Tensionet në rajonin e Ballkanit vazhdojnë të mbeten të larta dhe paqja e brishtë përherë e më shumë ndjehet e rrezikuar. Problemet e trashëguara por edhe ato të reja bëjnë që kjo zonë të mbetet nën kërcënimin e përplasjeve, që kanë më shumë se çdo gjë tjetër ngjyrë etnike. Bosnja, Kosova Lindore dhe Pesheva si dhe Mali i Zi janë tre adresa konflikti potencial. Ngjarjet që do pasojnë në Podgoricë pas datave 3 dhe 4 shkurt, kur është kërkuar të votohet qeveria e re, nuk parathonë mundësinë e një stabiliteti politik e social në republikën më të vogël ballkanike, koridorin e shumë interesave sa politike, aq edhe ekonomike. Diferenca vetëm prej një deputeti midis maxhorancës dhe opozitës ka bërë që qeveria e Krivokapiç të jetë e kondicionuar nga shumë faktorë. Partia opozitare e Presidentit Gjukanoviç një lider me orientim perëndimor, por me akuza nga më të shumtat mbi shpinë për korrupsion dhe trafiqe ilegale, ka shfrytëzuar gjithë sensibilitetet etnike e fetare për ta sulmuar qeverinë aktuale dhe siç duken ngjarjet, largimi i saj po bëhet gjithnjë e më i afërt.

Në përplasjen aktuale midis dy kampeve që synojnë njeri mbajtjen dhe tjetri marrjen e pushtetit, tezat që lidhen me afinitetin me Serbinë dhe ndikimin e saj në politikën aktuale, mbeten më të elaboruarat, apo dritarja nga sulmojnë palët. Lideri I DPS-së Gjukanoviç deklaroi së fundi se “ Ne mund të krenohemi për kontributin që DPS-ja ka dhënë 18 muajt e fundit në fushën e zhvillimit demokratik të shoqërisë dhe se kemi arritur ta zmbrapsim sulmin e nacionalizmit serbomadh gjatë gjithë kohës”. Kjo tezë e Gjukanoviç i ka shërbyer atij për të sulmuar përherë qeverinë aktuale e cila ka tronditur jo pak me veprimet e saj, aktivitetin e qeverive paraardhëse. Të rrezikuar nga masat që janë ndërmarrë e reformat e qeverisë së Krivokapiç, kasta drejtuese e qeverive të kaluara, ka përdorur të gjithë arsenalin e saj për të penguar ecurinë dhe për të komprometuar politikisht qeverisjen e tanishme.

Krivokapiq (Info Shqip)

Krivokapiq (Info Shqip)

Ajo që po ndodh në Malin e Zi i ngjet realisht një lufte për të rifituar pushtetin e humbur me çdo çmim. Stabiliteti i vendit sigurisht që do të dëmtohet rëndë dhe është e paqartë se si do të ecet në vijimësi, do jetë vërtetë një qeveri e pranueshme dhe me mundësi qëndrimi afatgjatë në pushtet qeveria e pakicave që po projektohet, apo kompromiset e tanishme për rrëzimin e qeverisë do të çojnë në zgjedhje të reja?

Situata e tanishme pavarësisht kombinacioneve politike në parlament, është mjaft e tensionuar dhe mund të sjellë përplasje, që do të kenë sfondin etnik, duke i bërë ndarjet edhe më të thella. Kësaj i ka kontribuar në mënyrë të përherëshme presidenti aktual, pasi ai dhe gjithë enturazhi i tij politik pas ikjes së tyre nga pushteti që e kishin mbajtur për gati 30 vjet, u ballafaquan me abuzime të rënda. Duke kërkuar me çdo mjet pushtetin, më shumë për mbrojtjen e tyre se sa për të sjellë një të ardhme evropiane në Malin e Zi, jo vetëm duket e largët mundësia e një qeverisjeje të qëndrueshme dhe stabiliteti social, por kriza thellohet dhe vendi i vogël ballkanik duhet të mbajë në kurriz përplasje që mund të dalin përtej kufijve të tij.

Që nga momenti kur u dhanë sinjalet e mocionit të mosbesimit të qeverisë akuzat e ndërjellta midis Zdravko Krivokapiç dhe zëvendësit të tij, Dritan Abazoviç kanë ndezur protesta në rrugë , të cilat nuk pritet të shuhen me riformatimin e mundshëm të qeverisë. Në situatën e ndezur politike, ku po punohet për një qeveri të pakicave, por që do të ketë mbështetjen e plotë nga DPS, është e vështirë të arrihet një konsensus i gjërë, i pranueshëm publik për t’i dhënë mbështetje afatgjatë një qeverie të krijuar mbi këtë bazë. Dy komunitetet më të mëdha, ato malazes dhe serbë që përbëjnë shumicën e popullsisë në Malin e Zi, por edhe që kanë përplasjet më të mëdha në mes të tyre, vështirë të pajtohen të drejtohen nga një kryeministër shqiptar dhe nga një qeveri e pakicave, aq më tepër që në prapaskenë qëndrojnë forca dhe interesa të ndryshme, që i kalojnë kufijtë e Malit të Zi.

