi Aktin e Pavarësisë. Ukraina u deklarua shtet i pavarur demokratik, pasuar nga Referendumi dhe Zgjedhjet e para presidenciale, 1 dhjetor 1991, ku morri pjesë më shumë se 90 % e elektoratit, që mbështetën pavarësinë. Me vendim të 8 dhjetorit 1991, të mbledhjes mbajtur në Brest, Bjellorusi, pasuar nga mbledhja në Alma Ata, 21 dhjetor 1991, udhëheqësit e Rusisë, Bjellorusisë dhe Ukrainës, vendosën edhe zyrtarisht që BRSS të shkrihet, duke formuar edhe Bashkësinë e Shteteve të Pavarura.

Vitet e para pas ndarjes nga BRRS ishin të vështira, dhe vetëm pas vitit 2000, Ukraina gëzoi rritje të qëndrueshme reale ekonomike rreth shtatë për qind/ vit.

Në 2004, Janukoviç, me anë të mainpulimeve të votave (sipas Gjykatës së Lartë të Ukrainës), tentoi të vazhdonte pushtetin, që solli protesta të mëdha publike ose Revolucionin Portokalli. Jushçenko dhe Timoshenko vijnë në fuqi. Janukoviç kthehet kryeministër në 2006 dhe më pas, 2007, Timoshenko bëhet kryeministër. Protestat e Euromejdanit, nëntor 2013, forcuan idenë e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, nxitur nga refuzimi i Janukoviçit për nënshkrimin e marrëveshjes së asocimit me BE-në. Janukoviç dorëhiqet. Në 1 mars, Parlamenti Rus miratoi kërkesën e Presidentit Putin, për dislokimin e trupave ruse në Ukrainë, që u bë fakt në të gjithë Krimenë (që ju fal Ukrainës në 1954) dhe në juglindje të Ukrainës.

Pas tetë vitesh, sot, jemi përballë skenarit të destabilizimit të Ukrainës, shfaqjeve të dhunës në Ukrainën lindore, aneksimin e Krimesë, kufizimin e lirive civile dhe demokratike të qytetarëve nga lufta për pushtet, etj. Një luftë pa armë, por nën presionin e tyre, gjë, që përbën një precedent juridik, ushtarak, politik dhe ekonomik, si kërcënim në rritje për rajonin e me gjerë. Bombarduesit rusë me armë bërthamore pranë Detit të Veriut, inkursionet me refugjatë nga Bjellorusia (aleatja e Rusisë) për në vendet e BE-së, sulmet kibernetike ndaj Ukrainës dhe BE-së, etj, janë shfaqje e asaj që në fakt përfshin tërësisht zhvillimet në sektorin e energjetikës, atë financiar, bujqësinë dhe ushqimin, industritë, etj., jo vetëm në Ukrainë, por më gjerë.

Ngërçi financiar nën të cilin është qeveria e Ukrainës për shkak të vështirësimit të procedurave doganore dhe krijimin e radhëve të gjata të mjeteve të transportit dhe të qytetarëve në kufi me Rusinë, ndalimi i importeve të produkteve ukrainase drejt Rusisë, shkurtimi i kredive për industritë ukrainase nga bankat ruse, etj, janë realisht kërcënim për qytetarët e vendit dhe më gjerë dhe këto duhen parë si mundësi që pala ruse të reflektojë pozitivisht në zgjidhjen e problemit.

Në fakt, edhe balancat ndërkombëtare janë në shpërbërje dhe lufta nuk është mjeti për rivendosjen e tyre. SHBA dhe Rusia nuk janë më të vetmet fuqi botërore. Kina, fuqia në rritje në rang global, me politikat e saj të mençura balancon fuqinë e pushtetit në rang botëror. Edhe BE, në çështjet globale mban një qëndrim mjaft konstruktiv, paralelisht me atë të Kinës. Britania e Madhe ka shfaqur interes për zgjidhjen paqësore të konfliktit, duke ofruar një alternativë, që kërkon konsolidim. Të tre këto palë mendojnë se çështja e Ukrainës duhet të zgjidhet nëpërmjet rrugës politike dhe kjo sepse gjëja më e rëndësishme sot në botë është (1) paqja (2) solidariteti dhe (3) prosperiteti i përbashkët (koncepti madhor ku gjendet edhe zgjidhja e konflikteve në rang rajonal dhe global).

Lufta do të sillte pasoja shumë të rënda politike, ekonomike, sociale dhe në jetë njerëzish. Mjafton që të përmendim konfliktin e Krimesë, ku Ukraina humbi 100 miliardë dollarë dhe më shumë se 14.000 jetë njerëzish. Pra, nuk ka arsye logjike që fuqitë botërore të nxitin apo të jenë pjesë e përshkallëzimit të konflikteve.

Duket se për çështjen e Ukrainës, më shumë me këmbë në tokë midis palëve ruse, amerikane dhe evropiane është Bashkimi Evropian, që mund dhe duhet të ofrojë zgjidhje të mirëpranuar, por për këtë Brukselit i duhet fuqi rregullatore, duke promovuar diversifikimin e tregjeve të energjisë dhe integrimin e ekonomive të Evropës Lindore, përfshirë edhe ekonomitë e ish vendeve anëtare të BRSS dhe kjo paralelisht me hapjen e hapësirave për investimet kineze në Evropën Lindore dhe Perëndimore. Rusia, Ukraina, Bjellorusia, Kazakistani, Uzbekistani, Armenia, Gjeorgjia, Turkmenistani, etj, kanë nevojë për investime dhe janë si gjigandë të fjetur për ekonominë rajonale dhe botërore.

Thënë këtë, logjika ekonomike fiton gjithmonë mbi logjikën e çartur të shpenzimeve militare. Licensimi dhe çertifikimi i gazsjellësit Nord Stream 2, përfshirja e Gazprom në pëfitimet ekonomike dhe në investime, marrëveshja Green Deal për të përmbushur objektivat ambicioze evropiane të klimës, etj., janë mekanizma shumë të mirë për të dhënë një zgjidhje reale për konfliktin në Ukrainë dhe për të mos patur konflikte më tej, por këto duhet të mbështeten me lehtësira rregullatore, licensuese, procedurale, fiskale, doganore, etj., edhe për Projektin madhor kinez të Brezit dhe të Rrugës.

Jemi shumë afër vijës së kuqe dhe mendja të shkon te Normandia, formati i së cilës shmangu konfliktin ushtarak shekullor evropian, format që mund dhe duhet të ulë në tavolinë evropianët, së bashku me Ukrainën e Rusinë, nën prezencën e Kinës, Britanisë së Madhe dhe SHBA-ve.

Në arenën ndërkombëtare, dy fituesit e shekullit 21 janë Kina dhe Britania e Madhe. Kina është duke u bërë fuqia më e madhe botërore ekonomike, ndërsa Britania e Madhe, me qasjen e saj globale duket se e ka lënë pas Francën në dominimin rajonal e global. Vendet dikur frankofone tashmë flasin franglisht. Lidhjet e tyre tregtare tashmë janë orientuar ndaj Kinës dhe vendeve anëtare të Komonuelthit Britanik.

Pra, Rusia dhe SHBA nuk mund të jenë më të vetmit që diktojnë ku dhe kur do behët luftë, pasi Kina, Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian, tashmë janë në gjendje të përcaktojnë piketat ekonomike, financiare dhe të investimeve në rang global, me synim zhvillimin e qëndrueshëm nën teorinë dhe ideologjinë e prosperitetit të përbashkët.

Nga: Dr. Enriko Ceko