Misionet hapësinore të Kinës, të cilat rriten ndjeshëm nga viti në vit, tregojnë se eksplorimi i hapësirës dhe mundësitë e pakufizuara shkencore që sjell ajo, nuk janë absolutisht pronë e një apo dy vendeve që deri kohë më parë e konsideronin veten të plotfuqishëm në këtë fushë. Në sajë të zhvillimit të gjithanshëm teknologjik e shkencor që po bëm Kina, misionet hapësinore po rriten, duke i dhënë botës më shumë garanci, por edhe duke ofruar mundësi të reja drejt së panjohurës që është shumë larg, por tashmë edhe shumë afër. Gjatë këtij viti do të ketë gjashtë fluturime hapësinore me astronautë, më shumë se asnjëherë tjetër, për të realizuar më pas fluturimin e parë të raketës së parë mbartëse me një motor me karburant të ngurtë e të lëngshëm.

Realiteti i ri i misioneve hapësinore të realizuara vitin e kaluar, ku pati 55 misione lëshimi në hapësirë nga 146 të kryera në shkallë globale, kanë bërë të mundur që Kina të jetë në vendin e parë në botë për investimet në këtë drejtim, duke krijuar bazën e fuqishme mbështetëse për të realizuar fluturimin e “Marshimi i Madh – 6A”.

Shkenca hapësinore kineze vitet e fundit ka marrë një zhvillim mbresëlënës. Eksplorimi i hapësirës kozmike është rritur ndjeshëm. Duke u thelluar në projektet e hulumtumit të Hënës, Marsit e të tjerë, Kina eksploron dhe përdor për qëllime paqësore hapësirën kozmike, duke synuar krijimin e një të ardhmeje më të bukur për të gjithë njerëzimin. Është provuar se programi hapësinor kinez kërkon aktivisht zgjidhjen e vështirësive në zhvillimin global. Shërbimet për meteorologjinë, udhëtimet, transportin, bujqësinë, ndihmën në raste të jashtëzakonëshme, po jepen në shkallë globale nepërmjet sistemit të lundrimit satelitor “Beidou”.

Orientimi i Kinës në misionet hapësinore mbetet i qartë dhe i vendosur që të jetë një investim në të mirë të njerëzimit dhe jo një garë e shfrenuar në këtë drejtim. Ajo gjithnjë e më shumë po elaboron mundësitë dhe shpreh hapur qëndrimin për një bashkëpunim ndërkombëtar në ndërtimin e stacioneve hapësinore. Bashkëpunimin në këtë drejtim Kina e shikon në zgjerimin e funksionimit të stacionit hapësinor, shkencës dhe aplikacioneve hapsinore, por edhe në fluturimet e përbashkëta të astronautëve kinezë dhe atyre të huaj.

Kabinetet e eksperimentimit shkencor brenda stacionit hapësinor të Kinës janë të pajisur me porte standarde për ngarkesa për të kryer kërkime ndërkombëtare. Brenda këtij viti do të përfundojë seksioni i parë i stacionit të ri hapësinor, i cili nisi vitin e kaluar dhe ka një postë që është sa një e katërta e Stacionit Hapësinor Ndërkombëtar (ISS) . Stacioni Hapësinor Kinez (CSS) është stacioni i tretë i Kinës, por në përmasa më të mëdha, pasi dy stacionet e tjera ishin shumë të vegjël. Stacioni CSS është më i madh edhe se stacioni hapësinor rus Mir, që i ka papraprirë ISS. Duke qënë e hapur në bashkëpunimin e saj, hapat teknologjikë të Kinës në eksplorimin hapësinor vitet e fundit kanë qënë shumë më të mëdhenj se sa janë parashikuar nga konkurentët në këtë fushë, veçanërisht nga SHBA.

Nëse bashkëpunimi i NASA-s me Roscosmos ka ardhur duke u zbehur, programi hapësinor kinez ka rritur bashkëpunimin me Roscosmos. Ekspertiza ruse e hapësirës ka qënë dobiprurëse për Kinën, e cila ka vlerësuar çdo arrtitje në këtë fushë, duke e kthyer në përvojë dhe pozitivitet shkencor. Duke patur edhe nje fuqi financiare të konsiderueshme, ndryshe nga Rusia, Kina i ka bërë më të shpejtë hapat në fushën hapësinore dhe arritjet janë vërtet surprizuese pozitivisht. Administrata hapësinore e Kinës ka zgjedhur disa eksperimente për t’u drejtuar në CSS, duke përfshirë punën me atome ultra të ftohta për të hulumtuar mekanikën kuantike, hulumtimin e shkencës së materialeve dhe punën në mjekësi me mikrogravitet.