Dritan Abazoviç dhe Milo Gjukanoviç (Gazeta Tema)

Dritan Abazoviç dhe Milo Gjukanoviç (Gazeta Tema)

Kancelaritë evropiane kanë reaguar menjëherë pas situatës së krijuar, aq më tepër që Evropa është nën ankthin e konfliktit gjithnjë e më të tensionuar midis Rusisë dhe Ukrainës dhe një vatër e re, do të prishte shumë ekuilibra. Ngjarjet në Malin e Zi, në sfondin e zhvillimeve të ethshme të Ukrainës mbeten periferike, por në kushtet e një përplasjeje etnike, rrezja zgjerohet shumë.

“ Mali i Zi ka legjitimitet demokratik. Është shtet demokratik dhe duhet t’i zgjidhë problemet në institucionet shtetërore, jo në rrugë” u deklarua menjëherë pas protestave të para kryetarja e delegacionit të BE-së në Podgoricë, Oana Kristina-Popa. Ndërkohë ambasadori gjerman në kryeqytetin malazes Robert Weber u shpreh se “ pajtohet se Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare nuk do të vendosin se kush do të jetë në qeverinë malazeze, por se shteti duhet të udheheqë procesin dhe t’i zgjidhë problemet brenda institucioneve”.

Thirrjet që intensifikohen nga vendet anëtare apo institucionet e BE-së ngjajnë më shumë me kryerjen e një detyre proceduriale, se sa me nevojën e inspirimit të një politike konkrete dhe të orientuar qartë, por edhe të pa afektuar nga interesa të ndryshme, në kapërcimin e kësaj situate.

Në ballafaqimin e tanishëm politik opsionet e një qeverie të pakicave dhe të zgjedhjeve të reja do të ballafaqohen me datën 4 shkurt në parlamentin malazez. Kryeministri Krivokapiç i ka dorëzuar Kuvendit propozimin për shkurtimin e mandatit të parlamentit aktual, duke argumentuar e theksuar se zgjedhjet e përkohëshme parlamentare janë rruga më efikase dhe e drejtë demokratike për zgjidhjen e situatës së ndërlikuar. Krivokapiç këmbëngul në këtë zgjidhje pasi qeveria dhe përbërja aktuale e kuvendit nuk mund të ushtrojë kompetencat sipas Kushtetutës për shkak të inicimit të procedurës për rrëzimin e qeverisë.

Duke qënë se ai ditëve të fundit është gjendur në vështirësi menaxhimi të kabinetit, pasi disa ministra kanë dalë hapur kundër tij, ka marrë përsipër vetë drejtimin e ministrisë së drejtësisë, ka hequr zëvendëskryeminstrin nga kreu i Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit dhe ka larguar nga drejtues i delegacionit shtetëror për negociata me Bashkimin Evropian, ministrin e jashtëm, Gjorgje Radulloviç.

“Është e papranueshme deklaroi këto ditë Krivokapiç, që qeverisja të rrëzohet nga brenda”. Formimin e qeverisë minoritare e ka konsideruar si një pabesi ndaj vullnetit elektoral të qytetarëve, ndërsa nuk ka lënë pa sulmuar edhe zëvendësin e tij për tradhëti dhe konspiracione e llogaritje politike në favor të interesave oligarkike.

Parlamenti i Malit të Zi (Google)

Parlamenti i Malit të Zi (Google)

Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri Abazoviç ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se “ Qeveria aktuale ka përfunduar misionin e saj dhe në periudhën e ardhëshme do të duhet të zgjedhë mes dy koncepteve : qeveri e pakicës apo qeveri teknike, ose të shkurtojë mandatin e parlamentit e të shkojë në zgjedhje të parakohëshme. Duke vijuar me prononcimin e tij,ai ka pohuar se kryeministri Zdravko Krivokapiç, përmes dy ministrave të tij, u përpoq të përjashtonte URA-n (subjektin që drejton Abazoviç) nga qeveria në bisedimet me përfaqësuesit politikë të pakicave kombëtare. Ngjajnë jo shumë bindëse këto argumente për të rrëzuar qeverinë, aq më tepër që në skenë menjëherë është shfaqur presidenti i vendit, i aftë për të krijuar situata që lidhen me marrjen e pushtetit.

Një klimë e tillë qeverisëse, me një kakofoni dhe komunikim të ndërprerë brenda vetë kabinetit dhe në përpjekje lobuese për numra mbështetës në parlament, bën që të ketë një reflektim të tensionuar në publik.Një situatë krejtësisht e pazakontë dhe pavarësisht thirrjeve që të gjitha problemet të zgjidhen brenda institucioneve, vështirë se do t’i shpangen përplasjes në rrugë.

Në një vend ku prej vitesh injektohet fryma nacionaliste dhe ajo etnike, është mision gati i pamunddur gjetja e një mirëkuptimi të gjerë.

Gëzim Podgorica