Emocione të mëdha, shkëlqim dhe magji, teknologji e lartë, por edhe mesazhe shumë domethënëse, u përcollën dhe përjetuan në Ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit. Bota vërtet mbajti frymën nga spektakli, që do të jetojë gjatë në mendjet e të gjithë atyre që e përcollën eventin më të madh, jo vetëm sportiv, por edhe artistik e teknologjik të këtij viti.

Ajo që në vitin 2008 quhej e paarritshme dhe e papërsëritshme për nga përmasat dhe bukuria, emocionet dhe fryma që përcillte, 14 vite më vonë dhe përsëri në Pekin, globi u takua me një dimension të jashtëzakonshëm që kishte brenda vetes gjithçka i duhej një veprimtarie të tillë. Ngjarja sportive më e madhe e vitit brenda frymës paqësore dhe mirëkuptimit që përcjell shpirti olimpik, shfaqi elemente të reja të pandeshura më parë në organizime të këtij lloji. Një koreografi e harmonizuar në mënyrë perfekte me teknologjinë më të avancuar e inteligjencën artificiale, transmetoi imazhe që ishin befasuese në sytë e të pranishmëve, por edhe tek shikuesit në mbarë botën që prisnin me interes ndjekjen e këtij eventi.

Ceremonia hapëse ndërthuri me një mjeshtri të lartë kulturën dhe artin kinez, të kombinuar natyrshëm me kërkesat moderne të kohës, mbështetur nga risi teknologjike që tregojnë fuqinë zhvilluese të Kinës. Me të drejtë në faqet e shtypit botëror gjendej në mënyrë të sintetizuar shprehja se me përsosmërinë dhe madhështinë e organizimit “Kina e tejkaloi veten”. U realizua pikërisht ajo që regjisori Zhang Yimou e kishte përcaktuar këtë shfaqje si një performancë “eterike romantike”. CMG realizoi për herë të parë transmetimin e gjithë eventit në teknologjinë 4K. Kjo shënoi një ngjarje me rëndësi në historinë e transmetimeve të Lojërave Olimpike. Por përsosja teknologjike nuk ndalet këtu.

Zhang Yimou, regjizori i Ceremonisë së hapjes së Lojërat Olimpike Dimërore, 4 shkurt, Pekin(Foto:VCG)

Zhang Yimou, regjizori i Ceremonisë së hapjes së Lojërat Olimpike Dimërore, 4 shkurt, Pekin(Foto:VCG)

Gjatë ditëve që po mbahen lojërat në disa disiplina sportive si ski stil i lirë, patinazh shpejtësie në pistën e shkurtër e të tjerë janë prodhuar shenjat publike me teknologjinë 8k. Shumë gjëra në transmetimin televiziv po shënojnë herën e parë në shkallë globale që realizohen të tilla siç është aplikacioni i teknologjisë 5G+4K/8K+Al në transmetim me definicion ultra të lartë.

Prezantimi i lojërave ne 44 gjuhë të ndryshme, i afron ato në çdo kënd të globit, duke vendosur kësisoj jo vetëm një urë komunikimi globale, por edhe duke përcjellë atmosferën e papërsëritshme që po sjellin këto lojëra në të gjithë dimensionet e tyre. Falë punës së një ekipi shumë të madh të CMG-së, prej më shumë se 3000 vetash, kemi rastin e lumtur të përjetojmë emocionet e garave, po edhe të spektaklit që është prezent në çdo moment. Ai filloi me 4 shkurt por vazhdon në një përmasë që rritet edhe në këto ditë.

Ishte datë simbolike edhe 4 shkurti, pasi përkoi me “Fillimin e Pranverës”, ndër 24 fazat stinore sipas kalendarit bujqësor kinez, duke i sjellë njerëzimit gjallërinë e pranverës. Numërimi mbrapsht 24 sekonda, i realizuar me fillimin e ceremonisë, u përdor për të pasqyruar kuptimin e kohës nga populli kinez. Detajet e ceremonisë ishin të menduara për të transmetuar mesazhe që përcjellin optimizëm, dashuri për njerëzit anë e kënd globit.

Ceremonia e hapjes së Lojërat Olimpike Dimërore, 4 shkurt, Pekin(Foto:VCG)

Ceremonia e hapjes së Lojërat Olimpike Dimërore, 4 shkurt, Pekin(Foto:VCG)

Ceremonia e hapjes së Lojërat Olimpike Dimërore, 4 shkurt, Pekin(Foto:VCG)

Një madhështi ceremoniale, në të cilën secili shtet ndjehej i mbushur me krenari tek shikonte parakalimin e sportistëve të vendit të tij përmes flamurit, ngjyrave dhe simboleve përfaqësuese. Ishte atje edhe Shqipëria me krenarinë e një vendi të vogël, por që është pjesë e eventeve më të mëdha sportive dhe përçuese e paqes që simbolizon dhe shpreh fryma olimpike. E kuqja e flamurit tonë kombëtar rezononte mjaft bukur edhe me ngjyrat e kuqe që kultura e lashtë por edhe e re kineze i ka pjesë të shpirtit të vet artistik. Simbolikat e ndryshme të paraqitura gjatë ceremonisë, ishin pjesë e mesazheve shumë domethënëse.

Po ashtu valëvitja e flamurit kinez nga 56 përfaqësues me emër në çelje të shfaqjes madhështore përcillte moton e unitetit të një kombi nën një flamur, pasi valëvitja e tij nga 56 persona që përfaqësonin 56 grupet etnike të Kinës, që janë në një harmoni me njeri-tjetrin dhe pjesë e pandarë e këtij vendi të madh. E tërë bota ishte e mbledhur aty, me përfaqësues sportiv, por edhe kryetarë shtetesh e diplomatë, me drejtues organizatash të rëndësishme ndërkombëtare.

