Pavarësisht se dy vitet e fundit kanë qenë globalisht të vështira, Kina arriti që të përballet me shumë sukses edhe pse në kushte të reja gjeopolitike, ekonomike, ligjore, sociale, kulturore e sportive, kushte që duket se do konfigurojnë në të ardhmen botën ku jetojmë.

Përballë këtyre ndryshimeve, sektorët e ekonomisë kineze, mbështetur në konceptin e zhvillimit që vendos në radhë të parë njeriun dhe pastaj burimet e tjera, arritën që me anë të inovacionit e koordinimit, duke patur parasysh konceptin e ekonomisë së gjelbër, të krijojnë një dinamikë të re zhvillimi, e cila mbështet zhvillimin elastik në Kinë, kjo bën që Kina të kontribuojë në mënyrë të konsiderueshme edhe në ekonominë botërore.

Kina tashmë është një fuqi prodhuese e integruar në ekonominë botërore dhe pjesëmarrëse dhe pjestare e pothuajse të tëra veprimtarive të qenies njerëzore globalisht.

Kësaj dukurie nuk i shpëton as edhe sporti dhe kjo është edhe arsyeja kryesore se përse në Kinë janë duke u zhvilluar Lojërat Dimërore Olimpike, një nga ngjarjet më të mëdha sportive në nivel botëror.

Edhe pse këto Lojëra Olimpike zhvillohen nën kushtet e paqes olimpike dhe nën kushtet më optimale të mundshme të organizimit të të tilla ngjarjeve sportive mbarëbotërore, përsëri në disa media perëndimore shfaqen lajme spekulative në lidhje me ndonjë “problem” të shfaqur përgjatë organizimit të këtyre lojërave. Disa media për shembull përmendin shkarazi dëborën artificiale, ndotjen e mjedisit, etj.

Dëbora artificiale është përdorur për herë të parë në Lojërat e New Yorkut në 1980 dhe më tej edhe në Lojërat e vitit 2014 në Sochi (rreth 80%) dhe më tej edhe në Korenë e Jugut (rreth 90%). Arsyet kryesore se përse përdoret dëbora artificiale janë ngrohja globale dhe dhënia e mundësive edhe vendeve që nuk kanë zakonisht dëborë, të kenë mundësi të organizojnë veprimtari dimërore dhe qe edhe sportistët e këtyre vendeve të kenë mundësi të stërviten në kushte të tilla.

Paralelisht me këtë, dëbora artificiale ka marrë një përdorim shumë të madh në industrinë turistike. Vendet që dikur shquheshin për turizmin dimëror e zëvendësojnë dëborën natyrale me dëborën artificiale për shkak të ndryshimeve klimaterike, duke mos dashur që të humbasin klientelën. Jo më larg se para një jave, njësitë kërkimore shkencore të fushës së ekonomisë dhe të turizmit njoftuan se Bullgaria ka arritur, që, krahasuar me disa vite më parë, të tërheqë më shumë turistë të dëborës se sa vendet perëndimore si Zvicra, Italia, Franca, etj, që e kanë të zhvilluar këtë lloj turizmi. Pothuajse të tëra resortet turistike që kanë pista për të bërë ski, tashmë e kanë varur veprimtarinë e tyre në dobërën artificiale, që është cilësore dhe që e zgjat edhe më shumë sezonin turistik.

Në përgjithësi, në rastet e mëparshme të Lojërave Olimpike si dimërore ashtu dhe verore, impiantet sportive dhe fshatrat olimpike braktisën, ndërsa në Kinë, po përdoren mjediset e Lojërave Olimpike të vitit 2008 dhe vetëm një nga pesë impiantet me pistë akulli u ndërtua i ri, nga e para, pasi katër pistat e tjera janë ato të mëparshmet, kjo shkon paralelisht me trendin e uljes së nivelit të emetimit të karbonit në atmosferë, për të cilin Kina ka marrë angazhim që të balancojë deri në vitin 2030 dhe të reduktojë në zero deri në vitin 2055, kjo për të përmbushur kërkesat e ekonomisë së gjelbër dhe energjisë së gjelbër.

Në rastin e Lojërave Olimpike të Kinës, dëbora artificiale prodhohet me anë të teknologjive që janë miqësore me mjedisin dhe që përdorin ujërat sipërfaqësore dhe ujin që vjen nga dëbora e shkrirë. Konkretisht, në Kinë, për prodhimin e dëborës artificiale nuk përdoret freon, një gaz që dëmton shtresën e ozonit në atmosferë, por është adaptuar teknologjia transkritike e prodhimit të akullit CO2, që redukton emetimet e karbonit në pothuajse zero, duke ulur edhe konsumin e energjisë me 40%, kur paralelisht edhe më shumë se 75% për qind e nxehtësisë që krijohet nga ky proces do riciklohet, për të vazhduar procesin ose për përdorime të tjera. Pishinat ekzistuese, me kapacitet rreth 180,000 m³ mbështeten edhe nga një rezervuar nëntokësor me kapacitet rreth 100,000 m³, që së bashku sigurojnë ujin e nevojshëm për të bërë dëborë artificiale.

