Sipas të dhënave të Bankës Botërore, në vitin 1981, numri i banorëve në zonat rurale në nivelin e varfërisë absolute me 1.9$ në ditë, vlerësohet në 757.2 milion banorë dhe në zonat urbane në 118.3 milion banorë. Ndërsa në vitin 2020 është arritur objektivi për t'i dhënë fund varfërisë absolute. Kina ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në uljen e nivelit të varfërisë absolute në nivel global. Në vitin 1981 në nivel global popullsia në nivelin e varfërisë absolute me 1.9$ në ditë vlerësohet në mbi 1.9 miliard, ndërsa në vitin 2020 vlerësohet në 720 milion banorë. Ulja në periudhën 1981-2020 vlerësohet në rreth 1.19 miliard banorë. Mbi 73% të uljes së numrit të banorëve në kufirin e varfërisë nën 1.9$ në ditë në nivel global është kontributi i Kinës.


Në milion banorë

Burimi : Povcalnet, World Bank

Burimi : Povcalnet, World Bank

Suksesi i Kinës në reduktimin e varfërisë mund t'i atribuohet kryesisht rritjes së fortë ekonomike dhe reformave. Reformat janë konsideruar si një forcë e rëndësishme shtytëse për çrrënjosjen e varfërisë dhe për të eliminuar shkaqet institucionale dhe strukturore të saj. Fillimi i uljes së varfërisë rurale filloi në vitin 1978 me fillimin e procesit të reformave. Sesioni i Tretë Plenar i Komitetit Qendror të 11-të të Partisë Komuniste i mbajtur në Dhjetor 1978 përcaktoi një kapitull të ri të reformës si dhe hapjes e modernizimit socialist në Kinë. Katër reforma specifike rritën ndjeshëm zhvillimin e bujqësisë dhe efektin e saj në uljen e varfërisë : (i) reforma e tokës dhe zbatimi i sistemit të përgjegjësisë së kontratës familjare, (ii) orientimit të ekonomisë socialiste drejt tregut, (iii) reforma e çmimeve të produkteve bujqësore, dhe (iv) politika e migracionit.

Në periudhën fillestare të reformës Deng Xiaoping deklaroi se : "varfëria nuk është socializëm; socializëm do të thotë eliminimi i varfërisë". Kongresi i 13-të Kombëtar propozoi një plan strategjik me tre hapa për zhvillimin ekonomik. Hapi i parë synonte dyfishimin e prodhimit kombëtar të vitit 1980 deri në fund të dhjetëvjeҫarit dhe sigurimin që njerëzit të kishin ushqim dhe veshje adekuate. Hapi i dytë synonte dyfishimin e prodhimit kombëtar të vitit 1990 deri në fund të shekullit të 20-të dhe sigurimin e një jetese mesatarisht të begatë. Hapi i tretë synonte rritjen e nivelit të prodhimit kombëtar për frymë në atë të vendeve mesatarisht të zhvilluara, duke u siguruar njerëzve një jetë relativisht me të pasur.


Në fillimin e viteve 1990 dhe në vazhdim ka pasur përparim të dukshëm në zbutjen e varfërisë veçanërisht në zonat rurale. Popullsia rurale në kufirin e varfërisë absolute në zonat rurale është zvogëluar nga 656.2 milion banorë në vitin 1990, në 384.1 milion në vitin 2002. Varfëria si koncept evoluoi nga një problem i përhapur në nivel kombëtar, në një problem që prekte rajone, grupe dhe popullsi të veçanta, duke nxjerrë në pah zhvillimin e pabarabartë rajonal. Në vitin 1994, qeveria prezantoi Planin Kombëtar 8-7 për reduktimin e varfërisë duke pasur si objektiv largimin e shumicës së të varfërve të mbetur gjatë periudhës shtatëvjeçare 1994 - 2000. Plani kombëtar për zbutjen e varfërisë përcaktoi objektiva te qarte te cilat ishin: (i) ndihma për familjet e varfra me përmirësimin e tokës, rritjen e prodhimit bujqësor dhe blegtoral, si dhe aksesin e punësimit jashtë fermës; (ii) sigurimin e shumicës së vendbanimeve me akses rrugor dhe energji elektrike si dhe përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm për shumicën e fshatrave të varfër, (iii) arsimin fillor universal dhe kujdesin shëndetësor bazë parandalues dhe kurativ. Plani 8-7 u fokusua në tre programe kryesore për të zbutur varfërinë si programi i huave të subvencionuara të cilat fillimisht mbuluan ndërmarrjet dhe më vonë familjet me aktivitet në industri dhe bujqësi, fondet për të nxitur fermat bujqësore për të zhvilluar infrastrukturën, si dhe grantet buxhetore të qeverisë për investimet në zonat e varfra në të gjithë sektorët.


