Viti 2022 duket se do jetë i mbarë për ekonominë kineze. Për këtë vit, Kina i përcaktoi politikat e saj ekonomike gjithëpërfshirëse në Konferencën vjetore të Punës Ekonomike Qendrore (CEWC, 8 - 10 dhjetor 2021), ku u theksua rëndësia e “qëndrueshmërisë” mbi gjithçka tjetër, duke zbatuar “një politikë fiskale proaktive dhe një politikë monetare e kujdesshme”.

Me “politikë fiskale proaktive” kuptohet mbështetja fiskale kryesisht për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (MSME) dhe individët dhe me “politikë të kujdesshme monetare” kuptohet ruajtja e një niveli të përshtatshëm likuiditeti, duke nxitur sistemin bankar të mbështesë edhe më shumë industritë dhe bizneset, subjektet e angazhuara në zhvillimin e gjelbër, inovimin teknologjik dhe ato subjekte që i shërbejnë “ekonomisë reale”.

Byroja Politike përcaktoi në vitin 2020 gjashtë përparësitë që janë në vëmendje të politikës ekonomike:

· Garantimi i punësimit

· Garantimi i jetesës bazë

· Garantimi i subjekteve të tregut

· Garantimi i sigurisë së energjisë dhe ushqimit

· Garantimi i qëndrueshmërisë së zinxhirëve të furnizimit

· Garantimi i funksionimit të organizatave dhe strukturave bazë

Gjithashtu, në 15 dhjetor 2021, Këshilli i Shtetit, për të ndihmuar bizneset, shpalli një sërë masash që synojnë të zbusin presionin ekonomik, të cilat lidhen kryesisht me përmirësimin e sistemit të kreditimit për bizneset.

Sa më lart lidhen ngushtë me rritjen ekonomike, e cila mendohet se do jetë më e lartë se sa mesatarja e rritjes ekonomike globale. Në këtë pikë duhet të ndalemi për të sqaruar një element shumë të rëndësishëm. Edhe pse Kina në disa periudha të mëparshme ka patur rritje ekonomike edhe me dy shifra, përsëri, për shkak të madhësisë së ekonomisë, tashmë në vitet e fundit, rritja ekonomike prej 5 – 6% është shumë më e lartë se rritja ekonomike 10 - 11 % e viteve më parë. Për shembull: një ekonomi me GDP 50 miliardë dollarë dhe rritje ekonomike 10% do ketë pas një viti në vlerë absolute 55 miliardë dollarë dhe, një ekonomi me GDP 200 miliardë dollarë, por me rritje ekonomike 5% do ketë në vlerë absolute 220 miliardë dollarë. Pra, edhe pse rritje ekonomike në rastin e parë ishte 10%, në vlerë absolute rritja ishte 5 miliardë dollarë dhe në rastin e dytë, edhe pse rritja ekonomike ishte v5%, në vlerë absolute rritja ishte 10 miliardë dollarë. Pra, sa më shumë rritet ekonomia kineze në vlerë absolute, edhe pse në vlerë relative rritja ekonomike mund të jetë në ulje, vlera absolute e rritjes do jetë gjithmonë edhe më e madhe dhe duket se kjo do vazhdojë për një kohë shumë të gjatë.

Edhe pse presioni për shkak të pandemisë për shoqërinë dhe ekonominë kineze ishte shumë i lartë, përsëri ekonomia kineze performoi mjaft mire në vitin 2021, krahasuar me disa nga ekonomitë më të fuqishme të globit.

Duket se rikonfigurimi i zinxhirit të furnizimit në rang botëror i ka dhënë ekonomisë kineze një pozitë edhe më të fortë dhe edhe më dominante në rang global, sidomos kur bëhet fjalë për ofertën për lëndë të para, produktet bujqësore dhe blegtorale të freskëta dhe të përpunuara, produktet ushqimore, makineritë dhe pajisjet, teknologjinë e informacionit, materialet, teknologjinë dhe pajisjet e sektorit të shëndetësisë, etj.

Arritjet e deritanishme dhe në vazhdim janë bërë të mundura në një kohë kur Kina bëri përparime të mëdha në politikën mjedisore dhe në zbatimin e angazhimeve ndërkombëtare mjedisore, duke

ndërprerë financimin e projekteve energjetike me bazë qymyret dhe duke marrë angazhimin për objektivin “Zero CO2”.

