Pandemia e shkaktuar nga Covid 19 ishte një sprovë e vërtetë globale në përballimin e saj në shumë fusha, por edhe një sfidë për ekonominë botërore, ku për një periudhë pati edhe një atrofizim të saj. Ekonomitë më të zhvilluara të botës, megjithëse tani janë futur në një rrjedhë afër normalitetit, vazhdojnë t’i ndjejnë pasojat e krijuara nga pesha e rëndë e pandemisë. Duke hulumtuar të dhënat e vitit të kaluar, shifrat që analizojnë ecurinë ekonomike po u afrohen atyre të vitit 2019, por ende mbeten në diferencë me atë periudhë.

Ndryshe nga vendet e tjera, gjatë vitit 2021 Kina zuri një pozicion udhëheqës të zhvillimit ekonomik, por edhe të kontrollit të epidemisë në mbarë botën. Ekonomia kineze është një forcë e rëndësishme që po udhëheq rimëkëmbjen e ekonomisë botërore. Gjallëria e ekonomisë kineze u reflektua gjerësisht në të gjithë damarët e saj gjatë vitit të kaluar, ndërkohë që vëllimi i përgjithshëm ekonomik i kaloi 110 trilionët juanët (17.3 trilionë dollarë), me një rritje prej 8.1 % krahasuar me vitin 2020. Në tremujorin e katërt, ekonomia e Kinës u rrit 4% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2020. Shifra e rritjes ishte përtej parashikimeve dhe kjo ndikoi jo vetëm në forcimin e ekonomisë e qëndrueshmërisë së saj, por pati një kontribut prej 25 % në rritjen globale.

Ekonomia e dytë më e fuqishme e botës tejkaloi në trendin rritës edhe ekonominë amerikane. Sipas Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, parashikimi i PBB-së për SHBA-në u ul nga 6 në 5.6%. Eksportet amerikane u ulën në mënyrë të ndjeshme në tremujorin e tretë të vitit 2021, por pati rënie edhe në shpejtësinë e rritjes së konsumit personal.

Vitet 2020 dhe 2021 për mbarë botën u shoqëruan me një ngadalësim të tregëtisë dhe investimeve, ndërkohë që në këtë periudhë Kina u ka ofruar kompanive më të mëdha botërore mundësi të shumta, krahasuar me vendet e tjera. Duke kontrolluar dhe parandaluar në mënyrë efektive epideminë, është mundësuar një rritje ekonomike stabël dhe kompanitë e huaja kanë patur mundësinë e garancinë e investimeve serioze e të sigurta. Në Forumin Ekonomik Botëror të mbajtur disa ditë më parë, Presidenti kinez Xi Jinping theksoi se: “Ndryshimet në mjedisin ekonomik të brendshëm dhe ndërkombëtar kanë sjellë një trysni të jashtëzakonëshme, por themelet e ekonomisë kineze, të karakterizuara nga qëndrueshmëria e fortë, potenciali i madh dhe vijueshmëria afatgjatë, mbeten të pandryshuara”

Ky optimizëm i Presidentit në fjalimin e tij mbështetet në garancinë që ka dhënë vitin e kaluar ekonomia kineze, pavarësisht dallgëve të ndryshme, se ia ka dalë të realizojë një zhvillim pozitiv. Gjithashtu fjala e tij në Forum jepte edhe mesazhe përbashkuese, përballë diversiteteve që nuk ndihmojnë në mbajtjen e një arkitekture ndërkombëtare solide e të fuqishme. Thirrja për t’i tejkaluar ndasitë dhe inspiruar multilaterizmin në veprimin e hapat konkrete, përbën një bazë nga e cila jepen sinjale sigurie. Të dhënat pozitive të një vendi, afektojnë gjithë ekonominë globale, aq më shumë kur flitet për ekonomi të fuqishme e të stabilizuara, siç është ekonomia kineze.

Tregtia e jashtme, si një ndër treguesit konkretë të përparimit e të komunikimit të ekonomisë kineze, dëshmoi vitin e kaluar jo vetëm qëndrueshmërinë dhe zhvillimin afatgjatë, por edhe garancinë e shkëmbimeve tregtare të brendshme e të jashtme që ndikojnë në të gjithë ekonominë globale. Volumi i tregtisë së jashtme të Kinës në vitin 2021 i kaloi 6.05 trilionë dollarët, duke shënuar kështu një kufi të ri rekord për këtë vend.

