Divorcet po bëhen gjithnjë e më të shpeshta në shoqërinë shqiptare. Ndër arsyet kryesore të zgjidhjes së martesës janë emigracioni, pavarësia ekonomike e grave, mosmarrëveshjet financiare dhe dhuna në familje. Në vitin 2019 është shënuar një shifër e lartë divorcesh, ku në 100 martesa janë 26 për qind divorce, ku më shumë se një e katërta e martesave përfundojnë në divorc. Për ekspertët ligjorë dhe psikologët këto shifra janë alarmante.

Vetizolimi në vitin 2020 krijoi shumë dilema në radhët e studjuesve lidhur me ndikimin e tij në jetën në çift. Disa menduan se të qëndruarit mbyllur do të forconte lidhjen mes bashkëshortëve, sepse ata po përballonin së bashku një situate të panjohur dhe tepër të vështirë deri në kufijtë e mbijetesës.

Sipas ekspertëve të së drejtës familjare karantina e vitit 2020 ndikoi në rritjen e shtimit të divorceve në Shqipëri. Njera prej tyre është shprehur në medie se “Numri i kërkesave për divorc të paraqitura në gjykatë është rritur me 40-50 për qind veçanërisht në tremujorin e fundit të vitit 2020. Periudha e mbylljes nga marsi deri në maj ka ndikuar negativisht në marrëdhëniet në çift. Është ndikimi negativ emocional dhe psikologjik që pandemia pati në mirëqenien e individit dhe mirëfunksionimin e familjes.Aspekti ekonomik ka ndikuar duke goditur fort familjen shqiptare. Disa zonja kanë referuar se kanë jetuar me një bashkëshort të cilin nuk po e njihnin më edhe pse kishin vite martesë. Gjatë qëndrimit në shtëpi atyre u ka dale vetja nga kontrolli dhe janë bërë agresivë ndaj bashkëshorteve dhe fëmijëve”

Ekspertja cilëson se kjo dukuri e shtimit të divorceve gjatë periudhës së pandemisë është mbarëbotërore.

Sociologu i njohur Gëzim Tushi është shprehur lidhur me këtë dukuri se “Izolimi social gjatë pandemisë dhe bunkerizimi shtëpiak pritej që të ktheheshin në faktor uniteti, stabiliteti familjar dhe me tregues të përmirësuar të kohezionit martesor dhe marrëdhënies në çift. Përkundrazi këto ishin faktorë nxitës të destabilizimit të disa lidhjeve martesore dhe atyre në çift”

Ndërsa sipas psikologëve është normale që të debatosh më shumë gjatë periudhave stresuese në jetë dhe kjo nuk kishte si të mos ndodhte gjatë pandemisë Covid 19. Ata rendisin një sërë faktorësh që ndikojnë në shtimin e stresit si shqetësimi për shëndetin personal dhe të familjarëve dhe rritja e pasigurisë financiare. Të gjithë këta faktorë psikologët i cilësojnë si “stresuesit klasikë martesorë”.

Me heqjen e masave kufizuese, nisjes së lëvizjeve dhe rihapjen e bizneseve në kryeqytet u konstatua një rritje e këtij fenomeni. Nëse në periudhën mars prill u shënuan 72 kërkesa për divorc në gjykatë, në periudhën maj-korrik u paraqiten 353 kërkesa divorci, fenomen i cili është 5-fishuar.

Krahas padive, rihapja graduale nga masat kufizuese solli dhe një rritje të numrit të rasteve të përfunduara të cilat janë regjistruar për divorc. Nëse në mars dhe prill përfundoi trajtimi i 50 padive për divorc, në maj-korrik përfunduan së trajtuari 247 raste.

Mbi 80% e kërkesë padive regjistrohen në gjykatë nga gratë dhe në pjesën më të madhe shkaku kryesor i divorceve është dhuna. Fëmijët janë viktima të konflikteve mes prindërve gjatë dhe pas këtij procesi.

Edhe fenomeni i dhunës ka njohur rritje pas heqjes së masave kufizuese të vendosura nga qeveria. Ndonëse situata ishte më e qetë në mars dhe prill ku u dhanë 106 urdhra mbrojtjeje, në maj-korrik rastet u dyfishuan në rreth 250 urdhra mbrojtjeje.

Në vitin 2020, sipas Ministrisë së Drejtësisë, numri i divorceve ra ndjeshëm, duke zbritur në rreth 6 mijë. Kjo rënie reflekton situatën e krijuar nga pandemia, që çoi ndër të tjera edhe në mbylljen e gjykatave dhe shtyu shqyrtimin e kërkesave për divorc. Kjo pritet të reflektohet në shifrat e divorceve për vitin 2021, që pritet të publikohen.

Gratë janë ato që ndërmarrin më së shumti hapin e parë për të zgjidhur një martesë të palumtur. Sipas të dhënave nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, në vitin 2018, rreth 3,600 kërkesa për divorc, ose 54% u bënë nga bashkëshortet. Në 2019-n, rreth 4300 gra iu drejtuan Gjykatës për të kërkuar zgjidhje martese, ose gati 56% e kërkesave.

Sipas psikologëve arsyet që kontribuojnë në divorc: abuzimi fizik, problemet financiare, infertiliteti, pabesia apo tradhtia dhe konfliktet mes tyre ose me familjarë të përfshirë.

Fuqizimi i grave ka çuar në një rritje të divorceve sepse nuk e kanë më të vështirë ekonomikisht të jetojnë, ashtu sikurse nuk ndikohen më nga opinioni, siç ndodhte rëndom më parë. Suksesi profesional i grave ka ndihmuar në emancipimin e tyre ideologjik dhe ekonomik nga burrat, gjithashtu i bën gratë dhe burrat më pak të ndërvarur, duke ndryshuar përfitimet e martesës dhe kostot në rast se ndahen. Këtë vit do të publikohen dhe shifrat lidhur me divorcet gjatë vitit 2021, që pritet të jenë sërish të larta.

Eda Merepeza