Kongresi i 15-të Kombëtar mbajtur në 1997 miratoi një plan të ri strategjik me tre hapa. Hapi i parë përfshinte dyfishimin e prodhimit kombëtar të vitit 2000, duke i dhënë popullit prosperitet më të madh dhe vendosjen e një sistemi relativisht të plotë socialist të ekonomisë së tregut. Hapi i dytë do të përfshinte përpjekjet për të zhvilluar më tej ekonominë dhe për të përmirësuar të gjitha sistemet. Hapi i tretë përfshinte realizimin e modernizimit bazë dhe zhvillimin në një vend socialist modern dhe të begatë. Në fillimin e shekullit e 21-të, u formulua pikëpamja shkencore mbi zhvillimin ekonomik. Qëllimi ishte avancimi drejt zhvillimit të një shoqërie harmonike mesatarisht të prosperuar në të gjitha aspektet dhe zhvillimin e një fshati të ri socialist. U miratuan një seri politikash dhe masash të reja për zbutjen e varfërisë duke renditur si prioritet rajonet qendrore dhe perëndimore, dhe duke zgjedhur si objektiva individuale 150,000 fshatra të varfër përveç 592 qarqeve kryesore.


Konferenca Kombëtare për Zbutjen e Varfërisë në vitin 2011 i hapi rrugën një faze të re në betejën kundër varfërisë, me synimin për të siguruar një prosperitet të moderuar në të gjitha aspektet deri në vitin 2020. Politika për zbutjen e varfërisë evoloi nga misioni i plotësimi të nevojave bazë të të varfërve në konsolidimin së pari e kësaj arritjeje, në përshpejtimin e zbutjes së varfërisë, në përmirësimin e eko-mjedisit, në rritjen e kapaciteteve zhvillimore si dhe tejkalimin e hendekut të zhvillimit. Në dhjetor të vitit 2012, Kongresi i 18-të Kombëtar vendosi si objektiv ndërtimin e një shoqërie mesatarisht të begatë në të gjitha aspektet me synimin që deri në vitin 2020 e gjithë popullsia rurale të dilte nga varfëria absolute në të gjitha qarqet dhe eliminimin e saj në të gjitha rajonet. Presidenti Xi paralajmëroi ardhjen e një ‘’epoke të re’’, e bazuar në strategjinë e shënjeshtrimit të zbutjes së varfërisë. Për të arritur prosperitetin në fshat do të ishte thelbësore rritja e standardit të jetesës në zonat rurale dhe veçanërisht të fshatarëve të varfër, dhe se asnjë zonë e varfër apo një i varfër i vetëm, nuk duhej të lihej pas në arritjen e këtij qëllimi.


Në fjalën e tij gjatë një inspektimi të punës për zbutjen e varfërisë dhe zhvillimit, në Fuping, në Provincën Hebei, Presidenti Xi ka theksuar : “se është kërkesë thelbësore e socializmit për të çrrënjosur varfërinë, për të përmirësuar jetesën e njerëzve dhe për të arritur prosperitetin e përbashkët”. Sesioni i Tretë Plenar i Komitetit Qendror të 18-të të Partisë Komuniste në vitin 2013 propozoi formimin e një sistemi të qeverisjes sociale shkencore dhe efektive që do të zbatonte shkencërisht zbutjen e varfërisë. Në fjalën e tij në Forumin për Reduktimin Global të Varfërisë dhe Zhvillimit në vitin 2015, Presidenti Xi, tregoi qartë se eliminimi i varfërisë është prioriteti kryesor i Kinës duke premtuar mbështetje më të fortë politike për të reduktuar plotësisht varfërinë në zonat rurale deri në vitin 2020 .


