Pesë Fuqitë e Mëdha bërthamore, Britania e Madhe, Franca, Kina, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nënshkruan para pak ditësh një marrëveshje të rëndësishme, atë të parandalimit të luftës bërthamore dhe shmangies së një konflikti po ashtu bërthamor. Me rëndësi është që të pesë këto vende janë gjithashtu anëtare të Përhershme të Këshillit të‰ Sigurimit me të drejtë vetoje. Kjo e bën marrëveshjen në fjalë një urë lidhëse me vendimmarrjen konsensuale në forumin më të lartë të qeverisë botërore.

Në deklaratën e përbashkët pas nënshkrimit të marrëveshjes thuhet se "Ne besojmë fort, se zgjerimi i armëve bërthamore duhet të evitohet". Ndërkaq nga deklarimet e nënshkruesve mësohet se të pesë këto vende janë të bindur se një luftë bërthamore nuk mund të fitohet nga askush. Sipas marrëveshjes së nënshkruar, Fuqitë Bërthamore nënshkruese detyrohen që‰ të mos furnizojnë vendet e tjera me armë të tilla, si dhe me teknologji që ndihmojnë në‰ prodhimin e këtyre armëve. Autorët theksuan gjithashtu se qëllimi i tyre është që arsenali bërthamor në botë të zvogëlohet. Ndërkaq marrëveshja vlerëson se sa kohë që armët bërthamore do të të shërbejnë për mbrojtje nga ndonjë luftë e mundshme, aq kohë ato nuk do të drejtohen e përdoren kundër një vendi tjetër.

Kjo marrëveshje është e para në llojin e vet që nga periudha e Luftës së Ftohtë. Madje unike për shkak se ndërsa marrëveshjet SALT 1 dhe SALT 2 ishin nënshkruar vetëm midis dy superfuqive të kohës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ish-Bashkimit Sovjetik, marrëveshja e fundit është nënshkruar nga pesë Fuqitë e Mëdha bërthamorë të globit, të‰ cilat janë njëkohësisht anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Aspekti historik lidhet me faktin se tashmë në Këshillin e Sigurimit presupozohet të ketë konsensus në vendimmarrje së paku sa i përket kësaj çështjeje.

Analistë të ndryshëm e lidhin marrëveshjen midis pesë Fuqive më të Mëdha Nukleare me izolimin e përpjekjeve të Iranit për zhvillimin e programit të tij bërthamor. Bisedimet e reja midis Iranit dhe SHBA-ve për çështjen e zhvillimit të armatimit bërthamor thuajse kanë ngecur në vend. Amerikanët kërcënojnë me sanksione të reja, sanksione që përfshijnë izolimin ekonomik e tregtar të Iranit. Ndërkaq SHBA dhe Izraeli kanë lënë të kuptojnë se mund të kërcënojnë edhe ushtarakisht. Kjo marrëdhënie e tensionuar midis Iranit nga njëra anë dhe SHBA-ve dhe BE-së nga ana tjetër, nuk i kovenon fuqive të tjera bërthamore. Prandaj dhe marrëveshja shihet si pjesë e një skenari që do të detyrojë Teheranin t'i rikthehet zbatimit të marrëveshjes së fillimit të periudhës së administratës Obama.

I një rëndësie të veçantë në marrëveshjen e fundit për kufizimin e përdorimit të armëve bërthamore është pozicioni i Kinës. Pekini ka insistuar vazhdimisht për arritjen e një konsensusi të tillë midis vendeve që posedojnë armët nukleare e bërthamore. Roli konstruktiv i Pekinit shihet qartë edhe në çështje të tjera të rëndësishme të zhvillimeve globale. Zv. ministri i Punëve të Jashtme të Kinës, Ma Zhaoxu, e përshëndeti deklaratën që pesë udhëheqësit e shteteve nënshkruese bënë për parandalimin e luftës bërthamore dhe shmangien e garës së armatimit.

Ndërkaq Republika Popullore e Kinës ishte një nga sponsoret e kësaj marrëveshjeje me qëllim forcimin e paqes e të rregullit botëror. Është i njohur tashmë fakte se armët bërthamore dhe nukleare përbëjnë një rrezik të madh për njerëzimin. Ndaj dhe në Pekin ekziston një shqetësim në rritje rreth garës së armatimit bërthamor. Por në kushtet e sotme mbetet që të mënjanohet mundësia e përdorimit të tyre si kusht për prosperitet dhe zhvillim. Për këtë arsye lidershipi kinez i përmbahet politikave të bashkëpunimit të koordinuar ndërmjet Fuqive të Mëdha dhe shteteve me peshë në zhvillimet globale.

Në këtë pakt - marrëveshje nuk janë të përfshirë vende të tjera, si Gjermania, Italia, Japonia, India, Pakistani, Izraeli, Turqia e ndonjë vend tjetër, të cilat posedojnë armë bërthamore ose kanë potencialet e kapacitetet e nevojshme për prodhimin e tyre. Nëse marrëveshja e pesë Fuqive të Mëdha anëtare të Këshillit të Sigurimit do të përfshijë në paktin për mospërdorimin dhe kufizimin e armëve bërthamore edhe këto shtete, atëherë paqja do të jeta akoma më e sigurt. Një konsensus më i gjerë se sa i pesë vendeve anëtare të Përhershme të Këshillit të Sigurimit rrit garancitë për paqe dhe stabilitet në botë. Megjithatë ende mbetet që të qartësohet pozicioni i Iranit dhe Koresë së Veriut në përpjekjet e tyre për të poseduar armë bërthamore dhe roli i këtyre dy vendeve në këtë garë.

Gjithsesi besohet se me këtë marrëveshje do të fillojë një epokë e re në marrëdhëniet ndërkombëtare në funksion të paqes e të besimit reciprok midis palëve. Zëri i përbashkët në mbrojtje të stabilitetit strategjik global dhe uljen e rrezikut bërthamor duket se është pritur me entuziazëm në Pekin, si dhe në vende të tjera. Kjo për arsye se Kina është një nga Fuqitë e Mëdha, e cila dallohet për atë që në politikat e saj synon bashkëpunimin dhe jo konfliktin. Në historinë e saj Kina asnjëherë nuk ka kërcënuar sovranitetin e integritetin territorial të ndonjë vendi tjetër. Për pasojë interesat e Kinës bazohen në të drejtën e popujve dhe kombeve për vetëzhvillim e progres të papenguar nga faktorë të jashtëm, qofshin këto edhe faktorë me potenciale bërthamore e nukleare.

Enver Bytyçi