Pas këtyre lojërave olimpike, komplekset mund të strehojnë më shumë se 2000 njerëz në të njëjtën kohë për të gjitha sportet në akull, duke përfshirë hokej mbi akull, patinazh artistik, etj.

Meqë përgjatë Lojërave Olimpike ka nevojë për veprimtari administrative, po përdoren ndërtesat e rimodeluara të dy prej ish fabrikave të hekurit dhe çelikut, duke zvogëluar në mënyrë të dukshme edhe ndikimin në burimet natyrore dhe mjedis, nëse këto objekte do ndërtoheshin nga e para.

Mjediset ku zhvillohen Lojërat Olimpike Dimërore tashmë janë rimodeluar për të maksimizuar ndriçimin natyral, duke shtuar mure me ndarje qelqi, çati ekologjike dhe mjedise të gjelbëruara. Reduktimi i konsumit të energjisë elektrike arrihet duke përdorur drita LED dhe qeliza fotovoltaike.

Sipas Zëvendës Presidentit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Juan Antonio Samaranch, kjo është hera e parë në historinë olimpike që energjia elektrike e gjelbër është përdorur në të gjitha vendet e garave, që është moment kulmor në Pekin 2022.

Për më tej, sistemet e ajrit të kondicionuar dhe të ventilimit mund të riciklojnë deri në 70% të nxehtësisë së prodhuar gjatë funksionimit të tyre, duke kursyer përdorimin e energjisë me funksionet e tyre të paraftohjes / ngrohjes. Sa më lart janë vetëm disa nga shembujt e shumtë të aplikimit të teknologjive të përparuara në mbështetje të një Olimpiade të gjelbër.

Edhe stadium i Pekinit, ndërtuar që në vitet 1950, tashmë i rinovuar, plotëson nevojat e sporteve dimërore të këtyre Lojërave Olimpike dhe do përdoret edhe pas tyre si një terren sportive dhe stërvitor për atletët profesionistë dhe sportdashësit e rinj.

Fshati Olimpik Dimëror në malin Haituo, 2000 metra mbi nivelin e detit, është vendi kyç i garave, dhe përgjatë fazës së ndërtimit të këtij fshati olimpik, ju kushtua një vëmendje e veçantë mbrojtjes së biodiversitetit, që u mbikëqyr nga një departament i krijuar posaçërisht për këtë. Pas mbarimit me sukses të plotë të Lojërave Olimpike, banesat e ndërtuara me një stil kinez shtëpie, do jepen me qira me tarifë më të ulët për profesionistët e nevojshëm për sektorët strategjikë që Pekini po zhvillon, duke kthyer ndërtesat olimpike në asete funksionale, të ripërdorshme dhe të qëndrueshme.

Është mëse e dukshme që lajmet spekulative të disa mediave perëndimore nuk reflektojnë vullnetin e sportistëve të kombeve të mbarë botës dhe nuk respektojnë as edhe përgatitjet e shumta, investimet kolosale të Qeverisë së Kinës dhe vullnetin e mbarë popullit të Pekinit për mirëorganizimin e mbarëvajtjen e këtyre lojërave dhe kjo në një kohë kur lëvizja mbarëbotërore për depolitizimin e sportit është zgjeruar edhe më shumë dhe kur këto lojëra po ndiqen nga më shumë se 300 milionë banorë në Kinë dhe shumë e shumë të tjerë në mbarë botën dhe po përcillen me seriozitet, cilësi dhe profesionalizëm nga pjesa më e madhe e mediave botërore.

Lajmet e reale që vijnë nga Kina dhe që vërtet duhen përhapur janë ato të rritjes së veprimtarisë industriale, perfeksionimit të teknologjisë të informacionit, zhvillimet në sektorin e bujqësisë dhe të shërbimeve paralelisht me përmirësimin e dukshëm të mjedisit dhe përkushtimit në rritje të qeverisë kineze për aspektet e zhvillimit të qëndrueshëm

Zhvillimet aktuale në Kinë, përfshirë edhe Lojërat Olimpike Dimërore janë reflektim i plotë i deklaratës së Presidentit Xi Jinping në Sesionin e 75-të të Kombeve të Bashkuara në lidhje me “pozitën e inovacionit në Kinë” dhe me “Strategjinë e zhvillimit të drejtuar nga inovacioni”, shpallur në Planin e 14-të pesë-vjeçar për zhvillimin ekonomik dhe social kombëtar të Republikës Popullore të Kinës deri në vitin 2035, ku shprehet fare qartë se në Kinë zbatohet strategjia e zhvillimit të qëndrueshëm, përmirësimi i planifikimit të përgjithshëm dhe mekanizmave koordinuese, për një qytetërim ekologjik, duke promovuar transformimin e ekonomik, zhvillimin social gjithëpërfshirës dhe ndërtimin e një Kine të bukur.

Nga: Enriko Ceko.