Republika Popullore e Kinës është tashmë në skenën e teatrit gjeopolitik të planetit. Kjo skenë e Fuqive të Mëdha ka marrë një formë të re. Nuk është më si ajo e para Luftës së Dytë Botërore, as nuk i ngjan periudhës së Luftës së Ftohtë. Ngritja kineze në rolin e një prej dy Fuqive më të Mëdha të planetit tonë, megjithatë ka një karakteristikë të veçantë. Pekini nuk është në kërkim të një bote të ndarë në blloqe e të përsëritjes së epokës së Luftës së Ftohtë. Qeveria dhe presidenti kinez kërkojnë as më shumë, as më pak: - Vetëm dialog!
Dialog…! Është lehtë ta shqiptosh këtë fjalë. Por është shumë vështirë ta realizosh atë. Madje është më vështirë të bësh dialog, sesa të konstruktosh konfliktin. Republika Popullore e Kinës është e përcaktuar pikërisht për dialogun. Ndërkohë duhet thënë se dialogu është produkt i subjekteve që nuk kanë komplekse, që e pranojnë njëri-tjetrin dhe përpiqen të përfitojnë nga njëri-tjetri përmes ndërtimit të urave të bashkëpunimit. Ky tipar kinez buron nga tradita, nga konceptet paqësore të themeluesve të shtetit dhe qytetërimit kinez, Konfuci, Menci e të tjerë mendimtarë, të cilët na kanë lënë një trashëgimi të jashtëzakonshme e unike në filozofinë e shtetit, e të marrëdhënieve të tij me njerëzit e botën që e rrethon.

Dialog do të thotë marrëveshje! Dialog do të thotë durim! Dialog do të thotë respekt për tjetrin! Dialog do të thotë përfitime të ndërsjella midis dy subjekteve, dy shteteve, dy Fuqive apo më shumë Fuqive të Mëdha. Dhe në përfundim, dialog do të thotë paqe, mirëkuptim, pranim e bashkëpunim! Kësisoj dialogu është çështje kulture. Është një fenomen njerëzor! Ndaj nuk mund të jetë instrument force, dhune, arrogance, apo diktati! Lidershipi kinez fatmirësisht i përmbahet kësaj rruge. Pekini e pranon faktin se Kina përfaqëson një prej Fuqive të Mëdha dhe se e vetme nuk mund të bëjë diçka domethënëse për paqen dhe rregullin ndërkombëtar.
Për të promovuar dialogun e ndërsjellë Kina i kushton vëmendje të veçantë informacionit, imazhit. Sepse dialogu është besim dhe imazhi, paraqitja është shprehje e besimit. Prandaj ajo ka ndërtuar një rrjet të gjerë televizionesh, gazetash, agjencive të lajmeve dhe instrumenteve përkatës për përhapjen e lajmeve në botë. Siç kanë bërë dhe bëjnë të gjitha Fuqitë e Mëdha! Ndërkohë përpiqet që të ndikojë edhe mediat e huaja të akredituara në Republikën Popullore të Kinës për të pasqyruar objektivisht situatën dhe realitetin kinez. Ka kritikë që këtë e shohin si përpjekje për imponim. Por këto përpjekje për një raportim objektiv për Kinën e rreth Kinës në fakt promovojnë dialogun midis civilizimeve.
Çdo të thotë kjo? Bota ka shembuj të panumërt kur në periudha të caktuara të jetë promovuar urrejtja dhe dasia midis kombeve e civilizimeve. Dhe sa herë ka ndodhur kjo, kanë ndodhur konflikte dhe katastrofa të mëdha. Kina synon pikërisht ndërtimin e urave të bashkëpunimit dhe të dialogut global. Këtij qëllimi i shërben përpjekja për të ndikuar në imazhin e vendit në botë, si dhe krijimi e aktivizimi i shoqatës "Urat e Kinës", ose projektit "Reporterët e Kinës"!

Ka nga ata kritikë që projekte e shoqata si këto i shohin me dyshim dhe skepticizëm. Madje në një farë mënyre përpiqen të imponojnë të kundërtën e përpjekjeve të Kinës për një imazh pozitiv dhe pozicion që promovon dialogun kulturor të komunikimit midis kombeve. Në fakt këta kritikë përpiqen të ndikojnë në një fushë, të cilën nuk do ta pranonin për vendin e tyre. Cili vend në botë, i madh apo i vogël, nuk ka në strategjinë e tij të veprimtarisë politike e diplomatike përmirësimin e imazhit të vet?! Pikërisht këtë predikojnë kritikët! Pse Kina promovon imazhin e saj te popujt, vendet dhe shtetet e tjera?! Dhe nuk kuptojnë se përpjekja për imazh është shembull dialogu, pranimi dhe mirëkuptimi! Katja Drinhausen është bashkëpunëtore shkencore e Institutit të Studimeve për Kinën në Berlin. Dhe ajo e arsyeton si të matur dhe të kuptueshëm një lloj promovimi që bën lidershipi politik e diplomatik i Kinës në mediat ndërkombëtare dhe vendet e tjera.
"Ura Kineze" është një shoqatë, e cila sipas anëtarit gjerman të kësaj shoqate, Wolfgang Hirn, promovon dialogun me Kinën. Kryetar i këtij asosacioni është ish-ministri i Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Hans-Peter- Friedrich, çka do të thotë se platforma e Pekinit për dialog ka tërheq edhe personalitete të vendeve të tjera, si Gjermania. Sigurisht që subjekte të tilla synojnë të krijojnë një imazh pozitiv në medie për Kinën e rreth Kinës. Por sipas specialistëve është e natyrshme që secili vend të vendosë vetë se çfarë pozicioni mediatik do të ndërmjetësojë për imazhin e tij.

Republika Popullore e Kinës është në traditën e vet të kërkimit të një imazhi pozitiv në sytë e njerëzimit. Dikush nuk e pëlqen këtë përpjekje. E ndërkohë ky dikushi nuk ia mohon vetes ose vendit të tij këtë të drejtë. Në fund të fundit e drejta për të dhënë imazhe pozitive tek të tjerët është objektive, njerëzore dhe racionale. "Ura kineze" është një nga projektet që i shërben ndërmjetësimit të imazhit të Fuqisë së Madhe të Kinës me botën dhe civilizimet e saj.
Dhe për më tej, kjo përpjekje ndërmjetësimi nuk është vetëm e drejtë e çdo vendi dhe subjekti, por edhe sinjal i gatishmërisë së Republikës Popullore të Kinës për dialog me botën që e rrethon. Është njëkohësisht pranim e respekt për kulturat e tjera jokineze!

Enver Bytyçi