Delegacionet pjesëmarrëse, pavarësisht madhësisë, përcillnin mesazhet e paqes, mirëkuptimit e bashkimit, duke treguar se sporti tejkalon ndasitë dhe qëndrimet politike dhe bashkon njerëzit drejt një të ardhmeje e prosperiteti zhvillues. 3 mijë sportistët nga 90 vende të botës, gjatë garave në 15 disiplinat sportive ku po marrin pjesë dhe përpjekjeve për rezultate sportive sa më të larta, inspirojnë frymën bashkëpunuese si një mundësi që japin Lojërat Olimpike për të vendosur paqen.

Ceremonia e hapjes së Lojërat Olimpike Dimërore, 4 shkurt, Pekin(Foto:VCG)

Ceremonia e hapjes së Lojërat Olimpike Dimërore, 4 shkurt, Pekin(Foto:VCG)

Ceremonia e hapjes së Lojërat Olimpike Dimërore, 4 shkurt, Pekin(Foto:VCG)


Sekretari i përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres, i cili po ndjek nga afër këtë ngjarje të përmasave të mëdha, duke uruar për Lojërat ka shprehur besimin se ky event është një kontribut për bashkimin e njerëzve në mbarë botën. Ajo që Presidenti Xi ka theksuar kohët e fundit, këto ditë të zhvillimit të Lojërave po bëhet gjithnjë e më e prekshme. “Kina do t’i japë botës lojëra të efektshme, të sigurta dhe të mrekullueshme, duke konkretizuar moton olimpike “ Më shpejt, më lart, më fort”- së bashku”.

Dhe realisht kështu po ndodh, madje përtej parashikimeve. Është kjo një mundësi për të lënë pas dallimet dhe ndarjet, e për t’u investuar drejt bashkimit. Që nga stafeta olimpike e deri në momentet e parashfaqjes, të gjithë që po i ndjekin këto lojëra janë surprizuar pozitivisht jo vetëm me përsosmërinë dhe organizimin e mrekullueshëm, por edhe mesazhet mbi simbolikat përfaqësuese.

Domethënia e parashfaqjes ku kërcimtarë të moshave nga 5 deri në 70 vjeç vallëzuan e kërcyen nën moton “ Vallëzimi në sheshe”, përcolli mesazhin e atmosferës së një jete të gëzuar ku njerëzit si në qytete të mëdha, ashtu edhe në ato të vogla mblidhen e kërcejnë së bashku në kohën e tyre të lirë. Detajet që flasin për një përsosmëri organizimi jo vetëm në ceremoninë e hapjes, por gjatë gjithë këtyre ditëve, tregojnë se angazhimi i Kinës për të përcjellë në përmasat më të mëdha një ngjarje të kësaj natyre përsosmërisht, është bërë i mundur, madje mahnitës. Mençuria dhe aftësia kineze po dëshmohet edhe në këtë rast, duke injektuar përmes shpirtit olimpik investimin për paqe e zhvillim.

Ceremonia e hapjes së Lojërat Olimpike Dimërore, 4 shkurt, Pekin(Foto:VCG)

Ceremonia e hapjes së Lojërat Olimpike Dimërore, 4 shkurt, Pekin(Foto:VCG)

Në këtë ngjarje të përmasave të mëdha forca realizuese e Kinës dhe kultura e lashtë dhe e re e saj, përmes shkrirjes në mënyrë harmonike të artit, teknologjisë dhe inspirimit të paqes po theksojnë edhe një herë orientimin e sotëm të këtij vendi të madh që koncepti i bashkësisë me fate të përbashkëta të njerëzimit, është koncepti orientues nga ku udhëhiqet sot kombi.

Në darkën përshëndetëse për nder të krerëve të shteteve pjesëmarrëse në ceremoninë e hapjes, Presidenti Xi Jinping ndër të tjera vuri në dukje se Lojërat Olimpike që nga lashtësia kanë bartur aspiratat e njerëzimit për paqe, solidaritet dhe përparim. Kreu i shtetit kinez u kërkoi të gjitha palëve të mbajnë parasysh aspiratën origjinale të Lojërave Olimpike dhe së bashku të mbështesim paqen.

Lojërat olimpike në gjerësinë motivuese të tyre nxisin edhe zhvillimin e gjithanshëm njerëzor. Kina është investuar fuqishëm në këtë drejtim, pasi është arritur të ndizen e nxiten më tej dëshirat e kinezëve për të qenë aktiv dhe pjesëmarrës në sportet dimërore. Më shumë se 300 milionë kinezë marrin pjesë dhe ushtrojnë tani sportet dimërore.

Duke u ballafaquar me këtë realitet zhvillues, presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar Thomas Bach, deklaroi plot optimizëm se “ Kina sot është një vend i sporteve dimërore. Rritja e efektivitetit fizik ndërmjet këtyre disiplinave po kontribuon në shëndetin dhe mirëqenien e popullsisë. Për më tepër, bumi në sportet dimërore kineze, sigurisht do të ketë shumë përfitime ekonomike”.

Afro 61 miliardë dollarë janë të ardhurat që janë gjeneruar nga sportet dimërore në sezonin e fundit, duke rritur ndjeshëm numrin e turistëve që vizitojnë dhe janë pjesëmarrës aktiv në sportet dimërore. Pandemia frenoi këtë tendencë, por Lojërat i dhanë edhe një hov tjetër sfidues dhe rikthimi do të jetë edhe me nxitës për masivitet.

Gëzim Podgorica