Një drejtim tjetër i rëndësishëm për Kinën dhe ekonominë e saj janë investimet e huaja, për të cilat, mbështetur në Planin e 14-të Pesëvjeçar, në tetor 2021 u publikuan objektivat për zhvillimin e IHD-ve për 2022 – 2025, duke (1) reduktuar numrin e artikujve në “Listën Negative të Investimeve të Huaja”, lehtësimin e pengesave për hyrjen e këtyre investimeve në sektorët kryesorë dhe (3) vazhdimin e reduktimit të kufizimeve për pasjen e aksesit në treg. Në këtë aspekt sektorët ky synohet nxitja e investimeve të huaja janë ato të telekomunikacionit, internetit, arsimit, kulturës, kujdesit shëndetësor, tregjet e kapitalit, transportit, etj.

Përgjatë vitit 2022 Kina do përmirësojë kuadrin ligjor dhe rregullator kryesisht për punësimin, shëndetin e sigurinë në punë, standardet e cilësisë dhe industritë dixhitale, duke patur parasysh sigurinë kombëtare, prosperitetin e përbashkët dhe politikat antitrust. Në lidhje me këtë të fundit, Kina ka krijuar edhe një zyrë të re kundër monopoleve, e cila ka kompetenca të zbatimit të ligjit dhe kompetenca hetimore për të ndëshkuar lojtarët e tregut që veprojnë në mospërputhje me ligjin.

Të tëra sa më lart janë në zhvillim nën dritën e propozimit të bërë nga Presidenti Xi Jinping në gusht 2021 në lidhje me prosperitetin e përbashkët, që është një parim për të trajtuar pabarazinë duke rishpërndarë pasurinë dhe duke ofruar më shumë barazi mundësish.

Paralelisht, priten zhvillime nxitëse edhe në promovimin e rigjallërimit rural, zhvillimin e infrastrukturës rurale dhe bujqësore si dhe shërbime më të shumta dhe më cilësore ndaj të moshuarve dhe shtresave të tjera që kanë nevojë për mbështetje.

Në aspektin tregtar, në një sondazh nga Dhoma Amerikane e Tregtisë (AmCham) në Shanghai, shtator 2021, doli se shumica e kompanive amerikane janë ende pozitive ndaj Kinës dhe optimiste për potencialin e saj të rritjes së tregut, kryesisht në sektorë të tillë si farmaceutika, pajisjet mjekësore, prodhimi i automobilëve, pajisjeve elektronike, etj.

Eksportet dhe importet e Kinës për vitin 2021 arritën nivelin e më të lartë dhe duket se këto shifra do vazhdojnë ehe në vitin 2022, veçanërisht pasi në janar 2022 kanë hyrë në fuqi edhe reduktimet e tarifave ndaj ASEAN – it, partneri më i madh tregtar i Kinës.

Sipas Bankës Botërore, Morgan Stanley, Deutche Bank dhe Nomura, ekonomia kineze do ketë një performancë të mirë dhe në rritje për vitin 2022, pavarësisht shtërngesave të tregut.

Sidoqoftë, sfidat që dalin përballë ekonomisë kineze përgjatë vitit 2022, me të cilat ajo do përballet janë (1) përpjekja për ta bërë ekonominë kineze të ketë një qasje më të orientuar nga konsumi dhe shërbimet, (2) arritja e qëndrueshmërisë në tregun e pasurive të paluajtshme, (3) mbajtja nën kontroll e inflacionit, (4) përballja ekonomike gjeopolitike, kryesisht përballja Kinë – SHBA në aspektet e luftës tregtare dhe tensioneve teknologjike (5) vazhdimi i angazhimit në politikat mjedisore, (6) mbajtja nën kontroll e presionit të çmimeve të produkteve të sektorit të industrisë ushqimore, (7) mbajtja nën kontroll e kostove të lëndëve të para për industrinë e zbulimit, nxjerrjes dhe përpunimit të mineraleve dhe prodhimit dhe pëpunimit të metaleve, etj.

Nga: Dr. Enriko Ceko