Sfidat edhe vitin e kaluar ishin mjaft të vështira, por Kina para së gjithash ishte shumë e organizuar në parandalimin dhe kontrollin e pandemisë, gjë që krijonte një hapësirë optimale për zhvillimin ekonomik dhe mbajtjen e tij në ritme pozitive stimuluese. Kërkesa e prodhimit dhe ajo e konsumit i kanë dhënë tregtisë së jashtme mbështetje të fortë për zhvillim, duke rritur potencialet për t’iu përgjigjur këtyre kërkesave. Diafragma e kërkesave ishte mjaft e gjërë për produktet kineze dhe ajo shtrihej që nga produktet elektronike deri tek mobiljet dhe paisje të ndryshme në bujqësi por edhe në barnat e materialet mjekësore, aq të domosdoshme në periudhën e pandemisë. Sigurisht që ky shtim i volumit të tregtisë së jashtme është mbështetur nga politikat e qeverisë kineze, të cilat janë drejtuar në mbështetjen e financimit për ndërmarrjet e mesme e të vogla, përmirësimin e mjedisit të biznesit, reformën dhe lehtësimin e tregtisë ndërkufitare dhe reformën për lehtësimin e tregtisë dhe të investimeve në zonat pilot të tregtisë së lirë.

Rritja e tregtisë së jashtme materializoi në mënyrë konkrete edhe iniciativën më të fuqishme të dekadës së dytë e në vijim të këtij shekulli që lidhet me nismën “Një brez , një rrugë”. Import eksporti me vende të përfshira në këtë nismë, u rrit me 23.6 %. Ky komunikim i zgjeruar dhe konkret i ka dhënë nismës një fuqi më të madhe rrezatuese pozitive, si një rrugëtim i përbashkët zhvillues dhe me efekte të ndërsjella. Rritja e zhvillimi i tregtisë së jashtme vitin e kaluar është një garanci për një energji të re zhvilluese në planin global gjatë këtij viti. Kjo energji zhvilluese do të ndjehet në vende të ndryshme, por do jetë shumë e prekshme edhe tek vendet që u përfshinë në Marrëveshjen e Partneritetit të Gjithanshëm strategjik rajonal, e cila ka hyrë në fillim të këtij viti në fuqi.

Vendet e përfshira në RCEP, tregtia e jashtme e të cilave do të funksionojë mbi bazën e parimit të enëve komunikuese, do të jenë përfituese e ritmeve dhe e bumit që po rrezaton tregtia e jashtme e Kinës.

Partnerët tregtarë të Kinës janë në të gjithë botën dhe zhvillimi shumëplanësh ka promovuar efektivisht gjallërinë dhe potencialin e tregtisë së jashtme të Kinës. Tregtia sigurisht u bazua në rritjen sasiore e cilësore të prodhimit. Vlera e shtuar e ndërmarrjeve mbi madhësinë e përcaktuar gjatë vitit 2021 u shtua me 9.6 % krahasuar me vitin 2020, me një normë mesatare rritje 6.1 në dy vjet.

Rritja e ndjeshme që u realizua në vitin 2021 në investimet kineze jashtë vendit, dëshmoi se ekonomia kineze zhvillohet e konsolidohet në plan të gjerë. Shifra prej 9.2 % e rritjes së investimeve kineze përfshin një volum prej 145 miliardë e 190 milionë dollarë, dukë përfaqësuar kështu rritjen më të madhe në shkallë globale. Sigurisht që arritja e këtij rezultati ka patur vishtirësitë e veta, por edhe argumenton se pas këtyre shifrave qëndron përballimi kompleks dhe tejkalimi i suksesshëm i pandemisë. Vendet përgjatë nismës “Një brez, një rrugë” ndjenë edhe vitin e kaluar kooperimin me Kinën dhe prekën rezultate që inkurajuan ekonominë të dalë nga vishtirësitë që po përballet. Investimet jofinanciare në disa prej këtyre vendeve kapën shifrën e 20.3 miliardë dollarëve, me një rritje prej 14.1 % krahasuar me një vit më parë.

Një pjesë e vendeve të përfshira në këtë nismë janë në zhvillim ose ekonomi të reja, kështu që vëmendja kineze drejtuar tek këto vende, impulson zhvillimin në infrastrukturë kryesisht, por edhe në industrializim, bujqësi, telekomunikacion e të tjerë.

Mbështetur mbi faktorët e prodhimit bazuar në zhvillimin me cilësi të lartë, rritja ekonomike e vendit do të mbetet në ritme të larta edhe përgjatë vitit 2022. Tashmë kemi një ekonomi kineze të stabilizuar, e cila e ka tejkaluar me sukses dhe më shpejt nga parashikimi sfidën pandemike, ndërkohë që vende të ndryshme vazhdojnë të jenë të mbërthyer nga kjo krizë dhe frymëmarrja ekonomike mbetet e vështirë për ato. Sfidat e këtij viti nuk janë të lehta dhe leximi me realizëm i tyre, bën që të merren masa mbështetëse efektive për t’i përballuar ato me sukses.

Konsumi, rritja e kufizuar e investimeve dhe luhatjet në tregtinë e jashtme do të jenë në fokus të të gjithë politikës ekonomike, për të siguruar një mjedis të favorshëm e stimulues si për kompanitë vendase, ashtu edhe ato të huaja.

Baza e krijuar vitin e kaluar, normalisht që shërben si një pedanë e fuqishme, për ta mbajtur ekonominë kineze në rolin e vet udhëheqës në rang global.

Gëzim Podgorica