Arritja e Kinës në eliminimin e varfërisë absolute është rezultat i politikave të ndërmarra për të mbajtur nivel të lartë të investimeve në sektorin industrial, të zhvillimit të shpejtë të prodhimit të manifakturës dhe eksporteve, të urbanizimit të shpejtë, të rritjes së produktivitetit të punës, të rritjes së standardit të jetesës, si dhe rritjes të ndjeshme të të ardhurave. Ndër faktorët e shumtë të uljes së zhdukjes së varfërisë absolute ne kemi analizuar për periudhën 1978-2020 rritjen e qëndrueshme ekonomike, rritjen e të ardhurave të popullsisë urbane dhe rurale, urbanizimin e shpejtë të vendit, rritjen e fuqisë punëtore urbane në raport me fuqinë punëtore rurale, zhvillimin intensiv të bujqësisë, zhvillimin njerëzor dhe rritjen e shkallës së arsimimit dhe kujdesit shëndetësor.


Ulja e varfërisë është rezultat në radhë të parë i rritjes ekonomike të qëndrueshme. Me fillimin e reformave ekonomike mbas vitit 1978, rritja ekonomike mesatare vjetore në periudhën 1978-2020 vlerësohet në 9.3 përqind. Prodhimi i Brendshëm Bruto nga 3 679 (në 100 milion Yuan) është rritur në 1 015 986 (100 milion Yuan) në vitin 2020. Ndërsa të ardhurat për banorë nga 385 Yuan në vitin 1978, janë rritur në 72 000 Yuan në vitin 2020. Në çmime korrente të ardhurat për frymë nga 307 dollarë amerikanë në vitin 1978, llogariten në 10511 dollarë amerikanë në vitin 2020.

Burimi : Zyra Kombëtare e Statistikës, 2021

Burimi : Zyra Kombëtare e Statistikës, 2021


Rritja e të ardhurave të disponueshme dhe konsumi për banorë në zonat urbane dhe zonat rurale ka një korelacion me rritjen ekonomike. Rritmet e larta të rritjes ekonomike kanë mundësuar rritjen e të ardhurave të disponueshme. Ndërsa në vitin 1978 të ardhurat e disponueshme për banorë vlerësohen në 171 Yuan në vitin 2020 llogariten në 32 189 Yuan. Politikat e rritjes së të ardhurave kanë synuar një rritje të qëndrueshme si për të ardhurat e disponueshme të zonave urbane dhe atyre rurale. Të ardhurat e disponueshme për banorë në zonat urbane janë rritur nga 343 Yuan në 43 834 Yuan në vitin 2020. Ndërsa të ardhurat e disponueshme për banorë në zonat rurale janë rritur nga 134 Yuan në vitin 1978 në 17 131 Yuan në vitin 2020.


Në periudhën afatgjatë raporti i të ardhurave të disponueshme të zonave urbane ndaj zonave rurale nuk ka krijuar rritje të hendekut. Përkundrazi, ka një ulje të lehtë të raportit të të ardhurave urbane në raport me të ardhurat rurale. Nga 2.57 në vitin 1978, raporti në vitin 2020 është ngushtuar në 2.56. Ngushtimi më i lartë ka ndodhur në raportin e konsumit ndërmjet zonave urbane dhe rurale. Konsumi në zonat urbane është rritur nga 393 Yuan në vitin 1978 në 34033 në vitin 2020, Ndërsa në zonat urbane konsumi është rritur nga 139 Yuan në vitin 1978 në 16063 Yuan në vitin 2020. I rëndësishëm është fakti se raporti i konsumit ndërmjet tyre është ulur ndjeshëm, që tregon se konsumi në zonat rurale në periudhën afatgjatë është rritur me ritme më të larta se konsumi në zonat urbane. Raporti nga 2.8 në vitin 1978 është ulur në 2.1 në vitin 2020.