Eksperimentimi shkencor mbështetet në linjën e bashkëpunimit të hapur, për të shfrytëzuar përvojat e pasura të kësaj fushe. Referencat në këtë drejtim janë të shumta. Në marsin e vitit 2016, CMSA dhe Zyra e Kombeve të Bashkuara për Çështjet Hapësinore të Huaja (UNOOSA) nënshkruan memorandumin e mirëkuptimit për të ftuar vendet anëtare të OKB-së për të kryer eksperimente shkencore brenda stacionit hapësinor të Kinës. Në vitin 2018, 27 vende paraqitën 42 propozime bashkëpunimi pasi dy agjencitë dërguan ftesën. Në qershorin e vitit 2019, Kina ka nxjerrë grupin e parë të nëntë projekteve të bashkëpunimit ndërkombëtar.

Bashkëpunimi me Francën, Italinë dhe Pakistanin në eksperimente hapësinore në fusha si fizika themelore, mjekësia hapësinore dhe astronomia hapësinore, ka qënë i frytshëm dhe produktiv. Në fund të nëntorit të vitit të kaluar sonda kineze e Marsit “Tianwen-1” dhe anija kozmike “Mars Express” e Agjencisë Europiane të Hapësirës (ESA) kanë kryer një test komunikimi rele në orbitë. Roveri kinez i Marsit “Zhurong” ia dërgoi të dhënat e testimit “Mars Express-it “ në një largësi prej afro 4000 kilometrash. Komunikimi në mes tyre zgjati në një shtrirje kohore prej 10 minutash, duke verifikuar kështu saktësinë dhe normalitetin e testimit. Përmbajtja e të dhënave të transmetuara ishte e plotë dhe e saktë.

Në janarin e këtij viti Kina dhe Rusia e thelluan bashkëpunimin në mes tyre. Synimi është mjaft ambicioz. Marrëvëshja e nënshkruar ka si bazë zbatimin e përbashkët hapësinor për ndërtimin e një baze në Hënë deri në vitin 2035. Dy vendet synojnë të përfundojnë ndërtimin e infrastrukturës kryesore për ILRS deri në vitin 2035. Pekini dhe Moska planifikojnë të kombinojnë bazën në sipërfaqen e Hënës me nje stacion hapësinor me orbitën e satelitetit natyror të Tokës. Kina dhe Rusia janë treguar shumë të hapura në këtë projekt që nuk i përket vetëm dy vendeve, por gjithë njerëzimit.

Ata kanë ftuar çdo vend që dëshiron të marrë pjesë në këtë projekt ambicioz, i cili do të shënojë fillimin e pushtimit të hapësirës dhe hapjen e një epoke të re. Kina dhe Rusia kanë parashikuar që të realizojnë projekte të ndryshme të përbashkëta eksperimentale për të dhënë kontributin e duhur në eksplorimin e hapësirës.

Jo vetëm kjo marrëveshje e nënshkruar në janarin e këtij viti, por e gjithë veprimtaria e programit hapësinor të Kinës kanë tërhequr vëmendjen e gjithë globit. Sonda e Marsit e Kinës Tianwen-1 përshëndeti popullin kinez me pamje videoje të realizuara në planetin e kuq, të cilat u përcollën në prag të vitit të ri 2022. Videoja e realizuar ofroi pamje të reflektimit të diellit në orbitë, të flamurit kinez në anijen kozmike dhe mbulesën e akullit në polin verior të planetit Mars. Para disa ditësh Tianwen-1 kishte përvejtorin e parë në orbitë, pasi me 10 shkurt të vitit të kaluar ai arriti në Mars. Që nga nisja e deri tani Misioni ka dërguar më shumë se 600 GB të dhëna shkencore.

Me shumë interes janë pritur edhe rezultatet e zbulimit të sinjaleve të ujit në Hënë, nga zbritësi hënor “Chang’e-5” . Sipas studimeve të kryera dhe të dhënave të ofruara, dheu hënor në vendin e zbritjes përmban më pak se 120 gram ujë për ton, ndërsa një shkëmb i lehtë vezikular, përmban 180 gram për ton, që është më i thatë se në tokë. Sonda “Chang e 5” u ul në një prej bazave më të reja në sipërfaqen e Hënës, që gjenden në një gjerësi gjeografike të mesme, të lartë. Ajo e mati në vend ujin dhe mori mostra me një peshë prej 1731 gramësh. Hetimi mbi rezervat ujore të Hënës është në fokus të vëmendjes, pasi në dekadat e ardhëshme do të krijohen stacione hënore me astronaut. Kina është e gatshme të eksplorojë rajonet polare të Hënës dhe po shqyrton mundësine për një ulje hënore me astronaut.

Kina gjithnjë e më shumë po forcon infrastrukturën e saj hapësinore dhe po punon

me një perspektivë afatgjatë në shkencën dhe teknologjinë që lidhet me eksplorimin hapësinor, duke i dhënë hapësirë gjithnjë e më të madhe komunikimit e bashkëpunimit.

Për një qeverisje efektive dhe të suksesëshme të hapësirës kozmike Kina ka konfirmuar gatishmërinë për dialog me Rusinë, SHBA-në dhe vende të tjera si dhe organizatat ndërkombëtare, pasi vetëm mbi këtë bazë çdo arritje kthehet në të mirë globale.

Gëzim Podgorica