Burimi : Zyra Kombëtare e Statistikës, 2021

Burimi : Zyra Kombëtare e Statistikës, 2021


Shkalla e urbanizimit është rritur nga 17.9% në 1978 në 63.9% në 2020. Popullsia rurale u ul nga 790 milion në 1978 në rreth 509 milion në 2020. Popullsia urbane u rrit nga 172.5 milion në 1978 në 902 milion në 2020. Urbanizimi i shpejtë që nga vitet 1980 ka çuar në një fluks masiv të popullsisë rurale në zonat urbane për shanse më të mira për jetë dhe reduktim të varfërisë familjare. Punëtorët migrantë kanë qenë motori i rritjes ekonomike dhe e tregut të punës. Megjithëse ka një rënie të lehtë në 5.2 milion në vitin 2020 krahasuar me vitin 2019 numri i migrantëve rurale vlerësohen të jenë rreth 286 milion .

Burimi : Zyra Kombëtare e Statistikës, dhe Banka Botërore

Burimi : Zyra Kombëtare e Statistikës, dhe Banka Botërore


Urbanizimi është përshpejtuar që nga zbatimi i reformave ekonomike dhe hapja e vendit ndaj ekonomisë së tregut duke filluar nga viti 1978. Modeli i ri i nxitjes ekonomike mbështeti rritjen intensive të manifakturës, të shërbimeve, të inovacionit, të eksporteve dhe konsumit. Ndryshimi i modelit të rritjes ekonomike ka ndikuar në ndryshimin e kontributit të sektorëve në prodhimin e brendshëm bruto dhe të punësimit. Pesha e bujqësisë ka rënë nga 27.9% në vitin 1978 në 8.0% në vitin 2020. Ndërsa industria, pavarësisht në rënie, mbetet sektori me kontributin më të lartë në ekonomi. Rritje të lartë të kontributit kanë patur ndërtimi, shërbimet financiare, dhe pasuritë e paluajtshme. Gjithashtu ka ndryshuar dhe struktura e të punësuarve. Numri i të punësuarve në zonat urbane është rritur nga 95 milion në vitin 1978 në 462.7 milion në vitin 2020. Ndërsa numri i punonjësve në zonat rurale ka rënë nga 306.4 milion në vitin 1978 në 287,9 milion në vitin 2020.

Burimi : Zyra Kombëtare e Statistikës, 2021

Burimi : Zyra Kombëtare e Statistikës, 2021


Pavarësisht rënies së peshës specifike të bujqësisë në prodhimin e brendshëm, ky sektor është zhvilluar me fillimin e reformave në zonat rurale në vitin 1978. Reforma i riktheu fermerëve të drejtën për të përdorur tokën, rregullimin e punës në fermë dhe disponimin e prodhimit të tyre. Reforma e tokës rurale lehtësoi zhvillimin bujqësor dhe siguroi nevojat bazë për familjet rurale. U hoq monopoli i tregut shtetëror të produkteve bujqësore dhe kontrollit të çmimeve mbi shumicën e produkteve. Reformat e zhvilluara nxitën rritjen e shpejtë të produktivitetit dhe optimizimit të strukturës bujqësore. Prodhimi bujqësor është rritur nga 1 397 (100 milion Yuan) në vitin 1978 në 137 782 (100 milion Yuan) në vitin 2020, ose një rritje mbi 98 herë gjatë periudhës. Zhvillimi i bujqësisë është një qasje efektive e politikave të zbutjes së varfërisë.

Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore midis 1981 dhe 2001, incidenca e varfërisë ka rënë me 8 përqind për çdo pikë përqindje të rritjes së vlerës së shtuar të bujqësisë (Qendra për Zhvillimin e Njohurive Ndërkombëtare). Të ardhurat nga aktiviteti bujqësor përbëjnë një proporcion të lartë në strukturën e të ardhurave të të varfërve. Prodhimi për frymë është rritur ndjeshëm. Në periudhën 1978-2020, prodhimi për banorë në kg i mishit është rritur mbi 4 herë, i bimëve vajore 4.6 herë, i produkteve të ujit mbi 9.4 herë, i qumështit mbi 20 herë, dhe i drithërave mbi 50%. Në periudhën 2020 – 1978, rritja e shpejtë e produktivitetit është rezultat jo vetëm i reformave të ndërmarra, por dhe progresit teknologjik dhe akumulimit të kapitalit njerëzor. Kapaciteti i fuqisë së makinerisë bujqësore dhe i traktorëve me fuqi të lartë është rritur në rreth 9 herë, dhe numri i traktorëve me fuqi të ulët në rreth 4 herë. Përdorimi i plehrave kimike është rritur në 6 herë gjatë periudhës.


Burimi : Zyra Kombëtare e Statistikës

Burimi : Zyra Kombëtare e Statistikës

Faktorë të rëndësishëm në uljen e varfërisë janë progresi në zhvillimin njerëzor, zhvillimit të arsimit dhe kujdesit shëndetësor. Prioritet kanë pasur rritja e shpenzimeve publike për edukimin, shëndetësinë, dhe kërkim – zhvillimit në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto dhe totalit të shpenzimeve publike. Shpenzimet publike e edukimit janë rritur nga 2.0 përqind e Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 1978 në 3.6 përqind në vitin 2020. Ndërsa në raport me shpenzimet publike janë rritur nga 6.4 përqind në vitin 1978 në 14.8 përqind në vitin 2020. Shpenzimet e shëndetësisë janë rritur nga 2.4 përqind të Prodhimit të Brendshënm Bruto në vitin 1978 në 5.1 përqind në vitin 2020. Në raport me shpenzimet publike janë rritur nga 7.8 përqind në vitin 1978 në 21.3 përqind në vitin 2020. Ndërsa shpenzimet publike për kërkim – zhvillim janë rritur nga 0.6 përqind të Prodhimit të Brendëshëm Bruto në vitin 1978 në 2.4 përqind në vitin 2020. Në raport me shpenzimet publike janë rritur nga 5.0 përqind në vitin 1996 në 9.9 përqind në vitin 2020.

Burimi : Zyra Kombëtare e Statistikes, 2021

Burimi : Zyra Kombëtare e Statistikes, 2021


Sipas të dhënave të UNDP, treguesi i zhvillimit njerëzor (HDI) për Kinën është rritur nga 0,410 në 1980 në 0.761 në 2020, me një rritje prej 86 përqind. Treguesi i zhvillimit të arsimit është rritur nga 0.341 në vitin 1978 në 0.657 në vitin 2020. Niveli i regjistrimit në shkollën fillore ka arritur në 100 përqind në vitin 2019 nga 94 përqind në vitin 1978, në arsimin dytësor në 99.5 përqind dhe në arsimin e mesëm në 94.6 përqind. Shkalla e vdekshmërisë për fëmijët nën një vjeç për 1000 fëmijë të lindur, u ul nga 53.8 në 1978 në 6.76 në vitin 2019.


Burimi : UNDP

Burimi : UNDP


Kina fitoi betejën kundër varfërisë absolute në vitin 2020. Transformimi i Kinës nga një shoqëri agrare në ekonominë e dytë më të madhe në botë, ka nxjerrë qindra milionë njerëz nga varfëria absolute. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres , “ka falenderuar Kinën për kontributin e saj në zbatimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, dhe progresin e rëndësishëm për të zhdukur varfërinë në të gjitha format dhe dimensionet e saj si një nga sfidat kryesore të botës. Arritjet e Kinës janë mësime të vlefshme për zbutjen e varfërisë për vendet e tjera në zhvillim”. Objektivi tjetër i Kinës mbetet rritja e mëtejshme e të ardhurave të ulta dhe përmirësimi i standardit të jetesës veçanërisht në zonat rurale.



Prof. Dr. Petraq Milo